Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

ÇFARË NUK TË SJELL NJË REVOLVER! (AVNI RUSTEMI MIDIS DY VRASJEVE)


(Botuar në “Gazeta Shqiptare” në 20 prill 2018)

Avni Rustemit do t’i tretej emri si shumë protagonistëve politikë të tjerë të kohës, sikur të mos i qenë bashkëngjitur dy vrasje: ajo kur në 13 qershor 1920 shtiri në mes të Parisit kundër Esat Pashë Toptanit, duke ia marrë jetën, dhe asaj që i ndodhi atij vetë në 20 prill 1924, ku e qëlluan dhe dha shpirt pas dy ditësh.
Kjo e fundit hyri në histori sepse kulmoi njërën prej periudhave më përvëluese të jetës së vendit, ajo 56 ditore, e cila nisi në 23 shkurt 1924 (me atentatin kundër Ahmet Zogut në shkallët e parlamentit), kaloi vetëtimthi në 6 prill në një tronditje edhe më të thellë (me vrasjen në Mamurras të dy udhëtarëve amerikanë), për të mbërritur në shpërthimin e tretë, më dramatikun deri atëherë: atë të 20-22 prillit.
Prej këtij, si të qe planet i goditur prej një meteori, ndryshoi kahja e historisë së Shqipërisë. Ndodhi i quajturi Revolucion i Qershorit.
I gjithë ky cikëI i tre shkulmimeve të rendit publik dhe shoqëror qe aq shumë i shpejtë dhe i harmonizuar me çështje të kufijve shtetërorë sa shkaktoi dyshime të mëdha mos gjithçka ishte shkaktuar në mënyrë të komanduar prej Beogradit. Ethet e arsyetimeve dhe të hamendjeve, të mbështetura në fjalënaja, por ndonjëherë edhe prej provash të shkruara, nuk fajësonin luftën e brendshme për pushtet, por armikun tradicional serb.
Këtë 20 prill 2018 vrasja e Avniut nuk ka ndonjë përvjetor, madje edhe kur kanë ndodhur jubile ajo as më parë nuk është përkujtuar posaçërisht. Këtë fat e ka pasur edhe 23 qershori, atentati i tij i bujshëm në Paris, por sidoqoftë kjo ngjarje gjatë periudhës së “diktaturës së proletariatit” u promovua dukshëm me libra, pjesë teatrore dhe filma.
Po ia rikujtojmë vrasjen e Avni Rustemit këtë herë lexuesit jo vetëm sepse kemi gjetur burime të reja informacioni, por nga që ky model ushtrimi i politikës ka vijuar edhe pas viteve nëntëdhjetë. Madje herë pas here ngjan po aq agresiv jo vetëm në fjalorin e kacafytjes politike, por edhe me nxjerrjen e njerezve në shesh.

