Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

PASARDHËSIT NË ITALI TË SKËNDERBEUT NË KRYE TË MBROJTJES SË PAVARËSISË SË PORSASHPALLUR


Shkrimi i dytë i ciklit për jubileun e 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut

(Botuar në “Illyria” në 26 shtator 2017)

Njohja e lexuesit rradhën e shkuar me telegramin që Filip Kastriot Skënderbeu (Filippo Castriota Skanderbeg) i dërgoi Ismail Qemalit me rastin e shpalljes së pavarësimit të Shqipërisë mund edhe të krijojë përshtypjen e sipërfaqshme se ky kontribut i pasardhësve natyralë të Skënderbeut në Italu nis dhe mbaron këtu: në postëtelegrafën e Napolit në 6 dhjetor 1912.
Ose ky baron në njërën anë dhe në tjetrën, markezi Gjon Kastrioti (Giovanni Castriota), më shumë se urime të sinqerta e të shpenguara nga pretendime personale froni, fshehin me dinakëri pikërisht këtë synim të fundit.
Pra ata janë ndjerë jo më parë, por vetëm kur Shqipëria doli me forcat e veta nga robërimi osman dhe sa pa u zënë kolltuku i pushtetit prej ndonjë vendasi apo të huaji që nuk kishte lidhje me historinë e popullit autokton, të trashëgonin veprën e famshme liridashëse të Gjergj Kastriotit.
Me këtë rast tërheqim vëmëndjen e lexuesit me faktin plotësues që paraqitëm në shkrimin e herës së shkuar. Pas më shumë se tri javësh nga dërgimi i telegramit urues për Ismail Qemalin, në 29 dhjetor 1912, revista e përjavshme shumë e njohur “L’Ilustrazione Italiana”, në numrin 52, në faqen 610, me titullin “Pretenduesit për fronin shqiptar”, mes katër emrave të mundshëm për t’u shpallur princërit (ose mbretërit sovranë) të Shqipërisë së porsashpallur shtet i pavarur, përkrah “Ismail Qemalit, kryeministri aktual” si edhe princit egjiptian me origjinë nga viset tona Ahmed Fuad Pasha, vendosnin të parin Filipin. E paraqitnin si baron i Fosaçekës.
I dyti qe Xhovani (Gjon Kastrioti, markezi i Auletës).
Por kjo duhej të qe mirëfilli një hamëndje e revistës ose e klasës qeverisëse italiane, e cila me ndryshimin që po ndodhte në fatin e Shqipërisë gjente një mundësi për të vendosur në krye të saj një njeri të vetin. Për rrjedhojë edhe ta kishte vendin fqinj nën kontroll.
Nuk ka pasur asnjë deklaratë të dy Kastriotëve, baronit Filip dhe markezit Xhovani, për të kërkuar këtë kohë pozitën e të parit pushtetar të Shqipërisë. Pavarësimi i saj është pranuar si frut i një lufte të gjatë të shqiptarëve dhe arbëreshëve, i një elite të tërë. Ndërkohë vetë Filipo dhe Xhovani kanë kontribuar shumë më herët se 28 nëntori 1912 në këtë indipendencë.
Për këtë do të kemi rast të paraqitim gradualisht disa prova. Sot do të parashtrojmë vetëm njërën: Memorandumin e Shqiptarëve të Italisë dërguar përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha në Konferencën e Londrës. Kjo ka ndodhur në janar 1913, siç edhe është datuar në fund të tij, pa saktësuar ditën.
Këto çaste nga shpallja e pavarësimit kanë kaluar më pak se dy muaj.
Dërguesit, Komiteti Qendror i Shqiptarëve të Italisë (pra i arbëreshëve), në udhëheqje të vet si kryetar ekzekutiv ka avokatin Françesko Mauro, kurse kryetar nderi markezin Xhovani Kastriota Skanderbegun. Ky në Memorandum, në rreshtimin e përbërjes së këtij Komiteti, është vendosur i pari.
Në vijim të autorëve, kur nis paraqitja e këshilltarëve, gjendet Filipo Kastriota Skanderbeg.
