Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

AMERIKË, PSE TË DUAN KAQ SHUMË SHQIPTARËT


Çfarë anketoi USIA në 1991; si raportonte ambasadori francez në 1949; si qenë disa komente të Harry Fulz-it në 1944.

Cikël në tre pjesë.
(Botuar në gazetën “Shqiptarja.com në datat 5, 6 dhe 7 tetor 2017)

Shkrimi i parë

Në maj 2011, në një konferencë ndërkombëtare me temë emigracionin shqiptar në vendet perëndimore, edhe pse pjesëmarrësit e ftuar qenë nga bota akademike, pra të mësuar për të debatuar pa u grindur, gjithaq u fundosën në një sherr të papritur. Gjatë tre ditëve të kuvendit shkencor kishin rënë dakord apo nuk qenë pajtuar për shumë pikëpamje profesionale, gjithsecili duke ruajtur qetësisht opinionin e vet, por zënka shpërtheu për një tezë politike.
Një çast dy dijetarë të huaj kritikuan ndikimin e madh të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në institucionet shqiptare, duke e vlerësuar atë si të pa drejtë, rëndues dhe autoritar. Kjo mjaftoi që prej dy kolegëve nga Tirana të pësonin reagime të menjëhershme kundërshtuese.
Në fillim studiuesit e huaj u hutuan, ngritën supet dhe panë në sy njeri-tjetrin, madje më i moshuari nga tronditja mezi mbushej me frymë, por në pushimin e parë pas përplasjes së nxehtë njëri prej tyre pranoi se mund ta kishte shmangur shprehjen e opinionit të tij personal për rolin e SHBA-së.
Sapo i qe kujtuar porosia e dhënë prej një miku: shqiptarëve mos u kritiko amerikanët.

Ylli Bufi me librin e tij “Në fillimet e tranzicionit”

Një bashkëkontinental apo çdokush prej viseve të tjera të botës së madhe mund fare mirë këtë karakteristikë tonën ta argumentojë dhe madje justifikojë me përmasat e vogla territoriale, ekonomike, ushtarake dhe demografike si edhe pozicionin gadishullor mjaft të kërcënuar historikisht, “në gojë të ujkut”, për rrjedhojë shqiptarëve u duhet të mbështeten në një fuqi të madhe. Sepse kështu, thotë biografia jonë nacionale, ata kanë vepruar në gjysmën e dytë të shekullin e shkuar me sovjetikët dhe kinezët, më parë me Perandorinë Romake, Bizantine dhe Osmane.
Sigurisht këto kanë qenë dhe janë vërtetuar si kompromise të detyruara nga nevoja e ekzistencës, prandaj edhe këto “miqësi” siç kanë ardhur kanë ikur, janë shthuritur e prishur.
Por nuk ka ngjarë e njëjta gjë me raportet e shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ato nuk janë lëkundur prej ndryshimeve të rendit botëror dhe vrapimit të kohës. Janë të vazhduara dhe koherente, mbijetuese në të gjitha sistemet politike që kemi kaluar si shtet e komb. Duket si cilësi e lindur, një lloj adn-je.
Me pak fjalë për shumicën e bashkëkombësve tanë kjo mendësi adhurimi për popullin dhe shtetin e madh të përtej oqeanit Atlantik është një karakteristikë e vërtetë, e natyrshme dhe e sinqertë, nuk është sendërtuar prej një besimi të verbër, nga ndonjë fanatizëm apo ideologjizi, përfshi edhe vetë kapitalizmin.
Për pasojë nuk është sipërfaqe. çfarë do të prodhonte kult të SHBA apo të drejtë që të quhen me vend ironitë pa të keq se jemi “Shtetet e Bashkuara të Shqipërisë” apo shteti i pesëdhjetë e një i Amerikës.
Po bëjmë një përpjekje për ta provuar këtë pikëpamje.
Ylli Bufi, kryeministri ynë që ishte në krye të ekzekutivit shqiptar në fillim të kalimit nga diktatura në shoqëri të hapur (vjeshtë 1991), ka botuar motin e shkuar librin “Në fillimet e tranzicionit”, i cili për arsye të seriozitetit të tij dhe korektesës shembullore historike, përbën një burim të sigurt informacioni për këtë periudhë.
Referuar këtij botimi, pasi në 24 nëntor 1991 ai përfundoi një vizitë një javore në SHBA dhe ende nuk qe rikthyer në Tiranë, i ndodhi ngjarja e mëposhtme: “...një funksionar i Departamentit të Shtetit më dha një dosje me raporte të hartuara nga Agjencia e Informacionit të Shteteve të Bashkuara, USIA, lidhur me anketimet që ajo kishte zhvilluar në Shqipëri gjatë vitit 1991”.
Shënojmë se ky qe viti kufitar mes gjysmëshekullit stalinist dhe shoqërisë pluraliste dhe në të mund të gjeje, si në një laborator të vërtetë, të gjitha shenjat e lëna prej diktaturës, tërë shtypjen e saj politike, gjithë platformën teorike dhe praktike që përdori, çdo fragment të planeve dhe zbatimeve të saj autotarkike në ekonomi dhe në çdo fushë tjetër.
Në vitin 1991 po ashtu mund ta regjistroje në “gjendje të pastër” tërë procesin e shplarjes së trurit që enverizmi pati kryer në një popull të mbajtur krejtësisht të mbyllur dhe të trajtuar si kavje ideologjike. Për ta dëshmuar këtë, nga që koha e shqiptarëve ato çaste rendte me shpejtësi kozmike, moti 1992 qe tepër vonë. Në rast se pesëdhjetë vite trysni antiamerikane do të kishin dhënë një minimum rezultati ky, 1991, ishte çasti i provës së madhe.
Nga pesha e rëndë dhe dinakëria e trushëlarjes bolshevike edhe sot, në 2017, kanë mbetur të mundimshme për t’u hequr qafe shumë gjymtime të kryera para nëntëdhjetës. Veç kjo nuk ndodhi me lidhjen shpirtërore të shqiptarëve me SHBA.
Shkruan në librin e tij Ylli Bufi: “Në vitin 1991 USIA kreu në Shqipëri dy studime, përmes anketimeve”. Më tej: “Anketimi i parë u krye në periudhën 13 prill deri më 14 maj 1991. U zgjodh një model përfaqësues qytetar të anketuarish, në të gjithë vendin, prej 1181 personash, nga 18 vjeç e sipër”.
Ndërsa rezultatet dëshmonin që shumica e shqiptarëve shprehnin besimin për KSBE dhe KE, pra Perëndimin e kontinentit amë, Evropës, por edhe kishte mjaft skeptikë ndaj NATO-s (vetëm 2 në dhjetë shprehnin besim tek ajo), SHBA merrnin vlerësime shumë të larta. Ishte e anasjella e NATO-s: tetë në dhjetë shqiptarë qenë në favor të simpatisë për Shtetet e Bashkuara.
Anketimi i dytë i USIA u bë në periudhën 26 shtator deri në 15 tetor 1991. Njëri prej konkluzioneve të tij qe se nëntë në dhjetë shqiptarë shprehnin opinion të favorshëm për SHBA, por kishte një rënie të lehtë tek kontigjenti i “shumë të favorshmëve”. Gjithsesi gjysma e të anketuarve qenë fuqimisht proamerikanë. Për shkak të kësaj dhe numrit të lartë të simpatizantëve të Shteteve të Bashkuara, ndërkohë që në qeverisje ishte kabineti pluralist Bufi, qe rritur dukshëm përmasa e mbështetësve të NATO-s: 62 për qind.

