Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

PËR SKËNDERBEUN A JANË TË NJË MËNDJEJE DY VËLLEZËRIT NAIM DHE SAMI FRASHËRI? Pjesa 1


Shkrimi i njëzetë e tetë i ciklit për Vitin e Skënderbeut

(Botuar në “Illyria” në11 prill 2018)

Pjesa e parë

Rradha kronologjike e vijimit të temës së Skënderbeut në këtë cikël për 550 vjetorin e vdekjes së tij do të duhej të shkonte më tej me një kontribut, ende të pabërë publik, të Fan Nolit në kërkesën për sjelljen në Shqipëri të armëve të heroit tonë kombëtar në Vjenë.
Duke e bërë të njohur këtë do të vinte natyrshëm subjekti intrigues si Ahmet Zogu e hartoi biografinë e tij që të delte, prej nënës, pjesë pasardhëse e drejtpërdrejtë e familjes Kastrioti.
Të gjitha këto do t’ia paraqisim lexuesit në momentin më të parë, por duke u rikthyer më pas në kohë nga çasti i pavarësimit të Shqipërisë, 28 nëntor 1912, kapërcyer po ashtu rivalitetin pozitiv mes Faik Konicës dhe Nolit për të promovuar sa më fort Gjergj Kastriotin, do të ndalemi tek një “garë” tjetër, mjaft emocionuese, mes dy vëllezërve të famshëm si komb dhe shtetformues: Naim dhe Sami Frashëri. Të tretin e lavdishëm, Abdylin, po e lëmë mënjanë jo sepse nuk e kishte idhull Skënderbeun dhe frymëzim për veprimin e tij çlirimtar, por sepse janë dy vëllezërit e tjerë më interesantë për temën që po trajtojmë.
Në këtë krahasim sugjestionues Naim-Sami do të na ndihmojë edhe një botim i muajve të fundit: katër vëllimet e “Kalendarit Kombiar”, me botues dhe autor Kristo Luarasin, po ashtu me kryeredaktor dhe penë kryesore Mit’hat Frashërin.
Këtë masiv informacioni “live” për vitet 1897 e deri në 1927 e ka publikuar në Tiranë Fondacioni Arsimor Kulturor Humanitar. Duke ruajtur origjinalin de këtyre kalendarëve edhe në pamje. Pra, është një botim cilësor nëpërmjet fotokopjimit.
Në “Kalendarin Kombiar” të vitit 1898, në trajtesën për historinë e vendit, pasi thuhet se pushtimi turk ishte një buçimë përmbytëse, autorët theksojnë se atyre vetëm shqiptarët u bënë qëndresë. Duke qenë se në motin 1420 sulltan Murati u shpalli luftë grekërve, shqiptarëve dhe serbëve, thuhet në tekst, mes mbretërve rebelë qe edhe Gjon Kastrioti.
Sipas këtij kalendari, tre djemtë e tij sulltani i mori peng në vitin 1423. Midis këtyre ishte edhe Gjergj Kastrioti, mëshon hartuesi i tekstit të ngjarjeve kryesore të historisë së Shqipërisë, hartuar në 1898.
Tek i referohet Gjergjit në shkrim shënohet se ky “ishte trimi që nën emrin Skënderbej do të çudiste të tërë botën me trimërinë dhe vleftën e tij”.
Gjithnjë sipas këtij “Kalendari Kombiar”, Skënderbeu pati lindur në Krujë në 1404 dhe se kur sulltan Murati e mori peng ai ishte ose nëntë, ose nëntëmbëdhjetë vjeç. Siç shihet, janë të pasigurt në data hartuesit e tekstit, sepse po aty, ndërsa më parë kanë përmendur motin 1423 si çast të pengmarrjes, këtë herë pëlqejnë të paraqisin vitin 1414. Me këtë rast vihet në dukje se “Murati e donte shumë se ish trim dhe e quajti Skënder (Aleksandër) që t’i ngjajë Aleksandrit të Madh”.
Në vijim rrëfimi i jetës së Gjergj Kastriotit vazhdon, duke theksuar se “Pas vdekjes së të atit Skënderi në 1443 iku tinëzisht nga Murati (i cili donte të merrte Shqipërinë dhe për këtë i kishte helmuar të vëllezërit e Skënderit) dhe zuri Krujën”. Gjithnjë sipas tekstit origjinal të motit 1898, shkruhet se ky menjëherë mblodhi rreth vetes mbretërit e vegjël të Shqipërisë dhe u bëri thirrje për t’i qëndruar Turqisë.
“Skënderbeu luftoi paprerë 33 vjet”, thotë teksti më tej, duke shprehur një pasaktësi tjetër të rëndë, sepse thjesht duke mbledhur shumën e viteve 1404, kur lindi, pastaj atë të ardhjes në Krujë (1443) dhe plus 33, vdekja Gjergj Kastriotit do t’i binte të kish ngjarë në 1476.
Duke bërë një biografi të Skënderbeut shkruesi i tekstit thotë se ky luftoi kundër turqve me vetëm pesëmbëdhjetë mijë luftëtarë, ndërsa këta të fundit kundër tij mobilizuan në beteja dyqind mijë ushtarë. Theksohet me këtë rast se edhe vetë sulltan Murati erdhi me ushtri në Shqipëri, por u mund.
Pas Muratit, këmbëngul shkruesi, i bëri luftë dy herë edhe sulltan Mehmeti, por edhe ai nuk ia doli dot. Përmenden edhe gjeneralët osmanë të mundur prej Skënderbeut: Ballaban, Ali, Firuz, Sinan, Jusuf, Hysen.
