Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISË ITALIANE ME MBIEMRIN ÇIFTELIA (Pjesa 2)
AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISË ITALIANE ME MBIEMRIN ÇIFTELIA (Pjesa 1)
BEFASUESE: EKZISTON NJË PAMJE E PESTË PËR SHPALLJEN E PAVARËSISË DHE NGRITJEN E FLAMURIT
KORÇARËT NË REVANSH PËR PRONËSINË E FLAMURIT TË PAVARËSISË
AS FOTOGRAFI PËR NGRITJEN E FLAMURIT NË 28 NËNTOR 1912, AS AUTORË PËR FOTOT E BËRA EDHE NJË JAVË MË PAS
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

HASAN LUÇI DHE SFIDA E TIJ ME YLLIN E KUQ


(Botuar në gazetën “Dita” në 10 shtator 2017)

Libri “Një sy diplomati nga Perëndimi e Lindja” (Kujtime), ka për autor Hasan Luçin, punonjës i Shërbimit të Jashtëm të Fshehtë Shqiptar të dikur Republikës Popullore Socialiste. I mbuluar me statusin e një diplomati që kryen veprime konsullore, ai ka qenë në ambasadën tonë në Francë për dymbëdhjetë vite të plota. Mandati i tij i parë ka qenë në motet 1961-1968 dhe i dyti në periudhën 1972-1977.
Janë dy hapësira të historisë tonë kombëtare shumë kyçe dhe përcaktuese për raportet e shtetit tonë të diktaturës së proletariatit me vendet e tjera, në Perëndim dhe në Lindje.
Hasan Luçi me librin e vet të publikuar në Tiranë një vit më parë, në 2016, i cili është një vëllim me 488 faqe të mbushura imtësisht me informacion, mund të konsiderohet një prej kontribuesve më të mëdhenj të njohjes nga shumë afër dhe me të dhëna të sakta të veprimtarisë së Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë në Francë.
Janë 114 kapituj njëri më intrigues se tjetri. Disa prej tyre: “Ditën e vitit të ri te Presidenti Sharl De Gol”, “Miq të Shqipërisë në poste të larta”, “Kërkime në arkivat franceze”, “Me botues francezë të librave të Enver Hoxhës”, “Botimi i Historisë së Shqipërisë në Francë”, “Filmi i Kadaresë sipas romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Puna me katedrën e gjuhës shqipe në Francë”, “Lojërat me letra mes udhëheqësve në Paris”, “Bagazhet e udhëheqësve në Paris”, “Porosi të Enver Hoxhës nëpërmjet Sulo Gradecit”, ...
Ndonjë fragment prej 114 kapitujve të këtij libri do t’ja bëjmë të njohur lexuesit, i cili patjetër është kurioz për ndonjë episod të këtyre dymbëdhjetë viteve shërbimi të Hasan Luçit në Francë, por qëllimi i këtij shkrimi është tjetër gjë.