Revolveri i parë

Kur në hyrje të hotelit “Continental”, me një revolver Smith & Wesson qëlloi mbi Esat Pashën, falë edhe procesit të gjatë gjyqësor në Paris, i cili përfundoi me lirimin e tij, pra pafajësinë penale, ajo vrasje shkaktoi në Shqipëri entuziazëm tek shumica e popullit dhe e klasës politike. Sot prej disa historishkruesve ka një prirje këmbëngulëse që atë veprim ta konsiderojë akt terrorist. Po të ishte mirëfilli i tillë nuk do të kishte asnjë konsensus. Ndërkohë patjetër është një gjest i paligjshëm dhe i pakëshillueshëm të përsëritet, i dënueshëm penalisht po ashu. Sepse asnjë individ apo grup, parti politike po ashtu, nuk kanë asnjë të drejtë të bëjë thirrje publike e ca më keq të kryejë marrjen e jetës së një personi, madje edhe kur ai ka bërë veprime tradhëtimi të interesave kombëtare. “Do t’ja bëjmë si Avni Rustemit”, e shqiptuar sot në përpjekje për ta përditësuar dhe bërë veprues këtë model, pse të mos përbëjë vepër penale edhe kur vetëm shqiptohet.
Duke mos qenë model për t’u ndjekur gjithsesi Avni Rustemi përfitoi dhe gëzoi prestigj të madh publik. Afro një shekull që ka kaluar nga atentati vdekjeprurës në Paris nuk i ka pakësuar provat se Esat Pashë Toptani ka qënë e mbetet në historinë tonë një politikan shumë i papastër. Nuk e lehtësojnë atë ndotje as interpretimet konspirative se në atë vrasje ai qe sponsorizuar prej një politikani të njohur të Shqipërisë së Mesme, madje me një tufë paresh të një hallke legale të shtetit tonë të kohës. Gjithashtu nuk mban më pak përgjegjësi të nëmur historike Esat Pasha sepse lëvrin hamendja dhe fantazia që vrasja e tij qenka përgatitur nën mbështetjen e shefit të policisë së Parisit.
Libri më i fundit i kujtimeve të botuara, ai i firmëtarit të Deklaratës së Pavarësisë Hajredin Cakrani, thotë: “Më vonë kur ne ishim të zënë me luftën më Vlorë, ja mbërriti haberi që Pashanë e kishin vrarë. Atë mësuesin libohovit, Avni Rustemnë e mbaja mënd se e kishim pjekur kaqë hërë më shkollë të Muradies, po nga që ish i ri dhe ai si puna e Luftës së Vlorës, dukej sikur erdh’ nga qielli! Vetëm një Zot i madh mund të n’a i hiqte Esat Pashnë që e bën hatanë atças ku s’e pret e qëkurë kishte e s’mbahej mënd që n’a ishte bërë rrap e nukë ç’kulej”.
Në një fragment tjetër Cakrani shkruan: “Avni Libohova më vonë u fut më parllamentë dhe që më fillim të tërë i bëhin të njëjtën pyetje: -O po qysh e vrave Esat Pashnë? E ai i këthente xhevap me qesëndi, duket: -Jo or jo, kush ju tha juve se e vrava unë, që i bënte të qeshin të tërë”.
Ndërkohë Hajredin Cakrani, mjaft i sinqertë në ato që shkruan (është njëri prej prurësve më të mëdhenj të informacionit për zhvillimet në tridhjetë motet e parë të shekullit të shkuar), nxjerr në pah edhe këtë hollësi tjetër të atmosferës së kohës: “Po me të ardhur Bektash Beu (vëllai i tij-shënimi ynë) më llafosi se gjysmit bëjin sikur nuk bindeshin që e hoqmë këtë ferrë të keqe të madhe ndër këmbë që kish zënë udhën. Pa të tjerët, si e ka shqipëtari po bëjin plane si e qysh po mprehin dhëmbët për ndonjë copë nga ky i këputur vënd, që e quajim nashti shtet, pa dhe ato karriget që kapërdisen më Tiranë, që e quajëm pushtet!”


Ishte e vërtetë që kjo luftë për pushtet nuk e pati kursyer jo vetëm plaçkitjen e votës, por edhe vrasjen politike. Ahmet Zogu me mbështetësit e tij qenë në rresht të parë në këtë “zanat”, por nuk qëndronin më pas edhe të tjerët, rivalët. Atëherë qenë përballë njëri-tjetrit Popullorët (Konservatorë), të cilët ishin në qeverisje dhe Demokratët (Liberalë), të ndodhur në opozitë. Zogu qe me të parët, Rustemi me të dytët. Ndjekësve të shoqatës së tij me të rinj “Bashkimi” ua përsëriste direktivën se u duhej të stërviteshin në përdorimin e armëve.

