Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

PALLATI SKËNDERBE NË ROMË, HISTORIA E NJË INDIFERENCE SHTETËRORE
PËRMETIN KOMUNIZMI E SHPALLI “QYTET HERO”, POR A QENDRON?
STALIN-SKËNDERBE-ENVER
NEXHMIJE HOXHA NDËRMJETËSE PËR MONUMENTIN E STALINIT. I SKËNDERBEUT PRET
VJEN SOVJETIKU NIKOLLAJ VASILIEVIÇ TOMSKIJ
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

VRASJA E BAHRI OMARIT SI SHKALLË PUSHTETI PËR ENVER HOXHËN


(Botuar në “Gazeta Shqiptare” në 1 qershor 2018)

Biseda me Pëllumb Xhufin, edhe pse atmosfera përreth qe e ende e tejngarkuar me cifla të një polemike për çështje të disa hollësive rreth nivelit mundonjës të kampit të Tepelenës, ku të internuarit dhe të izoluarit nuk qenë burra (sepse burgu në fund të fundit për burrat është), por dhimbshëm vetëm gra dhe fëmijë, u përqendrua tek 1454 faqëshi i tij, libri “Arbërit e Jonit”.
Edicioni i parë kishte shterrur dhe shtëpia botuese “Onufri” sapo pati nxjerrë të dytin.
Në fakt para ngjarjesh të tilla, të cilat për fat të keq nuk depërtojnë deri tek fati i shndërimit në kryelajm, gjithçka tjetër, duke mos pasur asnjë të drejtë të sfumohet, gjithsesi të shtrëngon ta shohësh kohën e shqiptarëve në përmasën e të përbashkëtës, pse jo edhe të madhërishmes. Ca më shumë e përjeton këtë ndjenjë kur ke blerë dhe ke filluar ta shfletosh me padurim një kryevepër tjetër të albanologjisë tonë: “Fjalorin etimologjik” të Kolec Topallit. Janë 1983 faqe.
Një kolos tjetër i mendimit shkencor shqiptar, i cili për fat të keq në 24 maj të këtij viti, pas një sëmundjeje të rëndë, u nda prej familjes dhe tërë shqiptarëve, për historinë e rrënjëve të gjuhës së të cilëve shkroi.
Megjithatë kur me Pëllumb Xhufin bisedimi rreth arbërve të Jonit, pra historisë së trevave jugore të Shqipërisë në mesjetën e hershme, ku provat dokumentare për autoktonësinë e tyre në librin e tij janë vërshim lumi, i dhashë të drejtë vetes të “ngacmoj” edhe një temë tjetër.
Bëhej fjalë për Bahri Omarin. Pëllumb Xhufi ka bashkëshorte mbesën e tij, gjuhëtaren Anila.

Silueta gjoja e motrës së Enver Hoxhës në kthesën e rrugës “Broduej”

Mbetet një gjurmë e fortë në kujtesën time që kur në Tiranë isha student në Fakultetin e Gjuhë-Letërsisë (fundi i viteve gjashtëdhjetë), në qendër të qytetit, tek kthesa veriore e rrugës qarkulluese përreth Pallatit të Kulturës, të thirrur atë kohë nga rinia si “Broduej”, do të shihja vazhdimisht me kërshëri të ankthshme, një grua që rrinte pranë një peshoreje portative për kalimtarët. Shumë vonë, kur gjysmëshekulli i diktaturës së proletariatit qe tretur, do të merrja vesh se ajo grua shtatlartë dhe plot qëndrim “zonje”, kaq e ngjashme fizikisht me Enver Hoxhën, nuk qe e veja e Bahri Omarit, pra as e motra e Hoxhës, por një tiranase e thjeshtë.
Edhe pse tashmë e di fare mirë që ajo grua vërtet nuk ka asnjë lidhje gjenetike me çfarë atëherë përflitej dendur, siluetën e saj nuk e zboj dot nga mendja, madje nuk dua ta bëj këtë. Legjendën e saj turbulluese, por edhe mahnitëse, një triller, nuk e kishte krijuar ajo, por vetë historia. Patjetër si një mënyrë për ta mbajtur të gjallë Bahri Omarin, për t’ia refuzuar atij vdekjen e dhunshme dhe të pamerituar që pati. Ajo grua ishte imazh ngulmues tek çdo vetëdijë e jona që të mos e harrojmë kurrë.
Për autorin e këtyre rradhëve dënimi i tij me pushkatim dhe këmbëngulja për të mos u tërhequr nga vendimi gjyqësor i marrjes së jetës, përbën një nga intrigat dhe vrasjet shtetërore më të zeza të historisë tonë të shekullit të shkuar.
Këtë vrasje të paracaktuar, pra edhe shumë të pabesë, ia bëri i kunati, numri një i porsaardhur në poltron, Enver Hoxha.
Nuk mendoj aspak se prej kësaj vrasjeje ai nuk ka vuajtur shpirtërisht kur ajo ndodhi, por edhe nëpër dekadat e mëpastajme do ta ketë pasur brengë, fantazmë që i shfaqet ditënatë. Edhe tiranët vuajnë, por ndryshe nga të tjerët, ata që rrëmbejnë pushtet të pakufizuar, në emër të tij sakrifikojnë çdo gjë dhe për këtë arsye janë si bisha. Ushqehen edhe me gjak.

