Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

KONFERENCA E PEZËS DHE ÇANTA E FRYRË E ENVER HOXHËS
1998, NJË SHTATOR SHQIPTAR ME TURBOREVOLUCION
PROJEKT-MONUMENTI I SKËNDERBEUT DHE SKULPTORËT “KËSHTJELLA”, “PUNA”, “GURI”, “SILVA”, “NJË NGA SHOKËT”
ME VARRE TË SHKULUR DHE ESHTRAT E TË ATIT NË NJË ARKË QË E MBAN ME VETE
SHPALLEN KULAKË, SHTËPITË U SEKUESTROHEN DHE BËHEN SPITAL PËR LEBROZËT
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

SKËNDERBEU ISHTE DISIDENT KUNDËR SULLTANIT SHUMË VITE MË PARË SE TË ÇLIRONTE KRUJËN


Shkrimi i tridhjetë e një i ciklit për Vitin e Skënderbeut

Pjesa e katërt

(Botuar në “Illyria” dhe “Ballkan”, më 2 dhe 3 maj 2018)

Në shkrimin e shkuar dhe më tej tij, duke ballafaquar pozitivisht këndinterpretimin e veprës historike të Skënderbeut nga Naim Frashëri dhe prej vëllait të tij, Samiut, si jo tërësisht të përputhshme, ravijëzuam dy ide: e para, që Gjergj Kastrioti në veprimin e tij të shkëputjes nga Sulltani dhe shërbimi ndaj Perandorisë Osmane si shtysë kryesore kishte çështjen e marrjes në pronave të familjes dhe e dyta, nuk ka pasur krim të helmimit të tre vëllezërve nga Porta e Lartë dhe se tërë kjo e pavërtetë është kryer për të djallëzuar pushtuesin, imazhi i të cilit duhej përkeqësuar edhe më për të nxitur gjatë Rilindjes Kombëtare luftën e armatosur kundër tij.
Duke i konsideruar këto dy teza pjesërisht të përdorura në mënyrë bindëse, duke shtuar në vijim edhe prova të tjera, do të përqendrohemi në një sajesë tjetër “patriotike” të figurës publike të Skënderbeut.
E parashtrojmë: Ai nuk ka qenë kurrë i mbyllur në oborrin e sulltan Muratit apo vetëm në trojet etnike turke.
Gjergj Kastrioti pas përfundimit të shkollës kualifikuese më të lartë të administratës osmane si edhe të armatës së saj, asaj të Iç-ogllanëve (jeniçerëve), është emëruar dhe ka punuar në territorin amtar për shumë vite. Pra nuk është reale në asnjë detaj ajo që rrëfen me vargje të ndezura për çlirim në poemën e tij “Istori e Skënderbeut”, Naim Frashëri. Sipas tij, por edhe rrëfyesve të tjerë të shumtë nëpër Evropë, deri edhe në filmin e vetëm që ne kemi për jetën dhe epopenë e Gjergj Kastriotit, nuk është dashur aspak të shkohej në Edrene e t’i bëhej ftesë për t’u rikthyer mes shqiptarëve dhe udhëhequr luftën e tyre për liri.
Skënderbeu ka qenë me kohë aty, madje në Krujë dhe përreth saj.
Mbështetur në kërkimet e historianëve tanë dhe dokumenteve të gjetur prej tyre, në 1426 ai ndodhej në Shqipëri, në pronat atërore, si oficer spahi (“sipahi” në gjuhën origjinale). Mosha e tij këto çaste është 22 vjeçare, pra sapo ka përfunduar shkollimin e lartë. Kjo do të thotë se Skënderbeu nuk është mbajtur në trupat e zgjedhura të Sulltanit, Jeniçerët, as në kavalerinë e Pallatit (kapikulu sipahi), por është dërguar në provincë si “timarli sipahi”, pra kalorës feudal terreni. Këta, në të vërtetë, përbënin masën më të madhe të kavalerisë osmane dhe konsideroheshin fisnikë të nivelit të ulët.
