Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

JANË AMERIKANËT PAS AKTEVE TË TERRORIT?
DEKALOGU I MEHMET SHEHUT PËR 500-VJETORIN E SKËNDERBEUT
NJU JORK, FUNDI I VITEVE SHTATËDHJETË, TAKIMET VERIFIKUESE ME ANTIKOMUNISTË JO TERRORISTË
BËHEN GATI BOMBA PËR T’U HEDHUR NË ERË EDHE DY AMBASADA TË TJERA
BOMBA KUNDËR DY AMBASADAVE TONA NË ROMË DHE NË PARIS
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

FLAMURI QË U NGRIT NË VLORË NË 28 NËNTOR 1912 ËSHTË E NJË PASARDHËSI FALS TË SKËNDERBEUT


(Botuar në “Shqiptarja.com” në 4 janar 2018)

Si kjo e vërtetë vazhdon të mbahet e fshehur. Si ndodhi që më pas këtë flamur e konfiskuan dhe e dogjën grekët.

Në librin e shumënjohur të Eqrem bej Vlorës “Kujtime 1985-1923” mes të tjerash shkruhet: “Një javë pas kthimit tim në Vlorë çova Murat bej Toptanin dhe Hydai efendinë (nipin e babait tonë të teqesë në Janinë), duke iu lutur të më kthenin flamurin që u pajta huajtur. Më pranuan të ma kthenin atë menjëherë, sapo zonja Marigo Pozio (një atdhetare e madhe demokrate, por që i pëlqente reklama) ta kishte qepur e qendisur flamurin e ri.
E pra, në 28 nëntor kryeobjekti i ditës, flamuri si simbol i pavarësisë, me atë pakujdesi tipike shqiptaro-lindore, ishte harruar. Për më tepër shumica nuk e dinte se si ishte ai. Kurrkush më përpara as e kishte parë, as kishte mbajtur. Askush në Vlorë nuk kishte flamur në shtëpi. Shtetformuesit ranë në hall dhe vështruan njëri-tjetrin të hutuar. Atëherë ngrihet miku im, Hydai efendiu dhe thotë se në dhomën e gjumit të Eqrem beut varet në mur një flamur shqiptar, i futur në një kornizë të bukur. Dhe pyeti a mund të merrej pa qenë aty i zoti. Ismail beu i dha leje dhe kështu flamuri, që dikur don Aleandro Kastrioti ma kish dhuruar solemnisht në Paris, shtegtoi në konakun fqinj dhe ra në duart e Ismail beut, i cili ia dorëzoi Murat bej Toptanit me porosinë ta varte jashtë, ndërkohë që vetë qëndronte pranë, në dritare”.
E vazhdon menjëherë Eqrem Vlora rrëfimin e tij të jashtëzakonshëm: “Mijëra njerëz u mblodhën në sheshin para shtëpisë dhe në kopsht, duke brohoritur “rroftë, rroftë!” edhe pse shumë prej tyre nuk kuptonin edhe aq se ç’po bëhej”.

