Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

1973, PËR ALADRO KASTRIOTIN INTERESOHET EDHE AMBASADA SHQIPTARE NË ROMË


Shkrimi i njëzetë e një i ciklit për Vitin e Skënderbeut

(Botuar në Illyria në 28 shkurt 2018)

Në vitin 1973 ambasada shqiptare në Romë i dërgoi Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë një fragment në gjuhën italiane, të shkëputur prej një teksti të shtypur nëpër faqe libri, me sa duket spektakli teatror. Atje binin në sy dy personazhe: rrëfyesi dhe Aladro Kastrioti.
Përveç shkresës përcjellëse ky material nuk ka tregues të tjerë më të hollësishëm shpjegimi, por ajo që të bie në sy është vëmendja e treguar prej përfaqësisë tonë diplomatike të periudhës komuniste për Aladron si edhe këmbëngulja e saj për t’ia nisur Tiranës.
Në fakt Italia ka luajtur përherë një rol të veçantë në “kujdesin” që në territorin e saj të kenë veprimtari të kontrolluar prej qeverive të Romës, sidomos gjatë Luftës së Parë dhe asaj të Dytë Botërore, persona që mund të luanin rol udhëheqës mes shqiptarëve. Doemos që mes këtyre do të ishin pasardhësit e familjes Kastrioti.
Ndërkohë Italia është pjesa kontinentale e Evropës më e tejngopura me pasardhës të shtirë të Skënderbeut. Prandaj ajo e ka ndjekur me shumë vëmëndje çfarë bënte spanjolli Aladro Kastrioti që prej Parisit.
Në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe në vitet e parë të njëzetit ai jo vetëm e rriti, por edhe e zgjeroi ndikimin e vet tek elita intelektuake arbëreshe, pse jo edhe tek shumë shtresa të popullatës shqiptare të emigruar në Italinë e jugut.
Kështu Aladro u bë prej italianëve edhe objekt vigjëlimi, pengimi po ashtu.
Teksti i materialit të dërguar, të cilin me foto po ja bashkëngjisim këtij shkrimi, provon ekspansionin e dukshëm të tij në Italinë e Jugut, pra jo vetëm tek vendbanimet e arbëreshëve, por edhe gjeografikisht në territorin më të afërt me Shqipërinë, prej ku mund të nismoheshin operacione ushtarake për çlirimin e saj. Ky depërtim në rritje i Aladro Kastriotit kryhej jo vetëm nëpërmjet shkrimeve nëpër revista të dijetarëve dhe veprimtarëve politikë të Arbërisë, por edhe botimeve dhe çdo aktiviteti propagandistik që Aladro kryente vetë.
Pas më shumë se një shekulli larguar nga kjo kohë shqiptarët tani e kanë mjaft të vështirë të kuptojnë apo perceptojnë trysninë e këtij të fundit mbi shumë nga krerët e tyre si edhe mbi opinionin publik evropian. Tani Aladro Kastrioti duket një hiçasgjë, aventurier dylekësh, mendjetrashët, kurse në të vërtetë u bë një faktor politik dhe historik, rrufjan i hollë për të vallzuar në diplomacinë e kontinentit, më i forti mes tërë pretendentëve për fron të kohës së tij.
Ai qe “njëshi” i shtirjes.
Duke iu rikthyer dy faqeve të fotografuara dhe të dërguara Tiranës në 1973 prej Ambasadës Shqiptare në Romë, vëmë në dukje se personazhi rrëfyes i tekstit në italisht shqipton për dëgjuesit ligjërata të tilla si “populli shqiptar e ka ruajtur karakterin e vet kombëtar dhe shpirtin e vet të shenjtë të pavarësisë. Shqipëria nuk mund t’i bashkohet Greqisë prej të cilës e ndajnë dallime të gjuhës, të zakoneve dhe të qytetërimit. Shqipëria nuk do ta durojë kurrë sundimin sllavomadh edhe sikur kjo të vijë që prej kufinjve të Bullgarisë apo të Malit të Zi. Shqipëria nuk do të jetë kurrë turke, sepse kanë hyrë në mes katër shekuj e më shumë luftë për të mbajtur të pacënuar karakterin, traditat dhe fizioniminë kombëtare”.
