Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

KU E VRAU VETEN SAFET BUTKA?


Si u sajua gënjeshtra se u vetvra në nevojtore. Pse ajo u bë këngë dhe u përhap në mënyrë të organizuar nga propaganda komuniste. Ngathësia e Ballit Kombëtar për të kundërvepruar dhe asgjësuar shpifjen.

(Botuar në “Shqiptarja.com në 14 korrik 2018)

Safet Butkën e kishin shtrirë në një nga dhomat e Teqesë së Melçanit. Qe i veshur me ato rroba siç e pati vrarë veten: një xhaketë stofi me ngjyrë kafe me vija të bardha. Pantallonat e kishte qëllota të verdha.
E shoqja, Hatixheja, e sapombërritur nga Butka edhe me gra të tjera të familjes, duke qarë mbi trupin e tij dhe duke e përkëdhelur, me shpresë të vagëlluar mos i pati lënë ndonjë letër lamtumire, e futi dorën në xhepin e xhaketës dhe gjeti atje një copë kore kulaçi.
Filloi të qante me kujë.
Plumbi e kishte zënë Safetin në buzën e sipërme, tek kocka e hundës. Fytyra e tij me tipare të buta, shumë e bukur, ishte si një kristal i thyer. Plaga në fytyrë qe me të vërtetë e tmerrshme.

Enver Hoxha: “Ia hoqi vetes...në një vend ashtu siç e meritonte”.

Në 23 maj 1965 Enver Hoxha bëri një vizitë disaditore në zonën e Korçës dhe të Kolonjës. Ajo zuri shumë vend në shtypin e vetëm zyrtar, mbase sepse që nga prishja me sovjetikët lëvizjet e veçanërisht fjalimet e tij, përcilleshin tek shqiptarët me ritëm mjaft ngulmues
Një çast Hoxha shqiptoi: “Sa e sa patriotë, si Zalo Prodani, Petro Nini Luarasi, Papa Kristo Negovani, Themistokli Germenji, Gani Butka, Muço Qulli, Sali Butka, Hasan Qinami e shumë e shumë të tjerë, kanë dalë nga kjo krahinë dhe kanë luftuar me pushkë e penë për lirinë e atdheut! Dhe atëherë kishin rëndësi pushka dhe pena, siç kishin rëndësi gjatë Luftës Nacionalçlirimtare pushka, pena dhe politika.....”
Menjëherë pas ngjashmërisë, dhe po aq diferencimit që i bëri dy periudhave çlirimtare të historisë së Shqipërisë, duke ndryrë tek LNÇ edhe politikën (nënkupto ideologjinë komuniste), pra duke krijuar trekendëshin e tre P-ve (Pushkë-Penë-Politikë), Hoxha kushtroi: “Rini, kanë qenë kohë të vështira atëherë, armiqtë italianë, më vonë gjermanët, na kishin pllakosur vatrat”. Pastaj në kujtesën e gjeneratës së re Enveri hodhi njëra pas tjetrës këtë frazë: “Me ta u bashkuan tradhtarët ballistë që në rrethin e Kolonjës kishin influencë, duke shfrytëzuar të kaluarën e tyre”.
Tani që e kishte bërë gati diversionin ai nuk vonoi asnjë sekondë. Shqiptoi fort: “Një fjalë e urtë popullore thotë: “Trëndafili bën gjembin”. Familja e Butkës nxori trëndafila, nxori edhe gjemba. Njëri nga gjembat më të helmatisur të kësaj familjeje ishte Safeti”.
Pasi shpjegoi se të gjithë atyre që ishin lidhur me pushtuesit PKSH u kishte bërë thirrje të bashkoheshin me të e të mos e luftonin partinë (sepse ndryshe, sipas tij, do të shkatërroheshin), Hoxha shtoi me theks të veçantë e pothuaj profetik: “Dhe ashtu ndodhi”.
Tani për të kishte ardhur çasti i duhur të shpërthente tek akuza më e fortë e atij fjalimi. Shqiptoi fjalë për fjalë: “Qysh gjatë Luftës Nacionalçlirimtare u duk fare qartë se këta tradhtarë, që mbanin emrin shqiptar, nuk kishin baza në popull, prandaj u izoluan, u demaskuan. Populli u bashkua me partizanët, me Partinë, kurse ata u gjendën të vetmuar në mënyrë të tillë sa nuk u mbeti rrugë tjetër përveçse t’ia hiqnin vetes, sikundër bëri Safet Butka, bile në një vend ashtu siç e meritonte”.
Enver Hoxha e pati thënë pothuaj drejtpërsëdrejti atë që po ripërpiqej tua kujtonte bashkëkohësve: Safeti qe vetëvrarë në nevojtore.
Kjo qe një gënjeshtër, fund e krye. PKSH në Korçë-Kolonjë, por edhe në qendër, në grupin e saj kryesor udhëheqës ishte marrë posaçërisht me ndërtimin dhe përhapjen e kësaj shpifjeje, e cila edhe tani besohet si e vërtetë prej jo pak shqiptarëve.
Ky trillim mund të konsiderohet një prej djallëzimeve më të përkryera të Hoxhës, të partisë dhe ndjekësve të tij. Ai mund të studiohet dhe referohet auditorëve të universiteteve tona, sidomos në rastet kur studentët profilizohen në veprimtari politike, si diversion poshtërrues me afat të gjatë.
Po bëjmë një përpjekje për t’ja hequr cipën kësaj paturpësie.

