Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Miresia me te cilen shqiptaret rrethuan Kastriotet

Korrieri, 3 dhjetor 2004

Familja Kastrioti u largua nga Shqipëria në mbrëmjen e 28 nentorit. Iku nga porti i Durrësit, aty ku edhe në mëngjezin e 25 nentorit kishte hyrë. Nga organizatorët u përdor udhëtimi me traget për të shfrytëzuar maksimalisht katër ditët e punës. Dy prej tyre u konsumuan në Tiranë, e treta në Berat, e katërta dhe e fundit, finalja, në Krujë, në kryeqytetin e stërgjyshit të tyre. Ndërsa ishim në brendësi të portit dhe në sfond vagëllonin kurorat e dritave të anijes së pasagjerëve \\\"Adriatika\\\", një prej miqve të ardhur përsëriti edhe njëherë tjetër atë që poeti Visar Zhiti e kishte ravijëzuar me finesë në pritjen që Kastriotëve u bëri në Muzeun \\\"Gjergj Kastrioti Skenderbeu\\\" të Krujës kryetari i bashkisë së qytetit, Selami Dane: është një simbolikë e bukur që pasardhësit e Heroit tonë Kombëtar hyjnë në këtë kështjellë më 28 nentor, ditën që afro gjashtë shekuj më parë Skenderbeu ngriti flamurin arbëror. Porse në të vërtetë gjithçka ishte organizuar që më parë saktësisht për të ndodhur pikërisht kështu. Vizita private e familjes italiane Kastriota Skanderbeg u projektua të pasuronte modestisht gëzimin kombëtar të festës së shpalljes së pavarësisë, Ditën e Flamurit. Gjatë gjithë historisë së tyre të vështirë shqiptarët ishin munduar ta mbanin të pashlyer në kujtesë ditën e shenjtë skenderbegase të 28 nentorit, për ta ringjallur atë më 1912, kur mëvetësuan shtetin e tyre. Në këtë traditë funksionoi edhe organizimi i vizitës së tre italianëve me gjakun e pashprishur arbëror.
Ajo gjer në çastin e fundit shkoi shumë mirë, pa asnjë ngjarje të papëlqyer. Nuk mund t’i japim rendësi çfarë u dërdëlliti atyre një mbrëmje një i moshuar në Hotel Rogner, duke kembëngulur se Skenderbeu ishte një figureë e fryer nga propaganda nacionaliste. Duhet lënë mënjanë edhe ajo shaka banale e disa të rinjve poshtë malit të Krujës tek hodhën e shpërthyen kapsolle të fuqishme poshtë njërës prej dy makinave tona. Apo përse na kreu ndalim një postobllok policor në të hyrë të Durrësit dhe menjëherë na lejoi të vazhdonim rrugën. Apo përse duhej ai \\\"rregulli\\\" i ftohtë në të gjithë labirinthin e hyrjes e të shërbimeve në portin e trageteve, në largimin e Kastriotëve, kur një polic tjetër, dy ditë më parë, tek i njëjti vend i nderoi dhe u kapi me dashuri duart.
Ajo që u vu re dhe dëshirojmë ta ritheksojmë publikisht nëpërmjet këtij shkrimi, është mikpritja fisnike që iu bë Kastriotëve dhe ngrohtësia me të cilën ata u rrethuan kudo ku shkuan. E shprehim këtë mirënjohje jo vetëm nga që prej bashkëkombasve u manifestua një edukatë e lartë qytetare, por edhe sepse kjo vizitë realisht mbartëte disa pika \\\"të dobëta\\\", ku mund të kanosej dhe rënohej fare lehtësisht. Ngutja e një ftese për të vizituar Shqipërinë do të kishte përbërë, më së pari, veprën më të pakëshilluar. Do të kishte qënë që në krye vetëm një spektakël, një shpërdorim. Për ata që do të vinin në Shqipëri, po ashtu edhe për organizatorët. Ja përse i gjithë ky \\\"operacion\\\" zgjati më tepër se tre vjet dhe sqaroi gjithçka që mund ta kompromentonte.