Uashington, 28 qershor 1949

Rikthehemi në një kapërcyell tjetër testimi të këtyre marrëdhënieve: pas Lufta e Dytë Botërore dhe kur në Shqipëri pushteti komunist po shtrinte krahë e këmbë në çdo pore të vendit.
Më 28 qershor 1949, ish-ambasadori francez në Tiranë, në periudhën gusht 1946-dhjetor 1948, Gi Anri Viktor Menan (Guy Henri Victor Menant), ishte në Uashington për disa ditë. Qe në udhëtimin e tij për në postin e ri në Panama.
Zëvendësdrejtori i Zyrës së Çështjeve Evropiane në Departamentin Amerikan të Shtetit Luelin Tompson, pohon se qenë ata që e kishin ftuar ambasadorin për një takim dhe prej kësaj bisede ai hartoi një raport për eprorët.
Sipas asaj që shkroi, “Z. Menan filloi duke thënë se ndonëse nuk do të kishte ndërmend të kritikonte vendimin tonë për të mos mbajtur mision në Shqipëri, i vinte më shumë keq që nuk ishim të përfaqësuar atje veçanërisht gjatë vitit të kaluar.
Ai theksoi rëndësinë e Shqipërisë si nga pikëpamja strategjike ashtu dhe nga ajo politike. Ai tha se populli shqiptar shpresat i ka varur tek Amerika më tepër se te çdo vend tjetër dhe tha se pavarësisht nga përpjekjet e regjimit aktual, shqiptarët ishin shumë të prirur për afrim me Perëndimin dhe SHBA-në në veçanti”.

Ajo që citon dhe analizon historiani Hamit Kabo

Një moment tjetër që në një farë mënyre provon qëndrueshmërinë dhe vijueshmërinë, larg çdo ndikimi, të lidhjes shpirtërore të shqiptarëve me amerikanët, mes të shumtave që ekzistojnë dhe një pjesë të tyre të publikuar, është zgjedhur prej nesh posaçërisht një person me emrin më të mallkuar nga regjimi stalinist i kohës: Harry Fulz.
Për ta djallëzuar imazhin e këtij amerikani dhe për t’ia asgjësuar çdo forcë ndikimi në opinionin publik shqiptar (me këtë rast dëmtuar rëndë edhe prestigjin tradicional të SHBA me popullit tonë), u përdor gjithçka e mundur për një regjim të organizuar mirë në propagandë.
Megjithatë doli e tëra bosh.
Mund të thuhet po aq bindshëm se në këtë rezultat qe imazhi i pashkatërrueshëm i SHBA mes etnisë tonë, si edhe ai vetë Fulz-it. Kjo e fundit do të ndodhte veçanërisht pas rënies së diktaturës.
Në librin “Shqipëria e të mëdhenjtë” të historianit Hamit Kaba, ku provat e prirjes së qëndrimit të shqiptarëve afër SHBA janë të panumërta, gjendet edhe ky element shumë shprehës: në 24 shtator 1944 Harry Fulz shkroi disa komente mbi zhvillimet më të fundit politike dhe ushtarake në Shqipëri dhe tërësia e tyre të bind që ai është mjaft i baraspeshuar në gjykimet e veta për PKSH dhe Ballin Kombëtar, dy forca që kishin rënë në ndeshje me armë ndaj njëra-tjetrës, por ku fajtor për këtë, nënvizon Fulz, qenë dukshëm të parët. Të dytët, ballistët, mëshon pa u lëkundur ai, për hir të antikomunizmit qenë afruar me pushtuesit dhe kishin ndaluar çdo luftë kundër tyre.
Fulz nuk është aspak dakord me këtë sjellje bashkëpunuese.
Analiza e drejtpeshuar e tij që nga qyteti i Barit, ku ishte komanda rajonale e një prej degëve të shërbimit të fshehtë amerikan, në të cilën edhe Fulz bënte pjesë, në rast se do të njihej e publikohej para nëntëdhjetës, do ta vinte në krizë tërë sistemin manipulues antiamerikan të regjimit.
Këtë dëshmi të mësipërme ia paraqitëm lexuesit si një fakt kuptimplotë i qëndrimit të paanshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj shqiptarëve. Po të kryenin anësime të mëdha dhe arrogante në favor të kësaj apo asaj pale gjatë luftës, vitet 1939-1944 do të qenë shtrati i destabilizimit të traditës së mirësisë natyrale mes dy vendeve.
Njëlloj si me Harry Fulzin dhe nëmjen e tij ngulmuese, ndërsa regjimi stalinist iku dhe amerikani i njohur për themelimin e një shkolle të kualifikuar teknike në Tiranë, për një zgjedhje të vetë shqiptarëve, mbeti i regjistruar në imazhin e tyre vetëm si i tillë. Aspak si kryeagjenti i administratës së Shtëpisë së Bardhë që kur pas çlirimit erdhi në Tiranë dhe u përpoq ta dobësonte diktaturën në favor të shumëpartitizmit, madje edhe me veprime diversive.
Antiamerikanizmi patologjik i Tiranës bolshevike dhe antikomunizmi i theksuar i Uashingonit prej motit 1946 deri në 1961, kur Enver Hoxha dhe bashkëpunëtorët e tij u shkëputën prej Bashkimit Sovjetik, ndryshe nga sa mund të pritej, gjithsesi nuk rënduan mbi lidhjen shpirtërore. Me sa duket, mbajtur sekret edhe nga vetë populli i ndaluar të qe i lire, nuk dëmtuan as edhe një pakt politik, edhe pse spontan, mes dy vendeve.
Shqiptarët bënë aë që deshën: larguan çdo gjë që shkaktonte lëndime në harmoninë me SHBA.