Janar 1984, Hoxhës nuk i dridhen duart

Takimin e parë me Enver Hoxhën Pëllumb Xhufi e pati kryer rreth fundit të vitit 1975, ndërsa i porsakthyer prej studimeve gjuhësore në Romë, bënte bashkë me të tjerë edhe përkthyesin e delegacioneve të huaja. Ai takim kishte qënë rutinë, në turmë, ai si një ndër më të shumtët. Posaçërisht për të Hoxha do të ishte në janar 1984. Në tetor të një viti më parë Pëllumb Xhufi qe martuar me Anilën dhe në dasmën e tij Enver Hoxha pati dërguar të dy djemtë me bashkëshortet. Tre muaj më vonë çiftit të ri i kishte bërë ftesë personale të vinte në shtëpi, vilën e tij në Bllok.
Në këtë takim sa familjar, por po aq edhe zyrtar, vajzën e të lidhurit fort me Lëvizjen Nacionalçlirimtare, Luan Omarit, birit të eksponentit ballist, Omarit, por njëkohësisht edhe mbesën e këtij të fundit, në fillim e priti Nexhmija. Enver Hoxha erdhi pas pak, duke zbritur nga kati i tretë, ku tha se kishte një dhomë me vatër e zjarr të ndezur, ndërsa herë pas herë i vinte djali i madh, Iliri, dhe ja merrnin të dy me zë të ulët ndonjë kënge labe.
Në takimin urues për martesën Hoxha la të kuptohej se i njihte mirë disa historianë bizantinë dhe madje i kishte lexuar. Pëllumb Xhufit i bëri përshtypje tjetër gjë: gjendja e tij shëndetësore. Qe mjaft e mirë, pa asnjë problem të dukshëm. Kur Enveri piu kafenë Xhufi vështroi enkas mos i dridhej dora. Asnjë grimë.
Më në fund pas dhjetë minutash nga ardhja Hoxha iku drejt këndit të tij të vilës dhe pas pak çastesh edhe çifti i ri do të ngrihej e largohej.
Herën e tretë Pëllumb Xhufi mundi ta shihte Enver Hoxhën si të gjithë, në ekranin e TVSH-së. Qe ceremonia zyrtare e 1 majit 1984. Në tribunë ai nuk do të ngrinte dot njërën dorë dhe i kishin vënë poltron të lartë për t’u ulur. Këmbët, pra, nuk e mbanin më. Shëndeti i tij dukej i rënuar krejt. Përmbysja në gjendjen fizike i pati ngjarë në vetëm më pak se katër muaj.

