Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

AHMET ZOGU E FSHEH IMAZHIN E SKËNDERBEUT, ENVER HOXHA E NXJERR NË PAH, Pjesa e parë


(Botuar në “Illyria” në 17 maj 2018)

(Shkrimi i tridhjetë e dy i ciklit për Vitin e Skënderbeut)
Për tre numra rresht po e ndërpresim temën e mospërputhjes së interpretimit të Skënderbeut prej Naim Frashërit dhe vëllait të tij enciklopedist Sami, për t’iu përkushtuar një ngjarjeje që ndodhi ndërkaq në Tiranë.
Në 5 maj, pikërisht në Ditën e Dëshmorëve, e cila si përherë në Tiranë tërhoqi vëllimin më të madh të debatit politik, për pasojë edhe të vëmendjes publike, pulla shqiptare ka festën e saj.
Këtë vit, 2018, kishte jubileun e 105-të.
Nën kujdesin e Administratorit të Përgjithshëm të Postës Shqiptare, Laert Duraj dhe me prani të Kryetarit të Degës së Filatelisë dhe Pullës, Romir Nelo, në katin e parë të Muzeut Historik Kombëtar, në sallonin e madh menjëherë pas hyrjes ballore, u çel një ekspozitë.
Mes risive të paraqitura aty, si të ishte “qershia mbi tortë”, ndodhej edhe një portret i Skënderbeut i punuar në sixhade nga artizanet e Kukësit.
Kjo është edhe pamja e pullës së parë shqiptare, “pionierja”.
Ndërkaq mes disa botimeve ndodhej edhe një katalog (album shumë cilësor) me titull “Gjergj Kastriot Skënderbeu në pullat shqiptare 1913-2017”.
Autor i këtij botimi qe studiuesi dhe koleksionisti Hysen Dizdari, person nxitës dhe sponsor edhe i thurrjes së jashtëzakonshme të pullës së parë shqiptare në sixhade.


