Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

PARTIZAN-KOMUNIZMI I JAUP LILËS: LUFTËTAR DHE QYTETAR I PËRRUNJUR I ATDHEUT


(Botuar në gazetën “Dita” më 30 korrik 2017)

U takova papritur me Jaup Lilën në një nga muajt e fillim pranverës 2007, në një pasdite shumë të vonë, kur dielli pati perënduar dhe s’dukej më në horizont. Në të vërtetë pothuaj për pak sa u përplasëm. Vinim nga drejtime të kundërta dhe ai nuk më pa. Siç e kishte zakon, duke ecur shpejt dhe lëkundur trupin e imtë sa majtas djathtas, në pamje të parë si kuturu, mes rrëmujës së turmës kalimtare ai m’u feks krejt përpara fytyrës. Shtanga. Ndodheshim njëherësh të dy në një udhëkryq të zhurrmshëm të Tiranës, atij pranë shkollës “Vasil Shanto” dhe prej të papriturës gjithçka m’u duk si sajesë e vështrimit tim të lodhur pas orëve të gjata të punës në zyrë. “Xha Jaupi!” thirra i pasigurt që fati ma kish sjellë ta ritakoja. Kisha plot një çerek shekulli pa e parë, por që vetëdijshëm nuk e pata hequr kurrë prej kujtesës. Kishte mjaft arsye përse e kisha ngulitur në tru dhe madje skeduar në dosjet e mia krijuese, ku vazhdimisht kam grumbulluar ngjarje të veçanta dhe të dhëna thelbësore e karakteristike për ata që i quaj “personazhe” të ardhshëm.
Ishte planifikuar që atëherë se duhej të shkruaja patjetër për të.
E kam përpiluar skedën e tij në 26 nëntor 1981, pra më shumë se tridhjetë e pesë mote të shkuara. Kam shënuar se ai është 60 vjeç, me gjendje shoqërore bujk dhe banues në fshatin Tërpan të rrethit të Beratit. Karakteristika të xha Jaupit, sipas mendjes time të vitit 1981, janë këto: “Në më të shumtën e herëve rri i parruar, qimebardhë në mjekër. Me kasketë për të dalë (për mbledhje) dhe me kasketë të andruar për punë. Këmishë e andruar dendur, rrobe e xhaketë doku. Hunda e gjatë dhe me majë sikur të çpon. Kur flet tërheq pak anash buzët. Nëpër temtha damarë që duken. Andra në bërrylat e xhaketës, fytyrëvogël, ka pak rrudha, por në mes të faqes i hapen dhe i mbyllen dy vrima, sipas të folurit që bën. Kur flet i lëviz sytë sa majtas djathtas, pa i përqendruar gjëkundi. Energjik. Kërkon lëvizjen e duarve. Shirit i zi në xhaketë. Dy kocka përpendikulare gjer në fund të nofullave, që i japin formë katrore kokës. Kur lodhet së foluri (sepse flet shumë) ja bën cuq buzëve të thara”.
Pak më poshtë shënimet e mia thonë se Jaup Lilaj “është konfuz, rrallë del e qartë një gjë nga diskutimi i tij”. Si të veçanta të të folurit të tij kam regjistruar shprehjet “drejt ashtuthi”, “tabellat”, “na kalon me hofte”, “çap pas çapi”, “xheku e kishim parë”, “u dha parrulla do të bëjmë aksion”.
Në 1981 xha Jaupi shiritin e zi e mbante, sepse vetëtima i vrau njërin djalë, nxënësin tonë të shkëlqyer e të urtë të tetëvjeçares, Kahremanin.
Jaup Lila kishte qenë partizan, një katërmbëdhjetëvjeçar i rreshtuar në dy formacione të njohura të Lëvizjes Nacionalçlirimtare: Brigada e Gjashtë dhe ajo e Dhjetë. Në 1945 qe bërë komunist. Ishte dekoruar disa herë, me sa mbaj mend dy medalje i kishte nga lufta dhe dy apo tri të tjera nga puna. Sepse Jaup Lila historinë e Shqipërisë që pas pushtimit fashist (Musolini kishte ardhur e kaluar në fshatin e tyre të Tërpanit në rrugëtim për në vijën e parë të frontit luftarak me grekët dhe banorët tërpanakë, të urdhëruar me forcë të dilnin për ta brohoritur në buzëxhade, nuk e thërrisnin “Duçe, Duçe!”, por “Buçe, Buçe!”) e ndante në periudhë të Luftës dhe të Punës. Me pak fjalë ai gjykonte se gjatë pushtimit nuk duhej qendruar kurrë duarlidhur, por patjetër të luftoje me armë. Pas pushtimit aspak nuk duhej të rrije me duar të kryqëzuara, por t’i përvisheshe punës për rindërtim të vendit. Ky ishte tërë thelbi i partizan-komunizmit të tij: luftëtar dhe qytetar i përrunjur i atdheut.
Unë e njihja këtë cilësi të bukur të xha Jaupit dhe malli i grumbulluar, tek e pashë, më tronditi shumë. Sidomos kur, trupimët siç qe, duke m’u hedhur në krahë për të më përqafuar, m’u duk si një fëmijë i çiltër. Dhe nuk kam për ta harruar kur shqiptoi fjalët: “Po ne për të mirë u përpoqëm!”