Nga gënjeshtra në gënjeshtër

Mirëpo, për ta vërtetuar këtë me një pamje reale, siç tashmë e dinë shumica e shqiptarëve, asnjë foto të ngritjes së flamurit me fushë të kuqe dhe shqiponjë të zezë dykrerëshe nuk ka. Deri pak mote më parë është paraqitur si e 28 nëntorit 1912 pamja e Ismail Qemalit dhe e bashkëpunëtorëve të tij duke përshendetur popullin nga një ballkon, një foto e bërë dymbëdhjetë muaj më vonë: në 28 nëntor 1913.
Me këtë lojë, çfarë është vërtet një manipulim i historisë kombëtare, interesimi i natyrshëm i opinionit publik të vendit dhe etnisë tonë u vu në dremitje.
Por ndërsa kjo sajesë u rrënua, çfarë ngjau së fundi, kur edhe diktatura pati rënë, një tjetër mbetet e gjithfuqishme: cili qe flamuri që u ngrit?
Janë përpjekur ta pronësojnë këtë autorësi protagonistë korçarë të kësaj periudhe, mbështetur dje dhe sot prej disa historishkruesve vendas. Më së shumti e kanë përvetësuar këtë të drejtë rrëfyes të historisë së Marigo Pozios, sikur ishte gjoja ajo me gra dhe vajza, të cilat natën e 27 nëntorit duke u gdhirë njëzetë e tetë, bënë me qëndisje flamurin dhe i vunë thekë. Po ashtu bënë edhe disa të tjerë.
Në të vërtetë kjo ndodhi njëzetë e katër orë më vonë, në natën e njëzetë e tetës duke zbardhur njëzetë e nënta.
Ja pse po e bëjmë një kërkim nëse flamuri që u ngrit në ditëshpalljen e Pavarësisë tonë qe ai, për të cilin ngul këmbë Eqerem bej Vlora, i cili gjatë periudhës së realkomunizmit ishte cilësuar si “armik i popullit” dhe për këtë arsye teza e tij nuk u mor asnjëherë parasysh.
Ky hetim publicistik i kësaj çështjeje na duhet jo vetëm për të shpëndarë gënjeshtrën e rëndë që ka rënë mbi këtë ngjarje kyçe të historisë tonë, por edhe për të mundësuar zbardhjen e të vërtetës, cilado që ajo të jetë. E vërteta asnjëherë nuk e cënon dinjitetin e një evenimenti me rëndësi çliruese për një popull.
Ndërkohë i bëjmë të ditur lexuesit se Don Aladro Kastrioti ka qënë një pasardhës fals i Gjergj Kastriot Skënderbeut. Pasi një foto e vitit 1913 u paraqit si e motit 1912 dhe njëkohshëm me këtë faksifikim një flamur i një pseudokastrioti mbulohet, sërish me një gënjeshtër, me një shpikje sikur atë e ka bërë Marigo Pozio, janë tepër shumë të pavërteta. Historia kombëtare nuk mund që t’i mbajë mbi shpinë për një kohë të gjatë, sepse i marrin frymën dhe e kompromentojnë.

Enigma e skicës së ngritjes së flamurit kombëtar në ballinë të revistës vjeneze “Das Interessante Blatt”

Në faqen e parë të të përjavshmes së ilustruar vjeneze “Das Interessante Blatt”, të datës 12 dhjetor 1912, gjendet një skicë e pamjes së ditëshpalljes së Pavarësimit, për të cilën mendojmë, prej shumë detajeve të saj, se është kryer mbi një foto reale, konkrete, të kryer në Vlorë mbase prej një korespodenti shtypi të huaj ose të ndonjë agjencie, të cilat këto kohë qenë mjaft të përhapura dhe aktive në shërbime të tilla. Ato foto të tilla ua shitnin gazetave.
Por përse “Das Interessante Blatt” nuk publikoi këtë foto, por, siç ka bërë edhe shumë herë të tjera, veproi duke e skicuar artistikisht ngjarjen e bujshme të ndodhur në Vlorë?