Sondazhi i OSBE për nostalgjinë komuniste dhe debati për filmat socrealistë

Në kopertinë të “Një sy diplomati nga Perëndimi e Lindja” ka një shqiponjë dykokëshe me yllin e kyq pesëcepash në krye, çfarë është shenja identifikuese e diktaturës së kaluar, regjimit komunist. Autori mund të vendoste në vend të saj edhe një pamje shumë shprehëse të Parisit ose çdo gjë tjetër karakteristike, madje edhe dukshëm tërheqëse, por ka pëlqyer simbolin e stemës shtetërore të para nëntëdhjetës.
Sigurisht që ky veprim është kryer me ndërgjegje, ka qenë i vetëdijshëm, pra edhe i qëllimshëm.
Hasan Luçi ka dashur të dëshmojë se punën e vet diplomatike dhe konsullore e ka bërë si përfaqësues dhe nëpunës i këtij shteti. Ai së shpejti do të botojë edhe një vëllim tjetër me episode reale të rolit të tij në këta dymbëdhjetë mote si zbulues i Shërbimit të Fshehtë të Jashtëm Shqiptar në tokën franceze.
Kur Hasan Luçi e botoi librin e parë, atë të punës diplomatiko-konsullore, në Shqipëri nuk ishte përndezur një debat për filmat artistikë të së kaluarës komuniste, për qëndrimin ndaj të cilëve një vit më pas, në mes të marsit 2017, shkrimtari Agron Tufa, drejtor i Institutit të Studimit të Krimeve dhe të Pasojave të Komunizmit, do të propozonte masa kufizuese.
Pas një debati publik, i cili nuk dukej fort se qe në favor të rrugëzgjidhjes së parashtruar, nismëtari, duke e riparë më me qetësi, shkoi edhe më tej, në rrugë institucionale. Ai në 30 mars i bëri një letër Kuvendit të Republikës.
Atje i mëshohej mendimit se ai Institut shprehte “shqetësimin e tij të thellë, të hershëm e të vazhdueshëm në bazë edhe të ankesave të ish-të përsekutuarve nga rregjimi komunist, në lidhje me transmetimin e pakontrolluar të materialeve filmike të Kinostudios “Shqipëria e Re” (dokumetarë dhe filma artistikë të periudhës së diktaturës komuniste)”.
“Këto produkte kinematografike e televizive të kohës së rregjimit komunist, thoshte letra zyrtare e Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, përmbajnë në shkallë të ndryshme propagandë fyese, denigruese e manipuluese kundrejt standardeve të sotme demokratike...”
Më tej: “Dokumentarët dhe një pjesë e filmave artistikë të periudhës së Komunizmit, duke risjellë sot propagandën e një diktature totalitare cënon dhe diskriminon pikërisht një pjesë të vuajtur të shoqërisë sonë, e cila sipas statistikave përbën rreth 30% të popullsisë së Republikës.
Me këto materiale filmike që “bombardojnë” ekranet e televizioneve tona cënohet të gjitha pikat e nenit 3 të Kushtetutës (dinjiteti i njeriut, të drejtat dhe liritë e tij, drejtësia shoqërore, rendi kushtetues, pluralizmi, identiteti kombëtar dhe trashëgimia kombëtare, bashkëjetesa fetare, si dhe bashkëjetesa dhe mirëkuptimi i shqiptarëve…”), të cilat, po sipas këtij neni, Kushtetuta ia ngarkon shtetit që “t’i respektojë dhe t’i mbrojë”.
Pak më poshtë teksti i letrës drejtuar Kuvendit prej drejtorit të ISKPK Agron Tufa nënvizon se “Nisur nga ky shqetësim, në kushtet kur, në mbi 70 kanale televizive, qëndrore dhe lokale, ekranet transmetojnë papushim filma e dokumentarë, që provokojnë e tallen me plagët e pjesës më të martirizuar të shoqërisë sonë nga rregjimi komunist, që cënojnë rëndë dinjitetin dhe integritetin moral të tyre, ne i bëjmë apel institucional Kuvendit të Shqipërisë, si Institucioni më i lartë ligjor e ligjvënës, të ndërhyjë me instrumentat e tij ligjorë në mbrojtje të kësaj shtrese të gjakosur dje dhe të provokuar e të nëpërkëmbur sot”.
Nga dërguesi i letrës me këtë rast si mënyrë zgjidhjeje gjendej ngritja e një komisioni shqyrtues, i përbërë nga specialistë, i cili do të vendoste cili film apo dokumentar i së kaluarës totalitare duhej të shfaqej apo jo, cili prej tyre mund të paraprihej para shfaqjes me një shpjegim pesë minutash. Në asnjë rast letra ISKPK për parlamentin shqiptar nuk flet për asgjësim të këtyre prodhimeve kinematografike apo ndalim të tyre total. Shkrimtari Agron Tufa këshillon ruajtjen e tyre të pacënuar që të mund të jenë në dobi të studiuesve dhe të botimit të librave shqyrtuesë dhe historikë.
Ka shumë të ngjarë, gjithsesi, që Kuvendi të shfaqë përmbajtje dhe shumë kujdes në trajtimin e kësaj teme, sepse nuk duket rezultativ dhe i dobishëm për një dekomunistizim demokratik rruga që propozohet. Përkundrazi shkakton të kundërtën. Madje e ka bërë realitet atë.
Të mos harrojmë se fryma e këtij veprimi të drejtorit të Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, gjeti shtrat nxitjeje jo një analizë apo studim profesional, por një emocion të provokuar posaçërisht për qëllime dhe objektiva pseudopolitikë. Në dhjetor 2016 OSBE publikoi një sondazh sipas të cilit gjysma e njëmijë personave të pyetur nuk e shihnin si problem të shkuarën dhe trashëgiminë komuniste dhe se 45 për qind e tyre periudhën e Enver Hoxhës e konsideronin si pozitiv, Negativisht e gjykonin 42 %. Kjo u quajt nostalgji për komunizmin dhe u shpall rrezik.
Jo pak interpretues të këtij sondazhi u shprehën se ky rezultat problematik nuk vinte prej mosbesimit ndaj shoqërisë së hapur pluraliste, sistemit politik liberal, por nga dështimi i rëndë i klasës pushtetushtruese që ka qeverisur Shqipërinë pas rënies së diktaturës. Në këtë përmasë të dështimit e majta nuk përjashtohet, por nuk lihet dot mënjanë edhe ajo e djathtë, pra kabinetet qeveritare antikomuniste. Këta kanë qenë e vijojnë të jenë represivë ndaj kësaj të shkuare, mohuesë të çdo gjëje të krijuar gjatë periudhës së saj historike. Pozitivistët për gjysmëshekullit realkomunist kanë reaguar me mbrojtje ose justifikim të saj sepse nuk ishin aspak dakord me përpjekjen për ta nxirë atë krejtësisht, negativizuar në çdo qelizë, kriminalizuar edhe atje ku pati kontribuar për ruajtjen e sovranitetit të vendit.
Duhet thënë se diplomacia shqiptare e periudhës gjysmë shekullore të para nëntëdhjetës është sektori me një raport më pozitiv se në shumë fusha të tjera, të veprave pozitive ndaj atyre të gabuara.
Po përpiqemi ta provojmë këtë nëpërmjet librit të Hasan Luçit, i cili njihet si një prej diplomatëve dhe nëpunësve të shtetit të sa kaluarës, që është politikisht ndër më radikalët.