Mali që shtiu me vetëtimë dhe i vrau të birin

Ky dhe vetëm ky qe pengu i këtij ish-partizani dhe dikur komunisti. Në pak minuta, sa qëndruam bashkë, sepse ai kish ardhur me banim në Tiranë dhe shpresonim të ritakoheshim (çfarë nuk ngjau), qe i hidhëruar prej pafytyrësisë së disa mjaft të privilegjuarve të regjimit, të cilët i binin gjoksit se ishin komunistë besnikë dhe me rënien e atij sistemi jo vetëm e patën kthyer pllakën e vetëmburrjes, por po e mbushnin të tashmen me sajime trimërimi fals dhe gjoja disidence në të shkuarën. Xha Jaupin e kish turbulluar hileja që për të rifituar favoret personale si dikur, këta të pafytyrë, ndërsa patën shpërthyer një sulm cinik ndaj të kaluarës, shpërfillnin dhe mohonin sinqeritetin e komunistëve të thjeshtë që kishin bërë, me aq sa dinin, më të mirën e mundshme. Në vend të përfitimit si zorzopët e mësipërm, ata patën sakrifikuar, jetë dhe mirëqenie.
Gjithsesi në atë pranverë 2007 u ndava me Jaup Lilën me gëzimin se, siç thashë më sipër, jetonte në një qytet me mua dhe do të ritakoheshim si atëherë, kur unë isha mësues në shkollën e mesme bujqësore në fshatin e tij Tërpan. Si atëherë, kur një ditë u bëra dëshmitar i vdekjes së njërit prej shtatë fëmijëve të tij, Kahremanit. Qe fillim vere dhe djali, nxënës i shkëlqyer në tetëvjeçare, por që tashmë sezoni i mësimeve pati përfunduar, po punonte në brigadë, në lagjen e tij Lila, për të korrur grurin. Kur erdhi mesdita dhe bujqit gjetën nga një vend për të pushuar, Kahremani u shtri në hijen e një peme aty afër dhe drapërin e vari në një degë. Qielli ishte krejtësisht i kaltër dhe vetëm një çast, shumë përtej, në “malin me vija” të Shpiragut, ku ishte shkruar fjala “Enver”, sapo nxorri kokën një re e hollë, krejt e bardhë, si varg poezie. Por befas në tërë atë qetësi mesdite të vaposur u dëgjua një bubullimë. Kishte vetëtirë. Vetëtimë në qiell të kaltër! Këtë çudi e pata dëgjuar vetëm në të folurën e urtë popullore, parë kurrë. Pas një grime u dëgjua një klithmë e veçuar, pastaj të tjera, njëra pas tjetrës. I bënin të alarmuar bujqërit e brigadës, gratë, burrat. Shkrepëtima e habitshme pati vrarë që larg, si të qe enkas një vrasëse e porositur, Kahremanin e vogël. U tha se në këtë gjëmë kishte ndihmuar pa dashje ai drapër i varur në degë mbi krye të djalit, por unë që isha afër qesh i bindur se krimi duhej të ishte lehtësuar prej malit të Tërpanit, i cili në brendësi duhej të qe shumë mineral. Ai i tërhiqte vetëtimat si me dorë. Si edhe për të tjerë edhe kundër meje në atë qafë mali qielli pati shtirë rrezikshëm dy herë.
E varrosëm nxënësin tonë të shkëlqyer të nesërmen. Binte një shi i rrebeshtë dhe gropa nuk donte ta merrte trupin e tij të njomë. Njerëzit e hiqnin ujin me kova për ta zbrazur që të futnin arkivolin, por natyra e shtynte shiun të shfrente furi kokëfortë dhe ta mbushte sërish.
Edhe dy vdekje të tjera të rënda e patën goditur shtëpinë e varfër të partizan-komunistit Jaup Lila. Sapo kishte ndërruar jetë Enver Hoxha dhe një ditë e shoqja e tij, Hysnija, zuri shtratin. Asnjë mjekim nuk e kuronte. Në spitalin e Beratit më në fund filluan t’i jepnin gjak, por trupi i saj nuk e nxirrte. Më në fund ajo dha shpirt dhe fëmijëve të saj që prisnin tek porta e spitalit njëri nga xhaxhallarët, i cili banonte prej dekadash në qytet dhe kishte njohje të gjërë, u doli para, vuri grushtin në ballë dhe tha kobin, veç me mënyrën e çuditshme politike të kohës: “Të rrojë Partia! Hysnija na la!”
Jaup Lila e kishte varrosur bashkëshorten e tij dhe qe në hidhërim të madh, kur sapo u mbush java i vdiq e bija, Pranvera. Qe po ajo sëmundje si e të jëmës. Me shpejtësi Papritur mbërritën nga Tirana doktori personal i Enver Hoxhës, Isuf Kalo, bashkë me një mjek francez. Qenë bashkuar me ta edhe dy shqiptarë të Ministrisë së Shëndetësisë. Sipas tyre, sëmundja e rënë në shtëpinë e Jaup Lilës ishte shumë ngjitëse dhe, po të përhapej, rrezikonte jo vetëm Shqipërinë, por tërë njerëzimin. Kështu pas një takimi me familjen dhe disa mbledhjeve të rrufeshme profesionale në Berat dhe në Tiranë, i mbyllën të gjithë në karantinë. I dendën me gjilpëra. I nxorrën nga burgimi spitalor pas periudhës së domosdoshme të karantinimit.