Pas kësaj, teksti vendos në rradhë atë që shqipton Aladro Kastrioti: “Evropa e njeh historinë tonë. Baballarët tanë nuk u mundën nga armët turke, duke ruajtur pavarësinë, karakterin kombëtar, gjuhën. Megjithë ndryshimet në besimet fetare, shqiptar i krishterë katolik apo ortodoks, mysliman, ai i është kundërvënë pushtimit turk, por edhe zaptimeve të tjera të huaja. Që nga brigjet e Bunës deri tek portat e Janinës shqiptarët janë të njëjtë në pamje dhe aspiratat e tyre, duke përfaqësuar një bërthamë të bashkuar dhe homogjene....” etj etj.
Mjaftojnë kaq për të kuptuar gjuhën e përdorur nga Aladro Kastrioti në përpjekjen e tij për t’u pranuar prej shqiptarëve dhe bashkësisë ndërkombëtare si udhëheqës politik dhe mbret i tyre.
Ka qenë një propagandë shumë intensive e tij në favor të çështjes shqiptare, por patjetër dhe mbi të gjitha për interes të pushtetit të vet. Në këtë pamje duhet thënë se Aladro shfaqet si megalloman. Bashkëngjitur me këtë shkrim po i paraqesim lexuesit dhe ballinën e një broshure për të, të botuar dhe shpërndarë në qytetin Foxha (Foggia) të krahinës së Pulies, në vitin 1902, mot i cili konsiderohet maja më e lartë e revanshit të tij për t’u vetëshpallur mbret i shqiptarëve dhe njëkohësisht i forcës ndikuese jashtë trojeve të tyre.
Reklamimi që i bëhet (në fakt vetëbëhet prej Aladros, sepse të gjitha veprimtaritë propagandistike i financon ai) përdor për veten fjalë shumë të ngrefosura si “bir i “pallazgëve hyjnorë”, “dominues i ushtrive”, “rinovues dhe ringjallës i shpirtit shqiptar”, person “i po të njëjtit gjak, gjuhe dhe bese” (IL PRINCIPE DON GIOVANNI D\' ALADRO KASTRIOTA.
CHE DISCENDENDO PER LI RAMI
DI GIORGIO KASTRIOTA SKANDERBEG
FIGLIO DEI “DIVINI PELASGHI”
DOMATORE d\'ESERCITI
SPIRA MAGNANIMO
NEL RINNOVAMENTO INDECLINABILE DEI FATI
DELLA NAZIONE ALBANESE).
Në librin “Gli albanesi e la Questione Balcanica” (“Shqiptarët dhe çështja Ballkanike”) të dijetarit arbëresh Xhuzepe Skirò, thuhet se fjalimin e madh të tij, më sugjestionuesin dhe më demagogjikun, Aladro Kastrioti e mbajti në 31 janar 1902. Ai qe thirrje për popullin shqiptar, Duke iu drejtuar me fjalën “vëllezër”, ai u shpreh: “Në emër të Kastriotit që unë e mbaj lart dhe të nderuar, është kjo që më imponon detyra të mëdha e të shenjta. Me këtë emër është shkruar e tërë historia e lavdisë shqiptare; me këtë emër lidhen pesë shekuj zie. Duke i ditur sa të rënda janë këto detyra përpara jush dhe para botës civile, por me ndihmën e Zotit dhe tuajën unë marr mbi vete tërë peshën e tyre.
Shërbëtor i përrulur i Shqipërisë, i lindur në një tokë të huaj, për fatin e keq të emigrimit të detyruar të stërgjyshit të vjetër mbretëror timit, zotit Gjon Kastrioti, biri i Gjergj Kastriotit Skënderbej, ditë e natë nuk ka pasur në zemrën e vet veç gjendjen tuaj ekonomike; dhimbjet tuaja janë dhimbjet e shpirtit tim; aspiratat tuaja janë aspiratat e mia.