Tre muaj në Francë të një ekspozite për artin shqiptar në shekuj, jehonë në të paktën 89 shkrime

Libri i Hasan Luçit dhe kurajua e tij publike, e rrjedhur kjo edhe prej të drejtës së fjalës së lirë, e ka vendosur në kopertinë yllin e kuq jo për ta rikthyer atë, por për ta përcaktuar kohën kur ai bashkë me kolegët e tij, sigurisht nën trysninë e një shteti ideologjik dhe shumë shtypës ndaj opozitarëve dhe mospajtuesve politikë, kanë ditur të bëjnë edhe gjëra mjaft progresive.
Cilit mund ta blejë e lexojë librin do t’i sugjeronim mes të tjerash tridhjetë faqet e rrëfimit e transferimit të përkohshëm nga Tirana në Paris të ekspozitës “Arti shqiptar në shekuj”. Hasan Luçi shkruan se ajo i paraqiti publikut francez “më shumë se 600 objekte të zbulimeve arkeologjike në Shqipëri, të ikonave shqiptare dhe të tablove më të mira të piktorëve shqiptarë në të kaluarën dhe të kohës socialiste, objekte të etnografisë shqiptare etj”.
Kjo superekspozitë e përuruar në 3 dhjetor 1974 nga vetë kryetari i bashkisë së Parisit Iv Mihu, zgjati 3 muaj. Luçi vë në dukje se për këtë ngjarje, për aq sa mundi të regjistronte, shtypi vendas botoi 89 shkrime.
Ndërkaq në kapitullin “Shpërndarja e materialeve të propagandës socialiste (komuniste)”, autori i librit “Një sy diplomati nga Perëndimi e Lindja” tregon një pamje tjetër të veprimtarisë së ambasadës. Paraqet mes të tjerash edhe një episod kur në doganë u kishin ardhur nga Tirana, nëpërmjet territorit italian, kuintalë të tëra me broshura e fjalime të Enver Hoxhës dhe me shumë vështirësi mundën t’i merrnin. Autoritetet doganore lanë mënd nga tepri e megalomani propagandistike.
Njëherë tjetër Hasan Luçi rrëfen se në ambasadën shqiptare në Paris qenë grumbulluar sasi aq të mëdha librash të Hoxhës sa një ditë të vitit 1974 një kontroll i ardhur posaçërisht nga Komiteti Qendror i PPSH, pasi gjeti disa copë prej tyre të ngrënë ndopak prej minjve, shkaktoi një furtunë të vërtetë. Për pak rrezikuan vendet e punës që nga ambasadori Javer Malo e deri tek i ngarkuari më i drejtpërdrejtë, i cili qe Hasani.
Me këtë rast ky i fundit sqaron: “Vlen të shënoj se vendi ynë përpiqej të bënte propogandë përmes miqve, me shpenzime sa më të pakta dhe kjo rrugë pati doemos rezultate të pjesshme, por të lavdërueshme. Për ta argumentuar këtë po bëj një krahasim që nuk ishte atë kohë sekret për francezët etj. Koreano-veriorët botonin në shtypin qëndror parisian veprat e Kim Ir Senit me pagesë, faqe të tëra, deri në mijëra dollarë (thuhej 50 mijë në çdo rast për 10 faqe gazete). Sigurisht këtij burimi financiar i doli tymi në disa vende nordike, ku koreano-veriorët u akuzuan me të drejtë se bënin kontrabandë me drogë etj. Edhe vendi ynë nuk shpëtoi dot nga tregtia e cigareve Malboro, por kjo ishte në shifra mospërfillëse (sa për turp) në krahasim me ato të ish-vendeve të tjera socialiste)”.

