Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

SI NĖ 2012 U REALIZUA SJELLJA E ARMĖVE TĖ SKĖNDERBEUT NĖ SHQIPĖRI
PSE ISHTE PASARDHĖS FALS I SKĖNDERBEUT ALADRO KASTRIOTI
1982, QEVERIA E TIRANĖS KĖRKON NĖ FRANCĖ NDALIMIN E NJĖ PORTRETI NĖ PIKTURĖ TĖ SKĖNDERBEUT
LEGJENDARIZIMI FALS I MARIGO POZIOS SI QĖNDISTARE E FLAMURIT QĖ NGRITI ISMAIL QEMALI NĖ VLORĖ
PARIS 1978, BETEJA MES ANTIKOMUNISTĖVE DHE QEVERISĖ KOMUNISTE SHQIPTARE PĖR SHESHIN “SKĖNDERBEJ”
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“XHAMIA E LEJLEKËVE” NË VLORË SI PIKË ORIENTIMI DHE SIGURIE DOKUMENTARE PËR PAMJEN E NGRITJES SË FLAMURIT


(Botuar në “Illyria” në 24 janar 2018)

Shkrimi i gjashtëmbëdhjetë i ciklit për Vitin e Skënderbeut

Siç informuam në shkrimin e mëparshëm skicën që e publikoi “Das Interessante Blatt”, e bëri të njohur menjëherë gazeta “Liri e Shqipërisë” e 6 janarit 1913, e cila qe fletore informative e përmuajshme me drejtor dhe botues Kristo Luarasin. Në numrin e 6 janarit 1913 faqen e parë e zë një fotografi ku shkruhet:”Të proklamuaret e vetëqeverimit të Shqipërisë më 15/28 Vjest e 3-të 1912 në Vlorë Këmbëngulëm po ashtu se në dorë të Luarasit dhe të bashkëpunëtorëve të tij ato çaste nuk ka pasur asnjë pamje tjetër më shprehëse, por edhe më afër të vërtetës, e ngritjen e flamurit në Vlorë.
Vumë në dukje se që prej 6 janarit 1913 shtypi apo tërë botimet shqiptare me temë ditëshpalljen e Pavarësisë, nuk kanë publikuar asnjë foto tjetër të këtij momenti. Të gjitha këto dëshmi na çuan në besimin se kjo skicë patjetër është bërë mbi bazën e një fotografie dhe arsyet duhet të kenë qenë më shumë se cilësia e dobët teknike e saj, e kryer në kushtet e pasdites së vonë vlonjate me muzg, re të dendura dhe ardhje-ikje shiu.
Patjetër kanë qenë interesa të mëdha politike, të cilat i kanë hapur shteg propagandës për të paraqitur ngjarjen më të bujshme në Evropë të atyre ditëve si sukses të përkryer dhe të padiskutueshëm të diplomacisë austro-hungareze. Kjo mënyrë ndikimi në opinionin publik, pra shndërrimi i fotove në skica vizatimore, qe e zakonshme jo vetëm në të përjavshmen e mësipërme, por në secilën gazetë apo revistë të ilustruar.
Duke e parë këtë vizatim tepër shprehës e ke të vështirë ta dallosh shumë prej një pamjeje fotografike. Aty elementët e së vërtetës jo vetëm janë të shumta, por edhe të qarta. Ne do të veçonim një më të autoritetshme për të identifikuar Vlorën e motit 1912: Minarja e “Xhamisë së Lejlekëve”, për nga lartësia pothuaj kryexhamia e qytetit.
Sipas historianit vendas Novruz Barjami ky ishte emri me të cilin e thërriste qyteti, por referuar shënimeve të udhëtimit të kronistit të shquar turk Evlia Çelebiu, ekzistente në vitet njëmijë e gjashtëqind, emrin zyrtar e kishte Memxhi Zades.
Kur ishte periudha, të cilën vlonjatët e thërrasin si të “Italisë së parë”, pra motet e Luftës Ballkanike dhe të asaj të Parë Botërore, kjo xhami u prish nga italianët për të ndërtuar një shesh. Pra kjo xhami e humbi të drejtën e fituar, nëpërmjet gjatësisë së minares, për të qenë pikë orientimi.
Por për fat na ndihmon për çështjen që po analizojmë, prandaj duke i paraqitur lexuesit një foto të Vlorës në vitin 1912, ku duket minarja e famshme si edhe me një shigjetë të bardhë sarajet e Vlorajve, edhe Selamllëku, ndërtesa ku u ngrit flamuri kombëtar, na jepet mundësia të dallojmë lehtë dhe me saktësi këndit e parjes (fotografimit dhe prej këtij edhe skicimit), të momenteve të ngritjes së flamurit kombëtar.
Edhe një detaj tjetër pozicional na ndihmon: vendi ku kanë dalë Ismail Qemali dhe bashkëpunëtorët e tij në çastin e valvitjes së simbolit të përfaqësimit nacional dhe shtetëror. Ai nuk është një ballkon, por një si e dalë në majë të ndërtesës, afër kulmit të saj, edhe pse vizatimi skicues, për të paraqitur njëkohesisht edhe turmën manifestuese (e cila duket më e sajuar artistikisht se vetë “tribuna”), e ka shtrënguar autorin nga njëra anë ta paraqesë si pjesë të lartë të godinës dhe nga ana tjetër gati përdhe, në një nivel me rrafshin e sheshit.
I rikthehemi, për t’i ballafaquar të dhënat e vendit ku ka ndodhur ngjarja, rrëfimeve konkrete të pjesëmarrësve realë të shkruara prej tyre për të rrëfyer këtë moment.
