Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISË ITALIANE ME MBIEMRIN ÇIFTELIA (Pjesa 2)
AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISË ITALIANE ME MBIEMRIN ÇIFTELIA (Pjesa 1)
BEFASUESE: EKZISTON NJË PAMJE E PESTË PËR SHPALLJEN E PAVARËSISË DHE NGRITJEN E FLAMURIT
KORÇARËT NË REVANSH PËR PRONËSINË E FLAMURIT TË PAVARËSISË
AS FOTOGRAFI PËR NGRITJEN E FLAMURIT NË 28 NËNTOR 1912, AS AUTORË PËR FOTOT E BËRA EDHE NJË JAVË MË PAS
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

FAN NOLI PËRBALLË ENVER HOXHËS:


FAN NOLI PËRBALLË ENVER HOXHËS: NË QEVERINË SHQIPTARE TË PASLUFTËS MUND TË JETË AI KRYEMINISTËR

(Botuar në gazetën “Shqiptarja.com” në datat 25, 26 dhe 27 gusht 2018)

Në Kongresin e Përmetit komunistët qenë hapët me Nolin apo tërthorazi kundër tij?

Pjesa e parë

Noli, rreziku i dytë anglo-amerikan

Në librin e tij “Rreziku anglo-amerikan” për Shqipërinë” (Kujtime, 1982), në faqet 251-252, Enver Hoxha shkruan fjalë për fjalë: “Nëpërmjet Zavalanëve e kasnecëve të tjerë dëgjonim zëra se për krijimin e një qeverie në mërgim, të kryesuar nga Zogu, ishte kërkuar dhe mendimi i Fan Nolit, i cili kishte qenë dakord dhe kishte pranuar të ishte këshilltar. Paçavurja “Atdheu” botoi edhe mesazhin që Noli i dërgonte Kordell Hullit. Kur e morëm vesh këtë, në fillim s’e besonim. Nuk na besohej që ky kundërshtar i rreptë i Zogut të mund të ulej në të njëjtën tavolinë e të mendonte me të për fatin e Shqipërisë! Na dukej e pamundur që Noli të pajtohej me vrasësin e Avni Rustemit e të Bajram Currit, të Luigj Gurakuqit e të Riza Cerovës, me shkaktarin e endjes nëpër Evropë të qindra bijve të shqipes, pa plang e pa shtëpi, të ndjekur këmba-këmbës nga larot e Zogut. Na dukej e çuditshme që Noli t’i hidhte trarin e shpëtimit feudalit të pashpirt që i kishte pirë gjakun për 15 vjet rresht popullit shqiptar. Por, për fat të keq, siç u vërtetua më vonë, në ato që dëgjonim, kishte brenda edhe të vërteta. Se në ç’rrethana është ndodhur, se ç’motive e shtynë Nolin, këto s’i dimë. Fakti është se ai e bëri një gjë të tillë, pavarësisht se plani për një qeveri jashtë nuk mund të vihej kurrë në jetë”.
Poshtë faqeve 251 dhe 252, ku parashtron këto gjykime të tij, Enver Hoxha vendos edhe dokumentacionin mbështetës: “Në përgjigje të letrës që S. Martini (“ministër i oborrit”) i dërgonte Fan Nolit në emër të Zogut në 7 prill 1943 në lidhje me krijimin e një qeverie shqiptare ku thuhej se “Mbreti do të kishte qejf të shihte hirësinë tuaj në krye të kësaj qeverie” Fan Noli në 27 maj 1943 i shkruante “Jam gati të bëj gjithçka që më takon...nën udhëheqjen e mbretit Zog...duhet ta bëj të qartë se mund të shërbej vetëm në cilësinë e këshilltarit për arsye të nënshtetësisë sime amerikane...”.
Prej shkrimit nga gazeta proqeveritare e Tiranës “Atdheu”, botuar më 12 tetor 1943, në mbështetje të gjykimit që në vitin 1982 jep për Nolin, Hoxha shkëput edhe këtë fragment të deklaruar prej këtij: “Do të jetë në dobi për Kombet e Bashkuara me e njohtë zyrtarisht mbretin Zog dhe me i dhanë rast me luejtë rolin e vet për shpejtimin e fitores që neve të gjithë e presim. Mbreti Zog asht i zoti me punue për aleatët më tepër se cilindo shqiptar ose grup shqiptarësh...”.
Më tej nga deklarata e Fan Nolit: “Disa kundërshtarë të sinqertë të mbretit Zog që kanë vuejtë me vjetë në mërgim për kundërshtimin e tyre, mendojnë se asht në interesin e të dy palëve, të Kombeve të Bashkueme dhe të Shqipnisë, me pasë një qeveri zyrtarisht të njohtun në mërgim nën mbretin Zog....”
Me kaq përfundon gjykimi i Enver Hoxhës për Nolin dhe mund të kuptohet lehtë se ai, disi i rafinuar në sipërfaqe, brenda vetes është shumë i ashpër, pothuaj i egër. Kryekomunisti shqiptar, i cili këto çaste ishte në gjendje aspak të mirë shëndetësore dhe pas tre motesh do të ndërronte jetë, është mjaft i ndërgjegjshëm për çfarë po bën. Çfarë shkroi në librin shumë të përhapur në shqip dhe në disa gjuhë të botës, “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë”, ai e kishte pjesë të testamentit të tij politik. Ndoshta lante edhe ndonjë hak, me pak fjalë hakmerrej ndaj Fan Nolit, sepse gjykonte se ky qe një rrezik i dytë anglo-amerikan, madje më i rrezikshmi se i pari.

Hoxha mohon, Shtylla pohon

Në fund të fundit Enver Hoxha duhet të ketë arsye të tij përse nuk e anashkalon gjykimin e rreptë për Fan Nolin dhe të shkojë deri atje sa t’i mbushë mendjen lexuesit se nuk i dinte motivet që e patën shtyrë udhëheqësin e njohur të “Revolucionit të Qershorit” të rreshtohej me Ahmet Zogun. Kjo duket shumë e pabesueshme, sepse gjithçka e patën sqaruar jo vetëm një publicistikë e caktuar pro monarkut, e cila qarkullonte në pas luftë mes bashkëkombësve në Perëndim, por edhe e tëra kjo, nëpërmjet ambasadave shqiptare, e përzgjedhur prej Ministrisë së Jashtme, dërgohej në paradhomën e zyrës së Hoxhës në Tiranë.
Apo në inatin e pafashitur të kryekomunistit shqiptar ndaj Fan Nolit në 1982 ka edhe një antiamerikanizëm të fortë, prirje që Enver Hoxha ideologjikisht e ka pasur në vazhdimësi? Mos pa dashje ai nxjerr mbi rreshta merakun se mbase Noli gjatë luftës e sidomos në vitet pas saj, duke bërë sikur qe me nacionalçlirimtarët, luajti më së shumti në favor të Shtëpisë së Bardhë?
Pra, mendojmë, se Hoxha i di fare mirë motivet që e shtynë Fan Nolin në atë , por nuk i intereson t’i hedhë në letër dhe t’i shpërndajë nëpër opinionin publik. Mund të ndodhte, po t’i shpjegonte korrektësisht, që mjaft lexues të bëheshin përkrahës të zgjedhjes që pati bërë ato çaste Fan Noli ose të paktën justifikues të saj. Kur pas lufte Fan Noli do t’i shpjegonte Behar Shtyllës arsyet përse e mbështeti Ahmet Zogun në projektin e tij për një qeveri shqiptare në mërgim si edhe krijimin e Frontit të Bashkuar, edhe pse, ndërkohë, sipas tij, i duhej që derrit t’i thoshte dajë, qëndrimin e vet e formuloi si “një veprim diplomatik për të pasur në duar një instrument politik që mund të pranohej nga qeveritë amerikane dhe britanike, gjë që do të siguronte njohjen e Shqipërisë si komb i bashkuar, pavarësinë dhe tërësinë e saj tokësore pas lufte”.
Dhe ja një argument tjetër i Nolit: “Kjo do të pengonte e do të thyente intrigat dhe pretendimet tokësore antishqiptare të qeverive shoviniste greke e jugosllave të Londrës”.
Behar Shtylla i bëri të ditura këto deklarata shpjeguese të Nolit vetëm kur e përfundoi së shkruari librin e tij “Fan Noli siç e kam njohur” në fund tetor 1992. Ndërkohë që ai do të botohej në 1997. I çliruar prej detyrimeve politike ndaj periudhës kur sistemi politik shoqëror qe hoxhist, ato që pohon diplomati i njohur duhet të jenë të vërteta.

