Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

12 DHJETOR 1912, PAMJA E PARË E NGRITJES SË FLAMURIT NË VLORË (Pjesa XVI)


(Botuar në “Illyria” në 16 janar 2018)

Shkrimi i pesëmbëdhjetë i ciklit për Vitin e Skënderbeut

Duke mbështetur pikëpamjen se në 28 nëntor 1912 Ismail Qemali ngriti në Vlorë flamurin që Aleadro Kastrioti i pati dhuruar në Paris Eqerem bej Vlorës, e rikthejmë rrjedhën e vëzhgimit tonë në skicën që për këtë ngjarje botoi e përjavshmja e ilustruar vjeneze “Das Interessante Blatt” në të dielën e 12 dhjetorit 1912.
Pra, pas dy javësh.
Në hapësirën kohore nga ditëshpallja e Pavarësisë deri këtë çast kjo shtojcë kulturore e pati publikuar portretin e Ismail Qemalit në 28 nëntor, kurse gazeta e saj mëmë, “Viener Bilder”, në 1 dhjetor.
Me pak fjalë shumë intensivisht: në dy javë tri herë rresht. Në dy prej tyre ka qenë e njëjta foto, çfarë, nëpërmjet ribotimit në shoqërim të këtij shkrimi, ia kujtojmë lexuesit pamjet në faqet përkatëse të dy gazetave.
Të fiksojmë në kujtesë prej kësaj fotoje qylafin (fesin) e Ismail Qemalit, i cili nuk është “plis” i bardhë shqiptar, por takie turke, nga ato që përdornin masivisht zotërinjtë dhe funksionarët e perandorisë osmane.
(Ishte një lloj “kapele republike” si ndërkohë në Evropë dhe në SHBA).
Doemos, duke qenë se kjo foto me qylaf të murmë (të kuq) turk u botua edhe para 28 nëntorit njëherësh në disa gazeta austriake, por në ndonjë rast edhe më tej kufijve të këtij vendi, ajo patjetër është bërë gjatë ditëqëndrimit të Ismail bej Vlorës në Budapest dhe Vjenë në përgatitjen përfundimtare të aksionit të tij për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë.
Skica me pamjen e ngritjes së flamurit në Vlorë, e cila u publikua në “Das Interessante Blatt” të 12 dhjetorit e kanë Ismail Qemalin me të njëjtën takie të murmë.
E datës 30 nëntor, nè foton e takimit me Isa Boletinin, kjo pamje rikonfirmon të njëjtën lloj qylafi.
I porsaardhuri nga Kosova ishte me në kokë plisin e bardhë.
Do të rikthehemi në këtë pjesë të analizës tonë, pra tek qylafi i shpallësit të pavarësisë së Shqipërisë dhe kryeministrit të saj të parë, por tashmë le tè përqëndrohemi tek skicë-pamja e ngritjes së flamurit kombëtar në Vlorë, publikuar prej “Das Interessante Blatt” në 12 dhjetor 1912.
Dekadën e fundit është shkruar shumë sikur këtë hollësi shqiptarët e kanë mësuar pas rënies së diktaturës, si edhe “argumente” të tjera të këtij lloji, kurse në të vërtetë çfarë publikoi “Das Interessante Blatt” e bëri të njohur menjëherë gazeta “Liri e Shqipërisë” e 6 janarit 1913.
Kjo fletore informative, me drejtor dhe botues Kristo Luarasin, publikohej njëherë në muaj. Kjo do të thotë se ajo e ka bërë të njohur këtë pamje të të përjavshmes së ilustruar vjeneze menjëherë, që në rastin e parë të daljes së saj pas marrjes sè lajmit nè 12 dhjetor.
Një gjë e tillë, botimi i menjèhershèm, mund të bëhej vetëm në edicionin e parë të muajit të ardhshëm, pra të janarit.
Kështu edhe ndodhi saktësisht.
Me këtë rast një pyetje është e domosdoshme: Përse e botuan këtë skicë dhe jo një foto si dëshmi të ngjarjes së shënuar?
Pra, përse e popullarizuan atë Kristo Luarasi me bashkèpunètorèt e tij, ndërkaq që këtë gjë mund ta bënin duke e shmangur “Das Interessante Blatt” me një pamje sa më të paanshme prej ndonjë ndërhyrjeje apo ndikimi politik?
Në dhënien e një përgjigjeje gjen vend të parë arsyetimi se në dorë të Luarasit dhe të bashkëpunëtorëve të tij ato çaste nuk ka pasur asnjë pamje tjetër më shprehëse, por edhe më afër të vërtetës.
Pse jo edhe qenè nè gjendjen qè nuk kishin alternativè tjetèr. Ekzistonte vetèm ajo pamje.
Që prej këtij çasti, 6 janarit 1913, shtypi apo tërë botimet shqiptare me temë ditëshpalljen e Pavarësisë, nuk kanë publikuar asnjë foto tjetèr të këtij momenti. Po ashtu ndodhi edhe një proces tjetër: skica e 12 dhjetorit e “Das Interessante Blatt” u braktis si mjet dhe mënyrë e tërthortë e rrëfimit të ngjarjes.
