Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

ZOGU SI “NIP-STËRNIP I SKËNDERBEUT” Pjesa e dytë


Pjesa e dytë e “Ahmet Zogu e fsheh imazhin e Gjergj Kastriotit, Enver Hoxha e nxjerr në pah”.

(Botuar në “Illyria” në 23 maj 2018)

(Shkrimi i tridhjetë e tre i ciklit për Vitin e Skënderbeut)

Herën e shkuar rrëfyem se në datën 5 të këtij muaji, maj 2018, me rastin e 105 vjetorit të Pullës Shqiptare, në katin e parë të Muzeut Historik Kombëtar, me prani të Kryetarit të Degës së Filatelisë dhe Pullës, Romir Nelo Llukaçi, u çel një ekspozitë. Mes risive të paraqitura qe edhe një katalog cilësor me titullin “Gjergj Kastriot Skënderbeu në pullat shqiptare 1913-2017”. Autor i këtij botimi ishte studiuesi dhe koleksionisti Hysen Dizdari.
E informuam lexuesin ndërkohë që në faqen 30 të albumit të tij autori shkruante se “Gjatë viteve të qeverisjes së Monarkisë Shqiptare, figura e Skënderbeut pothuaj u harrua. Në historinë e pullës shqiptare gjatë 14 viteve të sundimit të Monarkisë Shqiptare janë emetuar 12 emisione me pulla, të cilat kanë vetëm portretin e A. Zogut dhe asnjë emision të veçantë kushtuar Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut”.
Theksuam me këtë rast se Hysen Dizdari në botimin e tij nuk ka prirje për të bërë ndonjë diferencim politik mes ish-monarkut dhe drejtuesve të tjerë të Shqipërisë. Ai thjesht përshkruan historinë e Pullës.
Pastaj në shkrimin e herës së shkuar paraqitëm disa prova të tjera të faktit që Ahmet Zogu e anashkaloi vërtetë paraqitjen e imazhit të Skënderbeut, çfarë qe në kundërshtim me domosdoshmërinë kombëtare jo vetëm për ta popullarizuar si kryehero dhe kështu plotësuar rrallësinë e përhapjes së shëmbullit të tij liridashës për shkak të censurimit pesëqindvjeçar osman që i ishte bërë, por edhe për nevoja të rritjes së frymës së sovranitetit nacional.
Po ashtu edhe të frymë proevropiane të popullit shqiptarm edhe në ato çaste një cilësi tepër e spikatshme për të forcuar raportet me demokracinë e kontinentit amë.
Por Ahmet Zogu i ardhur në pushtet në funddhjetor 1924 këtë mision, duke paramenduar me hollësi edhe projektin për t’u bërë mbret si edhe familja e tij trashëguese brez pas brezi pushtetin në Shqipëri, ia kishte dhënë vetes dhe imazhit të tij këtë ekskluzivitet.
Ka jo pak të dhëna që provojnë se ky kurs i tij ishte në kahje të kundërt me atë çfarë mendonin shqiptarët. Këta në mënyrë të palëkundur, siç kanë bërë në çdo kohë, të parë të tyre jetë e mot shpallin se kishin Gjergj Kastriotin.
Kështu kur Ahmet Zogu në ditët e fundit të vitit 1925 shpalli një aministi ndaj kundërshtarëve të tij politikë brenda vendit, por veçanërisht edhe atyre të ndodhur jashtë, më parë se ta sipërmerrte këtë gjest çtensionimi politik, në 3 dhjetor të këtij moti, mori si shtysë një telegram,
Qe nisur prej bashkëkombësve të emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga klubi \"Skënderbeg Athantio\".
Klubi patriotik i drejtohej Zogut nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm të Kryesisë së Republikës së Shqipërisë. Tema qe: “Mbi amnistinë e nënshtetasve që nuk paraqesin rrezik”.
Kjo kërkesë dhe njëkohësisht propozim kompromisi në të mirë të vendit iu përsërit Ahmet Zogut nga ky klub atdhetar edhe në 10 dhjetor. Personi që në atë telegram i mëshonte fort procesit të faljes shtetërore ndaj “ fajtorëve politikë që gjenden jashtë” quhej Faik Bregu.
Ky ishte i drejtpërdrejtë: kërkonte “amnisti për refugjatët”.