1949, letra që ra në duart e CIA-s

Në irritimin e dukshëm të Enver Hoxhës për qëndrimin prozogist të Fan Nolit ka ndikuar edhe urrejtja e tij ndaj monarkut, i cili jo vetëm e dëshiroi që Shqipëria e pas luftës të mos vendoste asnjë lloj qeverie komuniste, por as që ajo të kishte shef të saj Enverin. Kur Hoxha në librin e vet të kujtimeve e ka rrëfyer përpjekjen qeverishpallëse të Zogut, realizuar nëpërmjet një aleance me Fan Nolin, si rrezik pothuaj “anglo-amerikan”, e ka fjalën për mesin e vitit 1944, kur Lëvizja Nacionalçlirimtare e drejtuar nga PKSH, shpalli në Kongresin e Përmetit një kabinet qeverisës me pikërisht Enver Hoxhën në krye. Por Ahmet Zogu fillimisht do ta mohojë këtë qeveri dhe do të luftojë për ta rrëzuar për të paktën edhe një dekadë të pasluftës, minimalisht deri sa u mbyll moti 1953 dhe viti pasardhës e bëri të qartë se jo ish-mbreti, por as Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj në europerëndim nuk kishin fuqi ta realizonin.
Për ta perceptuar edhe më mirë këtë gjendje këmbënguljeje të ish-mbretit për t’u rikthyer në majë të pushtetit në Shqipëri, çfarë e inatoste vazhdimisht Hoxhën gjatë luftës dhe sidomos pas saj, mes shumë dëshmive provuese është edhe një letër e 14 qershorit 1949, e cila atë kohë ra në duart e CIA-s.
Ajo qe hartuar nga Ghazi Khan Bessolt dhe i ishte dërguar zëvendës-atasheut ushtarak të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Turqi, majorit Allin. Sipas Bessolt, “nëse populli shqiptar voton për monarkinë duhet të vendoset Mbreti Zog dhe nëse votojnë për republikën, duhet të bëhet President, Ahmet Zogu”. Po ashtu ai mendon se “Të gjithë liderët politikë të Shqipërisë, përfshi miqtë dhe armiqtë e Mbretit, kanë demonstruar një mungesë të madhe aftësish...Unë nuk po flas këtu për Enver Hoxhën, Koçi Xoxen apo persona të tjerë kriminalë, por edhe për persona si Mehdi Frashëri (i mbretërisë), Mit’hat Frashëri (lider i partisë kombëtare), Mustafa Kruja (kryeministër gjatë pushtimit italian) Fevzi Agolli e të tjerë”.
Mirëpo komunistët, ndërsa nuk e kanë dashur Ahmet Zogun, nuk rezulton se e kishin zgjedhur gjatë luftës së rezistencës si frymëzues politik Fan Nolin. Bolshevikët e PKSH-së prej brezit të veprimtarëve shoqërorë të viteve njëzetë patën veçuar si më të spikatur dhe si një nga simbolet e tyre Avni Rustemin. Madje portretin e tij e vunë në ballë të sallës-dhomë ku mblodhën në 16 shtator 1942 në Konferencën e Pezës. Patën nxjerrë në pah pranë tij edhe dy figura të tjera të “Revolucionit të Qershorit 1924”: Bajram Currin dhe Luigj Gurakuqin.
Fan Noli nuk ka qenë foto e afishuar në krye të asnjë kuvendi të mbledhur nga Fronti Nacionalçlirimtar.
Duhet vënë në dukje gjithashtu se ndaj Fan Nolit qenë të ndjeshëm për ta admiruar dhe patur në krahun e tyre, por kurrë marrë si shembull e model lideri apo platformë politike orientimi, edhe ballistët. Pothuaj pjesa më e madhe e udhëheqjes së nacionalistëve të BK, duke filluar prej vetë Mit’hat Frashërit, si edhe masivisht simpatizantë e ndjekës, qenë fanolistë të viteve njëzetë, po ashtu në mërgim edhe të dekadës tridhjetë.
Duhet sjellë ndërmend ndërkaq se kur Ahmet Zogu qe në pushtet Fan Noli pati hequr dorë prej veprimtarisë politike dhe merrej me kulturë e atdhetari, me veprimtari fetare në favor të shqiptarizmës. Kjo kthesë e dukshme në personalitetin e tij, rikthimi i vrullshëm në veprimtari politike, deri pak çaste më parë aspak e pritur dhe e imagjinueshme, pati ngjarë menjëherë pasi mbreti i kishte ofruar një ndihmë shpëtimtare për gjendjen e rëndë shëndetësore, pasojë e rëndë e një të ftohme në mushkri. Ahmeti në një farë mënyre i pati shpëtuar jetën.
Shpesh zhvillimet shoqërore shfaqen si dukuri arsyesh personale. Noli i ndihet borxh monarkut dhe e mbështet atë në këmbim të parave për ilaçe (ndërsa Faik Konica si ambasador i mbretërisë shqiptare në SHBA, i bënte presion Ahmet Zogut për të mos ia dhënë). Habia për veprimin “kontrasens” të Nolit shtohet edhe më shumë kur mëson se rihyrjen në politikë për vetëm t’i shërbyer mbretit, e kreu bashkë me Konicën dhe nën ndikimin e tij.

Kongresi i Përmetit i dërgoi mesazh përshendetës vetëm pesë personave: Titos, Stalinit, Ruzveltit, Çërçillit dhe Fan Nolit

Siç e tregon edhe Enver Hoxha në librin e tij “Rreziku anglo-amerikan” për Shqipërinë” komunistët e sidomos udhëheqja e tyre e dinin anësimin e thellë të Nolit me Zogun, por nuk bëzanin, e mbanin fshehur. As i dërgonin atij ndonjë mesazh për të ndërruar udhë. Çështja u bë e dallueshme edhe për sytë e një opinioni të caktuar kur ata organizuan Kongresin e Përmetit. Në mbyllje të tij, në 28 maj 1944, krahas nëntë mesazheve përshëndetës, njërin ia dërguan Nolit. Ishte një manovër e fortë dhe inteligjente e PKSH-së, çfarë vërteton edhe dimensionin e vlerës politike që këtë kohë kishte rimarrë ish-udhëheqësi i revolucionit që për gjashtë muaj në gjysmën e dytë të vitit 1924, rrëzoi Ahmet Zogun.
Konkretisht mesazhet e Kongresit të Përmetit iu drejtuan Titos; Lëvizjes Nacionalçlirimtare Greke (EAM); Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Partizane-Vullnetare Nacional-Çlirimtare; të burgosurve në burgjet e fashizmit, të internuarve në fushat e përqëndrimit brënda dhe jashtë Shqipërisë, luftëtarëve nëpër katunde dhe qytete të paçliruara të Shqipërisë; Fan Nolit; Stalinit; Çërçillit dhe Ruzveltit.
Në mesazhin për Nolin thuhet:
“Fan Nolit
për Shqiptarët e Amerikës.
Kongresi i I-rë Antifashist Nacional-Çlirimtar, që përfaqëson vullnetin e popullit, përshendet koloninë shqiptare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që është çquar në kontributin e saj të math në fushën kombëtare.
Populli shqiptar, në luftë të ashpër e të pa-prerë kundër okupatorit fashist dhe shërbëtorëve të tij, ka mundur të organizojë pushtetin e tij politik dhe një Ushtëri Nacional-Çlirimtare, që janë sot një armë e shëndoshë në duart e tij për të çliruar Atdhenë nga thundra e okupatorit dhe për të vendosur një Shqipëri demokratike popullore.
Komiteti Antifashist Nacional-Çlirimtar me atributet e një qeverije provizore, që po del nga ky Kongres, do t’i japij një vrull më të math luftës s’onë.
Kongresi pret nga vëllezërit e Amerikës që këta t’i japin popullit shqiptar ndihmën e tyre morale dhe materiale sot në luftën që po bën kundër okupatorit dhe trathëtorëve, dhe nesër për rindërtimin e Shqipërisë.
Populli shqiptar do t’a vazhdojë luftën me forcë më të madhe gjer në shkatërrimin e plotë të fashizmit.
Kongresi I-rë Antifashist Nacional-Çlirimtar i Shqipërisë”.
Të mos harrojmë: në Kongresin e Përmetit qëllimisht nuk mori pjesë asnjë përfaqësues i misionit ushtarak britanik, madje edhe amerikan. Por erdhi për “të hedhur një sy”, Thomas Stefani, shqiptaro-amerikan i këtij misioni të fundit. Sipas dëshmisë së shkruar të Behar Shtyllës tërë delagatët e kongresit unanimisht e miratuan dërgimin e këtij mesazhi, por menjëherë pas pushimit të seancës Stefani i pati thënë: “Përse t’i drejtohet Fan Nolit përshëndetja? Më mirë t’i dërgohet Kosta Çekrezit, se ky është me ju dhe jo Fan Noli”.
Gjithnjë sipas Shtyllës “Unë e dija se kush ishte Kosta Çekrezi, por se ç’kishte bërë gjatë luftës dhe ç’bënte tani do ta mësoja më vonë, kurse për Fan Nolin, sido që të ndodhte, kisha bindjen se ai do të dëgjonte zërin e mëmëdheut dhe do të radhitej në një krah me popullin, për të cilin kishte luftuar gjithë jetën”.
E informojmë lexuesin se në arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, në dosjen 53, për vitin 1945, faqja 103, thuhet se Kosta Çekrezi ka deklaruar: “Për sa i përket Uashingtonit çështja e njohjes së qeverisë së Tiranës është një defter i mbyllur”. Po ashtu ky material sekret i zbulimit të fshehtë politik shqiptar të kohës vë në dukje se “K. Çekrezi u thirr në SHBA nga shefi i misionit amerikan në Shqipëri, i cili i dha direktivën se “emigracioni shqiptar nuk duhet të përkrahë qeverinë shqiptare në formën që ajo kish marrë në Kongresin e Përmetit”, sepse sipas të dhënave të tyre “ajo duket si qeveri komuniste”.