Mot pas moti ky 22 vjeçar, të cilit për cilësitë e larta të zgjuarsisë dhe të talentit ushtarak, kur u islamizua dhe në shkollë i qe dhënë emri Iskander (Aleksandër për të krishterët, në vlerësim të prijësit të famshëm maqedonas), bëri karrierë të patrazuar. Kështu ai u emërua nga Porta e Lartë si subash në Krujë, pra komandant i kësaj kështjelle. Kjo ndodhi në vitin 1437, me siguri nga që në maj të këtij viti i vdiq i ati, Gjoni, i cili e drejtonte shtetin e Kastriotëve si vasal i Sulltanit.
Një mot më vonë, në 1438, Gjergjin e larguan nga kjo detyrë, duke u ulur në rolin e një spahiu, por me timar (pronë) relativisht më të madhe se më parë. Shënojmë se në mars të këtij viti, 1438, i vëllai i madh Stanisha dhe vetë Gjergji, kërkuan të kishin statusin e qytetarisë së Republikës së Venedikut. E përfituan këtë, por është e qartë se të dy Kastriotët po lëviznin në drejtim të kundërt me çfarë do të pëlqente Sulltani. Kjo tregon se në motet 1438-1439 humori i mëparshëm i mirë mes Skënderbeut dhe Muratit II është e prishur. Ky i fundit tashmë e di që i krishteri Gjergj po kërkon t’i iki. Në vitet tridhjetë ai qe përballur me një mosbindje të madhe të shqiptarëve ndaj përpjekjeve të tij për t’i sunduar dhe se në fund të këtyre moteve pushtetin në ato vise e kishte të brishtë.
Nuk përbën asnjë të panjohur për historianët skënderologë dhe për këdo tjetër që e ndjek këtë dinamikë pa rënë në gropën e rrëfimeve romanticiste, që myslimani Skënderbe tashmë është hapët i prirur për aleancë me botën katolike të krishterë. Këta e regjistrojnë në kancelaritë e tyre vetëm si Gjergj, aspak siç e thërret Perandoria Osmane: Iskander.
Këtë këmbëngulje për t’u shkëputur nga Sulltani e dinë edhe në Portën e Lartë dhe nuk e llogarisin aspak si njeri të tyre. Ia ndjekin veprimet me shumë vëmendje dhe vigjilencë.
Periudha e “kolaboracionizmit” të Skënderbeut pati përfunduar.
Ca më tepër që timarli sipahiu Gjergj Kastrioti, ende në tokat përreth Krujës në fillim korrik 1439, bashkë me të vëllanë Stanisha, e përforcoi disidencën e tij me një kërkesë tjetër statusi qytetarie: asaj pranë Republikës së Raguzës (Dubrovniku i sotëm), qendër e madhe bankare e kohës.
Të dy këto qytetari atij dhe Stanishës (dy vëllezërit e tjerë nuk jetonin më) u duheshin për të kërkuar strehë mbrojtjeje në rast se osmanët i dëbonin nga pronat e tyre ose ua shkatërronin ato. Pse jo edhe në rastin kur ua shtetëzonin, siç edhe pak a shumë ndodhi dhe shkaktoi rebelimin total të Gjergjit në fundnëntor 1443.
Ndërkohë të mos harrojmë një fakt tjetër shumë të rëndësishëm të disidencës së hershme të Skënderbeut. Në vitet 1437-1438 kur qe i vlerësuar prej Sulltanit si subash i Krujës, i biri i princit tjetër arbëror, kushërit të tij, Teodor Muzakës, Jakupi, ishte në postin më të lartë të qeverimit të trojeve amtare. Ky qe kreu i Sanxhakut Arvanid (Shqiptar), me pak fjalë më i madh administrator i arbërve. Pikërisht këta të dy në këto dy mote kyç realizuan një veprimtari të qartë mospajtuese me Portën e Lartë. Ata ndërmorën me vendosmëri një shqiptarizim të administratës osmane në trojet e tyre, ç’ka ishte më tepër se vendosje e njerëzve të tyre.
Kjo në thelb qe një kryengritje.
