Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“AEROPORT LUFTARAK 1997” FLUTURIM ZBULIMI MBI FIER DHE VLORË, PROTESTUESIT I QËLLOJNË MIG-ët ME ARTILERI


(Botuar në “Shqiptarja.com” më 23 shkurt 2017)

Shkrimi i tretë

“Kalo ultas mbi qytet!”

Pas një çerek ore Migu ishte çarmatosur dhe ai futur në kabinë. Ora ende nuk kish shkuar njëzetë. U lidh me Komandën Qendrore. Zërat e tyre ishin si të përhumbur, të lodhur. Ai u tha se po fluturonte në drejtim të kryeqytetit. Në rast se e quanin me vend ai mund të kalonte edhe mbi të.
Zërat e përfjetur u gjallëruan në çast dhe u dëgjua që flisnin të gjithë njëherësh.
-Mos kalo mbi Tiranë!- i thanë- Nuk është e nevojshme. Eja gjer në Shkumbin dhe pastaj kthehu!
Kur, ndërsa fluturonte, iu afrua lumit dhe raportii vendndodhjen, prej Komandës Qendrore i erdhi urdhri “Fluturo drejt Fierit!”
Mig mori drejtimin e ri dhe kur iu avit qytetit e raportoi “Po i afrohem Fierit”, u dëgjua urdhri i ri “Kalo mbi qytet!”
-Ultas?-pyeti.
-As lart, as ultas-i erdhi përgjigja.
Fieri tashmë pothuaj ishte tek pjesa e përparme e kabinës së xhamtë. Edhe pak dhe ai me të gjithë vezullimin e tij do të hynte brenda Migut.
-Kthehu drejt Vlorës!-i mbërriti nga Komanda Qendrore urdhri tjetër.
Komandanti u ndje i përdorur politikisht. Vlora ishte qyteti kryesor i revoltës kundër qeverisë. Duhej të shkonte drejt tij për ta trembur. Për t\'i thënë se kishte shtet, madje të fortë, të pajisur gjer në dhembë. Kishte edhe aeroplanë luftarakë.
Filloi menjëherë manovrën. Migu i tij tashmë dukej i rëndë, kokëfortë, i lodhur. Vlora u shfaq menjëherë. Një breg i gjatë dhe pafund llamburitës.
-Jam mbi Vlorë- raportoi.
-Kalo ultas!
-Po përpiqem, por jam vonë. Nuk fitoj dot kuotë.
Në kufje, prej Komandës Qendrore, u dëgjua vetëm një mërmërimë. Pastaj ra një heshtje e thellë. Një sekondë më pas qytetin, e shënuar në udhëzimet e instruksioneve për fluturime natën si \"qytet i shtrirë në një xhep të bardhë\", me kohë e kishte lënë pas.
-Po kthehem në bazë- shqiptoi.
- Kthehu!
Migu tani po lëngonte. Në fillim iu shfaq qyteti i lashtë me kështjellë. Në udhëzuesin e tyre të njohjes nga ajri të qyteteve kryesore të vendit Berati kodohej \"gjysmë i errësuar\".
Pastaj bëri manovrën e gjatë mbi kodrinat e buta të qytetit të tij të Kuçovës. Ato ishin të pikëluara nga llambat e rruginave të shumta që atë natë dukeshin sikur ishin duke u përqafuar me njëra-tjetrën.

Në televizor lajme protestash dhe reklama çokollatash \"Kiss\" dhe \"Twiks\"