Revolveri i dytë

Në pasdreken e njëzetë e tre shkurtit 1924, ditë pa asnjë re në qiell për në godinën e Asamblesë e morën rrugën shumë deputetë. Në sallë grupet parlamentare u vendosën sipas rregullit të paracaktuar për shkak të kahut politik që kishin: në të majtë Liberalët dhe Popullorët në të djathtë.
Disa dëshmi që i shpëtuan censurës së gjysmëshekullit të para nëntëdhjetës dhe kanë mbërritur deri tani, thonë se tek grumbulli i deputetëve opozitarë kishte një heshtje të çuditshme, një si ankth pritjeje. Ata zakonisht qenë të potershëm.
Mes zhurrmërimës së përgjithshme e në pritje të vinin antarët e qeverisë dhe vetë kryeministri Ahmet Zogu, e pas kësaj seanca parlamentare të niste, u dëgjuan tre krisma të shurdhëta. Disa nga asambleistët nxorën koburet, ndërsa patën vrapuar pranë më të shumtëve të tyre, për t’i marrë në mbrojtje, truprojat personale.
Dy minuta më vonë kanatat e derës së sallës u hapën vrulltazi dhe në të u shfaq trupi shtatlartë i Ahmet Zogut. Qe shumë i zbehtë në fytyrë dhe mbi njërin krah e kofshë i dukeshin njolla gjaku. Përpiqej të ecte sikur nuk kishte marrë plagë, por këmbët nuk e mbanin mirë. Një çast u kthye nga salloni i jashtëm i parlamentit, nxori revolverin dhe me të shpejtë e zbrazi dy herë.
U duk qartë se nuk shënjoi kërkënd. Pastaj u kthye nga salla dhe mes një heshtjeje që ra si plumb, mundi të shkojë deri në presidium. U ul në vendin ku rrinin sekretarët. Prej plagës së kofshës në dysheme filluan t’i binin pika gjaku.
U kuptua menjëherë çfarë kishte ngjarë. Ahmet Zogu pas një çasti shqiptoi: “Mos u shqetësoni! Këto janë gjëra që ndodhin shpesh e kudo, edhe në shtetet më demokratike të Perëndimit. Unë jam mirë. Unë u lutem miqve të mi, ta peshojnë rastin me gjakftohtësi dhe pastaj të veprojnë\\\".
Kështu u kapërcye rreziku i përplasjes me armë në mes të parlamentit. Ai, e cili e pati qëlluar, Beqir Valteri pas pak u kap.
Në “Kujtimet e një firmëtari” Hajredin Cakrani e pasqyron kështu këtë moment: “Si e qysh e bënë e dinë ata vetë, po s’kishin filluarë mirë nga puntë aty nga fundi i shkurtit, kur erdh’ për në parlament Amet Beu si kryeministër, këta që i kishin marrë dorën me të vrarë, vunë një njeri që u habimë të tërë! Ishte një djalë që u tha se e kishte çuar përjashta të mësojë vetë Amet Beu a familja e tij dhe ky t’a vrasë? Shkurt, matjani qëlloi matjanë me kobure kur hyn më parlament dhe Amet Beu që e muarr’ plumbat më këmbë e më krahë j’u vërsul, si nxorri koburen e tij! Po tjatri j’a hodhi duke u futur më halenë aty prapa dhe rojet që u shkoi nënë hundë s’e dojin veten e po e qëllojin, po dhe ai ja këthente nga brënda me plumba dhe me këngë. Amet Beu vetë ishte po ai që po loste këtë radhë me vdekjen, hyri më sallë, si i lidhi plagëtë u ul dhe u foli këtyrej të tërëve, se bëjnë vaki edhe të tilla gjëra!”