Shfaqja ëngjëllore e presidentit Uillson

Koha e Luftës së Dytë Botërore e deri në ditët e sotme është vetëm njëra periudhë e afrimit shpirtëror koherent e të patrazuar nga askush, mes popullit tonë dhe administratës amerikane, patjetër edhe vetë njerëzve të këtij supershteti demokratik.
Shkon gjer në fillim të shekullit të shkuar ky raport i veçantë. Ne po ndalemi (dhe këtu do të qëndrojmë posaçërisht), në një nyje tjetër ku është farkëtuar dhe ka marrë kuptim të thellë, pothuaj identitar, lidhja së brendshmi mes nesh dhe SHBA.
Këto raporte, në rast se dëshirojmë sadopak t’i shpjegojmë, duhet më së pari t’i vështrojmë prej rolit mbrojtës të Uashingtonit ndaj shqiptarëve.
Vitet më të vështira të ekzistencës sonë si komb apo çastet më të rrezikuara të pavarësisë si shtet dhe ku ëngjëllin mbrojtës e kanë bërë SHBA, kanë qenë katër: periudha prej kryengritjeve çlirimtare antiosmane 1911-12 deri në 1920, pushtimi fashist, regjimi komunist dhe shpërthimi nga qeveria e Sllobodan Millosheviçit e dhunës ushtarake kundër popullit të Kosovës.
Po ngulitemi në periudhën e parë, kur ishim në hapat e para si shtet i vetëshpallur më vete. Ngulim këmbë se në themel të historisë së marrëdhënieve të ngrohta dhe mirëbesuese shqiptaro-amerikane ka ushtruar autoritet politik themelues një president: Udrou Uillson (Thomas Woodrow Wilson).
Në rast se Bill Klintonit në fillim të vitit 2009 për kontributin e tij në çlirimin e Kosovës i ngritën në Prishtinë një monument, për presidentin Uillson tre çerek shekulli më parë nga shqiptarët u propozua t’i jepej emri një qyteti të tërë: portit të Shën Gjinit.
Kjo nuk ndodhi për arsye të shpjegueshme, por jo për shkak të mungesës së ndjenjës së mirënjohjes për të. Do të kalonin dekada dhe emri i presidentit amerikan të viteve 1912-1920 do të lartohej pa pushim, duke u shndërruar në simbolin e këtyre marrëdhënieve, madje edhe të mendësisë shqiptare se SHBA janë natyrshëm tutori strategjik.
Udrou Uillson hyri në kujtesën kombëtare të shqiptarëve pikërisht kur këtë shfaqje triumfale e kreu mes tyre, por mbi të gjitha në historinë e globit. Ai u bë i famshëm me programin e tij të “14 pikave”, të cilin e shpalli në një mbledhje të zgjeruar të Kongresit Amerikan në 9 janar 1918. I shprehur ndryshe ai “katërmbëdhjetë pikësh” qe një program paqeje. Lufta e Madhe, siç quhej atëherë Lufta e Parë Botërore, pasi nëpër kontinente kishte shkaktuar miliona viktima dhe rrënuar kombe e shtete, ndërsa të gjitha palët kacafytëse qenë të rraskapitura e gjëma mund të frenohej e ndalej, vazhdonte nën ritmin e një moskontrolli dhe inercie të frikshme. Ndalja e saj qe urgjente, rikthimi i paqes akoma më shumë. Platformat për këtë zgjidhje sa më të shpejtë duhej të ishin jo vetëm inteligjente dhe shumëpërfshirëse, por edhe largpamëse, garante në të ardhmen të një paqeje sa më të gjatë.
Duke qenë se nuk lypej një zgjidhje e ngutshme, një skemë e pafrytshme ku njëra palë fuste në duar të gjitha frytet e ngadhënjimtarit dhe tjetra të tëra helmet e të mundurit, projekti që afroi Udrou Uillson tërhoqi shumë vëmendje si edhe përkrahës.
Pika e parë e kësaj platforme ngulte këmbë se kishte ardhur çasti për të bërë një aleancë të gjerë paqeje dhe se që nga ky moment diplomacia mes shteteve nuk duhej të funksiononte me marrëveshje dhe traktate të fshehta, por të sinqerta dhe të hapura.
Pak çaste para se ta shpallte këtë pikë të parë të programit të tij paqtues presidenti amerikan i qe drejtuar me kritika një platforme tjetër, asaj të Vladimir Iliç Leninit, tashmë prej dy muajsh kryetar i shtetit të parë bolshevik në botë, atij të Sovjetëve.
Demokracia amerikane u rreshtua kështu përballë asaj të modelit komunist, një sistem dhe ideologji totalitare.
Që prej këtij çasti mes shqiptarëve përballja e madhe mes Udrou Uillsonit dhe Vladimir Iliç Leninit do të vinte nëpërmjet një rrjedhe tepër të veçantë dhe të koklavitur ngjarjesh e rrethanash.
Gara se cila alternativë do t’i bënte për vete popujt e botës dhe bashkësinë e vogël numerikisht por në Ballkan të ndodhur në një territor me rëndësi gjeostrategjike mjaft të vyer, do të tendosej përgjatë gjithë shekullit të shkuar, duke lënë gjurmë të dukshme.
Ja përse platforma uillsoniane e fillim janarit 1918 nisi si një alternativë kundërshtuese ndaj asaj të ardhur nga Moska me emrin “Dekreti mbi Paqen”.
Ajo qe shpallur menjëherë pas marrjes së pushtetit nëpërmjet të quajturit Revolucioni i Tetorit. Në këtë projekt paqtimi global Lenini, tashmë me autoritetin e një shteti të madh sa një e gjashta e botës, por edhe me një sistem shoqëror ndryshe, i cili ato çaste ishte sa çudi aq edhe politikisht për të shtypurit e të varfrit plot me joshje magjike, u propozonte popujve që ishin në luftë si edhe qeverive të tyre, të fillonin menjëherë bisedimet për një paqe të drejtë demokratike dhe pa aneksime territoresh.



AMERIKË, PSE TË DUAN KAQ SHUMË SHQIPTARËT

1924. Në Parlamentin shqiptar nuk u mbajt zi vetëm pët Leninin, por edhe për presidentin Uillson. Pse u tha e para dhe u mbajt fshehur e dyta.

Shkrimi i dytë

Leninizëm apo...

“Dekreti mbi Paqen” mbërriti edhe në Shqipërinë e pushtuar nga një çetë e tërë shtetesh të huaja. Ngulëkëmbja e Vladimir Iliç Leninit për të mos lejuar përvetësimet e territoreve të kombeve të tjera qe një mbështetje e madhe edhe për mbijetimin e saj, madje i kishte ardhur në çastin më të duhur. E papritura e këndshme për shqiptarët ishte se e mira këtë herë po vinte prej një shteti që tradicionalisht e njihnin si shumë të afërt me vende fqinje që ato momente po e copëtonin mes tyre.
Megjithatë në atë nëntor 1918 “Dekreti mbi Paqen” nuk depërtoi dot deri tek shqiptarët e thjeshtë dhe kështu nuk u bë dot lajm. Për pasojë ai nuk hyri dhe as u ngulit dot në memorien e tyre.
E kundërta ngjau disa ditë më pas, kur në 19 nëntor, me vendim të kongresit të dytë të Sovjetëve, për të demaskuar diplomacinë e fshehtë të Rusisë cariste, qeveria sovjetike botoi traktatet e fshehta grabitqare që ndanin botën. Mes tyre qe edhe Traktati i Fshehtë i Londrës i 26 prillit 1915.
Marrëveshjet tinëzare menjëherë pas daljes nëpër faqet e shtypit sovjetik, si të qenë një ortek i pandalshëm, mbushën edhe kolonat e të përditshmeve të botës, përfshi edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këtu shumë fragmenteve të tyre i bënë jehonë “Evening Post” e Nju Jorkut si edhe gjatë gazeta të tjera.
Thuhet se në fillim presidenti amerikan Uodrou Uillson nuk i dha shumë rëndësi efektit të këtij aksioni politik dhe po aq ideologjik të ardhur nga tashmë supershteti rival. Do të lëvizte më pas me shpejtësi, deri sa do të ndërmerrte gjestin e kundërveprimit: fjalimin në Kongres.
Në gazetat që dilnin në gjuhën shqipe në zonën austro-hungareze të pushtimit u publikua lajmi për Traktatin e Fshehtë të Londrës dhe çfarë ai kishte vendosur në pabesi për fatin e tyre: copëtimi i plotë mes fqinjëve, Serbisë, Greqisë dhe Malit të Zi. Italia përveç se ishullin e Sazanit e portin e Vlorës bashkë me rrethinat do të kishte të drejtën e protektoratit mbi një çerek shtet shqiptar, kryesisht mysliman e të shtrirë pak më sipër e ca më poshtë lumit Shkumbin, atje ku në kohën e perandorisë romake kishte kaluar rruga Egnatia.
Nga lajmi i beftë dhe tërësisht i pabesë mes shqiptarëve brenda kufijve të hapësirës etnike por edhe kudo ku të emigruar gjendeshin nëpër botë, shpërtheu indinjata.
Kështu në atë janar të vitit 1918 presidenti amerikan Uodrou Uillson, ndërsa ende kumti për fjalimin e tij “14 pikat” nuk kishte mbërritur, qe një emër shumë më pak tërheqës se ai i Vladimir Iliç Leninit. Kryebolsheviku sovjetik po bëhej përherë e më shumë simpatik mes shqiptarëve. I kishte të gjitha gjasat të shndërrohej në figurë popullore.

apo uillsonizëm?

