Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

KONFERENCA E PEZĖS DHE ĒANTA E FRYRĖ E ENVER HOXHĖS
1998, NJĖ SHTATOR SHQIPTAR ME TURBOREVOLUCION
PROJEKT-MONUMENTI I SKĖNDERBEUT DHE SKULPTORĖT “KĖSHTJELLA”, “PUNA”, “GURI”, “SILVA”, “NJĖ NGA SHOKĖT”
ME VARRE TĖ SHKULUR DHE ESHTRAT E TĖ ATIT NĖ NJĖ ARKĖ QĖ E MBAN ME VETE
SHPALLEN KULAKĖ, SHTĖPITĖ U SEKUESTROHEN DHE BĖHEN SPITAL PĖR LEBROZĖT
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

TETOR 1940, MUSOLINI PËRDOR SKËNDERBEUN PËR TË SULMUAR GREQINË


Në krah të njëri-tjetrit Benito Musolini, Gjergj Kastrioti dhe Adolf Hitleri.

(Botuar gazetën “Panorama” në 8 qershor 2018)

Në 26 tetor 1940, e shtunë, fillimisht radio shtetërore italiane bashkë me ndonjë gazetë të mbrëmjes, njoftuan se një bandë e armatosur greke pati sulmuar postat kufitare shqiptare me numrat 30 dhe 31, të cilat ndodheshin afër Korçës dhe në jug të pikës doganore të Kapshticës. Ky grup i armatosur kishte depërtuar një çast në territorin e Shqipërisë dhe për këtë pati përdorur predha të artilerisë si edhe bomba dore.
Sipas këtij lajmi të theksuar fort dhe të përsëritur vazhdimisht, si të qe një komunikatë lufte, patrullat shqiptare dhe pastaj trupa që u kishin ardhur menjëherë në ndihmë, i patën prapsur agresorët. Gjashtë prej këtyre të fundit ishin kapur rob dhe nga pala tjetër dy ushtarë qenë vrarë dhe tre plagosur. Pasi këtu kishte rënë një lloj qetësie, lajmet këmbënguilnin se në mbrëmje patën shpërthyer tre bomba afër zyrave të komandës së trupave ushtarake italiane në Portin Eda (qytetin e Sarandës). Më pas, thuhej, edhe këtu ishte rikthyer qetësia.
Këto njoftime të trazuara bënin të ditur se prej autoriteteve përkatëse në vend këta agjentë agresorë, të cilët mund të qenë grekë, por edhe anglezë, po kërkoheshin për t’i gjetur dhe kapur kudo ndodheshin.
Të nesërmen, më 27 tetor, e diel, shkrimet për këtë ngjarje mbulonin faqet e para të gazetave italiane. Disa prej tyre e kujtonin lexuesin se ky tension në kufirin shqiptaro-grek, i shkaktuar për faj të këtyre të fundit, kishte prej një muaji që përmes provokacioneve kufitare ngrihej dhe ulej rrezikshëm.
Sigurisht shtypi që e spikaste me përparësi këtë temë, sepse nga lart kështu i qe dhënë direktiva, nuk e dinin sekretin e madh që fshihej pas dorës që lëvizte vërtikshëm ngjarjet dhe e cila nuk ndodhej në Athinë, por në Romë: në 16 gusht të atij viti Benito Musolini pati urdhëruar Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë të bënte gati një plan për pushtimin e Greqisë.
Bazat e sulmit nuk do të ndodheshin në Itali, por që të gjitha në Shqipëri. Bëhej fjalë për një masë e madhe ushtarake prej 18 divizionesh.
Objektivi i këtij pushtimi në shkallë kontinentale qe të riekuilibroheshin forcat italiane me ato të gjermanëve në volumin e pushtimeve të kryera. Me pak fjalë Italia nuk duhej të qëndronte prapa dhe të ishte në rolin e numrit dy të aleancës fashiste. Qenë partnerë dhe duhej të ishin të barabartë.
Ndërkohë Musolini pati dhënë edhe një urdhër tjetër, i cili duhej të ecte paralel me të parin dhe t’i komunikonte botës se Greqia do të sulmohej dhe pushtohej prej dhe për llogari të shqiptarëve. Për këtë arsye do të vendosej në mes të Romës një përmendore e heroit nacional shqiptar, Gjergj Kastriot Skënderbeu.
Në planin e tij, të pathënë kurkujt, po ashtu zjente dëshira që sulmi kundër Greqisë të kryhej në përvjetorin e Marshimit Fashist mbi Romë, 28 tetor. Në vitin 1940 ky jubile për kryefestën e fitores së skuadrave të armatosura musoliniane dhe marrjes së pushtetit, mbushte tetëmbëdhjetëvjetor.
Disa rrethana të tjera, të paparashikuara, do të bënin që në 28 tetor Benito Musolini të takohej në Firence, ku pati ardhur për bisedime të ngutshme me të, Hitlerin.
Kështu do të rrinin bashkë në krye të agresionit fashist italian ndaj Greqisë Benito Musolini, Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe Adol Hitleri.
Vendimin për të nisur sulmin kundër Greqisë shefi i fashistëve italianë e mori në 15 prill. Që në mëngjes në selinë e tij, në Pallatin Venecia, bëri një mbledhje me të gjithë drejtuesit ushtarakë. Aty tha se datë fillimi të operacionit kishte menduar 26 tetorin dhe vuri në dukje që nuk do të kishte ndërlikime prej Jugosllavisë, sepse “ajo ka gjithë interesin e duhur të qëndrojë e përmbajtur”. Nga pala turke, theksoi Musolini, për shkak të pranisë shumë të afërt të trupave gjermane (të vendosura në Rumani dhe Bullgari) nuk priste asnjë kundërveprim.
Ndërkohë ai kishte vënë në aktivitet të plotë makinën e shtetërore për ta realizuar sulmin triumfues mbi Greqi paralel me entuziazmin e përvjetorit të tetëmbëdhjetë të Marshimit mbi Romë.
Me pak fjalë 28 tetori, si Marshim mbi Athinë, do të hynte në historinë e italianëve dhe të Perandorisë së tyre fashiste, për të cilën Benito Musolini vetëquhej themelues, njëlloj si i i Romës.