Janë po ashtu edhe dy Kastriotë të tjerë: markezi Françesko Kastriota Skanderbeg, komendator, dhe Ferdinando Bideri Masrek Kastriota, për të cilët në shkrimet vijuese do të paraqitim një profil të shkurtër të identitetit të tyre.
Duhet nënvizuar se në këtë Komitet me 17 anëtarë katër prej tyre janë Kastriotë. Kjo do të thotë se nga pasardhësit natyralë të drejtpërdrentë të Skënderbeut ose të farefisnisë së tij në Itali në autorësinë e Memorandumit dërguar Fuqive të Mëdha në Konferencën e Londrës në janar 1913 ata janë çereku i udhëheqjes.
Lexuesi e di fort mirë, gjithashtu, se bashkë me Luftën e Parë Ballkanike dhe aleancën sllavo-greke që me sulmin ushtarak ndaj Perandorisë Osmane të mund të përfitonin edhe toka shqiptare, duke e asgjësuar totalisht këtë komb, fundtetori dhe gjithë nëntori 1912 qe me përballë rrezikun e copëtimit. Shpallja e pavarësisë në ditën e njëzetë e tetë të nëntorit mbi të gjitha kishte qëllim pengimin e kësaj pabesie fqinje.
Për ta përballuar këtë gjendje me zgjidhje sipas interesave të tyre në 17 dhjetor u mblodhën në Londër Fuqitë e Mëdha të kohës dhe mes të tjerash diskutuan për fatin e Shqipërisë. Vendimi nuk u mor atë muaj, as në janar apo shkurt të pasardhësit, por në 29 korrik 1913. Vendi ynë u shpall principatë autonome, sovrane e trashëgueshme nën garancinë e Fuqive të Mëdha, ndërsa nga kufijtë e saj u përjashtuan pothuaj gjysma e hapësirës etnike, veçanërisht Kosova dhe Çamëria.
Komiteti Qendror i Arbëreshëve zërin e protestës dhe të presionit mbi të fuqishmit e kontinentit e ngriti që në fillesë të padrejtësisë, në muajin janar. Cili lexues di italisht, duke qenë se po ia bashkëngjitim këtij shkrimi pamjen e dokumentit, mund ta lexojë tekstin e Memorandumit. Ai është dukshëm i prerë dhe i ashpër, i palëkundshëm, zjen nga fryma e kundërshtimit.
Për ata që nuk e kanë këtë mundësi, po citojmë disa fragmente: “...protestojmë energjikisht para Fuqive të Mëdha kundër barbarive dhe mizorive të paimagjinueshme, masakrave në masë, të serbëve, malazezëve dhe të grekëve të territorin shqiptar, prej ushtrive të tyre pushtuese, kundër çdo të drejte të kësaj popullsie të pambrojtur”, “...ata duan ta zgjidhin problemin shqiptar me zhdukjen e të gjithë shqiptarëve”, “Si mund të bëhet Shqipëria element baraspeshe politike e gjymtuar dhe me dy pjesët e saj më pjellore të shkëputura...”, “Si mund ta ruajë pavarësinë e saj Shqipëria me pamundësi territoriale për të plotësuar nevojat e saj....”, etj.
Rreshtat e fundit të Memorandumit kërkojnë të mos cënohet Shqipëria e atëhershme që përfshinte ish-vilajetin e Shkodrës, të Janinës, të Kosovës dhe Manastirit, pra tërësisht trojet amtare.
Rikujtojmë, duke e mbyllur këtë shkrim të dytë të ciklit për Skënderbeun, se katër nga firmatarët e këtij Memorandumi pionier, ndër më të parët e nisur drejt Londrës, janë pasardhës natyralë në Itali të familjes së heroit tonë kombëtar.
Por të paktën Filipo dhe Xhovani Kastriota Skanderbeg nuk do të ndalen këtu, në këtë janar 1913. Veprimet e tyre në mbrojtje të vazhdueshne të çështjes shqiptare do t’i paraqesim në shkrimet e ardhshme. Madje në një rast do të jetë edhe viti 1901.

(Vijon)

Ylli Polovina

Tiranë, më 25 shtator 2017

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com