Siç dihet, për ta mbushur e bërë të padallueshme, të padiktueshme, mungesën e pamjes së besueshme të ngritjes së flamurit në 28 nëntor 1912, u përdor fotua e festimit të një-vjetorit të ngjarjes.
Ky truk propagandistik jetoi për afro një shekull, i pranuar heshturazi prej shumë qeverive dhe sistemeve politike e shoqërore, deri edhe krejt të kundërta me njëra-tjetrën.
Tani, nè fillim tè moteve dymijè, çdo gjë u bë shumë e qartë: vendi i pamjes reale dhe të besueshme të momentit të ngritjes së flamurit kombëtar është bosh dhe pret të gjendet prova e asaj që ndodhi.
Të paktën për të shpëtuar nga spekullimet e ndryshme të “gjithologëve” dhe të protagonistëve të sëmurë mediatikë, tè cilèt ja kèpusin sipas mendjes sè tyre.
Autori i këtyre radhëve mendon, çfarë e ka shprehur edhe më parë në këtë cikël, se të paktën një foto e asaj çfarë kreu Ismail Qemali në pasditen e thellë të 28 nëntorit, ka ekzistuar. Është pikërisht ajo që nga Vlora ka shkuar në Vjenë dhe u përdor prej “Das Interessante Blatt”.
Skica është krijuar mbi atë pamje, nuk mund aspak të jetë e fantazuar në kryeqytetin austriak, dhjetra qindra kilometra larg Vlorès. Ka shumë elementë në të që e bëjnë krijim artistik të mbështetur domosdoshmèrisht në një pamje fotografike.
Për shkak të orës relativisht të vonë të ngjarjes si edhe të motit të zymtë, me re të dendura, ditës së shkurtër po ashtu, ajo që ka dalë nga shkrepja e aparatit mund të ketë qenë cilësisht jo vetëm e dobët, e errët, e paqartë, pse jo edhe konfuze, por edhe disi e rrëmujshme.
Me pak fjalë ajo foto-dëshmi nuk i plotësonte as kushtet më minimale të vendosjes në një gazetë të ilustruar, pra që mjet të parë shprehjeje kishte pamjen e ngjarjeve apo të personave dhe bashkëradhitur me atë edhe shkronjat, shpjegimin me fjalë.
Në “Das Interessante Blatt” janë mjaft të shpeshta bashkëshoqërimet e fotove me skicat dhe bie në sy se këto të fundit janë përdorur për t’u rritur forcën e shprehjes, atë të komunikimit me lexuesin dhe ndërkohë forcimit të ndikimit mbi opinionin publik.
Të mos harrojmë se qenë çaste piku lufte ballkanike dhe të një agresiviteti të madh të Serbisë për të dalë në detin Adriatik, çfarë cënonte rëndë interesat e Austro-Hungarisë dhe të Italisë. Pavarësimi sa më i shpejtë i Shqipërisë qe barriera më e madhe ndaj këtij synimi.
Vjenës, me pak fjalë, i duhej që ditëshpallja e Pavarësisë, gjesti që bëri në Vlorë Ismail Qemali dhe përfaqësuesit e Kuvendit mbarëkombëtar të mbledhur aty, të realizonte sa më tepër jehonë.
Austro-Hungarisë i duhej njëkohësisht t’i dëshmonte në mënyrë të tërthortë opinionit të saj publik se pas kësaj manovre taktike shumë inteligjente ishte dora dhe kontributi i saj.
Ja pse ka mjaft të ngjarë që foto e momentit të ngritjes së flamurit në Vlorë, në çfarëdo gjendje teknike të ketë qenë, ka ekzistuar. Nga redaksia e revistës, ku edhe mund të jetë ruajtur deri në ditët e sotme, apo në Arkivin e Vjenës, në të cilin edhe mund të kërkohet posaçërisht për t’u identifikuar, publikimi i saj ka qenë domosdoshmërisht urgjent.
Edhe e cilësisë së mirë të ishte, interesa të caktuara politike dhe ushtarake të Perandorisë e bënin të nevojshme që ajo të përpunohej.
Kush përveç skicimit të saj mund ta lehtësonte këtë ndërhyrje propagandistike?
Siç po e shihni edhe këtë herë në shoqërim të këtij shkrimi forca shprehëse e krijimit nèpèrmjet skicès është e jashtëzakonshme, pothuaj mbi nivelet e një pikture sugjestionuese. Gjatë njëqind e ca vjetëve të historisë së shtetit të Shqipërisë, asaj të re të Kosovës, por edhe të tërë shqiptarëve kudo ndodhen, vështirë të gjendet një krijim pikturor me këtë cilësi e forcë ekspresiviteti.
Duket si të jetë kryepiktura shqiptare e pasqyrimit të kësaj ngjarjeje.
Tani le t’i bëjmë një shqyrtim më të hollësishëm kësaj skice për të shpjeguar ato që thamë më sipër: ajo është bërë mbi një foto reale dhe në të është ndërhyrë vetëm në disa elementë që e bënin të përshtatshme për t’u identifikuar pavarësimi i Shqipërisë si sukses i diplomacisë së Vjenës.

(Vijon)

Ylli Polovina

Tiranë, më 15 janar 2018



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com