Në Përmet: me Nolin apo kundër Nolit?

Siç dihet në Kongresin e Përmetit, i cili i pati nisur punimet në 24 maj, u shpallën si objektiv i parë ndërtimi i një Shqipërie të re demokratike popullore.
Si qëllim i dytë qe: “T’i ndalohet hyrja Zogut në Shqipëri”.
Vendimi i tretë ishte: “Të mos njihet asnjë qeveri tjetër që mund të formohet brenda ose jashtë Shqipërisë kundër vullnetit të popullit shqiptar”.
Objektiv i pestë: “Të vazhdohet më me ashpërsi lufta kundër pushtuesve gjermanë dhe kundër shërbëtorëve të tyre shqiptarë, të grumbulluar rreth qeverisë kuislinge, Legalitetit, Ballit Kombëtar dhe bajraktarëve, deri në shkatërrimin e plotë të tyre”.
(I gjashti dhe i shtati vendim kishte të bënte me miratimin e plotë të veprimtarisë së deriatëhershme të Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar dhe të Shtabit të Përgjithshëm. Në vendimin e tetë dhe të fundit kongresi shfaqte dëshirën që pranë këtij Shtabi qeveritë e Bashkimit Sovjetik dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të dërgonin nga një mision ushtarak).
Me pak fjalë PKSH në Përmet tre prej tetë vendimeve të saj i kishte të ndalonte krijimin e çdo qeverie tjetër, ato, në rast se shfaqeshin, t’i luftonte me armë deri sa t’i zhdukte. Në këto tre direktiva të saj për veprim Partia Komuniste kishte qëllim të parë likujdimin e mundësisë së Ahmet Zogu të rikthehej në pushtet. Për mënjanimin e Mit’hat Frashërit qe më e thjeshtë, sepse ai nuk përfaqësonte ndonjë qeveri as para lufte dhe as gjatë saj. Madje Balli Kombëtar as ngriti ndonjëherë një kabinet qeveritar për Shqipërinë e pasluftës.
Vështruar kështu, si kongres antizogizmi, rezoluta e Kongresit të Përmetit, edhe pse ndërkohë delegatët i patën dërguar Fan Nolit një mesazh përshëndetës, qe një shpallje e tërthortë edhe kundër zgjedhjes që ai kishte bërë për të bashkëpunuar me Ahmet Zogun në sipërmarrjen e një qeverie në mërgim.
Pro dhe njëkohësisht kundër Nolit, ky ishte thelbi i Kongresit të Përmetit. PKSH shpresonte, me këtë manovër, t’ia shkëpuste mbretit mërgimtar udhëheqësin e Revolucionit të Qershorit 1924.

Pagëzimi i qeverisë së mërgimit në një zyrë të qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Por si veproi Noli pas kësaj? Për ta hetuar këtë do të na duhet të depërtojmë nëpër ngjarje më të hershme: përshembëll si është historia e propozimit të Ahmet Zogut që kundërshtari i tij i dikurshëm politik të bashkohej me të.
Ajo dukshëm nisi kur Faik Konica dhe Fan Noli në 15 nëntor 1942 patën një takim në një zyrë të qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pas këtij takimi në 19 nëntor të dy të mëdhenjtë e politikës dhe të diturisë kombëtare, shumë kohë edhe mospërputhës të njohur mes tyre, lëshuan një deklaratë për shtyp. Kjo është publike dhe dihet, sepse përveç të tjerash është botuar në 1984 në librin “Fan S. Noli në 100 vjetorin e lindjes 1882-1982”, shtypur në Prishtinë. Ajo deklaratë nënkupton temën e bisedës së rezervuar që Konica dhe Noli patën bërë në Departamentin Amerikan të Shtetit.
Teksti i saj thelbësor është ky: “Ne theksojmë pikat që vijojnë: 1-Se vetëm një front i bashkuar shqiptar i cili të përfshijë të gjithë personalitetet shqiptare të gatshme mund të kenë shans që t’i bëjë thirrje popullit shqiptar në tërësi dhe mund të ishte i dobishëm për Kombet e Bashkuara. 2-Se mbreti Zog është personaliteti kryesor shqiptar i gjallë dhe përjashtimi i tij do të prekte forcën e lëvizjes në fjalë...”
Më tej, tek pika 5: “Se ne jemi gati në çdo kohë të bashkëpunojmë me gjithë zemër me qeverinë e Shteteve të Bashkuara”.
Konica dhe Noli pas këtij deklarimi publik, për ta nxitur qeverinë amerikane në favor të shpëtimit të Shqipërisë prej ndonjë kurthi fatal filogrek të pas Luftës, ku anonin edhe anglezët, u treguan aktivë me tre ngjarjet shumë të rëndësishme të dhjetorit 1942. Ato datonin 10, 17 dhe 18. Qenë si granata sulmi që hidheshin njëra pas tjetrës në llogoren fashiste italo-gjermane.
Në 10 dhjetor 1942 u bë publike personalisht nga sekretari amerikan i Punëve të Jashtme, Kordel Hall, deklarata e Shteteve të Bashkuara. Në të ai e vlerësonte dukshëm rolin çlirimtar të partizanëve shqiptarë kundër pushtuesve italianë, ofronte ndihmë ushtarake dhe theksonte se qeveria amerikane “nuk e kishte njohur kurrë aneksimin e Shqipërisë nga Kurora Italiane”. Po ashtu Hall bënte të ditur para opinionit publik ndërkombëtar se “angazhimi i Kartës së Atlantikut për rivendosjen e të drejtave sovrane dhe vetëvendosjen e popujve zbatohej edhe për rivendosjen e një Shqipërie të lirë”.
Një javë më pas, në 17 dhjetor, deklarimin e tyre publik, nëpërmjet Ministrit të Jashtëm Iden (Anthony Eden), e kryen britanikët. Ata nuk e shtynë më tej dashamirësinë e amerikanëve, të qeverisë së saj dhe të presidentit Ruzvelt, por u përpoqën t’i bëjnë një frenim. Anglezët lanë të kuptohej se qenë të pakënaqur prej homologut të tyre dhe se nuk ishte rastësore ajo çfarë pati thënë menjëherë pas deklaratës së Sekretarit Amerikan të Shtetit ambasadori grek në Uashington. Ky kishte protestuar se nuk njiheshin “të drejtat e Greqisë mbi krahinat e Epirit të Veriut”. Ballkani ishte, sipas britanikëve, i tyre dhe aty nuk kishte shumë vend për t’u komunikuar entuziazëm shqiptarëve të pas luftës.

(Vijon)

Ylli Polovina



























SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS NË KRAH TË FAN NOLIT PËR TË QËNË AI KRYEMINISTËR I SHQIPËRISË SË PAS LUFTËS

Nga kuleta e Zogut pesë mijë dollarë në muaj për qeverinë në mërgim

Pjesa e dytë

Britaniku Iden paralajmëron ndryshim të kufijve shqiptarë, sovjetiku Molotov i mbron

Në deklaratën e ministrit të Jashtëm britanik Atoni Iden (Anthony Eden) të 17 dhjetorit 1942 ndodhej ky gjykim i qeverisë së tij: ajo “nuk paragjykon pozitën e çështjes së Shqipërisë në lidhje me marrëveshjet e ardhme që mund të arrihen midis shteteve të ndryshme ballkanike”. Po ashtu vinte në dukje se “Qeveria e Madhërisë së Tij çështjen e kufijve të shtetit shqiptar pas lufte e shikon si një çështje që do të duhet të shqyrtohet në rregullimin e paqes”.
Qe një tekst i helmët, si thikë e afruar në shpinë, një nga arsyet kryesore përse nacionalistët, ata të rreshtuar në Ballin Kombëtar, nuk gjenin asnjë dëshirë t’u futnin krahun britanikëve si aleatë kundër pushtimit fashist. Do të ikte italiani dhe pas tij edhe gjermani dhe nëse vinte anglezi, mendonin ata, do të hynin nga porta kryesore grekët, lakmia e të cilëve qe më e pakta shtrirje pushtuese deri në buzë të Skraparit, por në të vërtetë goja u lëshonte lëng deri në Shkumbin.
Ajo deklaratë rreziksjellëse e Idenit nuk solli aspak humor edhe në radhët e Partisë Komuniste Shqiptare dhe të ushtrisë së saj partizane. Këta të fundit, përveç simpatisë së hapur ideologjike, ndjenin ngrohtësi të madhe prej deklaratës që bëri Vjaçellav Mihajlloviç Molotovi menjëherë, një ditë më pas nga ajo e Idenit, më 18 dhjetor. Ministri i Jashtëm i BRSS shqiptoi para botës fjalët solemne se “Bashkimi Sovjetik, që e sheh me simpati të plotë luftën burrërore çlirimtare të patriotëve shqiptarë kundër pushtuesve italianë, nuk njeh asnjë pretendim të imperializmit italian mbi tokën shqiptare dhe dëshiron ta shohë Shqipërinë të lirë nga zgjedha e pushtuesve fashistë dhe pavarësinë e saj të vendosur”.