Ish-partizani Hado: e vrau veten tek një pemë.

Sipas oficerit të lartë, në fund të viteve gjashtëdhjetë i burgosur politik, Elami Hados, konkretisht librit të tij “Vlerat e LANÇ dhe disfata e nacionalistëve shqiptarë”, mes të tjerash shkruhet: “Më 8 shtator 1943 kapitulloi Italia. Forcat italiane jashtë territorit duhej t’u dorëzoheshin forcave aleate të koalicionit antifashist...Dy ditë mbas kapitullimit, garnizoni i Korçës nisi marshimin për të shkuar në Durrës, ku priste të imbarkohej e të shkonte në Itali”.
Më tej: “Në zonën e Maliqit forcat partizane i zunë pritë dhe filloi një luftë e ashpër. Në Korçë kishte edhe një garnizon gjerman, por akoma nuk dihej qëndrimi që do të mbanin gjermanët ndaj aleatit të tyre që kapitulloi. Një pjesë e forcave partizane, ku kam qenë edhe unë, kishin zënë pozicion gjatë rrëzës, për të siguruar krahun e djathtë të forcave të luftonin në Maliq nga ndonjë sulm i papritur i gjermanëve për t’u ardhur në ndihmë italianëve. Mua më kishte qëlluar pozicioni bashkë me tre shokë të tjerë pranë teqesë së Melçanit, në një distancë jo më shumë se 300 metra nga teqeja.
Në atë kohë në teqe zhvillohej mbledhja e qarkorit të Ballit Kombëtar të Korçës. Ne e dinim që bëhej kjo mbledhje. Shikonim që hynin e dilnin njerëz në teqe. Jashtë saj, afër nesh, lëvizje ballistësh, roje me armë etj.
Në një moment, koha qe afër drekës, pamë një njeri që doli e u mbështet në trungun e një peme në anë të rrugës në hyrje të oborrit ose lëmit të teqesë. Pas pak dëgjuam një krismë të lehtë arme. Krisma nuk na e tërhoqi vëmendjen, se në atë kohë krisma dëgjoheshin nga të gjitha anët. Vëmendjen na e tërhoqën njerëzit që vrapuan e u grumbulluan atje përreth, që hynin e dilnin me vrap në ndërtesë, dhe pastaj e morën në krahë, e futën brenda. Menduam se ndonjë roje i është shkrehur arma aksidentalisht dhe është plagosur ose është vrarë. Mbas nja dy ose tri orësh na vjen një partizan nga fshati, që na solli ushqim. Ai na tha se Safet Butka vrau veten se ishte zënë me të tjerët në mbledhje. Këtë e kish dëgjuar nga bisedat që bëheshin në fshat. Për shkakun pse ishin zënë nuk dinin gjë”.
Fetah Butka, djalë xhaxhai me Safetin dhe nip i Sali Butkës, në kujtimet e tij e ka treguar dy herë episodin e vetëvrasjes. Njëherë thotë se, pasi kishte dalë nga mbledhja e krerëve lokalë të Ballit Kombëtar për Korçën dhe ajo ndërkohë vazhdonte, “...kish hyrë në një dhomë ku kolonjarët po këndonin, hapi derën, i pa e ju tha: vazhdoni këndoni se qenka e bukur. Del nga dhoma, por e ndjek Alo Luarasi, në oborrin e teqesë afër një peme nxjerr revolen për të qëlluar veten. Alua e kap, por s’mund t’ia ulë dorën, ay e shkrep dhe plumbi e zë mbi buzën e sipërme e i ngeli në krahë”.