\"Shkoi ora njëzetë\" shqiptoi një zë në vendkomandë. Qe i shefit të personelit. \"Të dëgjojmë lajmet\", tha më tej. Komandanti i bazës u çua me të shpejtë. Salla e kulturës ndodhej vetëm tridhjetë hapa më tutje vendkomandës. Kur mbërritën këtu nga ekrani i porsandezur thirri zëri i një reklame për çokollatat \"Kiss\" dhe pastaj pamjet flu të saj. Dikush qeshi. Filloi reklama edhe për një lloj çokollate tjetër me emrin \"Twiks\".
\"Ktheheni pak tek RAI\" shtoi lutës një zë. Pas pak fjalët italisht përmbytën sallën e madhe. Në ekran ishte shfaqur teleteksti. \"Shqipëri, në shesh kërkojnë dorëheqjen e qeverisë\". Germat e tekstit italisht, për shkak të sinjalit jo të fortë, lëkundeshin nëpër radhët që herë pas here prisheshin: \"Një manifestim prej 10.000 personash...e filluar paqësisht...u kthye në luftime me policinë në Vlorë (210 kilometra në jug të Tiranës)...një person është plagosur në kokë...pasi u shpërndanë nga forcat e rendit, manifestuesit janë kthyer për t\'u mbledhur në qendër të qytetit...Demonstruesit kërkojnë dorëheqjen e presidentit Berisha e të qeverisë së tij ...përgjegjës...falimentim...kursimet e tyre...\". Radhët e teletekstit tashmë qenë pleksur e ngatërruar me njëra-tjetrin.
Dikush i kaloi pamjet në kanalin e Tiranës dhe papritur, si të ishte nisur prej butonit të atij aparati televiziv, u dëgjua tingulli i fortë i ziles së telefonit.
Ishin pak fjalë: Urdhër i Ministrit të Mbrojtjes. Baza ajrore kalon në gatishmëri njëqind për qind.
Shefit të shtabit porsa i kishte dhënë leje disa orëshe për të shkuar në familjen e tij në qytet, por komandanti i bazës i vuri menjëherë në lëvizje tërë shefat e tjerë, sipas armëve që mbulonin. Një prej vendimeve që mori me ta ishte edhe nxjerrja nga tunelet i një sasie tjetër avionësh. Gjer ato çaste kishin pasur pranë pistës katërmbëdhjetë Migë, një kontigjent jo i vogël, po të kihej parasysh se gatishmëria luftarake nuk ishte dhënë për shkak të ndonjë agresioni të huaj ushtarak. Situata ishte thjesht destabilizim i përkohshëm i rendit publik në disa qytete të jugut.
Megjithatë vendosën të nxjerrin nga tunelet edhe tetë Migë të tjerë.


Në orën njëmbëdhjetë të natës

I thanë se në aparatin e radios e kishte kërkuar shefi i shtabit. Kërkoi ta lidhnin menjëherë. Pas pak sekondash mbërriti zëri i trazuar: “Zoti komandant, policia po kërkon të më arrestojë”.
Ky u shokua.
-Ku je tani?
-Nuk jam në shtëpi. Në shtëpinë time janë policët.
-Atëherë nisu menjëherë për në bazë! Pastaj komandanti i bazës e pyeti: Ke nevojë për njerëz?
-Jo, iu përgjigj shefi i shtabit, por dDo të kthehem në bazë. Me çdo kusht.
-Po nxjerr në rrugë të të presin dy makina me njerëz. Do të jenë të armatosur. Të mos guxojë të të prekë njeri!
Matanë hapësirës, nga ku vinte zëri i shefit të shtabit, u dëgjuan përsëri fjalët “Faleminderit, zoti komandant, faleminderit!”
Ai mbylli radion. Rrufeshëm. Nervoz. I prekur.
Ndërkohë gjer sa dikush tha se ora kishte mbërritur mesnatën, shefi i shtabit akoma nuk pati hyrë në bazë. Por kishte lëvizur, më shumë nëpër errësirë e duke iu shmangur tisit të dritave, shefi i SHIU-t, shërbimit të fshehtë ushtarak të bazës ajrore. Hija e njeriut të shkurtër me bark të madh qe spërdredhur për një kohë të gjatë midis vendkomandës dhe portës së hyrjes në aeroport.
Kur dy veturat me oficerë dhe ushtarë të armatosur, bashkë me shefin e shtabit, hynë më në fund në bazë, të shoqëruar nga tufa e dritës së një projektori, hija e njeriut të SHIU-t nuk ekzistonte më. Sikur e pati përpirë ajri.