Fitimtarë sepse vrasin edhe kunatin

Hana Këlcyra, e bija e vetme e Ali Këlcyrës, ndërsa si edhe mediave, ja ka pohuar edhe personalisht autorit të këtij shkrimi, se para largimit të familjes së tyre nga Tirana për në veri, në shtator 1944, i ati i shkoi në shtëpi Bahriut dhe e pyeti çfarë do të bënte. Në fakt ato ditë po largoheshin nga kryeqyteti pothuaj të gjithë eksponentët e Ballit Kombëtar dhe të qeverive nën pushtimin italian dhe gjerman. Po ikte edhe vetë Mit’hat Frashëri.
“Rrugët e emigrimit nuk i marr më”, i qe përgjigjur Ali Këlcyrës Bahri Omari. “Po çfarë do të bësh?”. “Do të rri këtu”. “Bahri, ti je i kompromentuar me gjermanët, si do të rrish?”, pati këmbëngulur Aliu. Përgjigja kishte qenë kjo: “Unë kam fshehur Enver Hoxhën dhe ai më ka siguruar që pozitë nuk mund të siguroj në qeveri, por të rrish si privat mundesh”.
Në mbrëmjen e 16 prillit 1945, kur ndërkaq një grup shumë i madh i drejtuesve të BK pati kaluar detin dhe në bregun italian (qytetin e Barit) ishte izoluar nga britanikët, madje patën nisur edhe arrestime të tyre si të dyshuar për bashkëpunim me nazigjermanët, u zhvillua pjesa tjetër e ngjarjes. Hana Këlcyra ka pohuar saktësisht: “Po atë ditë që neve kemi qënë në kamp, dëgjonim radion. E kishim radion në tavolinë, kur dëgjuam se e pushkatuan. Dhe e marr me mend, babai mbushi sytë me lot. U ngrit nga tavolina. S\'kishte ku të shkonte se ishte në një kamp, por dy orë neve nuk e kemi parë. U shokua, sepse i vinte keq që u ndanë në atë mënyrë. E priste ta dënonin me burg të përjetshëm, një burg të rëndë, besoj që pushkatimin, jo. Më vonë kemi biseduar dhe unë ia kam thënë: Baba, këta fituan, edhe ti s\'do të fitoje kurrë”.
Pastaj Hana Këlcyra ka shtuar: “Unë jam e bindur që babai pati ide shume të mira, por nuk do të kishte sukses, sepse nuk kishte kurajë të merrte këto vendime që mori Enver Hoxha duke vrarë kunatin\".
Hana nuk mund ta dinte megjithatë, siç edhe nuk e dinin tërë shqiptarët, se kur Bahri Omari vendosi të mos ndiqte pas grupin e madh ballist të ikësve dhe ndërkaq që nëpërmjet një thirrjeje zyrtare të ardhësve në pushtet, por edhe personalisht, pati marrë garancinë nga Enver Hoxha të ruajtjes së jetës me kusht qëndrimin jashtë politikës, ky i fundit pati më pas një korrespondencë ndryshe me kreun partizan Dali Ndreu, të cilit i kunati i qe dorëzuar në besë.
Në radiogramin e 29 nëntorit 1944, pra në ditëçlirimin e Shqipërisë, Enver Hoxha i shkruante vartësit: “Për sa u përket Bahri Omarit me shokë mos qëndroni aspak në thirrjen e bamë veçanërisht. Ato hynë në kategorinë e horrave të tjerë. Enver”.
Pëllumb Xhufi në bisedën që bëmë, shton se në një nga këto radiograme në adresë të Dali Ndreut ka të shkruar me dorë prej vetë Hoxhës se premtimin e dhënë Bahriut mund tia mbanin në parim, por në asnjë mënyrë ai të mos i jepej me shkrim.
Në librin e tij me kujtime “Kur u hodhën themelet e Shqipërisë së re”, 1984, Enver Hoxha do të shkruante: “Që të vihej në vend dhe të realizohej drejtësia dhe hakmarrja popullore ndaj gjithë atyre që kishin lyer duart e tyre me gjakun e bijve më të mirë të vendit, që kishin djegur, që kishin shërbyer si bashkëpunëtorë të pushtuesit, duke shitur gjithçka, po mbi të gjitha atdheun, në mars të vitit 1945 u hap gjyqi special. Para tij dolën një numër i madh kriminelësh e tradhtarësh, në mes të cilëve anëtarë të qeverive kuislinge, krerë të Ballit Kombëtar, spiunë të fashizmit, si: Fejzi Alizoti, Tefik Mborja, Shuk Gurakuqi, Bahri Omari, Kolë Tromara, Hilmi Leka, Ibrahim Biçaku e të tjerë”.
Bedri Spahiu, i cili ishte prokurori i përgjakshëm i këtij gjyqi special, por pas burgimit të tij të gjatë nga Enver Hoxha i penduar thellë, kur kujton ditën e pushkatimit të 17 kundërshtarëve politikë antikomunistë në 14 prill 1945, thotë se “Kur komandanti i skuadrës së pushkatimit dha urdhër, një lëvizje u pa në rreshtin e të dënuarve, të cilët i kthyen krahët tytave të armëve, siç kish urdhëruar komandanti. Vetëm një njeri pati guximin t’i kundërvihej urdhrit: “Jo, askush nuk duhet t’i kthejë krahët nga tytat, pasi pas shpine vriten vetëm tradhtarët. Këtë do ta vërtetojë historia”. Ky ishte Bahri Omari...”.