Ahmet Zogu me letër Faik Konicës: “Duhet të formojmë një Qeveri të një lidhjeje të shenjtë”

Ndërkohë nëpër atë dhjetor 1942 kishte ndodhur një fatkeqësi e rëndë, krejt e papritur dhe si të qe një mallkim mbi nismën që pati marrë qeveria amerikane dhe pas të cilës, të paktën formalisht, qëndronte ideja e Ahmet Zogut. Në ditën e pesëmbëdhjetë të muajit kishte ndërruar jetë, për shkak të një hemorragjie cerebrale, Faik Konica.
Fan Noli mbeti vetëm.
I kishte tashmë të gjitha arsyet për të hequr dorë nga projekti i një qeverie në mërgim me udhëheqës politik mbretin e dikurshëm dhe kundërshtarin e tij. Me pak fjalë, ai në rast se do të qe shtyrë deri ato çaste prej Faik Konicës, pas vdekjes së këtij do të kishte gjetur rast fare të pastër të tërhiqej njëherë e mirë.
Por as që e shkoi nëpër mend.
Ende pa u mbyllur dhjetori Noli i dërgoi një letër Anton Logorecit në Londër, në të cilën i shkruante: “Ju kërkoj juve dhe miqve tuaj të zgjidhni mosmarrëveshjet me mbretin Zog, që është e keqja më e vogël, deri në Konferencën e ardhme të Paqes dhe të bashkoheni me Frontin e Bashkuar Shqiptar, i cili është e vetmja udhë për të ndihmuar sa më efektivisht si Shqipërinë, ashtu edhe Kombet e Bashkuara”.
Fan Noli nuk po ecte përpara në projektin e nxitur prej monarkut për të qenë ai sërish, pas lufte, i pari i Shqipërisë, por po marshonte. Kishte vënë në kokë “helmetën” e çuarjes deri në fund të këtij misioni. Brenda këtij gjesti të funddhjetorit 1942 duhet kërkuar prej ku i vjen Nolit tërë ky zell. Prandaj edhe na duhet të kthehemi pas për të përshkruar si qe historia e pranimit prej tij të ofertës së Ahmet Zogut.
Na duhet ta shpjegojmë atë duke nisur prej 1 janarit 1942, kur ndodhi edhe një ngjarje me ndikim të fortë në rrethanat ndërkombëtare të atyre çasteve: u shpall Deklarata e Kombeve të Bashkuara (Lidhjes së Kombeve), e cila mbështeste Kartën e Atlantikut. Sipas nënshkruesve të saj, 26 shteteve, të gjithë duhej t’i kundërviheshin me çdo mjet paktit trepalësh fashist (Romë-Berlin-Tokio). Kjo ishte rruga e sigurt e mbrojtjes së integritetit territorial prej çdo agresioni pushtimi dhe patjetër garancia që pas lufte shtetet të ruanin të drejtën e të qenit vend i pavaruar. Mes firmatarëve ishin edhe Greqia e Jugosllavia, të cilat kishin qeveri antifashiste në mërgim. Shqipëria nuk nuk e kishte një të tillë. Doemos që kabinetin qeveritar aktual të Tiranës 26 shtetet firmuese të deklaratës anti Bosht nuk mund ta ftonin. Ajo konsiderohej bashkëpunuese me italianët e qeverisur nga Musolini, në mos fund e krye një krijesë shërbëtore e tyre. Pikërisht në këtë atmosferë përpjekjeje për t’u njohur si faktorë shtetërorë të Shqipërisë, në 25 maj 1942 ish-mbreti i dërgoi një letër Faik Konicës.
E quante “Shkëlqesi”.
Në të thoshte:
“I dashur mik,
Kam lexuar disa nga numrat e revistës “Dielli” që më kanë dërguar, si edhe kam parë titujt e saj, dhe ju vetë e dini që janë të padrejta.
Jam shumë i gëzuar që shoh që nevoja e madhe për një lidhje të shenjtë midis shqiptarëve është mbështetur edhe nga ju. Por nuk e mendoj që mendimet tona të realizohen me anë të krijimit të Komiteteve ose të organizatave të tjera private. Është e dukshme që të tëra iniciativat që kanë për drejtim luftën për lirinë e popullit tonë duhet të inkurajohen, por iniciativa të tilla nuk mund të na vënë ne në pozicionin më të mirë të mundshëm për të arritur rezultate pozitive të luftës tonë. Me anë të Komiteteve ne rrezikojmë ta gjejmë veten tonë në Konferencën e ardhshme për paqen në të njëjtën situatë që ishim gjatë luftës ballkanike dhe asaj botërore, pra në korridore.
Unë kam arsye për të besuar që momenti i duhur për të krijuar një shtet shqiptar do të jetë ai, kur shtetet e fuqive aleate të pranojnë përfaqësuesit diplomatikë të Shqipërisë nëpër botë, përjashto këtu Greqinë dhe Jugosllavinë.
Qeveritë e tjera i janë përgjigjur pozitivisht letrës time, ku parashtrohej edhe kjo ide.
Pozicioni jonë në sferën ndërkombëtare është duke u forcuar. Dhe kjo gjë do të shërbejë për të shpëtuar interesat e vendit tonë, të cilat ndodhen në rrezik. Fakti që disa shovinistë grekë kanë kërkuar Korçën dhe Gjirokastrën dhe pozicioni i tyre është më i fortë se yni, kjo duket se ndodh për fajin tonë. Dhe është prapë faji ynë kur ata pretendojnë se nuk ekziston një shtet shqiptar dhe se kufijtë shqiptarë duhen rishikuar.
Për të gjitha këto arsye unë mendoj se duhet të formojmë një Qeveri të një lidhjeje të shenjtë dhe jam i gëzuar që më jepet mundësia që të bashkëpunoj me një mik si ju”.
Në vijim të menjëhershëm të këtij teksti grishës Zogu shkruan: “Unë jam i prirur të përdor të drejtat që përmban kushtetuta e vendit tonë për të emëruar një qeveri e cila do të jetë një mundësi më shumë për Shqipërinë për t’u pranuar në Aleancën Demokratike”.
Ja edhe skema që propozon mbreti i ikur pa rezistencë thelbësore në 8 prill 1939: “Unë mendoj se duhet formuar një Këshill prej 10-12 personash të zgjedhur në mënyrë të lirë nga kolonitë tona në Amerikë, Turqi dhe Egjipt, në funksionin e përfaqësuesve kombëtarë”.
Vazhdon Ahmet Zogu skemën e tij të rrugëdaljes për njohje ndërkombëtare dhe ku (çudi e madhe) nuk gjen vend për përfaqësues nga vetë territori shqiptar: “Mbetet për t’u zgjidhur dhe financimi i këtij plani. Do të kisha dashur të isha aq i pasur sa pretendoni ju. Meqë nuk jam i tillë mund të marr përsipër të investoj në mënyrë modeste këtë plan në një periudhë brenda dy viteve. Gjatë kësaj kohe, kjo Qeveri e Lidhjes së Shenjtë mund t’i dëshmojë bashkëpatriotëve që punon në të mirë të tyre dhe është e privuar nga çdo lloj intrige dhe jam i sigurt që do të gjejë një mbështetje të madhe morale dhe financiare”. Pastaj Zogu i adresohet më drejtpërsëdrejti Faik Konicës: “Nëse ju jeni dakord do ju propozoja:
1-Më dërgoni një telegram ku të konfirmoni që jeni dakord me mua.
2-Të më thoni brenda këtij telegrami, nëse ju mund të më dërgoni këtu dikë nga ju për të rregulluar të gjitha detajet, gjithmonë duke marrë parasysh vështirësitë që ekzistojnë.
3-Të më dërgoni një letër personale, ku të parashtroni të gjitha idetë dhe kritikat tuaja, nëse do të keni të tilla, për këto propozime dhe për personat që mundësisht mund të jenë të nevojshëm, etj”.
Duke e mbyllur: “Po jua dërgoj letrën në dy kopje, një ndërmjet postës normale dhe një me avion. Dhe po ju shkruaj në frëngjisht për të evituar ndërhyrjet dhe censurimet e kontrollit. Po ju përsëris edhe një herë, se dua të ndihmoj edhe një herë më shumë për lirinë e popullit tonë me një mik të hershëm. Jam në pritje të një përgjigjeje të shpejtë që do të më dërgoni, mik i dashur.
Përshëndetjet e mia më të mira”.