Para se të publikonte këtë katalog studimor Dizdari ka krijuar edhe një të mëparshëm për pasqyrimin e florës dhe faunës shqiptare në pullën kombëtare. Po ta shohësh këtë botim mrekullohesh nga mundësia e madhe që të jep filatelia për të përshkruar saktë dhe përhapur me efektshmëri historinë tonë nacionale, veçanërisht për të edukuar me atdhedashuri brezat e rinj të shqiptarëve.
Këtë ndjesi e ke në çdo veprimtari dhe publikim të koleksionistëve tanë. Pasioni i tyre mbetet një prijës në kombëtarizëm.
Dhe të ndodhin çudira, siç është kjo që po e theksojmë këto çaste: koleksionisti i pullës, i kartolinës dhe i fotove apo edhe i hartave, i medaljeve gjithashtu, shpesh ia kalon për atdhedashuri reale edhe atyre politikanëve që ia kanë dalë në viset tona të bëhen numri një i pushtetit.
Pikërisht për këtë arsye temën e këtij shkrimi në të tre edicionet e gazetës “Illyria” do ta ngasim në këtë shteg. Po e shkëputim fragmentin ngacmues prej vetë katalogut të Gjergj Kastriotit në pullën tonë, histori e studiuar nga Hysen Dizdari që prej motit 1913 e deri një vit më parë.
Shkruan ai në faqen 30 të albumit të tij: “Gjatë viteve të qeverisjes së Monarkisë Shqiptare, figura e Skënderbeut pothuaj u harrua. Në historinë e pullës shqiptare gjatë 14 viteve të sundimit të Monarkisë Shqiptare janë emetuar 12 emisione me pulla, të cilat kanë vetëm portretin e A. Zogut dhe asnjë emision të veçantë kushtuar Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut”.
Këtë të vërtetë autori pa ndonjë prirje për të bërë ndonjë diferencim politik mes ish-monarkut dhe drejtuesve të tjerë të Shqipërisë, pra “indiferent” në këtë anë, por thjesht duke e pasqyruar realisht kronikën e pullës kombëtare, në dy faqe përshkruan emisionin e parë të kryer nga Zogu.
Ai daton 26 nëntorin e motit 1937, pra pas trembëdhjetë vitesh qeverisje dhe më pak se dy të tillë para se trupat pushtuese fashiste italiane ta shtrëngonin të largohej nga vendi dhe froni.
Hysen Dizdari shpjegon se ky emision me nëntë pulla doli në qarkullim me rastin e 25-vjetorit të shpalljes së pavarësisë. Ai, referuar studiuesit Shefik Osmani, thekson se ato “paraqesin në mënyrë simbolike siluetën e heroit tonë kombëtar, kalin, shpatën dhe flamurin me shqiponjë, pra, simbole kryesore të Skënderbeut”. Po ashtu emisioni ka edhe pulla me pamjen e një shqiponje të lirë gati në fluturim.
Dizdari informon se autori i bocetit të këtij emisioni ka qënë arkitekti i njohur Qemal Butka.
E theksojmë: pullat nuk kanë asnjë pamje të bustit apo fytyrës së Skënderbeut. Silueta që duket në skaj është një hije e përgjysmuar trupi njerëzor, asgjë më tepër.
Emisionin e dytë Ahmet Zogu e ka lejuar të bëhet publike në 30 gusht 1938. Sqaron me këtë rast koleksionisti dhe studiuesi Hysen Dizdari: “Më 1 shtator 1938, me rastin e 10-vjetorit të Monarkisë Shqiptare, doli në qarkullim një emision i përbërë nga tetë pulla me vlera të ndryshme monetare. Dy pulla të këtij emisioni...kanë të vendosur në sfond në pjesën qëndrore, simbolet kryesore të Heroit tonë Kombëtar-përkrenarja, shpata e Skënderbeut dhe shqiponjën dykrenare”.
Theksojmë sërish me këtë rast të dytë: nuk paraqitet asnjë imazh i vetë Gjergj Kastriotit.
Këtu nis e mbaron tërë kontributi i Ahmet Zogut për të përhapur dhe popullarizuar jo vetëm brenda vendit, por sidomos jashtë tij, rol ky i pullave dhe i shërbimit postar, i figurës dhe sidomos imazhit të Skënderbeut. Këtë monopol ia kishte dhënë vetes, pamjeve të tij në 10 nga 12 emisione të prodhuara dhe të vëna në përdorim.
Zogu ishte drejtues i një shteti të mirorganizuar, meritë kryesore edhe e tij, shumë më të fortë nga çastet e para të pavarësimit, kur qeveria e Ismail Qemalit nuk mundi të vinte nën kontroll as një të katërtën e trojeve etnike. Megjithatë kjo e fundit emisionin e parë, siç e ilustron me pamje cilësore katalogu i Hysen Dizdarit, e shpërndau në 1 dhjetor 1913.
Ishte në të tërë sipërfaqen e saj portreti i Skënderbeut. Shkruhej sipër “Shqipënia e lirë” dhe poshtë portretit emri “Gjergj Kastrioti”. Studiuesi Dizdari referuar Shefik Osmanit në tekstin shoqërues të këtij emisioni me 6 pulla, mëshon këto fjalë: “Ky portret është madhështor, tërheqës, i bukur nga ana artistike dhe përbën një nga portretet më të arrira, ndaj ka tërhequr interesin e artistëve shqiptarë dhe atyre të huaj”.
“Në datat 21-24 shkurt të vitit 1914, shkruan Hysen Dizdari, u emetua një seri pullash me mbishtypje. Për emetimin e kësaj serie, si bazë u përdor pulla me portretin e Skënderbeut, emetur në 1 dhjetor 1913.
Emisioni i tretë u krye në 7 mars 1914, në ditë ardhjen e Princ Vidit në Durrës. Sërish është pamja e plotë dhe sugjestionuese e Skënderbeut, ajo e pullës mëmë të 1 dhjetorit 1913, e cila mendohet të jetë krijim i piktorit nga Praga Hainrik Kauç (Heinrich Kautch).