Lajm konfuz i BBC për dorëheqjen e kryeministrit

Shefi i shtabit që prej ditës kur u rrezikua për t\'u arrestuar, u bë akoma më i mbyllur. Ndërkohë ra në sy tek të gjithë oficerët e shtabit dëshira e tij të qëndronte akoma më ngjitur pranë komandantit të bazës. Ndihej më i gëzuar kur i bënte një veprim në mbështetje, shprehte gati lumturi fëminore, kur prej tij merrte urdhra.
Çfarë i pati ndodhur nuk e rrëfeu. Askush nga kolegët nuk e nxiti, as komandanti. Dihej vetëm se, atë pasdite të lejes së shkurtër, kishte shkuar në shtëpinë e vet dhe vetëm në afërsi të saj qe bërë e qartë se e po e ndiqnin nga pas dy civilë. Kështu shtëpia kishte qenë vetëm një strehë sa për të marrë vendimin si t\'u shpëtonte. Ikjen e kishte zgjidhur shumë shpejt dhe me ndihmën e të shoqes. Qe veshur civil dhe pati ndërruar shpejt mënyrën e të krehurit të flokëve, uniformën ushtarake e kishte rrasur në një çante dore, pati varur mbi hundë një palë zyze që i përdorte, kur lexonte dhe shkallët i kishte zbritur në majë të gishtave e gati pa marrë frymë.
Të dy ndjekësit kishin qëndruar mbi rrugë, me fytyrë nga hyrja e pallatit të tij, por nuk e dalluan. Diçka po flitnin me pasion. Ai e dinte se syri i zakonshëm qe mësuar ta shihte e ta dallonte vetëm me uniformë. Në rastet tepër të rralla, kur në qytet ishte shfaqur civil, më të shumtit e të njohurve i kalonin pranë dhe nuk e vinin re.
Kështu arriti të dalë në periferi të qytetit, shumë afër aeroportit, deri tek një mik i tij. Telefonatën me komandantin e kishte bërë pikërisht prej aty. Pastaj kishte marrë me vrap një autobuz ndërqytetës dhe zbriti nga ai dy kilometra më tej, sapo kishte dalluar nëpër natë dy makinat e mbushura me oficerë e ushtarë të armatosur.
Një mbrëmje shefi i shtabit iu afrua komandantit tepër intimisht, përtheu trupin e gjatë dhe i pëshpëriti \"Sot kryeministri ka thënë se do të japë dorëheqjen\". Pak nga e papritura e lajmit, ca prej guximit të tjetrit për t\'i kumtuar një informacion politik, komandanti i bazës në fillim ngriu. “E ka dhënë BBC sot”, shtoi tjetri. “Kur të shkojë ora njëzetë do të dëgjojmë Tiranën, iu përgjigj komandanti, po të jetë e vërtetë ajo do ta konfirmojë ”.
Por në të vërtetë në orën 19.00 ai, me kufjen në vesh, po priste sinjalin e fillimit të emisioneve në shqip të BBC-së. Kishte dalë në pistë, larg të gjithëve. Lajmin për dorëheqjen e mundshme të kryeministrit e kishte dëgjuar të përsëritur më vonë nga shumë pilotë, por nuk kishte manifestuar asnjë interesim. Veç brenda vetes ishte tronditur. Do të binte kryeministri, pra shteti po tundej. Papritur ndjeu se po e tundonte politika.
Radion me tranzistor e kishte ngjeshur në një nga xhepat e kapotës. Kur nisi emetimi i lajmeve ai ishte në thellësi të pistës dhe të errësirës, tepër larg nga godinat e komandës e të fjetinave. Atje ndoshta edhe të tjerë po bënin të njëjtën gjë.
BBC tha që në fillim se në Vlorë kishin vazhduar protestat e qytetarëve si edhe greva e urisë e një grupi studentësh. Redaksia u lidh me korrespondentin e vet në këtë qytet dhe e pyeti se cila ishte e veçanta e protestave të asaj dite. Gazetari lokal nisi të raportonte. Kishte zë të tingullt dhe fjalët i hidhte në mikrofon plot forcë, thua luante tenis”: \"Edhe sot në Vlorë vazhduan protestat paqësore të mijra vetëve. Rreth orës në ntë e tridhjetë minuta masa e madhe e tubuesve është drejtuar për në Sheshin e Flamurit...Pastaj ka lëvizur përgjatë bulevardit kryesor. Para demonstruesve kanë folur përfaqësuesit e opozitës, të përfshirë në Forumin për Demokraci. Pasdite, pasi manifestuesit kanë parakaluar sërish përgjatë rrugëve të qytetit, janë grumbulluar para godinës së universitetit, ku në sallën e katit të parë të saj vazhdon që prej katër ditësh greva e urisë e pesëdhjetë studentëve...\".
Redaksia e pyeti: Si është gjendja e grevistëve?
Korrespondenti lokal, përsëri me zërin e tij të tingëllueshëm dhe disi festiv, kërkoi t\'i përsëritej pyetja, sepse nuk e kishte dëgjuar mirë.
Pasi e ridëgjoi, nisi ritmikisht të godiste e të hidhte në ajër fjalët \"gjendja shëndetësore e studentëve është duke u përkeqësuar. Hymë në sallë dhe intervistuam disa prej tyre. Një student, pasi u kontrollua nga mjekët, u largua nga greva\".
Më pas, po aq shkathët, korrespondenti i BBC-së përfundoi duke thënë se në median lokale, për grevën e studentëve, ishin publikuar deklarata përkrahjeje dhe solidariteti nga subjekte sindikale e shoqata të ndryshme. Ndërkohë në shkollat e mesme të qytetit me kohë ishte ndërprerë proçesi mësimor. Gjatë ditës ishte vërejtur tension pranë sporteleve të firmave huamarrëse. Njerëzit kishin pritur gjatë dhe më kot t\'u shpërndahej para.
Menjëherë zëri kumbonjës kishte humbur nëpër eter. Bashkë me fjalët e tij si top tenisi.
BBC nxitoi të kumtonte një lajm të ri: Studentët e vitit të tretë të inxhinierisë elektrike në Universitetin e Tiranës janë solidarizuar me grevistët e urisë të qytetit të Vlorës. Në një deklaratë ata u bëjnë thirrje bashkëmoshatarëve të tyre të bashkohen me studentët grevistë.
Komandanti i bazës ajrore hoqi kufjen nga veshi. Gati e shkuli. Menjëherë në të gjithë qenien e tij depërtoi qetësia e thellë e natës. Ishte tronditur. Ai qe njeri i shtetit, ndërsa ky po anonte drejt rrëzimit. Kjo do të thoshte se ajo bazë e madhe ajrore do të mbeste pa të , do të mbeteshin jetimë e në mëshirë të fatit avionët luftarakë.
Papritur komandanti rrëmbeu kufjen dhe e rrasi në vesh. Radiostacioni i BBC-së vazhdonte transmetimin. Zërat ishin të kthjellët, të fortë. Sikur studioja nuk ishte në Londër, por aty, në atë fushë të paanë: “Ndërkaq në një intervistë dhë në agjencisë britanike Reuter kryeministri shqiptar tha se \"në rast se partia ime kërkon dorëheqjen time, unë jam dakord. Por sigurisht unë kam mendimet e mia dhe do t\'i bëj ato të njohura\" shtoi.
Komandanti e shkuli sërish kufjen nga veshi dhe e flaku edhe nga duart. E varur në fill, ndoshta aty tek lartësia e gjunjëve, ajo dëgjohej tek vazhdonte mizërimin e fjalëve të saj.
Në vesh prej kufjes mbërrinte jehona e thirrjeve \"Vlora, Vlora!\"