Shkruan Hajredin Cakrani: “...kur pasdarke fap një tufë nga këta demokratë dhe jo për atë që ngjau po copë: -Ajo që ngjau, dëfton se populli nuk të do dhe ajo dorë e popullit, nuk të fal! -Unë e di kush dorë është ajo, ndaj mos e ngatërroni popullin e shkretë, ja kish këthyer Amet Beu. Kur j’a pret libohoviti, Avni Rustemë se, ajo dorë duhet t’a dish mirë se nuk gabon, ndaj hiq dorë se mileti nuk të do dhe pikë!
Më në siklet se mund të jetë vënë Amet Beu nukë bëhet dotë hesap! Dhe kush, ai që kishte vrarë ata që i kishin shkelur më kallo kollajë fare! Nashti duhej të bëjë atë punë me dorë të botës. Ndaj që aty them unë atijë i ka hipur një mëndje, nga që i kishte zët këta shqipëtartë që i prenë udhnë. Dhe po shqiptarçe do t’i ç’katërrojë e do t’i ç’dukë, të mos i mbinë më nëpër këmbë! Për këtë gjë duket, i kanë dhënë mëndje të tjera për për t’a bërë më vonë”.
Ndërkaq pas këtij atentati Zogu dha dorëheqjen dhe frenat ia dha krushkut të tij Shefqet bej Verlaci.
Dy javë më pas, në 8 mars, drejtuesi i Legatës Shqiptare në kryeqytetin jugosllav, me gradë diplomatike dhe rang zyrtar Ministër, Ali Riza Kolonja, i nisi Tiranës informacionin e tij të plotë mujor. Mes shumë faqeve qenë edhe këto radhë: “Qeveri e Belgradit, në lidhje me demarshet e saj të mëparshme, bëri përsëri tashti përçapje të reja pranë Konferencës së Ambasadorëve për të dhënë pa vonim një vendim mbi pikat e kontestuara të kufirit shqipëtaro-jugosllav në Vermosh dhe Sh. Naum, që kur të arijë më 1 maj komisioni kufinor në Shqipëri të mos presë më kot, po të fillojë nga puna tue zbatuar në vent vendimin relatif të Konferencës”. Pak më tej: “U shkrua edhe këtu me një gazetë për oportunitetin e mbylljes së kufirit në liqen të Ohrit dhe ndalim eksportimi drithi në drejtim të Pogradecit, porse këto vende qenkeshin sheshuar gjoja çeta bullgare të rregulluara. Botimet në gazetën e këtushme “Politika” të letrave të korespodentit të saj z. Mill Jeliç, kur ishte në Tiranë, janë gjetur shumë të pëlqyera nga tërë populli këtu, se ato çkoqin mjaft mirë jeta e sotme politike dhe sociale në Shqipëri. Shqiptarët të ndodhur këtu për punë prej krahinës së Gorës-Lumë, lihen të punojnë dhe autoritetet e këtushme u kanë dhënë leje banimi të gjatë në Jugosllavi. Pasaportat dhe certifikatat e dhëna nga legata jonë deri tani nuk janë refuzuar nga policia serbe dhe çdo demarsh i kësaj legate në favor të shtetasve shqipëtarë është pritur mjaft mirë gjer tashti. Formimi i qeverisë së re shqiptare posa nuk ju komunikua kësaj Legate drejt prej asaj Ministerie, duhet me hollësi të na vijë, duke deklarur se dhe kabineti i Ahmet Zogut ashtu dhe ky i tanishëm ka për program forcimin e relacioneve të sinqerta me Jugosllavinë”.