Presidenti amerikan Udrou Uillson qe mbi të gjitha një idealist i madh. Ai qe plotësisht në lartësinë e një burri shteti ndërsa kuptoi se në fatin e njerëzimit regjimet me liri të ndaluara po shfaqeshin si oguri më i zi i atij shekulli të njëzetë dhe se në luftë me këtë kanosje planetare i binte për detyrë historike Shteteve të Bashkuara të Amerikës të ishte në vijë të parë.
Uillson ishte internacionalist i madh dhe duke qenë mbrojtës i shquar i më të dobtëve, qe njëkohësisht edhe i vendeve të vegjël. Presidenca e tij, veçanërisht në vitet e fundit, arriti të krijojë një doktrinë të tërë me vlera mbarënjerëzore: Uillsonizmin. Në sistemin shoqëror të një shteti ky ishte kapitalizmi thellësisht demokrat. Në marrëdhëniet ndërkombëtare Uillsonizmi qe mbrojtje për të drejtat e popujve të vegjël.
Uillsonizmi ishte “komunizmi” i vërtetë. Me këtë platformë doktrinare dhe vizion global vetëm një president si Udrou mund ta përballonte bolshevikun dinak dhe energjik, me mendje tejpamëse dhe mobilizues magjik i turmave, tiranin e maskuar si liridashës të madh, Vladimir Iliç Leninin.
Ky i vuri përballë shemrit të tij amerikan doktrinën e tij, e cila qe shoqëria komuniste, e zbatuar në një vend posaçërisht shumë të varfër, por që pak nga pak do të bënte për vete e pushtonte edhe shtetet e pasur.
Doktrina e Vladimir Iliçit qe edhe internacionaliste, madje kishte mision të eksportohej, të realizonte revolucionin botëror.
Ajo u quajt Leninizëm.

Vdiq i pari Uillsoni, pas dy javësh Lenini

Në fund të vitit 1917, kur njëri pas tjetrit ose të dy njëherësh, pa u kuptuar mirë cili prej tyre qe i pari, mes shqiptarëve hynë Udrou Uillson dhe Vladimir Iliç Lenini, vendi ynë thjesht kishte ngritur në 28 nëntor 1912 flamurin e pavarësimit, por nuk qe akoma shtet i pavarur. Ndodhej në gjendjen e kundërt. Ishte krejtësisht i pushtuar. Madje qe i copëtuar, çka do të thoshte se përjetonte grahmat e një situate më të keqe se pushtimi.
Deri ato çaste kishte patur shqiptarë, por jo Shqipëri. Pikërisht kjo Shqipëri për herë të parë, kur Uillson dhe Lenin u shfaqën dhe u spikatën në fatin e botës, ndodhej në buzë të asgjësimit fatal.
Si prijësi i parë ashtu edhe i dyti, edhe pse rivalë doktrinarë të papajtueshëm, ndaj shqiptarëve u afruan me gjeste të njëjta e tërësisht në favor të tyre. Qe një rast shumë i rrallë që dy supershtete të globit nuk ishin për shuarjen e popullit tonë të vogël, siç kaq fort e lakmonin dhe po e realizonin fqinjët tanë serbë, grekë dhe malazezë.
Duke u mbështetur mbi reagimin e shtypit të kohës lihet përshtypja se gjesti i Vladimir Iliç Leninit ka ushtruar mbi shqiptarët një veprim më të fortë, më gjurmëlënës, se ai i Udrou Uillsonit.
Denoncimi i Traktatit të Fshehtë të Londrës i 26 prillit 1915 nuk zhurmoi vetëm në gazetat e pakta të Shqipërisë ende e mbipushtuar, por edhe në diasporën kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më të fuqishmen mërgatë të shqiptarëve jashtë. Gazeta “Dielli” e marsit 1918, ndërsa për këtë traktat të ligë shprehej se qe “Qefini i Shqipërisë”, për veprën e kryekomunistit bolshevik Vladimir Iliç Lenin shkruante “Ishte sy për të verbrit dhe veshë për të shurdhrit”. Aq e fortë qe vala e zemërimit sa shoqata “Vatra” i shkroi britanikes “The Manchester Guardian” se ajo marrëveshje e pabesë, e hartuar dhe e firmosur fshehtas në kryeqytetin e tyre dhe që përjetë do ta mbante Londrën si vendin e krimit, ishte “një nga aktet ndërkombëtare më të errëta që mund të përmenden”.
Aq e shungulluese ishte vala e indinjatës së shqiptarëve në trojet e tyre sa që autoritet italiane të pushtimit në zonën e tyre të kontrollit bënë përpjekje të sforcuara për ta fashitur shqetësimin dhe zbutur kundërveprimin. Komanda e Truparmatës XVI i porositi prefekturat dhe nënprefekturat në juridiksionin e saj të përhapnin kudo fjalë se gazeta ruse “Izvestija” nuk e kishte bërë publike të gjithë të vërtetën, por me qëllim të keq pati botuar vetëm një variant të parë dhe aspak marrëveshjen e vërtetë, ku sipas tyre italianët nuk qenë shprehur dakord për copëtimin e Shqipërisë.
Për shkak të shumë rrethanave të mëpasshme garimi i Udrou Uillsonit me Vladimir Iliç Leninin për të fituar epërsi mes shqiptarëve (kjo ndodhte ndërkohë edhe me shumë popuj të botës) do të vijonte shumë i thekshëm deri në çastin kur të dy do të ndërronin jetë. Edhe pse nuk qenë të së njëjtës moshë (presidenti amerikan kishte vitlindje 1856-tën dhe kryekomunisti sovjetik 1870-ën), ditëvdekjet iu gjendën shumë afër. Lenini vdiq në 21 janar 1924, kurse Uillsoni në 3 shkurt të po atij viti.
Lajmi për këto dy jetëhumbje u përhap në të tërë globin.
Në trojet shqiptare gazeta “Politika” e vlerësoi Vladimir Iliçin si njeriun që denoncoi traktatet e fshehta dhe e shpëtoi shtetin shqiptar, se i ruajti tërësinë tokësore si edhe pavarësinë. Ajo botoi edhe frazën mallëngjyese “Vdiq Lenini dhe bota qan”. Ndërkohë nëpër faqet e gazetave shqiptare të kohës gjeje për të edhe shprehjen “miku i popujve të vegjël” apo deri edhe gjykime thellësisht ideologjike si “gjeniu i revolucionit socialist”.
Në SHBA gazeta “Dielli” e muajit shkurt theksoi “Me vdekjen e Vladimir Leninit shuhet pa fjalë një mendje e thellë që diti, sidomos në kohërat e fundit, të shkulë përgjithnjë rrënjët e zeza të absolutizmit të carëve dhe të ngrejë në shkallën e duhur emrin e popullit”.
Në 4 shkurt, vetëm një ditë pas jetëhumbjes së Udrou Uillsonit, parlamenti shqiptar, i quajtur atëherë Asambleja Kushtetuese, u përfshi në një debat të madh, ngjarje e bujshme e cila gjatë pesëdhjetë viteve të diktaturës asnjëherë nuk u rrëfye në pamjen e saj të vërtetë. Madje që prej këtij çasti ka nisur një nga deformimet më të pacipa dhe manipulimet më dinake të historisë shqiptare të shekullit të shkuar. Regjimit i duhej të provonte se idetë komuniste jo vetëm kishin qenë pritur me entuziazëm të madh menjëherë pas triumfit të bolshevizmit në Moskë, por ndjekësit e tyre më ps u shtuan aq shumë sa që përbënin një grup të fortë edhe në parlamentin e kohës.