Me botimin e “Komisari Memo” nuk na eci

Tek kapitulli “Botimi i historisë së Shqipërisë në Francë”, faqet 189-191, Hasan Luçi e informon lexuesin e tanishëm, të mbi një çerek shekulli pas rënies së diktaturës, se “J. Malo dhe Harilla Kola kishin filluar punën për botimin e historisë së Shqipërisë me autorë S. Pollo dhe A. Puto nga shtëpia botuese “Edision-Difuzion Hovarth”, në koleksionin e “Historisë së kombeve evropiane”, të ndërmarrë prej saj. Në vitin 1972 këtë punë e vijova derisa doli në frëngjisht libri në fundin e 1974, lajm të cilin “Zëri i Popullit” e dha (më 11 dhjetor 1974, faqja e parë). Parathënien e historisë e bëri akademiku francez, prof. Moris Bomo, i cili qe mik i vjetër i Shqipërisë së bashku me vajzën e tij Helenën...”
Në një rast tjetër Hasan Luçi vë në dukje se “Duke marrë rekomandime nga miq të vjetër si V. Montej, Prof. Kastelani etj, bëra përpjekje për botime mbi vendin tonë në shtëpinë botuese “Vonok-Sëj” dhe përmes Moris Klanel në atë “Grase”, por çështjet mbetën pa u mbaruar. Bëra mjaft përpjekje për të paraqitur romanin “Komisari Memo” të Dritëro Agollit, qe përkthyer frëngjisht në Tiranë, duke dhënë edhe biografinë si poet e shkrimtar, por nuk më eci”.
Për ta ilustruar këto përpjekje të Hasan Luçit po përdorim dy fonograme të mara vite më parë prej arkivit të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ato paraqesin tentativat për t’u gjetur mundësi botimi pranë Flamarion dhe Fayard veprave agolliane “Komisari Memo” dhe “Njeriu me top”.

Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu lexojnë shumë, Beqir Balluku ble në Francë qen me paratë e shtetit

Në një kapitull të librit të vet me kujtime nga dymbëdhjetë vitet e shpërbimit të tij diplomatik-konsullor në Francë, autori i kumton lexuesit se “Zakonisht ne blinim libra duke i zgjedhur mirë vetë si të përshtatshme, veç atyre që zgjidheshin nga katalogët, që dërgonim në Tiranë, ku zgjidhnin E. Hoxha, M. Shehu e H. Kapo. Dy të parët ne nuk i ngopnim dot me libra se ata i lexonin rrufeshëm nga çdo fushë që të ishin. Na ndodhi vetëm një incident pa dashje. Labo Abazi pati blerë dhe dërguar për E. Hoxhën sa doli librin e Robert Eskarpitit “Ministrikula”, një vepër satirike. E. Hoxha i kishte bërë vërejtje J. Malos: duket se i ziu Labo nuk lexon, thuaj mos të më çojë më nga këta libra! Ky libër kishte plot qyfyre, kurse ai donte libra me vlerë dhe jo argëtim. Në fakt L. Abazi nuk e kishte lexuar fare, por u nis nga emri i Eskarpitit. M. Shehu lexonte edhe libra policorë si “Komisari Megré” etj”.
Hasan Luçi tregon në një rast se “Disa herë trajtova blerjen e çakmakëve për E. Hoxhën. Vërtet njëherë bleva dy copë të shtrënjtë, floriri dhe që peshonin rëndë, se ashtu i pëlqente ai. Një herë njëri prej tyre m’u kthye dhe e ndërrova me një model tjetër. Pas disa kohe m’u kthyen njëri pas tjetrit për t’i riparuar. Megjithëse qe jo e lehtë kjo punë, dyqani ku i kisha blerë m’i mbajti disa ditë dhe m’i ktheu të riparuar. Por nuk shkoi gjatë dhe erdhi Sulo Gradeci dhe kërkuan çakmakë të rinj dhe i bleu, por unë nuk i pashë. Më vonë shikoja se ata çakmakë të hequr nga përdorimi i Enverit, i përdorte Sulua”.

Autori i libri “Një sy diplomati nga Perëndimi e Lindja” (Kujtime) shkruan po ashtu: “Kërkesa për qenin e Beqir Ballukut na bëri që të vizitonim dyqanet e qenve në Paris e rrethina. Kjo ishte një fushë e re e panjohur, por luks për ne, por jo për Bllokun. Më në fund u ble qeni, një vogëlush i bardhë si arushë e vogël, që u bë objekt bisede...Ne kërkonim rritje rrogash...por halli ynë binte në vesh të shurdhët, kurse ai blinte qen me paratë e shtetit!”

Ylli Polovina

Tiranë, më 29 gusht 2017

Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com