Dita e zënkës së madhe, por a ka ndodhur vërtet?

Bashkë me gjithfarë hamendjesh se cili qe shkaku i vrasjes së Omarit, përveç atyre politikë, por edhe penalë (si ministër i jashtëm e kabinetit Mitrovica nga 5 nëntor 1943 deri në16 qershor 1944, qe mbështetës aktiv në aksionin diplomatik të Mit’hat Frashërit për të krijuar një shtet dualist bashkë me Greqinë me qëllim ndalimin e depërtimit të komunizmit sovjetik në të dy vendet), shumica është ende e prirur të besojë për një konflikt të rëndë personal në mes tyre. Prandaj në marrëdhëniet ndërmjet të dyve kërkojnë zenkën fatale. Këtë ofertë-grackë, justifikuese për krimin që bëri, e ka dhënë Enver Hoxha. Për kunatin e tij ka shkruar bollshëm tek “Kur u hodhën themelet e Shqipërisë së re”. Aty mund ta gjesh lehtë ditëzënkën. Apo legjendën e saj, në mos edhe ngjarjen e fantazuar.
Shkruan Hoxha pa e saktësuar qëllimisht kohën e ndodhjes, ndërsa jep hollësishëm një dialog të gjatë mes të dyve. Shkruan: “Në një nga takimet e mia të fundit me Bahri Omarin, pas një debati të ashpër, i thashë i nevrikosur (se me të tillë njerëz me zor mund ta mbaje gjakftohtësinë):
-Populli kurrë nuk mund të ndjekë tradhtinë dhe tradhtarët, ai do të luftojë kundër okupatorit e tradhtarëve dhe do të fitojë!
Bahri Omari e kuptoi sulmin e drejtpërdrejtë që i bëra dhe m\'u përgjigj:
-Do të shohim kush janë tradhtarët, ju apo ne.
-Do ta shohim, - i them, - por dua të precizoj se ata që do të pengojnë luftën e popullit dhe do të bashkëpunojnë me armikun, janë tradhtarë.
-Të lutem Enver, - më tha Bahriu, - nuk dua të bisedoj më me ty për politikë. Është e qartë se ne jemi kundërshtarë”.
Kur e botoi në 1984, një vit para vdekjes, Hoxha bën përpjekjen e fundit për të likujduar episodin shumë kuptimplotë të çasteve në përfundim të jetës së Bahri Omarit. Ia kishin raportuar, patjetër Bedri Spahiu, se kunati i tij para skuadrës së pushkatimit qe shprehur: “Jo, askush nuk duhet t’i kthejë krahët nga tytat, pasi pas shpine vriten vetëm tradhtarët. Këtë do ta vërtetojë historia”.