Konsulli austriak në Vlorë, Wenzel Lejhanec, në 29 nëntor 1912 i dërgoi një raport shefit të vet në krye të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë, kontit Leopold Berchtold. Mes të tjerash në të i thoshte: “Kuvendi i jashtëzakonshëm kombëtar u mblodh dje në ora 2 pas dite në shtëpinë e ish-kryetarit të Bashkisë, Xhemal Bej Vlorës, dhe vendosi, pas verifikimit dhe miratimit të mandateve të delegatëve pjesëmarrës me propozim të Ismail Qemal Beut, i cili shkurtimisht paraqiti situatën dhe vlerësoi nevojën për një vendim të shpejtë për mbrojtjen e interesave të vendit, që njëzëri të shpallë pavarësinë e gjithë Shqipërisë dhe kjo pa humbur kohë t`iu bëhet e njohur sikurse Fuqive të Mëdha, po ashtu edhe drejtuesve të luftës”.
Ja edhe menjëherë pas kësaj: “Kështu, pastaj diku afër orës 4 pasdite, ngrihet flamuri kombëtar në derën e shtëpisë së Xhemal Beut – një shqiponjë dykrerëshe në një fushë të kuqe – e për ta njoftuar popullin që qëndronte jashtë me shpalljen e pavarësisë e që (populli) pranoi lajmin me gëzim e hare.
Mit’hat Frashëri në kujtimet e veta jep këtë hollësi: “Këtë ditë, pra ora 14.30, me zë të përgjithshëm u shpall Pavarësia e Shqipërisë dhe Flamuri u çel në portën e shtëpisë ku ishin mbledhur delegatët”.
Dhimitër Zografi kujton: “Pas thuajse 3 orësh diskutimesh, diku rreth orës 17 – 17.30 delegatët dolën për të ngritur flamurin e pavarësisë në taracën e portës së shtëpisë së Xhemil Bej Vlorës. Ismail Qemali që mbantë flamurin në dorë, ja zgjati Murat Toptanit, ndër më të rinjtë aty, që ta vendoste mbi pullazin e portës së shtëpisë, ndërsa vetë shihte nga dritarja. Pullazi ishte i lartë dhe në mungesë të një Ballkoni, ai ishte vendi më i mirë për ta bërë flamurin të dukshëm nga të gjithë”.
Eqerem Vlora tek “Kujtimet” e tij vë në dukje se sipas asaj që i pati shkruar me një letër të nesërmen, në 29 nëntor, baronesha Von Godin që jetonte në sarajet e Vlorajve dhe ishte e pranishme “kështu flamuri që dikur don Aladro Kastrioti ma kishte dhuruar solemnisht në Paris, shtegtoi në konakun fqinj dhe ra në duart e Ismail beut, i cili ia dorëzoi Murat Toptanit me porosinë ta varte jashtë, ndërkohë që vetë pati qëndruar pranë në dritare”.
Në kujtimet e Hajredin Cakranit, të cilat u zbuluan si fundi nga i biri Kujtimi, thuhet: “Edhe sot më dridhet mishtë që ai sahat na foli ne dhe ataças të tretëshe për vatanë, stë vinte keq për vete më. Ishim shumë të gëzuar sa të rrënqethej mishtë, kur mileti i mbledhur përpara shtëpisë së Xhemil beut dhe gjithë ai kallaballëk i madh nëpër oda, shkallë e avlli ishin si mizë lisi. Pa në ballkonin e shtëpisë së Xhemil beut varnë një flamur që se ku e gjeti Ismail beu po q’ë ish dhe konaku ku kish lerë. Përjashta u mbluadh mileti nga të gjithë kazatë, shihje aty me qylafë, fshaçe, me guna, allafrënga. Të tërë bërtitnin rroftë, rroftë për flamur a për plakun doemos se tërvit kur erdh në Vlorë, vlonjatë ja hoqnë kuajtë e ja ngritnë karrocën më krahë. Mileti ishin mizëri dhe bënin muhabet të gëzuar kush e kush duhet të ishte i parë në të rejat që vinin se sa
telegrame u dërguan etj.”
Ishte ballkon apo jo, ose diçka e përafërt, por shumica e dëshmitarëve lënë të kuptosh se qe diçka e përafërt. Kjo e bën edhe më të besueshme bindjen se skica e 12 dhjetorit e “Das Interessante Blatt” është bërë e mbështetur mbi një fotografi reale.
Të japin kurajë ta mbështetësh këtë tezë edhe prania në këtë çast kulmor të Kuvendit të Vlorës për shpalljen e Pavarësisë, edhe pamjet e tre klerikëve fetarë të besimeve të ndryshme, çfarë vërtet qe pjesë e veprimit të Ismail Qemalit. Pas tij, prej kostumit civil evropian, dallohet edhe silueta e Luigj Gurakuqit, bashkëkombësit të shquar që mbajti protokollin e mbledhjes së shënuar dhe hartoi procesverbalin ku u hodhën firmat e delegatëve.
Po atëherë për çfarë arsye politike, përveç se nevojës për ta bërë më shprehëse dhe më të mbushur me dritë, nga botimi i fotografisë redaksia e vjenezes së ilustruar “Das Interessante Blatt” në vend të fotografisë përdori skicën?
Përgjigja është e thjeshtë, por edhe tronditëse: flamuri shqiptar u manipulua. U la fusha e kuqe, por shqiponja e bë me një kokë.

(Vijon)

Ylli Polovina

Tiranë, më 23 janar 2018





Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com