Një ditë e shkurtit 1991: Dorëzo dekoratat!

Momenti tjetër i rëndë në jetën e partizan-komunistit Jaup ishte një ditë e shkurtit 1991, kur pati zbritur në Berat për një punë të ngutshme dhe siç e kishte bërë zakon në raste të tilla, pati vënë mbi jakë të xhaketës prej doku dy medaljet e tij të luftës dhe dy të tjerat e punës. Ndërsa për të pirë një kafe u fut tek bar-hotel “Palma”, që ndodhej buzë Osumit, tre të rinj të krekosur si “demokratë” iu vërsulën dhe i shkulën medaljet. Pastaj ia flakën njëra pas tjetrës në lumë.
Atëherë Jaup Lila pati qarë si fëmijë, por muaj më pas, kur i biri, Enveri, do të blinte një copë truall në Yzberisht të Tiranës, për të ngritur aty një shtëpi me mundin e punës që bënte si emigrant në Greqi, të katër këto medalje do t’ia ribënte. Në kryeqytet, për fat, kishte zanatçinj dhe dyqane për këtë punë.

Vrasja me aksident e partizan-komunistit Jaup Lila

Takimi me djalin e tij, Enverin, para nëntëdhjetë nënoficer i Ushtrisë, e bëra një muaj më parë. Kisha dëgjuar një fjalënajë sipas të cilës xha Jaupi pati vdekur nga shtypja e bërë prej një mjeti në rrugë. Biseda qe tronditëse. Babanë e tyre e pati shtypur një motorçikletë. Kishte qenë korrik 2007, plot dhjetë vite të shkuara.
Xha Jaupi pati qenë në një dasmë të familjes të së motrës, në një restorant porsa në të dalë të Tiranës, në autostradën për Durrës. Pasi rreth orës tre të natës gëzimi kishte përfunduar dhe të ftuarit morën rrugën për të shkuar në shtëpitë e tyre, kështu veproi edhe Jaup Lila me të vetët. Qe një natë krejtësisht e errët, pus. Ato anë nuk kishin atëherë llamba rrugore, siç kanë tani. Tek iknin nëpër terr për të shkuar tek ku qenë parkuar makinat, i jati i tyre u kërkoi leje të “derdhte ujët” dhe mbeti pak mbrapa. Djemtë dhe nipërit ecën ngadalë që ai t’i arrinte sa më shpejt, por pas pesë minutash asnjë siluetë apo zë i tij nuk po ndihej. Mungesa u bë dhjetë minuta. Atëherë filluan ta thërritnin. I rrethoi vetëm heshtja. U rikthyen, duke shkelur pëllëmbë për pëllëmbë udhën nga ku sapo patën kaluar. U futën nën një hark ure nëntokësore, atje qe terr mbi terr, por asnjë frymë njeriu. Zbritën nëpër një ledh buzëudhe, edhe këtu asgjë. Rishkuan në restorantin e dasmës mos qe kthyer atje, por jo. Filluan sërish rrugën e kthimit, nëpër atë errësirë duke rikontrolluar edhe më imët, pothuaj me duar. Në fillim klithi një nip, më i vogli, vetëm dhjetë vjeç: “Kapela e gjyshit!” Në një skaj të rrugës së errët ndodhej përdhe kasketa e xha Jaupit. Pak metra më tej panë këpucët e tij. Me ankth morën atë drejtim dhe në fund të rrugës anësore, ku takohej me autostradën, ndeshën në dy policë. Këta