Po ashtu siç i rrëfen vetë Enver Hoxha marrëdhëniet me Bahriun, ai i paska bërë të gjitha paralajmërimet e vrasjes së ardhshme. Pastaj Hoxha në 1984 përshkruan pasojën psikologjike të zënkës fatale tek e motra, e cila ndërkohë, gjithnjë sipas tij dhe asnjë burimi tjetër, qan: “Fahrija ishte një nga motrat e mia më të mira, grua e mençur dhe e dashur me të gjithë. E doja shumë dhe më vinte keq për të”. Vijon më pas duke këmbëngulur se i ka thënë: “Unë, motër, po të dal borxhit dhe, sa të mund, do të luftoj akoma se mos e shpëtojmë Bahriun, por, po vazhdoi rrugën e tij, pushka na ndan, po të paralajmëroj”.
Enver Hoxha në tërë ciklin e kujtimeve të tij ka shumë manipulime, prandaj edhe për këtë përmasë zënke secili mund të gjykojë sa ajo është reale dhe sa e fryrë, madje edhe nëse ka ekzistuar vërtet. Autori i këtij shkrimi anëson nga ideja se Hoxha e ka tejzmadhuar një debat mospajtues të logjikshëm, sepse në 1984 ky është marifeti të fundit për të justifikuar vrasjen e kryer disa dekada më parë. Ndërkohë si mund pas prishjes fatale mes tyre të kishte biseduar, qoftë edhe nëpërmjet një të treti, për faljen e jetës. Ai vetë Bariu, në një gjendje këputjeje të rëndë të raporteve mes tyre nuk do të guxonte t’i kërkonte garanci.
Në po të njëjtin libër Enver Hoxha rrëfen se “Po né këtë periudhë bëmë edhe dy takime me përfaqësues të Ballit, një né shtëpinë e Nexhat Peshképisë, ku ishin Bahri Omari dhe Halim Begeja, dhe tjetri né shtëpinë e Muharrem Vllamasit, ku, veç Bahriut e Kolë Tromarës, merrte pjesë, si “ndërmjetës”, Sheh Karbunara..., i cili mbante lidhje me Ballin Kombëtar, por edhe me Lëvizjen Nacionalçlirimtare t\'i ruante urat”.
Po të ishte e ndodhur zënka fatale në atë përmasë të shkruar në 1984 takime të tjera mes Hoxhës dhe Omarit nuk mund të ngjanin. Në të vërtetë eksponentët e PKSH-së jo vetëm gjatë motit 1942, por edhe në gjysmën e parë të pasardhësit, e kanë vijuar dialogun me krerët e Ballit Kombëtar, patjetër në mospërputhje të dukshme, por kurrsesi me gjuhë kërcënimesh fizike. Kjo anë e butë e këtyre bisedimeve është fshehur për dekada e dekada të tëra, siç është censuruar përgjigja për një pyetje të thjeshtë, të cilën mund ta bëjë kushdo: Si ndodhi që eksponentët e BK, këta “tradhëtarë”, nuk i kanë kallzuar tek italianët të deleguarit në bisedime ujdie të Partisë Komuniste Shqiptare?
Nuk është gjendur në arkivat tona, duke kërkuar deri edhe në skutat e dosjeve më periferike të Luftës, një spiunim i Ballit Kombëtar për eksponentë konkretë të PKSH-së në të gjitha takimet e kryera.

