Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

TA SHPËTOJMË BALLISTIN MORINA APO.... Të shpëtojmë prej tij?


(Botuar në 4 gusht në gazetën online “Shqip”)

Me sa duket punët kanë mbërritur në këtë pikë dhe po u kapërcye kjo, braktisja e kësaj ngjarjeje dhe e fryrjes së saj ultranacionaliste, mbase do t’u tregojmë një “kufi deri tek thana” kujtdo që me kokë të tij dhe për protagonizëm e lavdi të vet, kuturis gjeste çoroditëse në Ballkan. Mbase kështu ka ende kohë që disa të vënë mend e t’i bëjnë mirë llogaritë çfarë fitojnë ata dhe sa humbazim ne të gjithë. Duhet thënë se ne shqiptarët me atë që kreu dhe pasoi dronin e ballistit Smajl Morina në Beograd, kemi humbur shumë. Ai qe veprim humbës jo vetëm në diplomaci, por edhe thjesht në patriotizëm. Atdhedashuria apo kombëtarizmi me perspektivë nuk merr energji rritëse prej një flamuri lesh e li, të shpikur e të paparë ndonjëherë në kujtesën tonë nacionale, thua si ta kishin nxjerrë nga dosje të palara mosnjohës të historisë dhe traditës tonë, lajthitje që më shpesh i bëjnë shërbime të fshehta të huaja.
Prej asaj ngjarjeje në stadiumin e Beogradit duke e riaktivizuar ciklikisht dhe bërë përherë e më shumë lënduese, duhet të heqin dorë njëherësh, në një mirëkuptim normal, si shqiptarët ashtu edhe serbët, Tirana dhe Beogradi. Në rast se do të vijohet t’i jepet peshë ajo palongjarje do t’i lodhë të dyja palët dhe zhvendosë prej angazhimit për t’u përputhur me standartet e Evropës së Bashkuar si sintezë e qytetërimit perëndimor.
Nuk mund ta kuptojmë përse vërdalloset nëpër Ballkan një fletarresti ndërkombëtar për një kokëshkretë fillikat, i cili nuk i ngjan aspak jo vetëm një ballisti nga ata të Mit’hat Frashërit, por as ndokujt prej atyre të cilët gjatë luftës vepruan në Kosovë. Të parët qenë shumë të qartë në objektivin dhe simbolet e kërkesës për Shqipëri Etnike dhe flamur të kombit të bashkuar kishin shqiponjë dykrenore në fushë të kuq, kurse të dytët në Kosovë qenë trima të mëdhenj dhe mjaft të qartë, shumë bindës në kursin e tyre për ta refuzuar pushtimin e trefishtë: atë italogjerman, atë bolshevik dhe serb.
Vetëm koka të nxehta e të ngjeshura, si me dinamit, me ultranacionalizëm ideologjik, po ashtu edhe mendje zyrtare të ethshme për të gjetur çdo çast shkaqe armiqësimi me shqiptarët, kërkojnë të bëjnë spektaklin e një gjyqi mesjetar në Beograd dhe patjetër të një burgimi inatçor për një gjest fare butaforik dhe pa asnjë pasojë fizike mbi ndonjë lojtar apo tifoz të asaj ndeshjeje. Po u justifikua kjo me dëmin e krijuar prej gjoja nxitjes që Smajl Morina i paska bërë urrejtjes ndërnacionale apo ndërfetare në Ballkan, mjerë logjika e ushtrimit të të drejtës ligjore. Në fund të fundit fqinjët tanë po të mos e kishin fryrë incidentin ai do të qe harruar me kohë.
Rreziku është i madh po e futëm në histori.
Kjo ndodh po qe se “ballisti” do të ekstradohet në Serbi dhe atje të hyjë në burg. Kështu heroizimi i tij, shndërrimi në mit për tejnacionalistët, kthimi në legjendë si të jetë një Gjergj Elez Alia i shekullit njëzetë e një, është tërësisht e sigurt.
Në ndodhtë kjo pseudoballisti që u gjet me armë pa leje dhe po ashtu u burgos në Tiranë (dhe ato kohë askush prej shqiptarëve nuk u kujtua për të), për shumë vite me rradhë do të bëhet rrezik i miqësimit të nevojshëm e të+ domosdoshëm mes dy vendeve dhe popujve tanë.
Ndërkaq Tirana apo Prishtina, dhe këtu e kemi fjalën më së pari për individë e përfaqësues të Shtetit, pastaj për politikanët, publicistët me emër e ndikim publik, duhet të heqin dorë njëherë e përgjithmonë nga angazhimi për t’iu gjetur në krah këtij kokëkrisuri dhe vetëpëlqyesi, këtij bashkëkombësi që nuk është as patriot i vërtetë dhe madje as ultranacionalist. Smajl Morina është një kotësi, një hiçgjë. Ndaj tij kemi detyrim vetëm të mos ia lëmë në duar Beogradit, ku ka shumë bashkëballkanas të arsyeshëm, por ku tek jo pak rri zgjuar, gati për shfrim, një mëri e vjetër antishqiptare. Në një rast të tillë nuk ka pse Morina të paguajë edhe për shfrime ndaj nesh.
Ai duhet të paguajë vetëm për vete.
Kjo bëhet vetëm duke e lënë mënjanë, duke e “harruar”, braktisur, hequr nga rruga, shtyrë tej.
Mjaft më!

Ylli Polovina

Tiranë, më 2 gusht 2017




Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com