Statuja 35 kuintalëshe

Faza përgatitore për vendosjen e monumentit të Skënderbeut në mes të kryeqytetit italian kërkonte kohë dhe tashmë ditët e mbetura para sulmit shtrëngonin ngutje. Kështu plot 26 ditë u lypën për përgatitjen e bazamentit. Ky do të peshonte 75 kuintalë dhe do të mbante një superpeshë bronci prej 35 kuintalësh.
Gjergj Kastrioti mbi kalë qe vepër e skulptorit, Akademik i Italisë, pesëdhjetë e tetë vjeçarit Romano Romaneli, nga Firence, nip i skulptorit Paskuale dhe bir i sërish një skulptori, Rafaelos. Ky monument ishte porositur tek ai prej qeverisë shqiptare me një vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave nr. 1306 që në 5 nëntor 1938.
Ndërsa pati përfunduar, sipas kontratës, në fund të marsit 1939, të paguhej dhe të transportohej për t’u vendosur në sheshin qendror të kryeqytetit shqiptar, Musolini urdhëroi pushtimin ushtarak mbi Shqipërinë dhe procesi vendosjes së statujës në Tiranë u ndërpre. Kryefashisti italian pikërisht atë vepër monumentale të penguar prej po vetë atij do ta vendoste dhe përuronte tani me ceremoni atje ku i duhej për politikë: në Romë.
Kjo do të bëhej në çastin më të skajshëm të vrapimit të kohës, në orët e fundit para shpërthimit të mësymjes tinzare që nga toka shqiptare kundër Greqisë të 18 divizioneve të tij.
Musolini ishte shumë i përpiktë në cinizmin e vet: në histori do të përpiqej të linte gjurmën e rëndë e të ligë se Greqinë gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk e pati sulmuar Italia, por Shqipëria, kufirin e të cilës ajo e kishte provokuar për disa javë rresht, siç shkruante shtypi i porositur italian, në përpjekje për të justifikuar pushtimin e tokave helene.
Skënderbeu si figurë dhe enkas përurimi monumenti i tij qe me të njëjtin funksion: ishin shqiptarët, nga më i riu deri tek më i moshuari, prej njerëzve anonimë e deri tek kryeheronjtë kombëtarë, ata që i hapën luftë vendit fqinj.
Sepse ishte ngarkuar me objektiv manipulimi të opinionit publik statuja e Gjergj Kastriotit duhej të shihej prej të gjithëve, po ashtu edhe ceremonia.
Kështu u urdhërua që ai të vendosej në qendër të Romës, në Sheshin Albania, edhe ky i emërtuar posaçërisht një vit më parë, me qëllime të xhveshura politike: në kuadrin e bashkimit të Shqipërisë me Italinë fashiste, pra me rastin e likujdimit të pavarësisë së saj.
Pozicioni ku do të nhrihej monumenti ishte pikë kyçe e vajtje-ardhjeve nëpër Romë. Ndodhej midis Aventinos historike dhe San Saba-s, atje ku deri pak muaj sheshi quhej Raudusculana, titulluar sipas emrit të portës antike të hyrjes në Romën e vjetër nga kjo anë pothuaj perëndimore.