Socialisti Bahri Omari

Sipas librit “Kur u hodhën themelet e Shqipërisë së re”, “Bahriu ishte një borgjez liberal, me sjellje korrekte né marrëdhëniet familjare dhe shoqërore, kurse né mendimet politike ishte né kundërshtim me ne. Por pas debateve për çështje politike që ndodhnin né mes nesh, ai përpiqej që këto të mos acaroheshin tej mase”. Pas këtij pohimi që vërteton çfarë argumentuam më sipër, ai vazhdon; “Né atë kohë unë akoma shpresoja se Bahriu mund të afrohej me ne, sepse me gjithë lidhjet që mbante me tregtarë, agallarë e nëpunës të lartë fashistë shqiptarë, ai hiqej si antifashist dhe nuk mungonte të hidhte ndonjë fjalë kundër pushtuesit”. Po ashtu diku tjetër në librin e tij: “Nuk e kisha dëgjuar kurrë Bahriun të fliste me simpati as për Lumo Skëndon, as për Mehdi Frashërin e të tjerë njerëz të këtij kallëpi. Mundet që i kishin ndarë rolet,...”
Rrëfen njëkohësisht: “Kur isha student në Francë, qoftë kur vija për pushime në Shqipëri, qoftë kur kthehesha, ndaloja si në Bari, ku merrja vaporin, ashtu edhe në Paris”. Gjatë këtyre ndalesave tranzit ku rrinte në shtëpinë e të motrës, pati vënë re se Bahriu, “njohës i shumë gjuhëve të Lindjes dhe të Perëndimit”, kishte kulturë “pak nga të gjitha” dhe e pathelluar”. Pastaj Enver Hoxha përcakton: “Né pikëpamjet politike e hiqte veten si radikal socialist dhe kjo sepse kishte një admirim të madh për Eduard Herionë, një nga liderët e radikal-socialistëve francezë. “Le Temps”, një gazetë liberale me mjaft influencë né Francën e asaj kohe, qe burimi i informacionit dhe i interpretimeve të Bahriut”.
Këtë personalitet të majtë dhe me karakter paqësor vrau Enver Hoxha, sepse siç vetë e shkruan, ky nuk pranoi “të lidhej me Lëvizjen Nacionalçlirimtare”, sepse thosh që atë e udhëhiqte PKSH. Për hir të këtij antikomunizmi të drejtë socialisti Bahri Omari kreu gabimin e pjesëmarrjes në një qeveri bashkëpunuese me pushtuesin gjerman, por këtë qëndrim e pati bërë edhe vetë një kryeministër i dy qeverive të mëvonshme, atyre të drejtuara nga Ibrahim Biçaku. Edhe Ibrahimi në Gjyqin Special u dënua me pushkatim, por Enver Hoxha dërgoi personalisht njerës të tij në Elbasan, vendlindjen e Biçakçiut, për të mbledhur nga banorët letra për falje të jetës dhe në Tiranë, sërish nën ndikimin e tij, kjo ndodhi. Dy herë kryeministri bashkëpunues me pushtuesit i shpëtoi pushkatimit.
Hoxhës i duhej i kunati i vrarë. Ia donte pushteti dhe domosdosmëria për vendosjen e diktaturës personale. Pas vrasjes së kunatit u vu re efekti: i dalë i dobët prej “prapaskenës së Beratit”, ku shumë nga kolegët e tij të prirë nga jugosllavët, ia minimizuan pushtetin, autoriteti iu rrit frikshëm dhe ndjeshëm. Përderisa vriste të kunatin të tjerët nuk i kish problem t’i vendoste para skuadrës së pushkatimit. Këtë mesazh ai e përcolli jo vetëm në prill 1945, por sa ishte gjallë. Si dëshmi këtë nuk e mori vetëm me plumba në gjoks Koçi Xoxe, i cili për ta kompromentuar dhe dobësuar Enver Hoxhën në sallën e gjyqit i jepte Bahri Omarit dënimin me vdekje dhe në mbledhjet e Byrosë Politike kërkonte që t’i falej jeta.
Kjo, vrasja e njeriut të vet, është shenjë e sigurt e një mendësie tiranike. Musolini, edhe pse iu lut e shoqja dhe e bija, vrau dhëndërin, Kontin Çiano. Hitleri çoi tek skuadra e pushkatimit të shoqin e kunatës, motrës Margarete të Eva Braunit, bashkëjetuese me të. Por vlerat njerëzore dhe intelektuale të Bahri Omarit nuk krahasohen as me një batakçi dhe hajdut fondesh publike si Konti Çiano, ca më pak me tjetrin, gjermanin pa emër.
Fati i tij qe paracaktuar para se të vetëdorëzohej me besimin se jo vetëm ky akt ia përjashtonte pushkatimin, por edhe sepse në Tiranë për muaj të tërë kishte fshehur në shtëpinë e vet kryekoministin shqiptar.
Pabesi, cinizëm...gjeni po të dëshironi çdo emër tjetër në shqip për ta emërtuar këtë vrasje. Duhet patjetër një term më i fortë për ta shprehur përmasën e krimit.

Ylli Polovina

Tiranë, më 25 maj 2018

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com