Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

KONFERENCA E PEZĖS DHE ĒANTA E FRYRĖ E ENVER HOXHĖS
1998, NJĖ SHTATOR SHQIPTAR ME TURBOREVOLUCION
PROJEKT-MONUMENTI I SKĖNDERBEUT DHE SKULPTORĖT “KĖSHTJELLA”, “PUNA”, “GURI”, “SILVA”, “NJĖ NGA SHOKĖT”
ME VARRE TĖ SHKULUR DHE ESHTRAT E TĖ ATIT NĖ NJĖ ARKĖ QĖ E MBAN ME VETE
SHPALLEN KULAKĖ, SHTĖPITĖ U SEKUESTROHEN DHE BĖHEN SPITAL PĖR LEBROZĖT
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

PSE ISHTE PASARDHËS FALS I SKËNDERBEUT ALADRO KASTRIOTI


Shkrimi i nëntëmbëdhjetë i ciklit për Vitin e Skënderbeut

(Botuar në “Illyria” në 15 shkurt 2018)

Po lëmë pas temën kurioze se si Marigo Pozio, atdhetarja e padyshimtë, por edhe e vetëlëvduara si edhe e sponsorizuara prej dy kunetërve, njëri gjatë monarkisë kryetar kohëgjatë parlamenti dhe kryeministër, Koço Kota, tjetri ministri Kristo Floqi, të qëndrojmë tek çështja akoma më shumë intriguese: përse ishte një pasardhës fals i Skënderbeut Don Aladro Kastrioti, spanjolli që na ka dhënë flamurin për ta ngritur në 28 nëntor 1912 dhe ne këtë gjë e kemi mbajtur fsheshur?
Për ta dritësuar sa më qartë këtë person me rëndësi në historinë tonë, edhe pse ne kemi dashur ta heqim qafe prej saj, do të përdorim tre “projektorë”.
I pari: çfarë paraqitet për të në rrjetet e hapura të ndërkomunikimit internetik.
I dyti, libri në 1904 “Gli albanesi e la Questione Balcanica” i arbëreshit Giuseppe Schirò.
I treti: studiuesi bashkëkohor, ambasador për disa kohë, pas viteve nëntëdhjetë, i Republikës së Shqipërisë në Strazburg, Fotaq Andrea.
Rrjetet online, nëpërmjet të cilave shumë njerëz marrin informacionin e parë, thonë se Juan de Aladro Perez y Valasco ka lindur në 5 gusht 1845 në Frontera të Andaluzisë, Spanjë. Ai ndërroi jetë në 15 shkurt 1914, pra katërmbëdhjetë muaj pas ngritjes në Vlorë të flamurit të dhuruar prej tij.
Kur mbylli sytë ishte 68 vjeç.
Ky spanjoll pati edhe një emër të dytë: Aladro Kastrioti ose më plotësisht Juan Pedro Aladro Kastriota.
I martuar me Juana Renesse y Maelcamp ai cilësohet nga kronika e Evropës se ka qenë pretendent i kurorës së Shqipërisë.
Shkrimet njohëse për të në internet thonë ndërkohë se Aladro Kastrioti ka qenë fëmijë jashtë martese, pra jo i ligjshëm, i Isabel Aladro Pérez dhe i fisnikut Juan Pedro Domecq Lembeye.
Kur ishte 22 vjeç, në vitin 1867, hyri në shërbimin diplomatik spanjoll dhe u vendos me detyrë në qendra shumë të rëndësishme të kontinentit si në Vjenë, Paris, Bruksel, Hagë dhe Bukuresht.
Në kryeqytetin francez si diplomat ishte në vitin 1869, kur qe njëzetë e katër vjeçar. Po këtë vit i jati do t’i linte një pasuri jo të vogël me vreshta për të bërë verë. Vdekja e mbretit spanjoll, Alfonso XII, i cili e pati emëruar dhe lëvizur nëpër Evropë, do ta lehtësonte të merrte vendimin e qëndrimit në Paris. Këtu ra në sy për sportivitetin e tij dhe sidomos për një koleksion të mahnitshëm kuajsh gare.
Po ashtu se qe poliglot. Don Aladro Kastrioti fliste në mënyrë korrekte frëngjisht, italisht, anglisht, gjermanisht, kastiliano, rusisht, shqip dhe në euskera (të folurën baske).
Gjithnjë sipas të dhënave që shpërndajnë rrjetet internetike, Aladro Kastrioti krahas punës së diplomatit u interesua edhe për çështjen shqiptare, sepse siç thoshte ai, vinte me origjinë nga familja e Skënderbeut, konkretisht nëpërmjet një gruaje që lidhej me familjen fisnike të Marchese D\'Auletta të Napolit. Këta qenë me të vërtetë Kastriotë.
Sipas çfarë ka shkruar Eqerem Vlora, i cili në mënyrë të palëkundur e konsideronte mik, Aladro i pati hyrë aksionit të tij politik në favor të shqiptarëve sepse kjo grua paraardhëse me gjak nga Skënderbeu i kishte dalë në ëndërr dhe e pati urdhëruar ta çonte deri në fund këtë mision çlirimi, duke u bërë dhe mbret i vendit të shqiponjave.