Nga kuleta e Zogut pesë mijë dollarë në muaj për qeverinë në mërgim

Nga Parmoo Henley, Uashington, ku i erdhi letra e Ahmet Zogut, në 20 qershor (1942) Faik Konica i ktheu përgjigjen aspak të vonuar: “Duke ndjekur udhëzimet e madhërisë Suaj, kam marrë përsipër të bëj bisedime të shpejta me miqtë politikanë shqiptarë dhe kemi arritur në konkluzione në ato pika që ju kishit parashtruar në telegramin tuaj.
Po ju parashtroj më në detaje si më poshtë. Jemi të bindur që Kabineti duhet të formohet sa më shpejt dhe duhet të jetë ashtu si edhe Ju vetë keni theksuar më i reduktuar (Ne mendojmë që të ketë një Kryeministër, një Ministër të Punëve të Jashtme dhe një Ministër të Punëve të Brendshme dhe kaq do të jetë e mjaftueshme).
Dhe së fundi ne besojmë se, duke parë edhe vështirësitë e komunikimit, këta të zgjidhen nga shqiptarët që jetojnë brenda në Angli. Kjo gjë do të ishte e mundur kur të ketë mbaruar periudha e bisedimeve për paqen dhe Madhëria e Juaj t’i emëronte menjëherë këto personalitete shqiptare në mënyrë që puna të ishte më frutdhënëse”. Më tej: “Do të ishte e dëshirueshme që Madhëria Juaj të kishte një përfaqësues në Uashington dhe një tjetër në Londër. Por duhen evituar ato lloj ministrash që do i vinin në një pozitë të vështirë agjentët e tyre deri në një mënyrë të tillë që Qeveria Juaj të mos njihej zyrtarisht. Përkundrazi portreti i përfaqësuesve duhet të jetë i thjeshtë, elasok dhe i gatshëm në të gjitha rastet”. Në vijim: “Më vonë ne do të formojmë këtu një Këshill me persona të aftë për të ndihmuar lëvizjen. Llogaritjet në Amerikë sipas mendimit tonë, do të shkonin në 5 mijë dollarë në muaj. Kur organizata të jetë e kompletuar, atëherë do të vihet në lëvizje”. E vazhdon Faik Konica shpjegimin e tij për disa paragrafë të tërë dhe, duke e mbyllur letrën e tij përgjigjëse të asaj të Ahmet Zogut, bën të ditur një fakt që do të na ndihmojë në sqarimin e rrethanës në se qe vetë Noli i pasionuar pas postit, për herë të dytë, të kryeministrit apo e vërteta ndodhej në të anasjellën. Shkruan Konica: “Opinioni publik shqiptar sa vjen e po bëhet më në favor të Madhërisë Suaj dhe një ndihmesë e madhe për këtë dhe për punën tonë është Monsinjor Noli. Kam menduar për një moment që Mr. Noli do të ishte njeriu ideal për vendin e Kryeministrit, pavarësisht nga fakti që nënshtetësia e tij amerikane e bënë këtë gjë të vështirë. Por sidoqoftë ai do të jetë një këshilltar i aftë dhe vigjilent.
Shërbyesi besnik i Madhërisë Suaj!”
Në 27 shtator 1942 është ndihmësi i Zogut, Sotir Martini, që i dërgon një letër të gjatë Faik Konicës. “I dashur Bej, niste ajo dhe vazhdonte: “Kjo është letra dhe një autorizim nga Mbreti që ju dërgon si përgjigje të letrës së fundit të datës 20 qershor.
Në përgjigje edhe të letrës që më dërguat edhe mua një kopje, kam kompetencën të të pohoj që Mbreti është mëse i vendosur për të bashkëpunuar dhe për të rënë dakord me ju për ato që kishit shkruar në letrën zyrtare. Ai është i predispozuar të bëjë çfarë është e mundur dhe të gjitha sakrificat e mundura që do t’i shërbenin çështjes së vendit tonë. Ai dëshiron shumë të bashkëpunojë me ju dhe me Mr. Nolin, kështu që ju mund të mbështeteni tek Ai në mënyrë absolute. Por ju duhet të merrni parasysh faktin që lufta mund të zgjasë shumë dhe kjo ndikon në mbështetjen e shpenzimeve të Përfaqësuesve tanë të Konsullatave, gjithashtu të oficerëve dhe pjesëtarëve të tjerë, duke përfshirë edhe shpenzimet e Qeverisë e unë mendoj në mënyrë absolute që është e nevojshme të formohet nën drejtimin e Shkëlqesisë tuaj ose të Mr. Nolit, kur ju bashkë me të të konsideroni momentin e duhur për t’u formuar”.
Siç në këtë letër deklarohet fare qartë, në idenë e Ahmet Zogut kandidatura e parë për shef i qeverisë shqiptare në mërgim duhet të jetë Faik Konica. Fan Noli vjen pas tij. Kjo do të thotë se monarku nuk e kish përfillur shumë propozimin e vetë Konicës që kryeministër të qe Noli. E kishte kuptuar këtë thjesht si përpjekje për t’i bërë bisht.
Sotir Martini e mbyll letrën e tij të 27 shtatorit 1942 me fjalët “Do t’ju lutesha që t’i dërgoni përshëndetjet e mia të mira Mr. Nol dhe ju përsëris edhe njëherë, i dashur Faik Bej, shprehjen e miqësisë sime të sinqertë”. Në 5 nëntor Faik Konica i kthen përgjigje Sotir Martinit, në të cilën i thuhet se “kam nderin t’ju informoj që pranoj të jem përfaqësuesi i Mbretit në Uashington”.

Projekti: në qeverinë prozogiste të ishin edhe komunistët

Siç edhe e kemi vënë në dukje shkrimet e mëparshme dhjetë ditë më vonë nga nisja e kësaj letre drejt Sotir Martinit, pra Ahmet Zogut, në 15 nëntor 1942 dyshja Konica-Noli u prit prej Departamentit Amerikan të Shtetit, çfarë dëshmonte se ata tashmë jo vetëm po vepronin vendosmërisht në çështjen e përpjekjeve për njohjen e Shqipërisë nga aleatët e Boshtit Antifashist, por edhe i kishin hyrë punës konkrete si përfaqësues të lartë qeveritarë, të ngarkuar zyrtarisht nga Ahmet Zogu.
(Ky nuk qe takimi i parë i Faik Konicës apo i Fan Nolit me punonjës të administratës qendrore amerikane, ata patën kryer të tilla veç e veç edhe më parë. Madje edhe Departamenti i kishte ftuar në takime të veçuara. Në 15 nëntor qe takimi i parë në cilësinë që ata kishin sipërmarrë dhe garantuar prej mbretit Zog: ishin përfaqësuesit më të lartë të qeverisë në mërgim).
Por cili prej tyre qe paraqitur si figurë e parë, çfarë nënkuptonte kryeministrin e ardhshëm? Këtë lë ta nënkuptojë deklarata e shpërndarë për shtyp nga Departamenti pesë ditë më pas, në 20 nëntor. Ajo thoshte: “Departamenti i Shtetit Amerikan thirri dhe tani në fund Imzot Nolin dhe Faik Konicën, Kryetar i Pan-federatës Shqiptare në Amerikë “Vatra”.
Po ashtu në deklaratën e qeverisë amerikane bëhet e qartë arsyeja pse Fan Noli si kandidat për kryeministër dhe Faik Konica si kryediplomat i Shqipërisë i ngarkuar për SHBA, qenë thirrur “për të shprehur mendimet e tyre mbi mënyrën se si mund të organizohej Qeveria Shqiptare në mërgim”. Siç po ashtu bëhet e qartë që në fillim, takimi qe kryer me iniciativë të shtetit amerikan. Sipas kësaj ideje bëhet fjalë për një front maksimalisht të hapur për të tërë shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit.
Kjo e vinte në vështirësi PKSH-në dhe Frontin e saj Nacionalçlirimtar të krijuar vetëm dy muaj më parë, në 16 shtator 1942, në Pezë. Sigurisht Ahmet Zogu i ndiqte me shumë vëmendje ngjarjet dhe afër PKSH-së dhe Frontit të saj kishte mbajtur përfaqësuesin e vet më aktiv në Shqipëri, Abaz Kupin. Ky nuk u distancua, siç bënë ballistët, por qëndroi në marrëdhënie formale bashkëpunimi me komunistët për një kohë jo të shkurtër.
E theksojmë këtë të dhënë për të kuptuar më mirë se Zogu nëpërmjet Nolit dhe Konicës, si edhe platformës për një Lidhje të Shenjtë apo Front të Bashkuar Shqiptar, në nëntor 1942 ecën në këto binarë afrimi me PKSH-në. Fan Noli do të ishte udhëheqësi i këtij Fronti të ri, i cili po kërkonte të pagëzohej tek qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, jo tek Bashkimi Sovjetik.
Dhjetë ditë më vonë nga kjo deklaratë e Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili mund të konsiderohej si një sukses i veprimit diplomatik të Faik Konicës dhe Fan Nolit, hyn në aksion edhe vetë Ahmet Zogu. Në 1 dhjetor ai u dërgoi, me titullin “ZOG I”, mesazhe presidentit amerikan Franklin D. Roosevelt dhe sekretarit amerikan të shtetit për punët e Jashtme Cordell Hull. Thelbi i tyre ishte ky: “Si kryetar i Shtetit Shqiptar, i cili i pari në Evropë e kundërshtoi me armë agresionin fashist, unë Ju vë në dijeni se në përputhje me deklarimet tuaja ne po presim momentin të na jepet rasti të luftojmë për pavarësinë dhe integritetin e Shqipërisë. Shkëlqesia Juaj të jetë e sigurt se lufta jonë guerile do të intensifikohet dhe shumë shpejt, me thirrjen që do t’i bëjmë popullit, do të shndërrohet në një kryengritje të përgjithshme. Ne vetëm pyesim kur do të na jepet mundësia të luftojmë në krahë të Kombeve të Bashkuara në një betejë që është edhe lufta juaj”.