Ai nisi kur në mes të vitit 2000 Xhenaro Françone, gjykatës i njohur në Romë dhe shkrimtar po aq emërspikatur, nëpërmjet botuesit të tij Konstanco D’Agostino, do të na kërkonte të dhëna për një libër rreth Skenderbeut. D’Agostino kishte nisur një kolanë me figurat më të ndritura të Rilindjes Evropiane dhe sapo kishte mbaruar librin e parë kushtuar princit rumun Vlad Tepes, të thirrur ndryshe edhe Domine Dracula. I dyti do të ishte arbërori Gjergj Kastrioti. Duke qënë se botimi në italisht i një libri për Gjergj Kastriotin, \\\"mbrojtësin e patundur të Krishtërimit dhe të Evropës\\\", do t’i shërbente jo pak përpjekjes sonë kombëtare për t’u integruar në Bashkimin Evropian, menjëherë në dispocion të Xhenaro Françones u vu një bibliografi e tërë, duke filluar nga Marin Barleti e përfunduar me kryeveprat historiko-letrare \\\"Kështjella\\\" e Ismail Kadaresë dhe \\\"Skenderbeu\\\" i Sabri Godos. Ndërkohë autori u ngul në sallat e Bibliotekës Kombëtare në Romë. Kur libri, tashmë nën titullin provizor \\\"Skenderbeu, një hero multimedial\\\", kishte përfunduar si dorë e parë, e publikuam ngjarjen në një \\\"speciale\\\" të të një të përditshmeje shqiptare. Ndërkohë kishte përfunduar po ashtu edhe një proçes i tërë verifikimi historik i degës pulieze të familjes Kastrioti. Kastriotët falsë kishin bërë ligjin e manipuluar pambarimisht kujtesën e shqiptarëve, sidomos gjatë periudhës kur Shqipëria u bë shtet i mëvetësishëm dhe nevojat e ditës së qeverisësve të kohës nuk kishin aq shumë hall vërtetësinë historike se sa vetëm imazhin imediat politik.
Kur libri i ardhshëm kapërxeu dorën e dytë dhe piktorja italiane Pamela Erinxhi përfundoi restaurimin e një kopjeje të një pikture rembradiane me portretin e Skenderbeut, Visar Zhiti publikoi dy faqe speciale në gazetën \\\"Korrieri\\\". Që prej këtij çasti në adresë të botuesit dhe autorit ranë shumë telefona, mes tyre edhe i radiologut të njohur Alessandro Castriota Skanderbeg. Po ashtu një ekip i një televizioni shqiptar nga Shkupi fluturoi për në Itali. Kur libri pritej të futej në shtypshkronjë autori i këtyre rradhëve mori përsipër të plotësonte një dëshirë të botuesit italian: në hyrje të ishin edhe dy-tre rradhë nga Presidenti Alfred Moisiu. Dorëshkrimi i librit tashmë me titullin përfundimtar \\\"Gjergj Kastrioti Skenderbeu, një hero modern\\\", iu dorëzua njërit prej këshilltarëve të Kryetarit të Shtetit. Për rrethana jo fort të qarta, por me sa duket jo për mungesë dëshire, boceti dhe propozimi për dy muaj rresht nuk mori asnjë përgjigje. Atëhere nevojës urgjente të një hyrjeje iu përgjegjën vëllezërit Alesandro dhe Xhulio Skanderbeg. Aty edhe shpjeguan lajtmotimin e rizgjimit të tyre: \\\"Libri i Françones\\\" vjen në një moment delikat kur \\\"Vendi i Shqiponjave\\\" troket në dyert e Evropës me shpresë për të gjetur atje mendje e dëshira që ia çmojnë kontributin që ka dhënë për të, i udhëhequr nga Skenderbeu…\\\". Kur libri doli në treg një \\\"speciale\\\" tjetër tek \\\"Korrieri\\\", e përkthyer më pas në italisht e shpëndarë në internet, çoi më tej popullarizimin e degës së Pulias të familjes Kastrioti. Paralelisht me shpëndarjen e disa kopjeve të librit \\\"Skenderbeu, një hero modern\\\" për përfaqësuesit kryesorë të Shtetit shqiptar, klasës së tij politike