Në vazhdim shënohet se Papa Eugjeni u përpoq ta ndihmonte, por pas vdekjes së tij kjo ndihmë u zvogëlua. E megjithatë Gjergj Kastrioti i mundi turqit. Kjo rrëfenjë, sipas autorshkruesit, provon se çfarë mund të bëjnë shqiptarët po të rrinë të bashkuar.
“Skënderbeu vdiq në 1467 në Lezhë”, shkruhet më pas në tekst. Në vijim, shqiptarët, mëshohet, u përpoqën të mbajnë bashkimin, por turqit pak e nga pak e morën Shqipërinë”.
Në “Kalendarin Kombiar” të motit 1899 nuk gjendet asnjë referim për Skënderbeun, kurse në atë të vitit 1900 ai citohet tek shkrimi “Një copë nga Istori e Shqipërisë” (vlerësohet si “shqiptar i çkëlqyer”), çfarë ndodh edhe tek shkrimi tjetër “Ç’kanë thënë të huajt për ne” (përmenden me këtë rast thënie të Bajronit).
Në këtë numër, të katërtin që nga krijimi i këtij kalendari, ndodh edhe supriza: gjendet e publikuar një pamje e Skënderbeut, e madhe sa një faqe e tërë.
Duket si e bërë posaçërisht për pllakat.
Ngjan me një lloj thirrjeje politike për t’i pasur sytë tek ai dhe shembulli që pati dhënë në kohën e vet për të çliruar vendin e tij të pushtuar nga po ai sundues që ishte ato çaste.
Jemi 12 vite para shpalljes së Pavarësisë.
Këtë faqe të “Kalendarit Kombiar”, po jua bashkëngjisim në shkrim. Poshtë fotos janë spikatur fjalët shpjeguese “Gjergj Kastrioti (Skënderbeu 1404-1467).
Në faqen e pasme të kësaj flete kushtuar ekskluzivisht Skënderbeut ndodhet biografia e tij, të cilën të fotokopjuar gjithashtu po ja paraqitim lexuesit.
Në të thuhet se Skënderbeu qe mbret i Shqipërisë cdhe kjo kish për kryeqytet Krujën. Ai qe më trimi nga tërë mbretërit e mëparshëm të vendit dhe i njohur nga gjithë bota si kryeushtar i vërtetë dhe dragua në luftra. Kundër turqve pati dalë fitimtar në 36 beteja. Thuhet, shënon biografia, se pati vdekur në moshën 63 vjeçare.
Në fund të shkrimit për jetëshkrimin e Gjergj Kastriotit, shumë dukshëm bëhet pyetja “A do të mundet të ngjallet prapë një Skënder i dytë?”
Pastaj, pa thënë emrin e autorit, janë vendosur vargjet “Lumja ti, o Shqipëri o lule/ Se pate mbret Skënderbeun/Kurrë me turp nuk u ngule/ Emri yt pra, mori dhenë”.
Në mbyllje të edicionit të atij viti, 1990, siç ky kalendar e kishte rregull, publikohen edhe librat e rinj që kanë dalë atëmot nga shtypshkronja “Mbrodhësia”, në Bukuresht, pronë e Kristo Luarasit.
Janë 24 tituj, midis tyre edhe “Naim be Frashëri”, “Dëshira e shqiptarëve”, “Shqipëria ç’ka qenë”. Ky i fundit hartuar në dy gjuhë, shqip dhe greqisht.
”Kalendari Kombiar” i vitit 1991 hapet me një foto sa tërë një faqe. Këtë herë është ajo e Naim Frashërit. Poshtë saj bashkë me emrin ndodhet edhe fjala “Vjershëtor”. Thuhet po ashtu se ai kishte lindur në 1846 dhe pati vdekur në 1900. Pra, sapo kishte ndërruar jetë.
Qe botimi i parë i kalendarit pas vdekjes së Naim Frashërit. Në një farë mënyre ishte një botim kushtuar atij. Edhe pse thuhej se qe një vjershëtor, spikatja që i bëhej ishte e një udhëheqësi.
E një lloj “Skënderbeu”.
Tani e kemi të vështirë të rikthehemi në kohë, 118 vite më herët që të mund të ndjejmë dhe kuptojmë se Naim Frashëri me librin e tij për Gjergj Kastriotin u prit si një prijës politik. Ai ishte me të vërtetë një i tillë, edhe pse për fat të keq, ne shqiptarët, deri në ditët e sotme e lëmë në përmasën e një poeti si edhe e shumta hartuesi librash shkollorë.
Për veprimtar politik jemi ngurosur në pikëpamjen se prej tre vëllezërve Frashëri ishte vetëm Abdyli. Po ashtu nga pak qe edhe Sami Frashëri me librin “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, ku u projektua për herë të parë shteti modern shqiptar.
Në vijim do të përpiqemi të provojmë se me poemën e tij “Histori e Skënderbeut” Naim Frashëri është veprimtar i drejtëpërdrejtë i realitetit shqiptar dhe i ndryshimit të tij në favor të pavarësimit.
“Histori e Skënderbeut” u publikua në 1898, dy vjet para vdekjes së Naimit. Ishte vepra e parë shqiptare me figurë kryesore Gjergj Kastriotin ku bashkëkombësve u bëhej thirrje të rrëmbenin armët.
Qe një kushtrim i shkruar jo në Bukuresht, në Sofje apo në Egjipt e Romë, larg rrezikut të jetës, por në mes të Stambollit. Atje ku të pritej koka.
Tek funksioni që i dha Skënderbeut të poemës së tij ai u diferencua edhe nga vëllai i madh, i shumë dituri Sami. Si?
Këtë do ta themi numrin e ardhshëm.

(Vijon)

Tiranë, më 10 prill 2018


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com