4 shkurt 1924

Këtë periudhë është ngjarja e ndodhur në sallën e Asamblesë Kushtetuese, ku për presidentin Uillson dhe kryebolshevikun Lenin u kërkua mbajtja e heshtjes nderuese. Vetë ngjarja e mbajtjes zi për të dy shtetarët e fuqishëm botërorë, është tepër e rrallë, shumë e veçantë, e pangjarë atë kohë në parlamente të tjera.
Ajo është shumë shprehëse e dukurisë që mbart, përballjen në Shqipëri të Uillsonizmit me Leninizmin.
Në se ky ballafaqim u bë për hir të çështjes kombëtare apo si doktrinë ideologjike, me epërsi të njërës apo të tjetrës, meriton vëmendje shumë të madhe sepse pikërisht kjo është edhe karakteristika e kësaj ngjarjeje. Po qe se e lexojmë qartë do të mund të kuptohet për ku anonin më shumë shpirtërisht shqiptarët.
Pra për cilin, Uillsonin apo Leninin, për Amerikën apo Rusinë, rrihte më shumë zemra e tyre.
Tani po tregojmë ngjarjen.
Në 27 dhjetor qenë kryer votimet për Asamblenë Kushtetuese dhe në 2 shkurt ajo çeli punimet e saj në Tiranë. Në 3 shkurt ndërroi jetë presidenti amerikan dhe lajmi në Shqipëri nuk mbërriti dot brenda një apo dy orëve. Veç në 4 shkurt ai qe përhapur kudo. Në mbledhjen e Asamblesë së kësaj dite, madje që në fillim të saj, deputeti Rauf Fico u ngrit dhe tha: \"Zoti kryetar! Pa hy në bisedimin e rendit të ditës, dua të bëj një proponim. Me hidhërim muarmë vesht se ish kryetari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Willsoni, vdiq. Duke marrë parasysh shërbimet e mbëdha që i ka bërë Shqipërisë, proponoj të bëhen 5 minuta pushim si shenjë hidhërimi dhe t’i hiqet një telegram ngushëllimi familjes së të ndjerit\".
Menjëherë pas kësaj e mori fjalën deputeti Jashar Erebara dhe nguli këmbë të bëhej e njëjta gjë edhe për Leninin, i cili kishte vdekur që në 21 janar dhe duke qenë se Asambleja ato çaste nuk ekzistonte tani e kishin mundësinë ta shprehnin hidhërimin.
Menjëherë pas Erebarës u shpreh Avni Rustemi, i cili qe deputet i Kosovës. Ai e mbështeti propozimin e Erebarës dhe deklaroi “E dini fare mirë, zotërinj, se qysh ai mbrojti principet e larta të njerëzisë e se qe i pari që denoncoi traktatin e fshehtë të 1915-tës që ishte për copëtimin e Shqipërisë”.
Këto zhvillime tekstet e historiografisë së diktaturës i kanë përshkruar si një betejë e ashpër mes deputetëve reaksionarë (që mbështetnin nderimin e Uillsonit) dhe përparimtarë (ata që ndërhynë për t’ia bërë nderimin Leninit). Po ashtu këto libra shkruajnë se vetëm me këmbënguljen e këtyre të fundit Asambleja Kushtetuese mbajti pesë minuta pushim edhe për vdekjen e shefit të Sovjetëve.
Ai ishte vërtet kështu?

11 shkurt, flet edhe Fan Noli

Historiografia e shkuar, e ndikuar nga një platformë ideologjike nuk shpjegoi asnjëherë se propozimi në Asamblenë Kushtetuese për të mbajtur pesë minuta heshtje për Vladimir Iliç Leninin ishte ngjarje e dytë, veprim pasojë, reagim i drejt për drejtë ndaj gjestit të shumicës parlamentare për të mbajtur zi në kujtim të Udrou Uillsonit.
Rikujtojmë se ky pati ndërruar jetë në 21 janar dhe se pikërisht këtë datë në Tiranë kishte çelur punimet, e porsazgjedhur dhe e shpallur ligjërisht, Asambleja Kushtetuese. Ka të ngjarë që lajmi i rëndësishëm për të gjithë botën, sidomos edhe për Shqipërinë ku emri i Vladimir Iliçit lidhej tërësisht me denoncimin e guximshëm të Traktatit të Fshehtë të Londrës, atë ditë të mos ketë mbërritur dot në mjediset zyrtare të kohës.
Në të vërtetë sipas rregullit më elementar ai njoftim duhet të ketë hyrë në kryeqytetin shqiptar brenda asaj mbrëmjeje, të paktën, por sidoqoftë në punimet e Asamblesë për atë 21 janar ai nuk është përmendur fare.
Nuk ndodhi kjo as në ditët e mëpastajme, ndërsa kuvendi i parlamentarëve, në debatin e tij të përgjithshëm nëse Shqipëria do të ishte republikane apo do të vendoste një sistem monarkik, u mblodh disa herë.
Ja pse mbetet shumë e panatyrshme çdo përpjekje për ta shpjeguar propozimin Erebara-Rustemi si rrjedhojë të një pranie të ideologjisë marksiste-leniniste tek ta. Apo edhe thjesht të një simpatie personale për komunizmin.
Ca më shumë do të qe e padrejtë që çfarë kanë shqiptuar ata të interpretohet si prirje e shoqërisë shqiptare.
Kur shumica e deputetëve shqiptarë, të quajtur si reaksionarë nga historiografia zyrtare e Tiranës, kërkoi mbajtjen e zisë për Uillsonin, më shumë se prej kritereve ideologjike veprimin e kreu e shtyrë nga motive kombëtare. Presidenti amerikan pati mbrojtur Shqipërinë dhe po ashtu, si Lenini, denoncuar automatikisht edhe Traktatin e Fshehtë të Londrës.
Kur deputeti Jashar Erebara propozoi pesë minutat e heshtjes në kujtim të udhëheqësit të Revolucionit të Tetorit kishte në mendje të njëjtën vlerë e shërbim në favor të popullit të vogël të shqiptarëve, aspak Marksin dhe as Engelsin, kurrë thirrjen e tyre “Proletarë të të gjithë vendeve bashkohuni!”
Shënojmë se në 4 shkurt, kur Erebara-Rustemi propozuan pesë minutat e heshtjes nderuese për Vladimir Iliçin dhe Asambleja Kushtetuese ra dakord, Noli nuk ndodhej në sallë. Këtë e sqaron vetë të hënën pasardhëse, 11 shkurt, pasdite. Në protokollin e asaj seance është shkruar se “Imzot Fan Noli, Kryepeshkopi dhe Mitropoliti i Durrësit, i Gorës dhe i Shpatit” i është drejtuar kryetarit të Asamblesë Kushtetuese, Petro Goga, me këto fjalë “Nga shkaku i një moskuptimi nuk u ndodha të hënën e kaluar në mbledhjen ku u përmend vdekja e Presidentit Uillson. Kisha pak fjalë për të thënë atë ditë, e pasi nuk munda, ju lutem të më jepni leje t‘i thom sot”.
Është tepër e qartë: Në 4 shkurt, ndërsa u mbajtën nga pesë minuta zi për presidentin amerikan dhe pastaj për udhëheqësin komunist sovjetik, Fan Noli, po të ndodhej në sallë nuk do të shqiptonte asnjë fjalim për Leninin.
Kur sipas protokollit thuhet “Zëra: Pranohet”, pra iu dha leja gjërësisht nga deputetët, Noli nisi të flasë. Ja cilat janë ato që dëshiron t’i bëjë publike para gjithë opinionit të bashkëkombësve: “Amerika edhe tërë bota vajtuan këto ditë vdekjen e Udrou Uillsonit, të njëzetë e tetit President të Shteteve të Bashkuara. Pranë Amerikës merr pjesë në këtë zi dhe Shqipëria, e cila qan në fytyrën e tij Amerikanin e math, idealistin bujar dhe mprojtësin e saj më të fortë”.
“Titulli \"Amerikan, tha Fan Noli në atë pasdite, mjafton që t‘a bëjë popullin tonë të marrë pjesë në çdo vajtim të Amerikës, se që të gjithë e dimë sa të mira kemi parë prej saj”.
Më tej: “Që në 1900 Amerika ka qenë kurbeti më i math i Shqipëtarëve. Që më 1914, kur Shqipëria u shkel prej të huajve, Amerika u bë vendi ku shqiptarët shkonin për të shpëtuar jetën e tyre e për të fituar bukën e familjes”.
Menjëherë më pas Fan Noli ka të shqiptuara edhe këto fjalë lapidare: “Për të njëzet e pesë vjetët e funtme Amerika ka qenë për shqiptarët një fushë pune dhe një shkollë: Një fushë pune ku fiton aqë para sa ishin të zotët, dhe një shkollë ku mësonin respektin e kanunit, disiplinën, vlerën e organizimit dhe detyrat kundrejt atdheut, kështu që ktheheshin në Shqipëri krejt të transformuar dhe njerëz me idera të ra”.
Në atë kuvend kushtetues Fan Noli qe i pari me të drejta ekskluzive për të folur për presidentin amerikan dhe më pas askush tjetër nuk pati shkëlqim. Dita e 11 shkurtit ishte dita e tij. Në fjalën e vet shumë të sinqertë Noli nuk harroi qëllimisht t’ua kujtojë kolegëve dhe opinionit publik se në biografinë e tij politike përveç takimit personal me Uillsonin (më 4 korrik 1918, në pelegrinazhin e organizuar nga presidenti amerikan në Mount Vernon), kishte edhe një ngjarje shumë të veçantë, të paposeduar nga kurrkush tjetër. Si Ministër i Jashtëm i vendit të vet ai pati qënë në Gjenevë në ditët e orët historike kur Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve. \"Ndjeva një lëmsh mallëngjimi në grykë”, shqiptoi solemnisht në Asamble, “dhe më rrotullonte në kokë një emër, që ka fituar mirënjohjen e gjithë zemrave shqiptare, emri i Presidentit Wilson\".