Ceremonia e përurimit të monumentit

U krye në paraditen e vonë të 27 tetorit 1940 dhe ishte një ndër katër veprimtaritë e zgjedhura posaçërisht për t’u kryer nga vetë Benito Musolini.
Qe një ditë plot re të zeza dhe mbi Romë binte një shi i dendur dhe i papushuar. Herë pas here ai kokëkriste të shndërrohej në rebesh. Kur kryefashisti italian në ciklin e festimeve për 18-vjetorin e Marrshimit mbi Romë, bëri ceremoninë e parë, atë në Pomecia (Pomezia), pra jashtë qytetit të Romës, në jug-perëndim të krahinës së saj, Lacios, moti nuk qe aq i rënduar. Agro-Pontino, ku u bë përurimi, ndodhej disa kilometra më në jug të Pomecias. Atje qe tharë një kënetë e madhe dhe mbi një territor prej afro 55.000 hektarësh ishin ndërtuar nëntë qyteza të reja me tremijë shtëpi, 14 lagje, 550 kilometra rrugë të asfaltuara, qenë mbjellë 991.000 pemë, sjellë 32.000 krerë lopë e buaj. Banorët ishin kolonë, pra italianë të cilët më parë patën jetuar jashtë vendit dhe tashmë kishin pranuar të riktheheshin familjarisht në atdheun e tyre.
Kjo qendër e madhe bujqësore, Agro-Pontino, do të prodhonte grurë dhe sheqer në sasira të mëdha.
Musolini i hipur në makinë i vizitoi qendrat e nëntë qytezave dhe e gjithë kjo ceremoni u krye pa zhurrmë, pa asnjë prani njerëzish nga populli. Nuk u mbajt asnjë miting dhe nuk u hodh asnjë parrullë brohoritjeje për kryefashistin. Sigurisht e tëra kjo bëhej me pëlqim të tij. Duartrokitjet qenë planifikuar t’ì jepeshin në një vend tjetër.
Brohoritjet ai i pati zgjedhur për Romën, edhe pse ajo, ndërsa po hynte në të, e priti me shi shumë të fortë.
Kështu nga Pomezia autokolona me të në krye hyri në kryeqytet dhe mori drejtimin e sheshit të njohur me emrin San Silvestro, tashmë krejtësishi të rinovuar. Atje qe krijuar edhe një shatërvan shumë i bukur, vërtet i magjishëm.
Në San Silvestro kishte shumë popull të grumbulluar nga autoritetet. Këta nuk iu trëmbën dhe as iu shmangën ujit që binte pa pushim nga qielli dhe përplasnin papushim duart.
Prej këtej karvani i makinave mori drejtimin e Sheshit Albania. Këtu do të bëhej ceremonia më solemne jo vetëm e katër përurimeve të asaj dite përkujtuese për Marrshimin (Fashist) mbi Romë, por e të gjithë aktiviteteve në shkallë vendi për këtë ngjarje. Këtë skemë dukshmërie e kishte përcaktuar vetë Musolini. (Autori i këtyre rradhëve shumë vite më parë ka gjetur në Romë një sekuencë filmike të kësaj ngjarjeje, e gjatë afro 25 sekonda).
Statuja e Skënderbeut mbi kal qe mbuluar me flamurin italian dhe atë shqiptar. Përveç ministrit të Jashtëm italian dhe njëkohësisht dhendër i Musolinit, Konti Çiano, i pranishëm ndodhej edhe një delegacion i qeverisë së Tiranës, i kryesuar nga Xhemil Dino. Ky diplomat i vjetër qe pjesëtar shumë aktiv i luftës për çështjen çame.
Qe e rreshtuar edhe Roja Mbretërore Shqiptare, një trupë e veshur me kostume kombëtare që banonte në Romë dhe shërbente si Gardë pranë mbretit Viktor Emanueli.
Ceremonia nisi me një hov dhe rit shumë entuziast. Sapo u njoftua ardhja e Duçes shpërthyen thirrjet e adhurimit për të, që të gjitha të organizuara në një mënyrë të tillë që të përfundonin me zërin e çuar deri në krijimin e një jehone.
Benito Musolini fillimisht parakaloi Rojen Shqiptare, e cila qendroi në “nder armë”. Pastaj me hapin e tij të shpejtë ky shkoi deri në skajin tjetër të Sheshit Albania, ku ndodhej një batalion vullnetarësh të Ushtrisë Italiane. Edhe këta qëndronin në pozicionin ceremonial “Për nder armë!”
Në vijim Musolini hipi në podium dhe vetëtimthi, me ngritje dore, dha një shenjë. Menjëherë nga masa gjigande e kalorësit në bronc u hoqën të dy flamujt dhe shtati i Skënderbeut u duk i tëri.
Me të vërtetë qe siluetë gjigande.
Duhet thënë se realizimi artistik i Gjergj Kastriotit nga skulptori italian Romano Romaneli nuk ka qenë kurrë i pëlqyer për vërtetësi dhe cilësi jo vetëm prej njohësve shqiptarë të kësaj mjeshtërie, por edhe prej atyre italianë.
Por për Duçen në ato çaste qenë të nevojshme figura e shqiptarit të lidhur me italianët (posaçërisht shtypi i të nesërmes do të vinte në dukje se Skënderbeu kishte bërë tre vizita në vendin e tyre për të siguruar mbështetje në luftë kundër turqve dhe të fundit prani të tij e kishte në Romë, në funddhjetor 1466 deri në fillim mars 1467.
Edhe tani, në 27 tetor 1940, lihej të nënkuptohej se Gjergj Kastrioti qe ringjallur dhe po i kërkonte Romës fashiste ndihmë për të përballuar rrezikun grek.
Duçes po ashtu i duhej ato çaste përurimi dhe propogandimi i një simboli luftarak. Statuja e Skënderbeut hipur mbi kal dhe me shpatën në shenjë parakalimi të trupave që do të niseshin në luftë kundër armiqve, ishte e përputhshme me mesazhet që do të merrte bota prej tij pak orë më pas.
Në moment filluan të këndonin një grup studentësh ushtarakë shqiptarë si edhe të rinj italianë të veshur me uniformë.
Musolini e dëgjoi deri në fund këngën e përzjerë me rrebesh currilash uji dhe sapo ajo përfundoi, zbriti nga podiumi. Pastaj kërceu për në automobilin e tij. U nis me shpejtësi drejt përurimit të katërt e të fundit të asaj dite: Lido di Roma.