Edith Durham anglo-amerikanëve: “Garantoni indipendencën dhe integritetin e Shqipërisë dhe nuk do të keni miq më të besës dhe më të zotët se shqiptarët

Ndërkohë në 3 dhjetor 1942 në “Manchester Guardian” u shfaq një artikull kushtrues i Edith Durham. Pasi rrufeshëm thoshte se Shqipëria në 28 nëntor 1912 qe shpallur e pavarur dhe në 1939 “vendi i vogël u sulmua prej një force të madhe e të mekanizuar, asnjëri prej bashkë-anëtarëve të Lidhjes së Kombeve nuk intervenoi që ta shpëtojë një vend të vogël”, vijonte më tej me “Lufta e çetave, vrasja e italianëve dhe sabotazhet vazhdojnë pa pushuar, por frika është se pas ikjes së italianëve vendi i tyre mund të ndahet midis fuqive ballkanike” dhe përfundonte me “Garantoni indipendencën dhe integritetin e Shqipërisë dhe nuk do të keni miq më të besës dhe më të zotët se shqiptarët”. Ndërkaq në dhjetor 1942, në këtë moment progresi të lëvizjes nacionale për shpëtim nga pushtimi fashist, u fut ne mes, si thikë, vdekja e papritur e Faik Konicës. Ahmet Zogu sapo e mori vesh lajmin tronditës u shpreh: “Kjo ndodhi tamam në një moment kritik të Shqipërisë”.
Ndihmësi i tij Hysen Selmani do të shtonte me këtë rast se “Tani vendin e të Ndjerit Faik Konica do ta rimarrë Mr. Noli, personi më i përshtatshëm, i cili ka bashkëpunuar me Konicën dhe është i njohur në politikën shqiptare dhe atë botërore. Shpresohet që në Departamentin e Shtetit ky të zërë vëndin e Konicës me një Dekret të Mbretit Zog”.
Ndërkohë në funeralin e të ndjerit mbajti një fjalim shumë të gjatë, ku ka bërë edhe disa deklarime të çuditshme, të diskutueshme, në mos edhe ndopak rrufjane.

(Vijon)

Ylli Polovina

















HOTELI STALTER, BOSTON, 23 QERSHOR 1944: SHBA NDAHET ME KOMUNISTËT, POR EDHE ME AHMET ZOGUN

Kongresi i Përmetit i dërgoi mesazh Fan Nolit, por ai nuk mbërriti kurrë atje. Ishte një rend që e bënë jugosllavët?

Pjesa e tretë

Fan Noli lëshon gjuhën më shumë nga sa i duhej qeverisë amerikane

Në fjalimin e gjatë të Fan Nolit në funeralin e Faik Konicës u bënë dy deklarime që habitën jo vetëm një pjesë të të pranishmëve, por edhe vetë Uashingtonin. E para ishte: “Zogu e emëroi përsëri Faikun si përfaqësues të tij në Uashington dhe kërkoi njohje zyrtare të qeverisë shqiptare në mërgim. Faiku i shkroi menjëherë Departamentit të Shtetit në emër të Mbretit Zog lidhur me njohjen dhe ky ishte akti i fundit i tij”. Deklarata e dytë qe: “Qeveria amerikane ka vendosur ta dërgojë trupin e Konicës në Shqipëri në kohën e duhur pasi të ketë mbaruar lufta. Ndere të tilla zakonisht u bëhen vetëm diplomatëve të huaj që kanë vdekur në shërbim aktiv. Sido që të jetë, ne e vlerësojmë thellë këtë gjest të bukur të qeverisë amerikane dhe e dimë se Faik Konica e meriton atë plotësisht”.
Por sipas librit të Ilir Ikonomi për Faik Konicën “Më 22 dhjetor Noli i dërgoi Sekretarit Hull dhe nënsekretarit Welles letra, në të cilat kishte bashkangjitur fjalimin që mbajti në varrimin e Faikut. Nuk vonoi dhe një zyrtar i një rangu më të ulët u përgjigj: “Dokumentet e Departamentit të Shtetit nuk përmbajnë informacione për ndonjë synim apo vendim të kësaj qeverie, të cilave i referohen dy paragrafet e fundit të fjalimit”. Ndërkaq Noli i ka pohuar Behar Shtyllës dhe ky këtë gjë e ka shkruar tek libri i tij “Fan Noli, siç e kam njohur”, se “Pas disa ditësh nga vdekja e Faikut, i bëra një letër të gjatë Sekretarit të Shtetit, ku, me pak fjalë, i kërkoja njohjen e një qeverie shqiptare në mërgim dhe njohjen e Shqipërisë si pjesëtare e Kombeve të Bashkuara. Po kjo nuk ishte gjë e lehtë. Duket kohët nuk ishin pjekur dhe propaganda greke luante gurët e saj, po duket dhe Anglia nuk influenconte për mirë”.
Por përse Fan Noli u ngut në këto dy deklarime të tij në fjalimin mortor, kur ato nuk qenë të vërteta? Përse bëri fakt një gjë që deri ato çaste nuk ekzistonte realisht e qe një projekt: qeverinë shqiptare në mërgim?
Sigurisht fjalimi mortor për përcjelljen e Faik Konicës ishte një rast i shfrytëzueshëm politikisht për t’u paraqitur si njeri i qeverisë së re të shqiptarëve. Me pak fjalë në 20 dhjetor 1942 Fan Noli mbajti fjalimin e tij të parë elektoral. E kish marrë me pasion misionin e ri.

Letra e 27 majit 1943: Zog, jam tërësisht me ty.