\"Zëri i Amerikës\"

Kishte dalë së rish në fund të pistës, ndërsa errësirën e ndjente sikur i derdhte copa akulli në shpinë. Tranzistori akoma po i vërshonte në vesh zhaurrimë fjalësh në gjuhë të ndryshme. Më në fund e gjeti kanalin e dëshiruar dhe e tendosi trupin, sikur tashmë do të priste një goditje të fortë me grusht.
\"Zëri i Amerikës\" jepte atmosferën e pritjes së Presidentit në qytetin jugor të vendit, Gjirokastër. Në një fjalim të mbajtur para studentëve të universitetit radiostacioni thoshte se këta e kishin pritur kryetarin e shtetit me ilaritet, veçanërisht kur përmendte fjalën \"demokraci\".
Komandanti rrinte i ngurosur.
Në mëngjes e gjithë baza ajrore ishte mbushur me fjalë se BBC sapo kishte transmetuar një deklaratë të zëdhënësit të Departamentit Amerikan të Shtetit, sipas të cilit Shtëpia e Bardhë kërkonte mbajtjen e zgjedhjeve të reja e të parakohshme në Shqipëri.
Çuditërisht po atë paradite kishte mbërritur në bazën ajrore urdhri për ta ulur njëzetë e pesë për qind gatishmërinë luftarake.

(Vijon)

Ylli Polovina









Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com