Herën tjetër Fetah Butka pohon: “Mbas 1-2 ore del e vjen në ashefet, në një godinë tjetër, ku këndonin kolonjarët...Ju flet të vazhdojnë këngën e del jashtë. Alo Luarasi i bie nga pas në oborrin e Teqesë ku qenë nja dy pemë. Ndjeu Alon e i thotë: “Pse dolle se më vrasin edhe këtu partizanët? Unë do të vi po të derdh pak ujët”. Alua kthen kurriz, por vuri re që ai nxori revolen dhe e kapi nga pas, por Alua, me gjithë që e mbështolli me krahët e tij ay mundi ta qëllojë veten në buzën e sipërme e jo në gojë”.
(Alo Luarasi, ndryshe prej një vëllai të tij të shkurtër, vetë qe shtatlartë. Pak vite më parë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku emigroi, gjatësinë e trupit të tij na e cilësoi si një rrethanë të pafavorshme për ta penguar Safetin të qëllonte veten. Duke qenë se ky i fundit qe me shtat të shkurtër, teksa truplarti Alo i hodhi nga pas duart për t’ia marrë revolverin, nuk ia arriti dot dhe tjetri, duke përfituar prej kësaj, ia doli ta drejtojë grykën e armës nga vetja, duke shtirë menjëherë).
Duke ndjekur fillin e kujtimeve të Fetah Butkës “...në Melçan kishin ardhur edhe disa të kryesisë së Korçës me Jani Dilon”. Ato vijojnë: “...grumbullimi i çetave partizane rreth Melçanit, Vinçanit, Goskovës, tregonte se diçka po përgatitej”. Sipas këtyre kujtimeve Safet Butka ka parë me dylbi dhe pati dalluar një grup njerëzish, të cilët po vinin në drejtim të teqesë. Prej drejtimit nga vinin i identifikoi se qenë nga fshati i Goskovës.
Lëvizja e madhe e të armatosurve përreth, sipër mbi kodër e poshtë saj, në të majtë e në të djathtë, si edhe këta të fundit që po nguteshin drejt teqesë, i lanë Safetit përshtypjen se bënin pjesë në një plan të partizanëve, i cili kishte synim goditjen e forcave të Ballit Kombëtar. Veçanërisht e kuptoi gjendjen si një përpjekje për të vënë në rrethim, dhe pastaj kapur apo vrarë, drejtuesit lokalë të nacionalistëve, të mbledhur në teqenë e Melçanit për të diskutuar si do të vepronin në situatën e re të krahinës dhe të vendit.
Kujtimet e shkruara pohojnë: “Safeti lajmëroi Avdulla Alarupin për të ardhur aty me forca” dhe “Lajmëron edhe me një nga Kreshova Fetanë në Butkë që të merrte shokët e të nisej për në Melçan”.
Ky tension me rrezik përplasjeje me armë me partizanët si edhe vetëvrasja ndodhën në 19 shtator 1943.