AMERIKË, PSE TË DUAN KAQ SHUMË SHQIPTARËT

Si në gusht 1924 u mor vendim që Shëngjinit t’i jepej emri i presidentit Uillson. Çfarë e nismoi Faik Konica dhe e zyrtarizoi Fan Noli, pas tij edhe Ahmet Zogu, nuk u realizua kurrë.

Shkrimi i tretë

Garë e hapur cili është më proamerikani

Në atë 11 shkurt 1924, ndërsa në Tiranë shkëlqente ylli i tij, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tashmë pas largimit të Fan Nolit me cilësinë e figurës së parë të diasporës së fuqishme shqiptare, nuk rrinte duarkryq edhe një tjetër protagonist i dorës së parë: Faik Konica.
Përveçse politikan i përkushtuar për kombin, por për të rrokur në histori vendin e të parit të shqiptarëve dhe themeluesit të pavarësimit mjaft rivalizues deri edhe me Ismail Qemalin, përveç se edhe mjeshtër i përdorimit të polemikës me gojë dhe me letër, ai vinte prej një familjeje të pasur dhe me ofiqin osman të beut, pra në kushtet e barasvlefshme të titujve fisnikërorë të Evropës me atë të kontit.
Vdekja e presidentit Uillson qe edhe për Konicën një ngjarje shumë e hidhur, mjaft pikëlluese. Ndërkohë ai nuk mund ta anashkalonte këtë ngjarje të madhe ndërkombëtare pa dëshmuar edhe gjestin e vet të adhurimit. Bashkëkombësit e tij në SHBA, por edhe përtej oqeanit, në viset e tyre, e çmonin shumë një sjellje të tillë. Faik Konica mendonte se proamerikanizmi nuk mund të jepte konsensus të gjërë vetëm për Fan Nolin. Dëshironte edhe ai të merrte pjesën e vet.
\"Jemi bindur se çdo shqiptar di dhe kupton”, deklaroi ai dhe gazeta “Dielli” e “Vatrës” e botoi dukshëm°, “se ç\'borç të madh i kemi Wilson-it. Në qoftë se ka ndonjë shqiptar që s\'merr vesh se shpëtimi dhe liria e vendit të tij i detyrohet kryesisht Wilson-it, ai nuk është njeri dhe duhet të kemi mëshirë për verbësinë dhe errësirën që i ka mbuluar trutë\".
Fraza është e fortë, jo shumë “e edukuar”, por Konica nuk e ka me ndonjë mendësi reale të bashkëkombësve të vet. Ai nuk beson se mes shqiptarëve gjenden shumë syresh që nuk e dinë se Udrou Uillsoni ka qenë mbrojtësi i sovranitetit dhe i vetë ekzistencës së shtetit të tyre. Shprehjen me inat polemik e ka formal, të ndërtuar ashtu vetëm për të nxjerrë në pah rolin e pazakonshëm të presidentit amerikan, vepër të cilën ndërsa nuk ishte më në jetë, të gjithë duhet ta gdhendnin e ngulitnin në kujtesën kombëtare.
\"Shqipëria ishte dënuar me vdekje, kumboi idenë e tij Faik Konica, dënimi do të zbatohej doemos, asnjë rreze shprese s\'ndritte gjëkundi. Po e papritura ngjau, dhe kjo e papritur erdhi nga qëndrimi i Woodrow Wilson-it...Ndërgjegja e drejtësisë njohu përsëri zërin e madh, dhe u drodh nga gëzimi; se Wilson-i duke mbrojtur Shqipërinë nuk e mbronte një popull të vetëm, por mbronte gjithë popujt, e mbronte parimin\".
Konica si edhe Noli, edhe pse si protagonistë politikë në qëndrimet e tyre u duhej të llogarisin përfitime elektorale, janë shumë të sinqertë në opinionin e tyre për Udrou Uillsonin. Ilir Ikonomi në librin e tij të botuar në Tiranë “Faik Konica, jeta në Uashington”, i jep reliev posaçërisht një episodi i cili duhet të ketë ngjarë në 25 tetor 1926.
Pasi në 8 tetor i pati paraqitur presidentit amerikan Coolidge letrat kredenciale me të cilat Ahmet Zogu e kishte emëruar të Dërguar të Jashtzakonshëm dhe Ministër Fuqiplotë të Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ai kreu një veprim që ra në sy dhe përbëri lajm në edicionin e 26 tetorit të “The Washington Post”. Me një kurorë me diametër një metër Konica shkoi në varrin e Uillsonit, në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit, dhe e vendosi mbi të. Ajo qe thurrur me trendafila rozë dhe të bardhë dhe në shirit qe shkruar shumë shkurt, por tepër në mënyrë kuptimplote: “Nga Republika Shqiptare”.
“Kjo ishte një ndër kurorat më të mëdha të vendosura ndonjëherë në varrin e Wilsonit dhe la mbresë te njerëzit e Katedrales”, thekson Ilir Ikonomi.