Revolveri i tretë

Në 2 prill (1924) Ali Riza Kolonja e informonte ministrin e tij në Tiranë, Iljaz Vrioni se “S’është çudi dhe, që kjo gjendje e sotme precaire e Shqipërisë të gjykohet tepër e pëlqyeshme pa dhe të favorizohet e të yshqehet prej shteteve fqinjë me mënyra jo lehtë të kuptueshme. Kurse dihet që vetëm me vazhdimin e situatës së tillë e të kaosit në Shqipëri munt të ekzistonë shpresat për apetitet agresive të tyre”.
(Vrasja e dy amerikanëve ndodhi pas katër ditësh, në 6 prill, ora 4 e pasdites. Qe e diel. Në informacionin e Ministrit Fuqiplotë të Shqipërisë në kryeqytetin jugosllav, drejtuar Iljaz Vrionit, ndodhen edhe këto radhë: “Shtypi i Belgradit botoj vetëm si informatë vrasjen e dy amerikanëve në qarkun e Krujës, pa ndonjë komentar të dukur, tue e quajtur si një çështje ajdutërie).
Pas dy javësh, sërish e diel, 20 prill. Ora 16.30.
Duke kapërcyer një çast rrugën për të takuar deputetin e opozitës, Hoxhë Kadrinë, kur qenë jo më shumë se pesë metra larg njëri-tjetrit u dëgjua të krismë e thatë arme. Pastaj një tjetër, shumë e shpejtë. Avni Rustemi ra përdhe.
Në Spital jetoi edhe atë natë, edhe të nesërmen 21 prill, por pastaj u mbërthye nga një temperaturë e lartë. Kishte nisur një hemorragji pulmonare. Në mesditë të 22 prillit erdhi në prag të komës dhe dha shpirt në orën 14.30. Qe e martë.
Shkruan firmëtari i Pavarësisë Hajredin Cakrani: “Kështu si kish kaluarë ndonjë muaj Avni Rustemë e qëlluanë me kobure më brinjë dhe e plagosnë. Se ç’ndënji nja dy ditë ashtu dhe vdiq pastaj”.
Më tej: “Po këjo që ngjau erdhi si me porosi për këta që u zjente gjaku. Si dha shpyrt libohoviti e bënë në jetë t’a varrosin më Vlorë me të gjitha tertipet”. Më pas Hajredin Cakrani informon se turma e funeralësve u nis nga Tirana “për Vlorë me vapor, që s’mbante më shumë se tri-katër sahat. Kështu bënë e muartën arqen e libohovitit e hipnë në maqinë mes miletit mizëri, që bën vaki të ketë qënë aty dhe ai që e vrau, nga sejmenëtë e Osmën Balit. Se ai që vret thonë s’e zë gjumi dhe e ha lloia për vikthimënë e tija dhe nuk gjen paqe! Këta njers sikur të mundin, thonë, venë sahat e minut më atë vënd që ka bërë hatanë! Kështu e çuan më Durrës libohovitnë e që andej më Vlorë”,
Pas disa ditësh, në mëngjesin e 30 prillit, nga Legata e Shqipërisë në kryeqytetin e Jugosllavisë Ali Kolonja i nisi ministrit të Jashtëm një informacion të hollësishëm për gjendjen në vendin ku ishte akredituar. Mes të tjerash shkruante se “Relacionet e qeverisë së Belgradit me atë të Shqipërisë kanë qenë këta muaj si të ftohta. Mossinceriteja u çfaq për së pari së këtejmi me ndërrimin e kabinetit shqiptar dhe qeverija jugosllave, e cila edhe ashtu që më parë nuk kishte treguar miqësinë e duhur kundrejt Shqipërisë, tashti duket sikur zuri t’a pakësojë edhe më tepër normalitetin e përparshmë që po thua ekzistonte midis të dy shteteve; kjo provohet nga çdo lloj pengimi...që provokon. Gjer kur dhe sa mund të zgjerohen këto relacione dhe në çfarë forme tjetër mund të shfaqen nuk është e lehtë të japësh një përgjigje, mvaren nga shumë faktorë, q’i përkasin situatës së jashtme të Jugosllavisë, rregullimit të vijës kufinore dhe më tepër mbase prej situatës së brendshme të Shqipërisë, konsolidim i së cilës munt të influencojë shumë favorablë për jashtë”.
Në një fragment tjetër të raportit informativ nga Beogradi Ali Kolonja shkruan: “Sa për atentatin e Avni Rustemit shtypi i këtushëm e atribuoj vetëm një zakoni shqiptar i të marrit të gjakut nga ana e familjes së Esat Toptani”.
Por një thjesht gjakmarrje nuk mund të ndezë një turbullirë të madhe sociale dhe aq më tepër një “revolucion”, siç vetë Ahmet Zogu ia vuri ngjarjes për t’iu lehtësuar krahasimi me atë që kish shkaktuar në Rusi Vladimir Iliç Lenini ose Uljanovi, siç ia thotë emrin firmëtari i Pavarësisë Hajredin Cakrani.
Sidoqoftë ndryshimi kataklizmik i kahjes normale (me evolucion), i Shqipërisë, pati ndodhur. I quajturi revolucion me në krye Nolin justifikoi diktaturën e parë me Zogun. Pastaj vendin tonë të munduar më së shumti prej të vetëve, në 7 prill 1939 i ngjau kataklizma e dytë. Pushtimi fashist italo-gjerman ose diktatura e dytë, i hapi shteg të tretës, më të rëndës të parë ndonjëherë.
Çfarë nuk të sjell një revolver!

Ylli Polovina

Tiranë, më 15 prill 2018


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com