Ata dy si më të spikaturit (sepse ky aksion pati dakordësim edhe me bij të tjerë princërish vendas, përfshi edhe dy djemtë e Gjergj Arianitit, të cilët nuk ia thoshin aq fort veprimit të shkathët politik), u përpoqën në 1437-1438 të bënin në një farë mënyre “çlirimin e Krujës”.
Pesë vite më parë nga sa ajo ndodhi realisht.
Atëherë Sulltani veproi me dorë të hekurt. Të parin largoi nga posti dhe vendlindja, Gjergj Kastriotin, me sa duket më të paepurin në përpjekjen për ta kthyer popullsinë arbëre në gjendjen e parapushtimit. Siç hamendësojnë studiuesit, duke mos ia ndeshur më pas vitit 1439 emrin në dokumentet e shkruara të Sanxhakut Arvanid, mendojnë se ai është transferuar në tokat bullgare (në Nikopolje). Një lloj internimi i butë ky. Iu hoq mundësia të qe afër me Krujën dhe pronat e tjera të familjes Kastrioti, të cilat akoma shtriheshin që prej bregut të detit Adriatik (skela e Shufadasë) deri në brendësi të Dibrës.
Po ashtu u degdis larg mundësive për të bashkërenduar veprime me dy republikat e fuqishme të krishtera, Venedikun dhe Raguzën dhe nëpërmjet tyre apo tërthorazi tyre edhe me Vatikanin.
U hoq edhe Jakup beu, duke emëruar në atë post të lartë turku Hadim Shehabedin, por kur ky u ngrit në nivelin e bejlerbeut (governatorit) të Rumelisë (Turqisë evropiane), Sulltani e risolli në 1441. I biri i Teodor Muzakës do të ishte më konformist me pushtetin e Muratit II dhe do të vdiste në luftë për zgjerimin e pushtimeve të Perandorisë Osmane. Kjo ndodhi në shtator 1442 në përleshje me armatën e krishterë të Janosh Huniadit.
Ndërkohë Gjergj Kastrioti jeton në truallin e largët të bullgarëve, por aspak në Edrene apo vend tjetër etnik turk. Vijon në “heshtjen” e tij dokumentare, por me siguri aspak reale. Nuk i ndahej synimit të tij: më së pari çështjes së rimarrjes së pronave atërore dhe për këtë këmbëngulje kishte edhe mbështetjen e të vëllait Stanisha, edhe ai funksionar modest i Perandorisë.
Me siguri që të dy vetëm prisnin rastin kur rrethanat do t’i ndihmonin.
Ndërkaq nuk i kishin këputur lidhjet me princërit e tjerë arbërorë, por forcuar, bashkërenduar. Pas asaj të viteve tridhjetë, tema e një kryengritjeje tjetër kundër Portës së Lartë nuk ka pushuar kurrë së foluri dhe organizuari.
Prandaj nuk ishte Gjergj Kastrioti, siç e përshkruan Naim Frashëri tek “Istori e Skënderbeut”, një “pëllumb i shkruar” që u shfaq tek portat e Krujës si shpëtimtar hyjnor. “Lirinë nuk ua solla unë, por e gjeta mes jush”, do t’u thoshte Kastrioti me prestigjin e Aleksandrit të Madh, sipas Marin Barletit, bashketnikëve në 28 nëntor 1443.
Ndërkohë prapa tij dhe nxitjes për rikryengritje qëndronte Venediku, të cilës i interesonte shumë që shqiptarët të derdhnin sa më shumë gjak, lumë gjaku mundësisht, për të mirën e shpëtimit të saj nga revanshi i osmanëve.
Në këtë mes çështja e lirisë është më shumë një shpikje propagandistike, por për këtë do të flasim kur t’i vijë radha mes disa mitizimeve që i janë bërë Skënderbeut për ta mbajtur shpatë të mprehur kundër gjysmëhënës turke.

(Vijon)

Ylli Polovina

Tiranë, më 30 prill 2018

Fotot ilustruese:
01.Sulltani Murati II
02. Ballkani në vitet 1430-1440
03. Pamje e përfytyruar e Skënderbeut në moshën rreth 35-40 viteve.


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com