Faik Konica propozon: qyteti i Uillsonit të jetë Saranda ose Shëngjini

Më shumë se dy vite të shkuara, në 12 mars 1924, për të nderuar presidentin amerikan të ndarë nga jeta ato kohë Faik Konica kishte përdorur një kurorë tjetër. Njëqind trëndafila, pesëdhjetë me ngjyrë të kuqe dhe po aq të bardhë, të lidhura edhe me një kordele me ngjyrat e flamurit të Shqipërisë, ia dërgoi të vesë, zonjës Edith Bollin Galt Wilson.
Në shiritin përkushtues pati shkruar me dorë “From the Albanian Federation Vatra, Boston, Massachussets\".
Në telegramin shoqërues të gjithë ndjenjën e homazhit special për presidentin amerikan e pati rreshtuar me fjalët elegante \"Jepmëni leje, Zonjë, të bëhem me respekt dragoman i hidhërimit të thellë e të kthiellët që ndjejnë Shqipëtarët, të cilët te personi i Presidentit të madh, burrit tuaj, kanë humbur mbrojtësin e të drejtave të tyre, një mik mirëdashës e të fuqishëm në orët më të zeza të rrezikut e të brengjeve\".
Por me deklarimin e tij të vazhdueshëm publik në spikatje të Uillsonit dhe të përkushtimit personal për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, çka i nevojitej për të realizuar projektet e veta politike, Konica nuk harronte asnjëherë të nxirrte në pah se kjo lidhje e fortë shpirtërore ishte e gjithë shqiptarëve, pra qe masive, mendësi e prirje kombëtare. Edhe Fan Noli nuk e kishte shmangur asnjëherë pohimin e kësaj vetie popullore.
Megjithatë në “garën” mes të dyve, sepse shpallja si shqiptar i pasionuar proamerikan edhe këtë pamje mori, Faik Konica ja kaloi Fan Nolit. Vërtet fjalimi panegjerik i 11 shkurtit ishte një kulmim, por nuk mbetej më poshtë edhe kurora me njëqind trendafilat. Ndërkohë njeriu i parë i “Vatrës”, me pak fjalë udhëheqësi atë vit të ngatërruar shqiptar 1924, kreu më pas një sfidë të madhe, pothuaj monumentale. Konica propozoi që një qyteti shqiptar t’i vihej emri i presidentit të paharruar amerikan.
E zgjodhi cilit vendbanim do t’i hiqej emri i deri atëhershëm: Shëngjinit ose Sarandës.

Wilsonville: kabllogrami drejt Tiranës

Sigurisht qe mbajtur fjalimi himnizues i Nolit dhe dërguar kurora e madhe me njëqind trendafila të kuq e të bardhë, kur nga Bostoni, në emër të “Vatrës”, drejt Tiranës u nis një kabllogram.
I drejtohej Asamblesë Kushtetuese dhe thoshte \"Ju lutem të shtroni një proponim për kqyrjen mirëdashëse të deputetëve pa ndryshim partie: Me vdekjen e ish-presidentit Wilson u çduk mbrojtësi i popujve të vegjël dhe shpëtimtar\' i Shqipërisë. Proponimi im është t\'i jepet emëri Wilsonville ose Shën Gjergjit ose Sarandës. Juaji me respekt: Faik Konitza”.
Ideja e ardhur nga diaspora e madhe në SHBA u prit mes deputetëve me konsensus të plotë. Studiuesit e historisë së kësaj periudhe nuk kanë gjetur ose të paktën nuk i kanë paraqitur opinionit publik shqiptar një person apo dëshmi kundërshtuese. Në atë Asamble Kushtetuese ku lufta politike ishte në fazën e kacafytjes dhe ku brenda godinës së saj ishte kryer edhe një atentat kundër kryeministrit, Ahmet Zogut, rënia dakord qe e plotë.
Në historinë tonë ky mund të konsiderohet edhe çasti më suprem i adhurimit shqiptar për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nuk ka krahasim me ngjarje tjetër të njëllojtë.
Duket një dëshmi tjetër po kaq frenetike vetëm turma e madhe popullore që në prag të pranverës 1991, duke manifestuar pothuaj delir, priti nëpër rrugët e sheshet e Tiranës Sekretarin Xhejms Bejker.
Mirëpo çfarë kishte propozuar Faik Konica dhe miratuar njëzëshëm kuvendi parlamentar shqiptar nuk gjeti dot zbatim të menjëhershëm, siç e lypte përmasa e shprehjes konkrete të nderimit për Udrou Uillsonin dhe po ashtu dëshirohej nga të gjithë, i madh dhe i vogël. Atentati ndaj Avni Rustemit në 20 prill dhe pas dy ditësh lëngimi vdekja e tij e fundosën jetën e vendit në një rrjedhë krejt të paparashikuar e të paditur, në një përballje politike të armatosur, siç ishte i quajturi Revolucion Demokratik i Qershorit.
Gjithsesi, sapo kjo luftë u fashit me marrjen e pushtetit nga Fan Noli dhe ndërsa Ahmet Zogu i dëbuar ndodhej në Jugosllavi në ditët e para të riorganizimit për t’u rikthyer në Tiranë si i pari i vendit, Këshilli i Ministrave në 9 gusht 1924 mori vendimin e tij me numër katërqind e tetëmbëdhjetë.
Ai i drejtohej Fak Konicës dhe thoshte \"Në përgjigje të shkresës s\'uej nr 1250..., Ky Këshill mbas vendimit të Këshillit Ministruer nr 418 me 9 gusht 1924, mbi propozimin e kryetarit të \"Vatrës\" të bamun në Kuvendin Kushtetues, dekretojti ndërrimin e emnit të Shengjinit në Willson. Për Këshillin e Naltë të Shtetit Shqiptar, Kryeministri F.S.Noli”.
Kur kabllogrami i u nis “Vatrës” qe 21 gusht. Ndërkohë vendimi për shpalljen e një qyteti të vjetër autokton me emrin e presidentit amerikan, i pandodhur me ndonjë nofkë sulltani as në pesëqind vitet e perandorisë osmane, iu dërgua për dijeni edhe të gjitha prefekturave.
Prej tyre drejt Tiranës nuk erdhi asnjë mospranim apo dyshim se proçesi i ndërrimit të emrit Shën Gjin në Uillson mund të mos ja delte dot. Shqiptarët e kishin një prijës të madh, shprehësin më të qartë të identitetit të tyre, Gjergj Kastriot Skënderbeut, dhe askush nuk kishte sipërmarrë një gjest të tillë emërtimi toponimistik si me presidentin amerikan.
Doemos ishin dakort të gjithë që dëshira e re të vihej në jetë. Veç me sa dukej hapi qe tepër i madh dhe i pallogaritur mirë. Tjetër gjë është respekti i veçantë, po ashtu edhe adhurimi, por kur nis kulti gjërat rrjedhin në të kundërt.


