Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

PALLATI SKĖNDERBE NĖ ROMĖ, HISTORIA E NJĖ INDIFERENCE SHTETĖRORE
PĖRMETIN KOMUNIZMI E SHPALLI “QYTET HERO”, POR A QENDRON?
STALIN-SKĖNDERBE-ENVER
NEXHMIJE HOXHA NDĖRMJETĖSE PĖR MONUMENTIN E STALINIT. I SKĖNDERBEUT PRET
VJEN SOVJETIKU NIKOLLAJ VASILIEVIĒ TOMSKIJ
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

PJESA E DYTË E SHKRIMIT PËR OTTO WITTE-n, PALAÇ0N GJERMAN QË U VETSHPALL PËR PESË DITË MBRET I SHQIPËRISË


Shkrimi i njëzetë e katërt i ciklit për Vitin e Skënderbeut

(Botuar në “Illyria” në 23 mars 2018)

Doemos më shumë se dhjetë vite të shkuara, kur në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme gjeta shënimet e mbajtura rreth një raportimi të Konsullatës Shqiptare në Vjenë për Tiranën, të 19 janarit 1933, edhe unë, përderisa nuk e fotokopjova dokumentin, kisha rënë viktimë e gropës së harrimit të historishkrimit tonë për ekzistencën, në Vitin e Mbrapshtë, 1913, të pesë ditëve tallëse që na pati bërë një aktor klloun i viseve gjermane.
Kjo histori, pa bërë lojën e dukjes dhe të vetëmbyrrjes së Otto Witte-s, nuk mund të shpërfillet si tërësisht fantazi, sado të ketë nëpër të shumë elementë të sajuar për ta bërë sa më të bujshme dhe tërheqëse për lexuesin e kohës. Protagonizmi i këtij akrobati cirku mbërriti tepër vonë tek ne, vetëm pak mote më parë nëpërmjet përkthimit të librit rrëfyes të tij dhe tani pas saj theken kuriozët, por jo seriozisht historianët.
Por më mirë vonë se kurrë, sepse kemi një rast të vetanalizohemi deri në çmasë na ka sunduar dhe na imponohet edhe sot, karakteristika anarkiste.
Ja pse duhet zgjeruar informacioni rreth kësaj ngjarjeje, e cila duket e besueshme për lexuesin perëndimor, veçanërisht kur bie fjala për Ballkanin, por edhe e hamendshme për atë shqiptar. Prandaj siç edhe vepruam herën e shkuar në pjesën e parë, do t’ju njohim edhe kësaj rradhe me hollësi të tjera të paditura deri tani.
Përputhshëm me atë që tashmë dihet, “Sipas një dokumenti të datës 21 gusht 1943, të një arkivi të Berlinit, Otto Witte ndodhej në vitin 1912 për të dymbëdhjetën herë në Stamboll. Ndërkohë kishte filluar lufta ballkanike dhe megjithëse treni orient-ekspres funksiononte akoma, rrugët kishin filluar të mos qenë shumë të sigurta dhe shkëlqimi i Perandorisë Osmane venitej dita-ditës. Siç e kërkon fati ndonjëherë, ndërsa Otto Witte orvatej rrugëve të Stambollit, takon papritur një mik që e njihte prej kohësh, Ismail Arsim, djali i një tregtari të pasur, që më parë kishte dashur të bëhej artist, por që ndërkohë shërben në shërbimin informativ të ushtrisë turke. Otto Witte nuk ndodhej në ditë të mira dhe kishte nevojë për para. Miku i tij e këshillon të futet në ushtrinë turke. Otto kryen shërbime shumë të vlefshme, si p.sh., sigurimi i materialeve sekrete në Beograd dhe Sofje, të cilat e ndihmojnë të bëjë karrierë duke u graduar oficer e më vonë major”.
Nisur nga ato që deri tani i janë paraqitur lexuesit shqiptar, pikërisht këtë kohë Ottos i lindi ideja për t’u bërë mbret i Shqipërisë dhe me që rezultonte nga pamja e jashtme i ngjashëm me kandidatin e përfolur të Fuqive të Mëdha për princ, nipin e sulltanit, të quajturin Halim Eddine, ai dërgoi në Shqipëri, në emër të tij, dy telegrame rresht. Njoftonte se pas dy ditësh po vinte për të hipur mbi fronin mbretëror.
Mbërritja e tij në 15 shkurt 1913 apo në fillim marsi sipas disa gazetave të Evropës apo në 10 gusht sipas disa të tjerave, i veshur me një uniformë ushtarake gjenerali, të marrë me qera, i shoqëruar prej ndihmësit të tij po kaq aktor dhe të shtirrur, Max Hoffmann (ose Max Schlepsig), i burgosur ordiner për disa kohë në Barcelonë), e lehtësoi Witte-n të besohej dhe pas kësaj të vendosej me çadra në një fushë afër Kavajës.
Por tek libri “Gjenitë e anarkisë”, të studiuesit francez Pierre Bellemare, botuar në Francë së fundi, në 2014, tek ka një fragment të gjatë për historinë e Otto Vitte-s, gjithçka bëhet më e ndërlikuar. Sipas Bellemare, në portin e Durrësit kllounin e maskuar gjerman si princi turk Eddine, e pati pritur vetë Esat Pashë Toptani, të cilit edhe i qenë drejtuar, si komandant i ushtrisë vendase, dy telegramet e nipit fals të sulltanit.