Diplomacia e Evropës nuk shqetësohet e turbullohet, sepse vepra jonë është një vepër paqeje; ne nuk duam t’i presim rrugën ndonjë tjetri dhe ca më pak t’i presim rolin ndokujt, ne duam një Atdhe si gjithë popujt e tjerë të botës.
Vëllezër shqiptarë! Thirrja jonë është “Zoti është me ne!”, emri i lavdishëm i Skënderbeut dhe flamuri ynë i shenjtë! Me thirrje në buzë, me në shpirt këtë flamur, të bashkohemi të gjithë Muslimanë, Ortodoksë dhe Katolikë: Unë, shërbëtor i përrunjur i Atdheut të Madh Shqiptar, e ndjej për nder që po luftoj përkrah Jush në betejën e shenjtë për rilindjen e gjakut tonë! Oh, lavdi për ty Shqipëri!
Giovanni”.
Pra, firmoste me emrin “Gjoni”, emër që më shumë theksohej prej tij edhe për të përballuar një rivalitet homonim. Në Itali, ku edhe thirrja e tij qarkulloi më dendur, ishte edhe një Gjon tjetër, Giovanni i Auletës, banues në Napoli, të cilit qeveria italiane posaçërisht për ta mbajtur kandidat të saj si mbret i ardhshëm i shqiptarëve, e kish njohur zyrtarisht si trashëgimtar të ligjshëm të familjes Kastrioti të emigruar në gadishullin Apenin pasi Skënderbeu pati ndërruar jetë.
Vëmë në dukje se një vit më vonë, në ditët e fundit të janarit 1903, revanshi i Aladro Kastriotit qe aq shumë agresiv saqë edhe shtypi austriak, por edhe britanikja “Times” e vlerësonin atë si person shumë të fortë. Si më energjikun e pretenduesve për fron.
“Correspodenza politica” e Vjenës siguronte se “të gjithë shqiptarët qenë të gatshëm për të shpallur pavarësinë nën udhëheqjen e tij dhe se Marchese d’Auletta, i vërteti Giovanni Castriota Scanderbeg, nënqeshte nën buzë”.
Në vijim të rrahjes së kësaj teme, këtë herë duke u mbështetur mbi studimin e Fotaq Andreas “Retropektivë radioskopike për një portretizim të Aladro Kastriotit”, del në pah se pak muaj më pas nga Thirrja drejtuar popullit shqiptar, ishte gazeta italiane “Corriere della sera” që në qershor 1903 e goditi si intrigant, vagabond, “deri edhe si hajdut i burgosur për vjedhje”.
Kjo e përditshme e madhe në tirazh në artikullin e saj goditës ndaj Aladro Kastriotit shkoi akoma më tej: ajo e akuzoi atë se ishte “spiun i Moskovit”.
Me këtë rast na duhet të informojmë lexuesin se nuk është “Corriere della sera” e para gazetë e njohur e Evropës që përpiqet ta akuzojë. Dy mote të shkuara, pra më herët, qe një gazetë greke.
Ndërkaq në shtator të atij viti sulltani i Turqisë Abdul Hamiti pati shpallur një ferman për dënimin me vdekje të Aladro Kastriotit si edhe çmimin monetar për këdo që ndihmonte në kapjen dhe likujdimin e tij.
Me pak fjalë me Aladron duhet të merremi, sepse me të është marrë tërë kontinenti dhe duke e siguruar lexuesin se nuk mund më ta tjerrim më gjatë këtë temë, edhe pse lidhet jo vetëm me Skënderbeun në këtë 550 vjetor të vdekjes së tij, por edhe me flamurin kombëtar që Ismail Qemali ngriti në Vlorë në 28 nëntor 1912.
Shkrimi i ardhshëm do të jetë i fundit me këtë personazh, të cilin duhet ta ngulim në kujtesë dhe jo ta shkulim, për t’u rikthyer sa më shpejt në një objekt tjetër të vijimit të këtij cikli: në 19 janar 1933 gazeta vjeneze “Neue Freie Presse” botoi një shkrim për një pretendent tjetër fals për fronin e Shqipërisë.
Quhej Otto Vitte.

(Vijon)

Ylli Polovina

Tiranë, më 26 shkurt 2018


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com