Ndërsa Fan Noli vendimin kryeministror për t’i vënë qytetit të Shën Gjinit emrin Uillson arriti t’ua shpërndajë prefekturave që në gusht 1924, nuk ja doli dot ta regjistrojë në ndonjë përmbledhje apo buletin qeveritar. Gjashtë muajt e qeverimit të tij ishin sa “një hap e mbyll sytë”.
E kreu këtë punë Ahmet Zogu, njeriu i ngulmimit të gjatë.
Një vit më pas nga vënia në dijeni e prefekturave Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës Shqiptare botoi “Librin e Qarkoreve, 1923, 1924, 1925\". Dekreti për emrin e ri të qytetit të lashtë të Shën Gjinit ndodhej atje.
Zogu me këtë gjest kuptimplotë konfirmoi se qe plotësisht dakord me çfarë kishte vendosur rivali i tij. Me gjithë mospërputhjet e stërmëdha dhe kurset politike shumë të papajtueshme, për këtë gjë qenë moskundërshtuesë.
Kështu para historisë së kombit të tyre u bënë të së njëjtës mendje Faik Konica, Fan Noli dhe Ahmet Zogu.
Këta ishin edhe tre më të mëdhenjtë e kohës, në një farë mënyre tre liderët e saj.
Ndërkaq vite më pas në albumin luksoz “10 vjet Mbretëri, 1928-1938”, të botuar në 1 shtator 1938, në faqen 329 ku shkruhet për Komunën e Zadrimës, atë të Bregut të Matit, rreshtohet edhe komuna e Shëngjinit. Teksti i plotë paraqitës është ky: “Një ndërtesë komunale prej 5 dhomash dhe nji korridor prej betonit-arme. Nji rrugë në sheshin e tregut të Shëngjinit. Rruga e pusit me nji gjatësi 125 metra e gjanësi 4 m, e shtrueme me zhavorr e kalldurëm artificial. Nji rrugë qi lidh katundin Mali i Shëngjinit me atë të Rrencit e qi lidhet deri në vendin e quejtun Maja e Zezë të Komunës Pulaj”.

Përmendorja në mes të Tiranës, shumë afër ish-Bllokut të udhëheqjes komuniste

Sidoqoftë atë kohë nëpër kontinentin evropian ende nuk gjeje dot sheshe me emrin e presidentit idealist amerikan, as buste në vende të dukshme, ca më pak të shihje monumente të tij. Megjithatë vendi i vogël i shqiptarëve, saktësisht gjysma e trojeve dhe e banorëve të vet etnikë, sipas frymës gjithëpopullore, dëshirës së parlamentit dhe dy qeverive kundërshtare, ia kishte dhënë një qyteti.
Shën Gjini qe vërtet me shumë pak banorë, frymë njerëzore që mund t’i numëroje me gishtat e dorës, por ishte port detar. Madje i ndodhur në një drejtim gjeostrategjik të rëndësishëm të Ballkanit. Jugosllavët vetëm pak vite më parë patën projektuar dhe akoma ngulnin këmbë në planin e tyre që në Shën Gjin të fillonte një udhe të hekurt, e cila do të hynte në brendësi të mbretërisë së sllavëve të jugut për t’i siguruar asaj, me atë dalje në det, një korridor jetik për zhvillimin e tregtisë në Adriatik e Jon. Beogradi i premtonte vetë të gjitha shpenzimet.
Me fillesë Shën Gjinin rilindësit që dekada më parë kishin hedhur në projekt gjurmën e një hekurudhe tjetër, e cila duke kaluar paralel me lumin e Drinit do të vraponte drejt qyteteve kryesore të Kosovës, duke u bërë kështu rruga e mbajtjes së bashkuar të shqiptarëve.
Kur Faik Konica që nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kishte propozuar qeverisë së Tiranës që emrin e Uillsonit ta mbante ose Saranda ose Shën Gjini kishte parasysh se edhe në jug, me kryedalje portin e Vlorës dhe me një krah lidhjeje edhe Sarandën, italianët patën bërë gati ndërtimin e një udhe tjetër të hekurt, e cila do të ngutej drejt Selanikut. Grekët po ashtu një projekt të përafërt e mbanin gjysmë të hapur nëpër sirtarët e zyrave të tyre të qeverisë.
Qytetet-porte nuk janë të zakonshëm, madje edhe sikur të kenë vetëm një skelë të vogël sa për dy barka. Ata janë mijëravjeçarë, të gjallëruar nga jeta që në agimet e saj. Prandaj edhe emrat i kanë të vjetër, të ngulitur fort jo vetëm në kujtesën e vendasve, por edhe në të tëra kohërat, në të gjitha hartat e detarëve apo gjeneralëve të luftës. Në rast se një qytet i tillë mol do të merrte cilësimin Uillson dhe do t’ia dilte ta mbante atëherë emri i presidentit amerikan do të përhapej gjithkund nëpër gadishullin ballkanik, në atë Apenin, pse jo edhe akoma më tej. Para emrit të një qyteti port një monument, edhe disa dhjetëra metra lart të ngrihej, do të dukej një kurrgjë.
Për Faik Konicën që e ideoi, por edhe për dy marrëveshësit e tjerë, Nolin dhe Zogun, ky qytet Uillson po ashtu do të ishte për shqiptarët një emër fatsjellës, sidomos ato çaste kur mezi i kishin ruajtur nga copëtimi përfundimtar gjysmat e trojeve dhe të pasurive natyrore. Qyteti Uillson do të qe perëndia e tyre mbrojtëse. Të gjitha qeveritë shovene përreth Shqipërisë do të bënin kujdes ta sulmonin apo dhunonin.
Atje ishte shenja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndodhej pothuaj territori i saj.

Sidoqoftë nuk duhet harruar të shkruhet në “portat” e Shëngjinit dhe tërë rrugës nacionale të veriut

Sigurisht do të qe kështu në rast se ai vendim qeveritar nolist i 21 gushtit 1924 dhe i rizyrtarizuar nga kabineti i presidentit-kryeministër Ahmet Zogu, do të vihej në jetë. Kjo donte të thoshte se emri antik Shën Gjin do të niste të fikej ngadalë dhe t’i lëshonte qetësisht vend emrit të ri.
Por nuk ndodhi kështu dhe s’kishte si ngjante ndryshe. Projekti i asaj dëshire të mirë, por edhe disi truku politik, qe i dështuar që në fillesë. Faik Konica, Fan Noli dhe bashkë me ta ato kohë edhe kundërshtari i tyre i rreptë Ahmet Zogu do të kishin pasur sukses në rast se këtë emër do t’ia blatonin themeleve të ndonjë qyteti të ri. Në Varshavë presidentit amerikan, të çmuar prej polakëve për të njëjtin përkushtim që i bëri edhe sovranitetit të shqiptarëve, ka me emrin e tij një shesh. Aty mbijeton i pa cenueshëm nga kohërat.
Kjo tashmë ka ndodhur edhe në Tiranë. Me emrin Uillson pas rënies së diktaturës ka të emërtuar një shesh dhe në mes të tij ngrihet një përmendore. Prania e tij gjendet në internet: me dhjetëra dyqane dhe bare të tij bëjnë publik non stop ofertat e mallrave dhe të shërbimeve të tyre.
Porse qytet Uillson nuk gjendet jo vetëm në hartat shqiptare të këtij dymijë vjeçari. Por të paktën një shenjë të dukshme, bazorelieve çdo formë tjetër artistike, duhej të ekzistonte. Sepse ndodh edhe më e keqja: ngjarja e shënuar historike harrohet edhe nga vetë “Fjalorit Enciklopedik Shqiptar”, Tiranë 2009. Në zërin “Shën Gjin”, thuhet se ai është një vendbanim i lashtë me emrin e dikurshëm Nimfaeum, me fillesë shekullin e katërt para Erës së Re. Vijohet se në vitin 1926 ka pasur gjithsej vetëm 14 banorë dhe se në 2008 zotëronte 11.363 të tillë.
Në të 63 radhët shpjegues nuk gjendet asnjë fjalë, të paktën ndonjë nëntekst, se ky qytet-port në historinë e tij ka pronë të vet të ligjshme edhe dëshirën e bukur të shqiptarëve për ta nderuar me emrin e një presidenti të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ylli Polovina

Tiranë, më 4 tetor 2017


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com