dhe elitës intelektuale, në shtypin tonë organizatorët publikuan edhe dy speciale të tjera. Me ndihmën e Ambasadës në Romë u nxit bashkëpunimi i Qendrës Kuruese \\\"Santa Lucia\\\" të Romës, ku Alessandro ishte një nga drejtuesit, me një spital në Tiranë. Po ashtu në mjediset e kësaj ambasade në fund të vitit 2003 u bë prezantimi i librit. Për prezantimin e tij në Tiranë u kërkua kohë e mjaftueshme që opinioni të ishte aq i informuar saqë të mos ndodhte asnjë keqkuptim. Vetëm në fund të këtij nentori, pas afro tre vitesh përkujdesjeje mediatike, familja italiane Kastrioti Skanderbeg mundi të zbriste publikisht në truallin e stërgjyshit të tyre. Më 1992 Paola Kastriota Skanderbeg, avokate, kishte ardhur në Shqipëri inkonjito. Më 2003 po ashtu inkonjito Tiranën dhe Krujën e kishte vizituar edhe vëllai i saj, gjykatësi Xhulio. Alesandro, i treti i tyre, nuk mund e nuk duhej të vinte fshehurazi. Ata kishin vetëm mall për tokën e të parëve të tyre dhe nuk kërkonin asgjë tjetër. Që në mes të vitit 2003 këtë kredo të tyre jashtë çdo nënteksti politik apo pretendimi pronësor e shpallën në një intervistë të gjatë në internet.
Kështu në mëngjezin e 25 nentorit 2004 vizita private e familjes Kastrioti nisi udhën e vet dhe një protokoll takimesh me përfaqësues të botës shkencore si edhe vizitat në Berat e Krujë do ta mbanin \\\"të shtrenguar\\\" rreptë jashtë çdo shpërdorimi dhe keqkuptimi. Ngjarja më e brishtë paraqitej konferenca e domosdoshme për shtyp, ku edhe Dr. Moikom Zeqo mori përsipër prezantimin për herë të parë në Shqipëri të librit \\\"Skenderbeu, një hero modern\\\" Tre ditë më parë se të ndodhte ky takim me shtypin nga një redaksi televizioni pyetën mos të ardhurit ishin Kastriotë falsë, kurse nga një zyrë gazete shprehën mërzinë për heshtjen e tyre ndërsa shqiptarët kishin hequr vështirësi të mëdha. Dy ditë para se të zbrisnin në portin e Durrësit Alesandro Kastriota Skanderbeg i dërgoi autorit të këtyre rradhëve një email, ku mes të tjerash i shkruante se bashkshortja e tij, belgia Caroline Tulkens, shfaqte ankthin se mos kanosej politikisht në Tiranë.
Por në konferencën e shtypit nuk ndodhi asgjë e pahijshme. Një shumicë e madhe gazetarësh treguan mirësjellje dhe interes profesionist. Niveli i lartë i mendimeve të shkembyera me Drejtorin e Arkivave të Shtetit, Prof. Shaban Sinani, i sugjestionoi. U lanë gjurmë të pashlyera muzeumet “Onufri” në Berat, ai “Gjergj Kastriot Skenderbeu” dhe Muzeu Etnografik në Krujë, tufat e luleve që u dhanë beratasit apo shpjegimi inteligjent që iu bë në muzeumet krutjane, kryetarët e bashkive të dy qyteteve, të cilët qendruan gjithë kohën me ta, artikujt e shumtë dhe specialet në edicionet informative të televizioneve. Një mirësi e përgjithshme e shqiptarëve i mbuloi tre Kastriotët. Sapo mbërritën në rezidencën e tyre në Leçe, në emër të të gjithë familjes, Alesandro dërgoi këtë mesazh: “Dëshiroj të shpreh mirënjohjen e thellë për ditët e mrekullueshme që kaluam në Shqipëri, ditë shumë të bukura që në kujtesën time do të ruhen përjetësisht. Më besoni, këto nuk janë fjalë të thëna formalisht. Ky udhëtim në Shqipëri ishte një ndër përvojat më të bukura që kemi patur në jetë, shpirtërisht më e pasura”.

Ylli Polovina




Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com