Dështimi i Musolinit, ngadhnjimi i Skënderbeut

Pas gjashtëmbëdhjetë orësh, ndaj të pagdhirë të 28 tetorit 1940, në orën tre të natës Italia i shpalli ultimatum dhe njëherësh luftë Greqisë. Pastaj menjëherë nga tërë vija e kufirit shqiptar hynë në territorin e saj trupat ushtarake.
Qenë 105 mijë njerëz të rreshtuar në divizionet Siena, Ferrara, Piemonte, Parma, Venezia, Arezzo, ai i blinduar Centauro, ai alpin Julia....
Kishte përmidis edhe disa batalione shqiptarësh.
Vazhdonte manipulimi i historisë se Greqinë e kishte sulmuar jo Italia fashiste, por vendi fqinj, populli i cili në të vërtetë as e kishte shkuar nëpër mend këtë gjë. Çdo ditë e cila do të gdhihej e ngrysej më pas, do të provonte mosarmiqësinë e shqiptarëve ndaj grekëve, paqen dhe jo luftën, ligjet e së parës dhe jo të kësaj të fundit.
Ndërkohë helenët kundërvepruan për të mbrojtur atdheun e tyre me një shpirt të madh heroik. Përleshjet e të dy palëve i shoqëroi një shi i madh, plot rrebesh. Ishte po ai, i cili e ndoqi hap pas hapi Musolinin në përurimin dhe përdorimin e pabesë propagandistik që i bëri në Romë Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Rebeshi, sipas rregullit të cikloneve të motit, pati kaluar nga Gadishulli Apenin në jug të Ballkanit.
Në 1 nëntor, tre ditë nga agrsioni, ushtria greke e mbështetur nga avionë luftarakë britanikë, shpërtheu kundërmësymjen dhe shume shpejt, siç lexuesi e di, armata italiane u tërhoq në thellësi të tokës shqiptare. Pothuaj tërë jugun tonë e zunë trupat e tyre. Këto, të stacionuara në troje që nuk ishin të saj, pa ndonjë dëshirë të shprehur publikisht për prapakthim në vendin e vet, i mundi dhe i dëboi një ndërhyrje e shpejtë e Gjermanisë Naziste.
Nga kjo betejë e humbur italo-greke që në fillimet e veta kryefashisti Benito Musolini i shkaktoi popullit të tij 13.755 të vdekur, mbi 50.000 të plagosur, 12.368 të ngrirë rëndë nga të ftohtit dhe 25.067 të zhdukur.
Përfundoi si një njeri i mposhtur, në vjeshtë 1943, duke ia rrëzuar të gjitha statujat, bustet dhe basorelievet publike.
Ndërkaq Gjergj Kastriot Skënderbeu qëndron edhe tani në mes të Romës.

Ylli Polovina

Tiranë, më 12 mars 2018

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com