Doemos që në këtë veprim kanë ndikuar disa rrethana. Më së pari, si nevojë për ta bërë më shprehëse dhe sa më shumë ndikuese këtë ngjarje. Së dyti, sepse cilësia e fotos, për shkak të orës së pasdites së vonë, kur ndodhi ngritja e flamurit, kishte mungesë drite (afërmuzg dhe re të shumta shiu). Pra qe foto e dobët teknikisht.
Së treti, dhe kjo është më kryesorja, drejtuesit e të përjavshmes së ilustruar vjeneze, skicimi i fotos u duhej për të mbuluar një ndërhyrje që ata kishin bërë në një element shumë të rëndësishëm të saj: tek flamuri.
Ai qe manipuluar: u la fusha e kuqe e tij, por shqiponja e zezë bë me një kokë, çfarë ishte imazh i njohur i paraqitjes së ushtrisë austrohungareze. Me pak fjalë qe shenjë gjermanike.
Doemos që synimi ishte krejtësisht i qartë: të përhapte lajmin se aksioni shqiptar i pavarësimit ishte realizuar nën frymëzimin e Vjenës dhe të gjermanikëve në përgjithësi, këto çaste me forcë pushteti të dukshëm në qendër të Evropës.
Jo rastësisht më pak se dy vite më vonë personi, i cili do të emërohej për të qënë qeverisësi i parë i Shqipërisë së pranuar ndërkombëtarisht, ishte një gjerman: Princi Vilhelm Vid.
Ai do të zëvëndësonte Ismail Qemal Vlorën, pasi atë e kishin mënjanuar të tjerë në një nga intrigat më bizantine të Ballkanit. Ky i fundit as do ta kishte marrë me mend se mesazhin e parë se do të qëndronte shkurtër në krye të atdheut të vet, e pati marrë që në 12 dhjetor 1912, nga një revistë e ilustruar në mes të Vjenës. Për të cilën, si edhe foton që ajo botoi nuk tregoi asnjë interes.
Ky flamur me fushë të kuqe, por me shqiponjë të zezë me një kokë, do të braktisej nga qeveria e Vlorës dhe ajo skicë provokatore e “Das Interessante Blatt” nuk do ta shihte dritën e publikimit tek gazeta “Përlindja e Shqipërisë”, e cila në Vlorë qe organi mediatik dhe zëdhënësja zyrtare e qeverisë Ismail Qemali.
Ky do ta shmangte këtë skicë, ku pamja e tij është nga më të hijshmet dhe në thelb i interesonte ta përhapte e nguliste në historinë tonë kombëtare, por nuk mund ta pranonte këtë gjymtim të rëndë të flamurit, të cilin ai e ngriti lart në qiellin e Vlorës me duart e tij.
Doemos, referuar asaj që Eqerem bej Vlora shkruan në “Kujtimet” e tij, cili me mirë se Ismail Qemali e dinte se ajo që valviti, ishte flamuri i Don Aladro Kastriotit.
Vmë në dukje me këtë rast se kokëkrisja e mbrapësht e “Das Interessante Blatt”, një përpjekje që nuk mund të provohet se qe ndërhyrje e Ministrisë së Jashtme Austro-Hungareze dhe e drejtuesit të saj, Kontit Berchtold, do të binte në kontradiktë prej raportit që konsulli austrohungarez në qytetin e Vlorës, Wenzel Lejhanec, në 29 nëntor 1912 do t’i raportonte eprorit të vet: ai flamur i ngritur dhe për të cilin patën brohoritur jo vetëm delegatët e Kuvendit të Mëvetësimit, por edhe populli i thjeshtë, qe një shqiponjë e zezë jo një por dykrerëshe në një fushë të kuqe.
I tillë qe vetëm flamuri që kish bërë popullor jashtë vendit, nëpërmjet revistës së tij “Albania”, Faik Konica dhe i cili qe po ashtu flamur i pranuar dhe i përhapur edhe prej Don Aladro Kastriotit.
Vetë ky në motin 1908 e pati bërë akoma më shumë të njohur, deri në SHBA, nëpërmjet një postcarde.