Noli bëri korigjimin e “shënjestrës. Si udhëheqës i Vatrës, por jo si përfaqësues i ndonjë qeverie në mërgim në 8 janar 1943 i dërgoi telegrame falënderimi ministrave të jashtëm amerikan, britanik dhe sovjetik, Kordel Hull, Antoni Iden dhe Vjeçesllav Molotov. Në to theksonte se ishte në interes të Kombeve të Bashkuara të njihej një qeveri zyrtare shqiptare në mërgim me Ahmet Zogun në krye.
Ndërkohë në 7 prill 1943 Ahmet Zogu u bëri gjithë shqiptarëve një kushtrim. Ky gjest mund të konsiderohet edhe thirrja e tij publike për të krijuar Frontin e Bashkuar, paralelin, bashkëpunuesin (apo rivalin) me dy tashmë ekzistuesit: Frontin Nacionalçlirimtar dhe Ballin Kombëtar. Fjalët e tekstit thirrës qenë: “Të besojmë në kuptimin e drejtësisë së Britanisë së Madhe e të Shteteve të Bashkuara, të Rusisë Sovjetike e të Kombeve të Bashkuara dhe t’i intensifikojmë përpjekjet tona për të siguruar pranimin e Shqipërisë me nji Qeveri Legale, si një aleate e Demokracive. Kjo është mënyra më e mirë për të siguruar indipendencën e vendit tonë me kufijtë kombëtarë”.
Më tej në tekstin kushtrues Ahmet Zogu deklaronte se “Çdo shqiptar ka vendin e vet në këtë bashkim pa dallim qëllimi politik ose shoqëror”.
Në vijim ai ofron programin e vet politik, sipas të cilit “sapo të jetë vendi ynë tërësisht i lirë, do të zgjidhet lirisht dhe demokratikisht një Asamble Kombëtare prej popullit shqiptar, e cila do të ftohet menjëherë për të vendosur Regjimin politik e shoqëror të Shqipërisë së re”.
Në 27 maj 1943 është shkëmbyer edhe korespondenca më intensive mes Zogut dhe Nolit, ku kemi zbuluar një të fshehtë: manipulimin nëpërmjet censurimit të letrës së vërtetë të këtij të fundit dërguar mbretit për çështjen e kryeministrit të qeverisë shqiptare në mërgim. Ndërhyrjen deformuese e ka bërë “mjeshtri” i madh i këtyre punëve, Enver Hoxha. Siç e kemi informuar lexuesin në pjesën e parë të këtij cikli shkrimesh, në librin e vet “Rreziku anglo-amerikan” për Shqipërinë” (Kujtime, 1982), ai ka shkruar: “Në përgjigje të letrës që S. Martini (“ministër i oborrit”) i dërgonte Fan Nolit në emër të Zogut në 7 prill 1943 në lidhje me krijimin e një qeverie shqiptare ku thuhej se “Mbreti do të kishte qejf të shihte hirësinë tuaj në krye të kësaj qeverie” Fan Noli në 27 maj 1943 i shkruante “Jam gati të bëj gjithçka që më takon...nën udhëheqjen e mbretit Zog...duhet ta bëj të qartë se mund të shërbej vetëm në cilësinë e këshilltarit për arsye të nënshtetësisë sime amerikane...”.
Këtu Hoxha e mbyll tekstin, duke nënkuptuar se më pas, për të përcaktuar qëndrimin e Fan Nolit, rreshtohen gjëra pa asnjë rëndësi. Por e vërteta nuk është kjo. Pikërisht atje ku edhe kryebolsheviku shqiptar e mbyll citimin prej Nolit gjendet fjalia kyçe, ajo thelbësore: “ç’ka përjashton çdo formë bashkëpunimi me ju”.
Madje në këtë letër, të cilën Fan Noli ja ka dërguar këshilltarit të oborrit mbretëror Sotir Martini, ndodhet edhe një frazë, e cila nuk mund të anashkalohet. Ajo thotë: “Këtë punë dëshiroj ta bëj pa pagë, ngase mendoj se kështu do të jem më i vyeshëm”.
Hysen Selmani, autor i librit më të vëllimshëm për jetën e Ahmet Zogut, në të paraqet si dokument të 27 majit 1943, të nisur prej adresës së Fan Nolit (Albanian Orthodox Church in Amerika), Boston Massachusetts) në “in the Lord Parmmor Henley on Thames, England”, këtë telegram në anglisht: “Madhëria Juaj, Unë jam shumë i nderuar për të pasur letrën tuaj dhe për të thënë sepse koha nuk është shumë larg, kur ne mund të takojmë njëri-tjetrin për çlirimin e vendit. Le të shpresojmë se do të jetë shpejt sepse ne kemi shumë gjëra për të biseduar dhe është shumë e vështirë për të ndryshuar pikëpamjet vetëm nëpërmjet postës. Ndërkohë, unë kam shumë nevojë për t’ju siguruar se do të kemi shumë bashkëpunime për Frontin e Bashkuar shqiptar nën drejtimin tuaj. Në opinionin tim, kjo është rruga më e mirë për të ndihmuar Shqipërinë dhe po ashtu edhe Kombet e Bashkuara. Unë jam duke shkruar me detaje nëpërmjet mikut tim Z. Sotir Martini”.
Hysen Selmani regjistron në librin e tij për Ahmet Zogun se ky telegram i erdhi këtij të fundit me postë ajrore në 10 qershor 1943.

Fjalët e tij në radion “Zëri i Amerikës” i pëlqen edhe gazeta komuniste “Zëri i popullit”

Pikërisht këtë kohë, në pranverë 1943, në një letër pa datë drejtuar në Londër Tajar Zavalanit, Fan Noli e shpjegon kështu këtë sjellje të vet prozogiste: “Si duket, ju mendoni se çështja e regjimit të ardhshëm të Shqipërisë vjen në radhë të parë, kurse unë në rend të parë vë ekzistencën e Shqipërisë dhe çështjen sa mund të bëjmë ne rreth anëtarësimit të Shqipërisë (në Kombet e Bashkuara-shënimi ynë). Këto gjëra duhet të na preokupojnë në momentin e tanishëm. E më vonë do të kemi kohë sa të duash të atakojmë regjimin”.
Edhe kur pak muaj më parë nga kjo letër për Zavalanin, në dhjetor 1942, i pati shkruar një të tillë Anton Logorecit, edhe ky banues në Londër, ku jetonte Zogu, Fan Noli e cilësonte këtë të fundit si të keqen më të vogël.
Të qendrojmë një çast në një hollësi. Në fundgusht 1943 nëpërmjet stacionit radiofonik “Zëri i Amerikës” Noli i bëri një thirrje popullit shqiptar dhe kjo u botua edhe në gazetën ilegale të PKSH-së, “Zëri i Popullit”. Behar Shtylla në librin e tij “Fan Noli, siç e kam njohur” vëre se teksti i publikuar në gazetën komuniste nuk ishte i plotë. Prej origjinalit të lexuar kishte mungesa fjalish dhe përdorim të trajta gegërishte, aspak të natyrshme për Nolin. Po ashtu Shtylla vë në dukje se në tekstin e botuar kishte “përzjerje me ndonjë lajm apo koment të mëvonshëm”, por gjithsesi nuk ndesh me ndonjë shtrëmbërim të qëllimtë.
Duke iu referuar asaj që Fan Noli ka shqiptuar realisht tek “Zëri i Amerikës” dhe publikuar në “ZP”, në tekst gjenden këto thënie: “Vëllezër shqiptarë, ndonëse kam qenë larg nga vendi juaj për një kohë të gjatë dhe jam bërë qytetar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, prapë nuk e kam harruar vendin tim. Jam mejtuar për ju shpesh në gjithë këto vjete dhe jam përpjekur më çdo mënyrë që t’ju ndihmoj. Mejtohem për ju më tepër me ditët kritike të sotme, kur e pritmja e të gjithë kombeve, dhe veçanërisht e Shqipërisë, është në ballancë...”
Disa paragrafë më pas: “Duhet të veproni për të shpëtuar Shqipërinë... Çdo komb çlirohet dhe shpejtohet me përpjekjet e veta. Vetëm ju mund ta çlironi dhe ta shpëtoni Shqipërinë me të vërtetë... Në qoftë se doni të shpëtoni Shqipërinë, duhet të veproni. Askush nuk mund shpëtojë Shqipërinë përveçse ju vetë. Guvernat e Shteteve të Bashkuara, të Bretanjës së Madhe dhe të Rusisë e kanë njohur të drejtën tuaj për liri dhe për jetë kombëtare indipendente. Ushtritë e tyre po luftojnë për restoratën tuaj, por duhet të luftoni edhe ju”.
Në mbyllje të thirrjes radiofonike të Nolit gjenden këto fjalë: “Vëllezër shqiptarë, kujtoni se e pritmja e kombit tuaj dhe e vendit tuaj varet nga ndihma që u jepni Kombeve të Bashkuara për të përmbysur forcat e despotizmës”.
Siç e shihni në këtë kushtrim që Fan Noli u bën shqiptarëve, nuk ka asnjë përmendje të emrit të Ahmet Zogut e po ashtu të Frontit të Bashkuar apo projektit të mbretit, përfshi platformën e ngritjes së një qeverie në mërgim.
Po të referohej emri i Zogut “Zëri i Popullit” sigurisht nuk do ta kishte botuar dhe shpërndarë këtë thirrje. Duhet thënë, ndërkohë, që kushtrimi radiofonik i Fan Nolit u dëgjua maksimalisht për kohën dhe u mbajt mend për mjaft vite prej dëgjuesve.
Duhet thënë se thirrja e tij u formulua në atë formë për manovër politike. Pa e pohuar me terma të drejtpërdrejtë Noli fliste në emër të Frontit të Bashkuar, të tretit front rezistence që sipas tij ekzistonte deri ato çaste krahas atij Nacionalçlirimtar dhe Ballit Kombëtar. Çfarë shqiptoi në radion “Zëri i Amerikës” në fundgusht 1943 qe aksion për legjitimimin e afërm të platformës së risjelljes pas lufte të Ahmet Zogut në pushtet.