Emisioni i katërt i pullës kombëtare është kryer në 2 prill 1914. Përsëri ai portret i plotë dhe madhështor i Gjergj Kastriotit. Kjo përsëritet më 16 prill të po këtij viti. Njëlloj edhe në 19 mars 1915, po ashtu në 12 shkurt 1919.
Pulla e qeverisë së dalë nga Kongresi i Lushnjës, emisioni i tetë, 1 prill 1920, ka në qendër shqiponjën dykrerëshe dhe në mes të saj, në trup, portretin shumë të qartë vizualisht të Skënderbeut.
Kjo pamje u përsërit në 6 prill 1921.
Shkruan më pas Hysen Dizdari: “Më 6 janar 1922, Drejtoria e Përgjithshme e Postë Telegrafave emetoi një emision pullash me pamje të ndryshme të kalave të vjetra shqiptare të kohës së Skënderbeut”.
Që prej këtij çasti shfaqja e pamjes apo e temës së Skënderbeut pushon, duke rivazhduar në parim me atë 26 nëntorit 1937. Pra, ka 15 mote ndërprerje nga tradita e saj tepër e qartë në favor të popullarizimit të tij prej qeverisë së Ismail Qemalit, Princ Vidit, asaj të Lushnjës dhe tërë katër viteve të pluralizmit të parë.
Kjo e fundit është edhe periudha kur Ahmet Zogu, përveç se pas 1924 si president dhe pastaj mbret, në shumicën e kohës para të quajturit revolucion të qershorit, është kryeministër.
Edhe Fan Noli qe në krye të shtetit shqiptar, i ardhur në mënyrë disi anormale, por qëndroi në këtë post vetëm gjashtë muaj. Për rrjedhojë nuk pati shumë mundësi për të emetuar ndonjë pullë me Gjergj Kastriotin, për të cilin që prej vitit 1921, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pati shkruar një libër, që rezulton edhe tani ndër më të mirët.
Gjithsesi para se të humbte në përleshjen ushtarake me Ahmet Zogun, nga 8 nëntori deri në 18 dhjetor 1924, Ministria e Punëve të Jashtme e kabinetit të tij pati korrespondencë me Vjenën për të realizuar marrjen e armëve të Skënderbeut nga muzeumi i saj.
Ishte një përpjekje e tij e nismuar që prej motit 1922 dhe në këtë cikël për 550 vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit do të na jepet patjetër një rast për ta përshkruar hollësisht.
Duhet mëshuar se Faik Konica dhe Fan Noli janë ndër kontribuesit më cilësorë e më të mëdhenj të Rilindjes Shqiptare në promovimin e popullarizimin e Skënderbeut. Ata bëjnë gjithçka për përhapjen e imazhit të tij.
Por rikthehemi tek Ahmet Zogu dhe përdorimi i skajshëm politik që ai i bëri karrierës dhe imazhit të vetvetes duke e rafinuar këtë njëanshmëri egoiste me një mënyrë tepër dinake. Ai i mori Gjergj Kastriotit jo simbolin e pamjes, e cila është tepër shprehëse, shumë burrërore dhe inkurajuese dhe frymëzuese për luftë lirie dhe çdo trimërim kombëtar. Ahmet Zogu shkëputi prej Skënderbeut vetëm pamjen e kaskës.
Këtë e vendosi tek shenjat e tij shtetërore dhe mbretërore. Pothuaj e personalizoi.
Mbetet si e parë kjo arsye përse kur 3 dhjetor 1925, një vit pasi kishte rimarë në Tiranë pushtetin, Zogu shpalli krijimin e dy urdhërave të lartë.
I pari qe “Kolieri i Shqipnis”, i njohur edhe si “Kolieri i Nderit i Shqipërisë”. Qe një urdhër tepër i zgjedhur dhe selektiv, me një klasë. I jepej vetëm atij, Ahmet Zogut, princit pasardhës, monarkëve të tjerë ose kryetarëve të shteteve. Zogu këtë superurdhër ia pati dhënë Mbretit Faruk të Egjiptit dhe po ashtu Mbretit Albert të Belgjikës.
Po këtë ditë të 3 dhjetorit 1925 u shpall edhe “Urdhri i Skënderbeut”.
Ishte me tri klasa: kalorës, oficer dhe komandar. Njëkohësisht kishte edhe dy rangje: oficer i madh dhe kordon i madh me yll.
Ky i fundit i rezervohej personaliteteve te shquara shqiptare e të huaja, por numri i vendasve që mund ta merrte këtë urdhër të rëndësishëm qe vetëm 40.
Dy urdhërat e tjerë zogollianë, të mëpasshëm, ishin ai i Besës dhe i Trimërisë.
Duke e përcaktuar “Urdhërin e Skënderbeut” si të dytin, pra jo më të lartin në hierarkinë e nderimit, edhe pse në 3 dhjetor 1925 Ahmet Zogu i miratoi që të dy, thuhet se kronologjikisht, çështje pak orësh, mendohet se i pari në kohë burokratike ishte ai i Gjergj Kastriotit. Ndërkaq një e dhënë zyrtare ngul këmbë që distanca e përfilljes së emrit të Skënderbeut mbi atë të Ahmet Zogut është më e vjetër: gati pesëmbëdhjetë ditore nga “Kolieri...”. Statuti për themelimin e urdhërit të Skënderbeut u miratua në 20 nëntor të atij viti.
Por një gjë është e sigurt dhe e patundshme: Arkiva e Shtetit Shqiptar (fondi i qeverisë) ka të dhënuar se “Statuti për Urdhërin e Skënder Beut” është bërë i ditur në “Fletoren Zyrtare nr. 88, e enjte, 10 dhetuer 1905, f.7”.
Ndërkohë po shtojmë edhe një hollësi tjetër: tek këto Urdhëra me emrin e tij, siç i shihni në fotot bashkëngjitur këtij shkrimi, nuk ka asnjë shenjë të pamjes së Skënderbeut.

(Vijon)

Ylli Polovina

Tiranë, më 15 maj 2018










Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com