Përpilues dhe nxitës i disa boshurave propagandistike në favor të çlirimit të Shqipërisë dhe mëvetësimit të saj si shtet i pavarur, shpërndarë këto në Bruksel, Aleksandri, Athinë, Napoli, Bukuresht, Venecie, duke financuar pjesërisht edhe shkollën e parë shqiptare të Korçës, Aladro themeloi po ashtu një çmim letrar, të cilin në vitin 1901 fitoi prifti katolik Ndok Nikaj.
Në 1902 ai themeloi një klub studentësh shqiptarë në Bukuresht, duke i vënë emrin Shpresa. Po këtë vit, në bashkëpunim me Faik Konicën, botoi në Bruksel një hartë gjeografike të Shqipërisë.
Aladro Kastrioti ishte promovues i flamurit tonë kombëtar dhe ndihmoi financiarisht gazetën “La Nazione Albanese” të publicistit arbëresh, Anselmo Lorecchio. Nga ana e vet ky e promovoi shumë Aladron.
Pretendenti për mbret i shqiptarëve mbajti kontakte me shumë rilindas shqiptarë, çfarë bëri që një pjesë e tyre ta idealizonin dhe ta pranonin si të parë të tyre menjëherë me çlirimin prej pushtimit osman.
Don Aladro Kastrioti kreu një turne intensiv vizitash në vendbanimet arbëreshe në Itali. U përpoq këtu të gjente të dhëna më të sigurta për prejardhjen e tij të supozuar nga Skënderbeu.
Sipas asaj që shkruhet në online, doemos shumica referuar botimeve në kartë, Aladro “financoi një person me emrin Visko Babatasi si emisarin e tij në Shqipëri për shpërndarjen e parave, revolverëve dhe kartolinave me figurën e tij dhe flamurin kombëtar...Kjo u bë aq e dukshme sa që autoritetet osmane ndalonin shpërndarjen e kartolinave (kjo kartpostale u krijua në 1908 dhe për këtë kemi folur në shkrimet e mëparshme-shënimi ynë) ...Shumë nga këto kartolina janë ende në qarkullim sot (i zotërojnë disa koleksionistë të tanishëm shqiptarë-shënim ynë).
Por Babatasi përvetësoi fondet dhe shkoi në SHBA, duke u shndërruar në një dështim për pretedentin e kurorës.
Duke e parë si kërcënonjës për pushtetin e tyre thuhet se osmanët i ofruan Aladros pozicionet e Valiut të Shkodrës dhe të Janinës, gjithnjë me kusht që ai të mos i shqetësonte shqiptarët me thirrjet për t’u ngritur në këmbë”.
Don Aladro Kastrioti mbërriti t’i përmendet emri për pretendues të fronit të Shqipërisë edhe pas shpalljes së Pavarësimit, në Kongresin e Triestes (1-4 mars 1913). Por këto qenë muajt e fundit të tij.
Ndërsa ende drejtonte në Paris një kompani hekurudhore Aladro vdiq në një hotel në sheshin Lamartine të Parisit, në vitin 1914.
Gjithsesi për ta njohur edhe më mirë këtë figurë të habitshme, pa besuar aspak se qe vërtet një pasardhës real i Skënderbeut, sepse ndërkohë me çështjen e tyre kisha dy dekada që merresha, botuar tre libra dhe me dhjetra shkrime, lexova me shumë vëmendje 562 faqet e “Gli albanesi e la Questione Balcanica” të arbëreshit Xhuzepe Skirò.
Duke qenë se ende kjo lëndë nuk ishte ende e mjaftueshme për ta kthjelluar gjer në detaje pamjen e vërtetë të Don Aladros, iu drejtova me një lutje mikut tim, studiuesit Fotaq Andrea, pa dyshim deri tani njohësi më i mirë shqiptar jo vetëm i Faik Konicës, por dhe i Aladro Kastriotit.
Përgjigja e Fotaq Andresë më erdhi pas disa ditësh nga nisja e kërkesës time: në 22 tetor 2017.
Thoshte: “I dashur Ylli, më fal për këtë vonesë të pavullnetshme, por ndodhem në Luksemburg, tek fëmijët larg kuvlisë sime në Strasburg....”
Pak më poshtë studiuesi Andrea vinte në dukje: “Sa për marrëdhëniet Aladro-Konica e më tej me shqiptarët në përgjithësi në Francë e në Rumani, ato unë i kam trajtuar imtësisht tek studimi “Martesa e Lejles”, që me të ardhur në Tiranë, do të të takoj e ta jap.
Në marrëdhëniet e tyre duhet parë që në fillim qëndrimi i Aladros, si princ i rremë, një i huaj gjoja me gjak shqiptari, por që për të vetmin qëllim donte të përvetësonte gjithçka nga lëvizja patriotike e para-Pavarésisë, duke vënë për këtë në përdorim paranë e tij si e vetmja forcë \"patriotike\", dhe vetëm e vetëm që të emërohej në krye të shtetit shqiptar...”

Vijon

Ylli Polovina

Tiranë, më 12 shkurt 2018












Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com