Flamurin e ngritur në Vlorë e konfiskuan dhe e dogjën grekët

Që në Vlorë është ngritur flamuri i dhuruar Eqerem bej Vlorës nga Juan Pedro Aladro y Kastriota (emri origjinal në spanjisht, ku pati lindur), e vërteton një paketë dokumentare, të cilën autori i këtyre radhëve e ka gjetur para më shumë se dhjetë vitesh në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë.
Shkresa e parë e paketës daton 10 shkurt 1930 dhe është një letër, me të cilën Ministria e Punëve të Brendshme i drejtohet Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Thotë: “Mbështetur mbi hetimet e bamuna të prefekturës së Vlorës... na rezulton se i pari flamur që është ngritur në 28 nëntor 1912 ndodhet në duart e zotit Eqerem Vlora, ministri ynë në Athinë. Por mbasi flamuri duhet të ndodhet në Muzeun Kombëtar, lutemi t’i shkruhet zotit Vlora për dorëzimin e tij të këtushëm. Përfundimi pritet.
Kryeministri Koço Kota”.
Pas kësaj shkrese fillon menjëherë procedura burokratike. Një e dytë, e hartuar nga Drejtoria Politike e Ministrisë së Punëve të Jashtme, i komunikon eprorit të dikasterit të vet: “Mbi flamurin e parë që është ngritur në Vlorë në 28, zoti ministër, nga drejtoria politike, ministri i brendshëm me një shkresë na bën të ditur se...(vijon me pak fjalë përmbajtja e shkresës së Ministrisë së Punëve të Brendshme)...kërkohet ndihma e Eqerem Vlorës”.
Në datën 18 shkurt Eqerem bej Vlorës në Athinë iu dërgua kërkesa e mësipërme.
Në 27 shkurt 1930, është formuluar një shkresë tjetër, ajo me numër 123/1. Nisej nga Legata Mbretnore e Shqipërisë në Athinë, Greqi.
Në të shkruhej: “Zoti ministër, me të marrë shkresën e zotërisë Tuaj nr. 784/1, datë 18 vazhdues, vrapoj t’ju jap shpjegimet e urdhnuar mbi çështjen e flamurit të parë kombëtar që u ngrit në Vlorë në 28.12.1912.
Falenderoj zotninë tuaj pikë së pari që duke pasur besim tek ndjenjat e mia patriotike m’u drejtuat për të marrë shpjegim mbi shenjën e shenjtë të lirimit kombëtar dhe eventualisht për t’jua siguruar brezave të ardhshëm duke e ruajtur në muzeun e shtetit.
Mjerisht ajo dëshira me të cilën me gjithë shpirt marrë pjesë nuk do të mund të përmbushet.
Marrë lejen t’ju bezdis pak duke treguar të gjithë ngjarjen që jam në dijeni mbi të parin flamur kombëtar që në mos u gjendtë qy të paktën të mbetet në arshivat e shtetit shqiptar historia e flamurit të parë shqiptar që u ngrit zyrtarisht në Shqipëri”.
Më tej Eqerem bej Vlora shpjegon rrethanat: “Në vjeshtë të vitit 1909 gjendesha në Paris. Këtu pata rastin të piqem me të ndyerin Don Aladro, i cili me ndjenjën e lavdërushme filoshqiptare që kish ndiqte edhe fantazinë e mbretërimit tija në Shqipërie. Bashkë me mua ishte edhe Eqerem bej Libohova ... Me rastin e një gostie që na dha Don Aladro na fali të dyve nga një flamur kombëtar dhe na tha që sigurisht këta flamurë do të ngrihen një ditë në Shqipninë e lirë”.
Në vazhdim: “Flamurin që më përkiste mua e ruajta dhe e mbajta përherë me vedi. Në 1912 (gusht), kur sa erdha në Shqipërie e prura dhe e mbajta mbi krye të shtratit tim, kurse në vjeshtë 1912 dualën andartët e Greqisë në Himarë. Shkova ne vetëdashësit e Labërisë, me ato të Malësisë, për t’u bërë ballë, kështu nuk u gjenda dot në Vlorë në 28 nëntor 1912. Atë ditë u kërkua për t’u ngrit një flamur, por duke qenë se nuk kishte në Vlorë njeri flamur kombëtar zoti Hydai Myftiu, sot mësonjës në shkollën italiane në Vlorë, vrapoi dhe e mori nga shtëpia ime.
Qy flamuri, pasi u përdor për disa ditë, iu dorëzua zonjës së Mehmet Ali Pashëa të Delvinë, e cila banonte ato kohë në shtëpinë time.
Kur u këtheva nga lufta flamurin e gjeta prapë mbi shtratin tim dhe aty e lashë, por më 1914 sikurse hynë rebelat e Shqipërisë së Mesme në Vlorë, zonja në fjalë iku nga Vlora për në Delvinë dhe flamurin e mori me vete me qëllim që të mos poshtërrohesh. Vetë ato kohë gjeta çfarë na duhesh dhe më pas shkova në Itali”.
Shpjegon po ashtu Eqerem bej Vlora: “Më 1914-15 sundimi i qeverisë vorioepiote u shtrëngua rreptësisht në Delvinë, zonja me gjithë familjen e saj u detyrua të shkojë në Kosovë.
Marr vesh, sipas hetimeve private që bëra, se flamuri mbeti brenda në një kasë së bashku me disa akte personale të fëminisë në shtëpinë e Mehmet Ali Pashës në Delvinë. Qeveria vorioepirote e Delvinës me rastin e një kërkimi që ka bërë në shtëpinë e lartpërmendur e paska konfiskuar këtë flamur dhe e paska djegur”.
Ja edhe fraza e mbylljes së këtij raportimi tronditës për të tërë historinë tonë kombëtare: “Mjerisht në është se hetimet e mia korespondojnë me të vërtetën, flamuri nuk ekziston më. Pa dyshim që ky idhnim është i përgjithshëm, por është veçanërisht një fatkeqësi për mua që sot nuk mundem të kem lumturinë t’i dhuroj kujtimit të përhershëm shenjën e lirimit të atdheut.
Besoj se do të jetë mirë, sa për vërtetim të thënieve të mia, të pyetet zoti Hydai në Vlorë, zonja e Mehmet Ali Pashës në Delvinë, zoti Haki Alizoti në Tiranë dhe zoti Avni Delvina në Sarandë.
Këta e dinë rrjedhën e çështjes.
Pranoni, zoti Ministër, me këtë rast, nderimet e mia ma të nalta dhe më të çmuara!”
Bashkë me emrin firma e Eqerem bej Vlorës nga ana kaligrafike është shumë e bukur, e hovshme, ngjan si të jetë valvitja e flamurit të munguar.

Ylli Polovina

Tiranë, më 31 janar 2018

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com