Balli Kombëtar nuk thotë asnjë fjalë ku u vetvra Safet Butka

Në funeral Dhimitër Fallo, gazetar, dikur komunist i Grupit të Korçës, më pas deri edhe eksponent i lartë i Ballit Kombëtar, tha: “Një ngjarje fatkeqe ka shkaktuar mbledhjen tonë të sotme. Safet Butka s’është më… Safeti ynë i shtrenjtë pati një çast dobësimi, një çast tronditjeje fatale dhe i dha fund jetës me dorën e vet”.
Shiheni: Fallo me siguri jo në emër të vetes, por të të gjithë grupit udhëheqës ballist të Korçës, pse jo edhe më tej, e gjykon se vrasjen e vetes Safet Butka e pati kryer në “një çast dobësimi, një çast tronditjeje fatale”.
Pra, e shprehur ndryshe, në veprimin vetëvrasës së tij nuk ka asgjë heroike. Madje as arsye për t’u thënë publikisht, për t’u shpjeguar. E shtyrë më tej kjo deklaratë zyrtare balliste e Fallos tenton ta përcaktojë gjestin e Safet Butkës me nënkuptimin e një akti të papërshtatshëm, pse jo edhe deheroizues.
Por para historisë, sepse Safeti është figurë kombëtare historike, nuk mjafton fare formula e rrumbullakosur “një çast dobësimi, një çast tronditjeje fatale”. Në fund të fundit edhe në rast se veprimi i vrasjes së vetvetes qe pasojë e një krize individuale, psikofizike (ta zëmë), një shpjegim ishte i domosdoshëm. Po ta kryente këtë ndërhyrje Dhimitër Fallo, sikur edhe me dy-tri fjalë të kujdesshme, hija e gjatë e fjalënajave të mëpasshme, mes tyre edhe e diversionit të PKSH-së se Safeti e qëlloi veten “në halet”, do t’i kish më të pakta efektet djallëzuese.
Ndërkohë po të qe, siç është interpretuar pas viteve nëntëdhjetë, se Safet Butka e vrau veten, e bëri fli, që të frenonte sa të mundte shpërthimin e luftës vëllavrasëse, për hir të pozitivitetit të saj, Fallo do ta spikaste këtë çast dhe Balli Kombëtar nuk do të priste edhe dy muaj të tjera, deri sa doli me një trakt me objektiv denoncimin e Partisë Komuniste Shqiptare si nismëtare e shkaktare e fillimit të luftës civile.
Atëherë përse nuk e bëri këtë Dhimitër Fallo? Ai, udhëheqja e BK për Korçën, por edhe ajo e larta, në Tiranë me në krye Mit’hat Frashërin, realisht janë vënë në pozitë të vështirë me atë vetëvrasje. U shkonte ndesh, u binte kundër. Me dashje apo pa dashje të Safetit, është çështje që autori i këtij shkrimi do të mundohet ta interpretojë një herë tjetër.
Nga sa thotë, Fallo tenton të lërë në opinionin publik përshtypjen se gjithçka ka ndodhur nën faktorë individualë psikologjikë. Këta në të vërtetë njihen si elementë shumë të shpeshtë nëpër vetëvrasje.
Ndërkohë nuk kërkohet shumë vëzhgim për të kuptuar se Dhimitër Fallo e mbajti fort të kyçur atë që mund të kish ngjarë brenda mbledhjes dhe prej të cilës, për të kryer gjestin e tij vetëflijues, Safet Butka, pati dalë me premtimin se do të rikthehej. Sepse mund të ketë qenë fajtor dhe shkaktar i vetëvrasjes grupi lokal udhëheqës i BK, Fallo lëshoi fjalët e përgjithshme: “Kjo ngjarje fatkeqe, kjo mynxyrë e zezë, ka hedhur në zi të thellë jo vetëm ne shokët e tij, jo vetëm Kolonjën e tij të dashur, por gjithë Shqipërinë. Është një zi e madhe kombëtare kjo që na ka mbledhur sot këtu, në këtë mbledhje, në të cilën mungon fytyra më e çquar e Kolonjës trime e atdhetare, mungon udhëheqësi i saj i madh, ushtari i saj i parë, Safet Butka”. Pastaj: “Jeta dhe veprat e tij janë tani një pasuri e historisë së re të kombit tonë. Në kohë lirie e paqeje të tjerë do ta kryejnë këtë detyrë”.
Një lloj shpjegimi i vonuar i Ballit Kombëtar, kur kënga e ngritur prej kundërshtarëve komunistë pati marrë dhenë dhe ishte në sukses të plotë diversionist, u bë në 19 nëntor 1943, tek një trakt, për të cilin folëm pak më sipër. Ai u publikua dhe u shpërnda “Me rastin e dymujorit të vdekjes”. Ai nis me fjalët: “Dy muaj më parë, më 19 shtator 1943, profesor Safet Butka ndahej nga shokët e nga miqt, duke i dhënë fund jetës së tij me dorën e vet.
Njeriu që kishte vuajtur më tepër se katër vjet në burgje dhe në arrati, njeriu që ishte shkrirë me gjith familjen e tij për t’i shërbyer çështjes kombëtare, njeriu që nasionalizmit i kishte falur trupin dhe shpirtin, këtij nasionalizmi që ai i kishte ndjerë të gjitha drithmat dhe ahet e brëndëshme, njeriu që s’ishte frikësuar kurrë kundrejt çdo rrebeshi dhe rreziku, që kurrë s’kishte humbur kurrë shpresën te fuqit e Atdheut, përpara një akti të dobët të shkakëtuar nga një klikë kriminelash, Ai u ligështua dhe për të mos parë që fishekët dhe pushkët e Ushtarëve të Lirisë të zbrazeshin për të vrarë Shqiptarë, u nis nga kjo jetë me një krismë revolveri”.
Kjo deklaratë zyrtare e pas dy muajve fare lehtë mund të shqiptohej 61 ditë më parë dhe do ish shumë më e dobishme për të frenuar vëllavrasjen.