Dy vite më vonë, në qershor 1927, është Këshilli i Ministrave që nëpërmjet arkivit të saj na zbulon se gjithsesi Ahmet Zogu e ka përmendur emrin e Gjergj Kastriotit, por në një mënyrë disi të veçantë. Qeveria këtë kohë zhvilloi një korespodencë aktive me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Drejtorinë e Shëndetësisë “mbi largimin e kafshëve të kazermës \"Skënderbej\" jashtë qytetit të Tiranës. Kaq.
Këtë mot, 1927, emri i Skënderbeut në dosjet e shkruara të qeverisë me president të vendit Zogun, emrin e heroit kombëtar e pa të shumë admiruar edhe prej bashkëkombësve të emigruar në Bullgari. Kryeministria me këtë rast kreu një korrespondencë tjetër me Ministrinë e Arsimit me objekt: “Mbi shpenzimet e bëra për dhënien e mësimit të gjuhës shqipe në koloninë shqiptare \"Gjergj Kastrioti\" në Sofje”.
Por një muaj para se të ndodhnin që klubi me emrin e Skënderbeut në SHBA të propozonte shpalljen e një aministie politike dhe në Sofje shoqata me të njëjtin emër të nderuar të kishte sipërmarrë mësimin e gjuhës shqipe (dhe për këtë qeveria e Tiranës po e ndihmonte), në 29 nëntor 1927 në arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë një dokument dëshmon një shpërdorim të dukshëm të prestigjit historik të Skënderbeut për qëllime të pushtetit personal të Ahmet Zogut.
Konsulli ynë në Boston, Giorge N. Prifti, kur Mbretëria sapo pati festuar 25-vjetorin e Pavarësisë, i shkruante qendrës së vet në MPJ se ka në duar botimin e ilustruar të tekstit të “Marshit të Ahmet Zogut”, të publikuar cilësisht në Napoli prej një shtëpie botuese të këtij qyteti.
Mbi ballinë të kësaj broshure të vogël ishte një fotografi e madhe e Zogut, ai veshur me një kostum të pajisur me papijon, ndërsa mbante dorashka të bardha.
Që në fillim teksti i marshit shpjegonte se fjalët i kishte hartuar Kristo Floqi, kurse muzika qe krijuar nga Thoma Nasi.
Botimi cilësor në tre gjuhë, shqip, italisht dhe anglisht ishte kryer prej një shtëpie botuese muzikore napolitane, e cila në këtë qytet ndodhej në Piazza Dante, 3233.
Marshi i publikuar përbëhej nga katër strofa me tetë rradhë si edhe pas secilës prej tyre një refren i vargëzuar në katër rreshta.
Strofa e parë:
“Si shkëndi që lëshohet prej Diellit
Edhe tym edhe mjegull shpërndan,
Si rrufe që shkëputet prej Qiellit
E shkatrron edhe ndjek e përlan.
Si një Engjëll i naltë prej Zotit,
Si nji hyllë që zbret befas mbi dhe,
Ashtu zbriti n’Arbninë e Kastriotit,
Ashtu leu Ahmet Zogu për ne”.
Refreni:
“Rroftë Ahmet Zogu rroftë,
Shpëtimtari i Atdheut!
Brez pas brezit u kujtoftë
Nip-Stërnip i Skënderbeut”.
Strofa e dytë:
“Me vullnetin e madh të paprerë,
Me guxim, me durim, me urti,
Me një zemër bujare të gjerë
Dhe me plagë në dorë, në gji,
Me një etje të nxehtë, me shpresë,
Me kurajë të fortë dhe burrni,
Ahmet Zogu vendosi të vdesë
Për flamur dhe atdhe, për Shqipni!”
Refreni:
“Rroftë Ahmet Zogu rroftë,
Shpëtimtari i Atdheut!
Brez pas brezit u kujtoftë
Nip-Stërnip i Skënderbeut”.
Strofa e tretë:
“Udhëheqës i kombit të gratë
Që s’peshon as betejë, as rrezik,
Që iu ndodh atdheut si një shpatë,
Që u krasit nën çdo armik
Me vepra fisnike të gjalla
E nderove Shqipërinë njëmend,
Me virtute e ndjenja të rralla
Ja kushtove asaj të ritë tënd”.
Refreni
“Rroftë Ahmet Zogu rroftë,
...
Nip-Stërnip i Skënderbeut”.
Strofa e katërt:
“Shpëtimtar ty të qofshim falë
Që çdo shqiptar për ty hyun e lut,
Se në kaq furtunë e mal
Syri yt as u tremb, as u tut,
Ti që sot e shpëtove Shqipërinë
Brez pas brezi kujtimi yt për ne
Me kurorën me lul e dafinë
Si i dyti vërtet Skënderbe”,
Refreni:
“Rroftë Ahmet Zogu rroftë,
...
Nip-Stërnip i Skënderbeut”.