u thanë se njeriun e tyre e kishte shtypur nëpër errësirë një i ri me motorcikletë që vinte me shpejtësi të madhe. Pas përplasjes ky pati qëndruar dhe njoftuar policinë. Patrulla e porsardhur e kishte nisur të porsashtypurin në Spitalin Ushtarak, por mesa dinin plaku nuk jetonte më. Mjekët e patën futur në morg. Kur djemtë e nipërit shkuan këtu qe ora pesë e pragmëngjesit dhe roja e morgut nuk pranoi t’i lejonte të hynin. Rregulli qe ora shtatë. Me durim të pamundur e pritën këtë çast jashtë portës dhe më pas, pasi e morën trupin e babait të tyre, u kujdesën për t’ia bërë të gjitha nderet e përcjelljes.
I biri, Enveri, na rrëfeu se dy të dërguar prej të riut me motorçikletë erdhën ta takonin për t’iu lutur ta falnin e kështu të mos hynte në burg. Pas disa orësh këtë veprim e bëri edhe policia, sepse në të kundërtën, në mosfalje, atyre u duhej sipas ligjit ta arrestonin shkaktarin e aksidentit vdekjeprurës Kështu familja e partizan-komunistit Jaup Lila u mblodh dhe vendosi faljen. Tetë pjesëtarë të të riut morën pjesë në funeral. Në ditët e mëvonshme Enveri telefonoi disa herë tek i riu dhe të tjerët, thjesht për të bërë një gjest miqësimi të mëtejshëm, por kurrkush nuk iu përgjigj. Mbase tashmë e kishin kapërcyer rrezikun e burgimit dhe nuk donin më të dëgjonin për atë histori. “Por unë i kam falur”, mëshon fjalët me dhimbje të dukshme Enveri. Pastaj shton: “Kështu do të vepronte edhe babai”.
Të vdesësh kështu? Sikur ke jetuar kot.
Megjithatë autori i këtyre radhëve u gëzua fort që pesë trashëguesit e partizan-komunistit Jaup Lila që ditën e parë të ikjes së sistemit të shkuar politik, qenë shkathësuar në jetën e gjallë me tjetrin, atë të ekonomisë së tregut. Dy fëmijë në Greqi, Astriti dhe Republika, sidomos kjo e fundit, ka në Athinë edhe dyqan, dy-tri makina. Ajeti në Berat, mësues, në gjendje të mirë. Po ashtu Mitati në Tiranë. Ca më tepër Enveri, i cili ishte pionieri i parë i të vendosurve në territorin bujqësor të Yzberishtit, prej ku më pas lindi një qytet i ri, tashmë pjesë moderne e kryeqytetit. Punon si hidraulik dhe është mjaft i kërkuar. Ka dy apartamente, një dyqan, një garazh.
Jetët njerëzore, veçanërisht të njerëzve të thjeshtë e të pabujshëm, nuk janë asnjëherë kot edhe kur duken si të tilla. Ato zgjaten brez pas brezi, gjeneratë pas gjenerate formojnë e plotësojnë atë që duhet popull. Ky ruajtës i madh i identitetit kombëtar, i cili asnjëherë nuk është turmë, siç disa ia dëshirojnë, por ndërgjegje, nuk ka asnjë lidhje shpirti me maskëndërruesit e regjimeve.

Ylli Polovina

Tiranë, më 17 korrik 2017



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com