Edith Durham është kundër Fan Nolit dhe qeverisë zogiste të pas luftës

Ndërkohë Noli kreu edhe një surprizë tjetër. Kjo ndodhi në 7 shtator 1943, në një intervistë dhënë tek “The Daily News”.
Aty deklaronte se “Qysh prej asaj të Premteje të Zezë (7 prill 1939) kur ushtria italiane zbarkoi në tokën e Skënderbeut të madh, lëvizja e fshehtë rritej muaj pas muaji, thuajse natë pas nate...”
Më pas vinte në dukje për lexuesin amerikan dhe të huaj një fakt tepër spikatës: “Vetëm disa milje larg Tiranës vepron Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar. Partizanët shqiptarë, vullnetarët e lirisë, janë trupë e disiplinuar....kurse çetat guerile, të gatshme të rrokin armët kur partizanët dhe vullnetarët luftojnë. Tani Shqipëria e meriton të zërë vendin në Kombet e Bashkuara. Kjo është më se e mundshme, se ajo e meriton atë vend më shumë sesa të tjerët, para mbarimit të luftës”.
Me Këshillin e Përgjithshëm Nacionalçlirimtar Fan Noli nënkupton më së pari aleancën e komunistëve me mbretërorët (zogistët). Kjo formalisht ekzistonte. Me siguri nënkupton me këtë Këshill edhe me nacionalistët e Ballit Kombëtar. Ai duket nuk ka dëgjuar për prishjen e mbledhjes së Mukjes, sepse ky rrënim i dakordësisë u mbajt sekret dhe në Shqipëri doli mbi sipërfaqe vetëm në fillim tetor të atij viti.
Fjalët e mira të Fan Nolit për Këshillin Përgjithshëm Nacionalçlirimtar kanë si qëllim frymën e afrimit për projektin politik , të cilin tashmë e ka me shumë pasion ta realizojë: ngritjen e Frontit të Bashkuar, grumbullimit më të madh të atëhershëm, atij të shqiptarëve brenda vendit dhe jashtë tij.
Ndërkohë tek “The Daily News” Noli shpallet i mendimit se edhe vetëm lufta çlirimtare që po zhvillon në Shqipëri Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar mjafton si dëshmi për Kombet e Bashkuara që ta njohë sovranitetin e vendit pas lufte.
Porse në 11 nëntor 1943 Edith Durham i shkruante Fan Nolit një gjykim të saj mospërputhës: “Sipas meje, se çfarë qeverie do të ketë në Shqipëri, duhet lënë ta zgjedhin patriotët e vendit, të cilët kanë luftuar për çlirim dhe kanë vuajtur nga okupatorët italianë. Ata e dinë më mirë se çdo njeri tjetër si janë punët në Shqipëri. Shpresoj se ata do të kenë sukses në formimin e një qeverie të përkohshme dhe, kur trupat aleate të shkojnë në këtë vend, do të bëhen të mundshme zgjedhjet, me çfarë do të vendoset forma e qeverisë për të ardhmen”.
Këtë mendim të saj Edith Durham ia përsëriti Fan Nolit në 31 mars 1944. Ajo i vuri në dukje se kur trupat aleate do të hynin në Shqipëri “do të vendosnin marrëdhënie miqësore me udhëheqësit trima, që tash luftojnë për Shqipërinë, dhe do t’u japin mundësi të formojnë një qeveri të përkohshme”.
Në 3 qershor Durham ia përsëriti Fan Nolit qëndrimin e saj të palëkundur: “Unë shpresoj, i nderuari Peshkop, se ju do të pajtoheni me idetë e mia. Kur njeriu është larg vendit të ngjarjeve, e ka shumë të vështirë të formojë një mendim të drejtë. Për këtë shkak mendoj se drejta për të vendosur u përket njerëzve, të cilët me trimëri u kanë rezistuar italianëve, ashtu edhe gjermanëve. Janë ata të cilët e kanë çliruar atdheun dhe ata kanë të drejtë të zgjedhin”.
Edith nuk gabonte, të paktën në aftësinë për të ndjekur logjikën e ngjarjeve reale. Partia Komuniste Shqiptare dhe Fronti i saj Nacionalçlirimtare e ngritën qeverinë e tyre, e cila pretendonte se e meritonte të përfaqësonte gjithë Shqipërinë e luftës dhe sidomos të pas saj. Kjo ndodhi në Kongresin e Përmetit, periudhë midis 24 dhe 28 majit 1944. Ndërkaq qeveria në mërgim, projekti i Ahmet Zogut me në krah të djathtë Fan Nolin, ishte ende një ëndërrim.

SHBA i kthen shpinën Ahmet Zogut dhe komunistëve shqiptarë

Në 9 qershor 1944 Ushtria e Kuqe shpërtheu ofensivën për të çliruar dhe marrë Finlandën. Në Paqësor në 19 qershor Shtetet e Bashkuara të Amerikës me flotën e tyre i dhanë një goditje të rëndë asaj japoneze. Tre aeroplanmbartëse ua fundosën bashkë me shumicën e avionëve që kishin në kuvertë. Në 20 qershor armata sovjetike filloi sulmin në Bjellorusi, duke i çliruar qytetet një pas një.
Aleatët antifashistë qenë në revansh të plotë.
Ndërkohë në 23 qershor në hotelin °Stalter” në Boston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës u zhvillua një ngjarje nyje. Ishin autoritetet zyrtare të këtij vendi që mblodhën në këtë bujtinë në madhe disa nga krerët e emigracionit të “vendit të shqiponjave”. Ndodheshin të pranishëm jo vetëm drejtues të organizatave “Vatra” dhe “Shqipëria e lirë”, por edhe individë të shumë spikatur si Fan Noli, Hulusi Kavo, Dr. Nikolla Prifti, S. Theollos Kotelli e jo pak të tjerë.
Mbledhja qe mjaft konfidenciale.
Pala amerikane e ardhur nga Uashingtoni u komunikoi pjesëmarrësve se në projektet që shqiptarët e emigracionit kishin nëpër duar dhe që synonin bashkë me krijimin e Frontit të Bashkuar dhe të qeverisë në mërgim, edhe rikthimin e Ahmet Zogut si mbret në krye të vendit, duhej të hiqnin dorë.
Kjo shkaktoi irritim të Fan Nolit. Fjalët e tij qenë të vendosura për të mos u tërhequr. “Po të heqim dorë nga Zogu, ahere heqim dorë edhe nga kufiret e Shqipërisë”, u shpreh.
Por përfaqësuesit e Departamentit Amerikan të Shtetit qenë edhe ata mjaft të vendosur në pikëpamjen e tyre dhe përplasja me Fan Nolin mbërriti në një pikë të lartë tensioni, kur ky i fundit u ngrit ta braktiste takimin dhe të largohej fare nga hoteli “Stalter”. Por pikërisht në këtë moment delikat të mbarëvajtjes së asaj mbledhje “në sekret”, njëri prej zyrtarëve amerikanë tha se në Shqipëri, në qytetin me emrin Përmet, qe ngritur një qeveri e forcave të rezistencës.
Ajo kishte në krye të saj një vendas me emrin Enver Hoxha.
Askush prej të shqiptarëve të pranishëm nuk dinte gjë rreth kësaj ngjarjeje dhe zyrtarët amerikanë mbetën të befasuar kur Fan Noli ndryshoi menjëherë qëndrim. Ai u çel në fytyrë dhe shqiptoi: “Aherë ne heqim dorë nga Zogu për të përkrahur qeverinë e re”.
“Jo, - tha zyrtari i Departamentit të Shtetit, që sapo kish dhënë këtë lajm, - nuk do ta përkrahim sepse, sipas informatave tona, ajo duhet të jetë qeveri prokomuniste, në mos komuniste”.
Fan Noli reagoi menjëherë me fjalët: “Pa ç’ka, ata janë djemtë tanë”.
Këtu u mbyll edhe mbledhja konfidenciale e hotelit Statler në Boston. Ahmet Zogu qe djegur. SHBA i kishte kthyer krahët njëlloi si komunistëve.

Një kërshëri në fund të këtij cikli shkrimesh

Ngjarja në Hotel “Stalter” dëshmon se Fan Nolit deri në datën 23 qershor 1944, duke mosditur asgjë rreth ngjarjes së Kongresit të Përmetit, sigurisht as edhe i ka rënë në duar teksti i mesazhit që miratoi unanimisht dhe që premtoi se do t’ia dërgonte atij udhëheqja komuniste: kryetari i porsazgjedhur i qeverisë Enver Hoxha si edhe kryetari i këtij Kongresi, Omer Nishani me sekretarin Koço Tashko.
Historiania Ana Lalaj na e konfirmoi këtë hollësi, duke pohuar se historiografia shqiptare deri tani nuk ka asnjë dëshmi nëse u nis vërtetë drejt Nolit ky mesazh, madje edhe ata për Titon, Stalinin, Çërçillin dhe Ruzveltin. Ajo shton se ka të ngjarë që tekstet e mesazheve me jashtë t’i kenë marrë të dërguarit jugosllavë dhe t’i kenë dorëzuar tek shefat e tyre. Kështu në adresat përkatëse të kenë ikur nëpërmjet teknikës së fuqishme të ndërlidhjes që ata kishin.
Ndërkohë shkrimtari, por edhe studiuesi e njohësi më i mirë i Fan Nolit, Nasho Jorgaqi, na pohon se në të nëntëmbëdhjetë udhëtimet e tij të punës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kushtuar zbulimit dhe plotësimit dokumentar për jetën e veprimtarinë e Nolit, në asnjë rast dhe në asnjë vend nuk ka ndeshur me fijen e letrës të mesazhit përshëndetës që iu dërgua prej Kongresit të Përmetit.

Ylli Polovina

Tiranë, më 6 gusht 2017

Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com