Në të vërtetë, siç edhe provohet prej studimeve historike, këtë kohë Esat Pasha qe i njëmendjeje me kandidaturën e një myslimani për fronin e Shqipërisë, aspak të një krishteri. Pra qe për mbret të një turku, jo për një gjermani, francezi apo italiani.
Gjithnjë sipas Pierre Bellemare, një masë e madhe populli doli ta priste, me tufa lulesh nëpër duar. Të tjerë kanë shkruar se qenë rreshtuar në pritje dy batalione, madje u bë edhe një paradë ushtarake, por këto ka shumë gjasa që palaçua gjerman t’i ketë falsifikuar jo vetëm kur iu publikuan kujtimet, por deri në vitet pesëdhjetë ndërsa jetonte në lagjen e shumëpopulluar të Hamburgut, Shën Polit (Sankt Pauli), në një karocë cirku dhe u tregonte histori nga vetja tërë kalimtarëve apo turistëve.
Por në vitin 1913 sado të qe në trazim dhe anarki Shqipëria, Durrësi nuk ishte një copë fshati i humbur, por një qytet-port adriatikas i rëndësishëm, plot me intelektualë dhe kronistë, politikanë vendas dhe udhëtarë nga kontinenti e mbi të gjitha me konsullata të huaja dhe diplomatë.
Po të zbarkonte Otto Witte me kaq shumë zhurrmë në mos do t’ja kishin lidhur duart që aty, sapo të zbarkonte në tokë, do ta kishin raportuar në qeveritë përkatëse të fuqive të mëdha dhe për t’u zbuluar kjo nuk do të duheshin pesë ditë.
Kaq gjatë Otto Witte e përjetoi aventurën e tij me siguri sepse nuk ka bërë potere të madhe dhe nuk e ka pasur aspak të lehtë të rregullohej në periferinë e Kavajës apo ca më tepër, siç tregonte vetë në libërkujtimin e tij apo tek qoshja e rrugës së Hamburgut, në pallatet qeveritare në Tiranë.
Shumë pak ose aspak të ngjarë nuk ka të ketë ngritur një harrem, t’i ketë shpallur luftë Malit të Zi apo, në ikje, të ketë rrëmbyer thesarin e shtetit shqiptar.
Gjithsesi edhe pse ndërroi jetë në 1958 përralla e tij jo vetëm sa qe gjallë, por edhe tërë gjysmëshekullin e shkuar, po ashtu edhe gjithë afro tre dakadat e viteve dymijë, u shkrua në dhjetra e dhjetra gazeta të Perëndimit dhe Lindjes. Patjetër për të dëshmuar sa mbrapa ishte Shqipëria dhe me të edhe Ballkani.
Tërë kjo rrëfenjë me bollëk fantazie qe dhe mbetet krijimtari mirëfilli kllounësh.
Gjithsesi Otto Witte ja doli të realizojë tre suksese të mëdha. Duke e shndërruar këtë histori në një lajm të vërtetë ajo u botua në 1958 deri në revistën me spikatje botërore “Time Magazine”. Qenë dy faqe speciale.
Pesë ditët e zbukuruara në Shqipëri patën bërë kaq fort kapital joshjeje për lexuesin sa që mjaftoi lajmi i vdekjes së tij për të rishpërthyer vëmendja ndaj aventurës në një vend që ato kohë bënte pjesë në një çudi tjetër: ndodhej në “kampin socialist”.
Suksesi i dytë i Otto-s, më saktë mashtrimi tjetër i tij, ishte se ia doli të mbajë të shënuar në letërnjoftimin e vet gjerman se ka qenë ish-mbret i Shqipërisë (“ehemaliger König von Albanien”). Këtë dokument po ja paraqitim lexuesit bashkëngjitur këtij shkrimi.
Prova e tretë me shkrim është varri i tij. Në pllakë thuhet “Otto Witte (16.10.1871 – 13.08.1958), “Ehemaliger König von Albanien”.
Duke e mbyllur rrëfimin e këtij episodi, në ilustrim të momenteve kur për të shtënë në dorë fronin e Shqipërisë u rreshtuan deri 44 kandidatë, tre prej të cilëve me pretendimin se qenë pasardhës gjaku të Gjergj Kastriot Skënderbeut, ja edhe dy hollësi që deri tani nuk keni mundur t’i dini.
E para, pas Luftës së Parë Botërore palaçua gjerman u përpoq t’ia hidhte edhe popullit të vet. Ai krijoi një parti politike me emrin e Klasës së Mesme, të Fshatarëve dhe e Aktorëve. Arriti me të të regjistrojë deri në njëqind mijë anëtarë.
E dyta, në motin 1948 në sektorin e katërt të Berlinit autoriteve iu paraqit një kërkesë për ngritje të një partie politike. Personi quhej Otto Witte.
Amerikano-britanikët që e kontrollonin këtë territor të kryeqytetit gjerman, e refuzuan menjëherë.

(Vijon)

Ylli Polovina

Tiranë, më 19 mars 2018


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com