Shpifja jo nga i vëllai, por prej PKSH

Kur ndodhi vetëvrasja e Safetit, i vëllai i tij eksponent partizan, Muharrem Butka, gjendej afër Melçanit dhe teqesë së tij. Këtë e dëshmojnë edhe tre episode. Sipas njërit prej tyre, Muharremit, i cili në luftën çlirimtare kishte dalë bashkë me tërë familjen, bashkëshorten dhe tre djemtë, një çast e shoqja, Emineja, i pati thënë “Se çfarë ka ndodhur atje poshtë, ku është yt vëlla?” Por Muharremi nuk kish reaguar. Më pas u mor vesh se në ato momente ai nuk dinte gjë për humbjen e jetës së vëllait. Në një rast pak më të mëvonshëm Emineja i kish tërhequr vëmendjen të shoqit të shkonte të merrte pjesë në varrimin e të vëllait, por sërish ai e pati refuzuar. Episodi i tretë: djali i madh i Muharemit, Aliu, kujton: “Kur e vrau veten Safeti ne ishim në mal. Mbaj mend një gjë, që nuk më vjen mirë ta them. Ishte borë atë ditë. Muharremi vetë qe i plagosur dhe hipur në mushkë. Ishte gati i paralizuar prej plagës që kishte marrë në demonstratën e Korçës. Lëvizte me shumë mundim. Unë isha në këmbë. Nja pesë apo gjashtë veta ishim. Ne po vinim nga krahu i Voskopojës, një grup partizanësh vinin nga ana e kundërt, nuk di prej ku. U përshëndetëm, pastaj ajo pyetja për Muharremin “A e more vesh?” “Çfarë?”, tha ai. “Safeti vrau veten”. Dhe im at tha një llaf që në të vërtetë mua më tronditi shumë. Tha: “U la një halé”....I thashë pse foli ashtu dhe mu përgjigj: “Rri se je i ri ti, nuk e kupton!”
Në fletoren e tij të kujtimeve Muharrem Butka ka edhe këto radhë: “Nga fundi i muajit gusht nxora këngën për demaskimin e Safetit sa ishte gjallë”. Gjithnjë sipas asaj që vetë Muharremi shkruan, vargjet e krijuara kundër Safetit në fundgusht 1943 i ka dorëzuar (“...ju kujtoj se në Komitetin Qendror të Partisë është një dosje ku janë dorëzuar të gjitha vjershat e mija qysh nga burgu i Korçës 1941”).
Kështu u montua shpifja se Safet Butka e vrau veten në nevojtore. Një shtytje kësaj fabule cinike ia pati dhënë vetë pa dashje grupi udhëheqës i Ballit Kombëtar të Korçës. Ata doemos do ta tregonin si dhe për çfarë arsye ai kishte marrë leje të dilte për pak kohë nga mbledhja: do të derdhte ujët e hollë.
Në fakt ku tha ashtu Safeti e pati marrë në mënyrë të hekurt vendimin për të qëlluar veten dhe nuk kish forcë ta ndalonte. Sipas rrjedhës së veprimeve të tij, ai qe në kërkim të një mjedisi ku pa e parë dhe penguar njeri do të vetëvritej. Duke mos gjetur në teqe dhomë të zbrazët (e njihte mirë atë mjedis, sepse ajo qe edhe rezidenca e tij kryesore luftarake) shkoi tek pema në fund të oborrit. Miku i dhimbshur dhe besnik, Alo Luarasi, “ia prishi” planin për një vetëvrasje larg syve të të tjerëve, por nuk e pengoi dot.
Nga të gjitha burimet nga vijnë dinamika e veprimeve të Safet Butkës nuk ka asnjë shenjë që të dëshmojë se ai, për të dhënë jetën, është përpjekur të futet në nevojtoren e teqesë. Ai njeri i ditur, i thirrur nga bashkëkohësit me emrin nderues “Profesor”, e dinte që vetëvrasja nuk duhej bërë kurrë në “halet”.
Safet Butka dëshironte të vdiste me dinjitet dhe veproi pikërisht ashtu.
Duke shpifur apo heshtur, emërtuar vdekje të merituar apo çast dobësie, deri tani nuk dihet sa do të zgjasë terri i mosthënies së të vërtetës. Atë Safeti e mori me vete, sepse as e deklaroi me fjalë dhe as e shkruajti.
Po t’i bënte këto në historinë tonë kombëtare do të kuptonim më mirë përse i vëllai i tij u përdor dhe se një poemë të tërë ligësie të bënte, pa makinën e madhe propagandistike të PKSH-së, “kënga e halesë” do të fikej ditën e krijimit.

Ylli Polovina

Tiranë, më 8 korrik 2018

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com