Ndërkaq konsulli Giorge N. Prifti që prej Bostonit i ngulte këmbë Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë se shqiptarët aty kërkonin copra muzikore të atdheut amtar (këngë, shënimi ynë) dhe se duhej t’i dërgonin të paktën pesëdhjetë copë marshe të Presidentit. ArgumentimI: “Jo vetëm se do t’i shesim, por do të mundim të bëjmë propagandë edhe në favor të rexhimit”.
Në këtë atmosferë kulti personal po afroheshin disa ngjarje të rëndësishme për karrierën e Ahmet Zogut, si edhe mundësi për ta përdorur veprën e Skënderbeut në favor të rritjes së prestigjit të tij.
Në këtë sfond ai e projektoi Gjergj Kastriotin si edhe më parë: pa fytyrë.
Në 1928 Zogu u shpall Mbret i Shqiptarëve. Tani i mungonte vetëm vendosja reale në kokë e përkrenares së Skënderbeut, imazhin e të cilës ai e kish përhapur fort posaçërisht. Ishte kujdesur që këtë “tas të Skënderbeut”, siç në gjuhën e popullit të thjeshtë emërtohej, njerëzit ta quanin “Kurorë”.
Në 24 shtator 1928 një fabrikë gjermane i drejtohej Konsullatës Shqiptare në Vjenë, duke e njoftuar se ishte gati për prodhimin e kopjeve të shpatës dhe të përkrenares së Skënderbeut që ruheshin në Muzeumin e qytetit të tyre.
Ndërkohë nga 28 tetori deri në 18 nëntor mes Kryeministrisë dhe Ministrisë së Oborrit Mbretëror u intensifikua një korrespodencë në lidhje me propozimin e një piktori italian për të përgatitur një film kinematografik rreth Skënderbeut”.
Sigurisht që ky nuk u bë. As u nxit.
Viti 1929 ka si tematikë të mbledhjeve qeveritare shitjen e dy vaporëve \"Shqipëria\" e \"Skënderbeg\". Po ashtu shtypjen e lekëve të rinj me kurorën e Skënderbeut, pra helmetën.
Në fundshtator 1930 Arkivi e Shtetit Shqiptar ka një projektdekret mbretëror dhe korrespondencë me Ministrinë e Arsimit etj., për blerjen e një kopje të helmetës së Skënderbeut.
Moti 1931 përfshin në dosjet e qeverisë “Korrespondencë me Ministrinë e Punëve të Jashtme mbi dekretimin nga ana e Mbretit të Shqipërisë për dekorimin e një shtetasi të huaj me dekoratën \" Kordon i Madh të Urdhërit të Skënderbeut \" si dhe mbi kërkesën e një personi për të mbajtur një dekoratë që ja ka dhënë Qeveria Çekosllavake, për shërbimin e tij pranë Konsullatës Çekosllavake në Selanik”.
Në 10 tetor 1932, referuar një vendimi të Mbretit porositen të gjitha ministritë dhe të tërë nëpunësit e shtetit për pjesëmarrje në kremtimin e ditëlindjes së Ahmet Zogut. Thuhej se me këtë rast do të kishte edhe një kortezh.
Në 5 nëntor 1932 bëhej e ditur se ditëlindja e Zogut qe festuar edhe në Kukës dhe se në qytet ishte përuruar një bust i tij. Nga ana e qeverisë në ceremoni pati folur Hil Mosi.
Dosjet e qeverisë mbretërore të Ahmet Zogut në vitin 1933 përmbajnë edhe një korrespondencë e Kryeministrisë me Ministrinë e Punëve të Brendshme mbi dekorimin e një zonje me dekoratën \"Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut\" dhe një mot më vonë “Korrespondencë e Kryeministrisë me Ministrinë e Punëve të Jashtme mbi akordimin e dekoratës \"Urdhëri i Skënderbeut etj. \" personaliteteve italiane dhe greke”.
Numrin e ardhshëm, në shkrimin e tretë e të fundit të tematikës së mësipërme, do të qëndrojmë shkurt tek disa pamje të përdorimit personal që Ahmet Zogu i ka bërë në pulla dhe përtej tyre figurës së Gjergj Kastriotit dhe do të përqendrohemi si u soll Enver Hoxha me kryeheroin nacional gjatë sundimit të tij të gjatë e të ashpër.
Ndërkohë e njoftojmë lexuesin se në Panairin e Librit që u mbajt në Tiranë nga Klik Ekspo Group prej datës 16 deri në 20 maj 2018, katalogu i studiuesit Hysen Dizdari “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Pullat Shqiptare” mori “Çertifikatë
Vlerësimi dhe Mirënjohjeje”.

(Vijon)

Ylli Polovina

Tiranë, më 22 maj 2018


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com