Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

TIRANA POROSIT MISIONIN TONË NË NJU JORK: NË SALLËN E OKB-së MOS BËNI ASNJË VEPRIMTARI PËR SKËNDERBEUN!


(Shkrimi pesëdhjetë e shtatë i ciklit ekskluziv për “Illyria” kushtuar Vitit të Gjergj Kastriotit)

(Botuar në “Illyria” në 12 nëntor 2018)

Ndërsa në territorin italian ambasada shqiptare në Romë si edhe qeveria e Tiranës ndodhen në krye të një mësymjeje të madhe organizative për festimet e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, ku në muajt tetor dhe nëntor filluan të vendosen buste të heroit tonë kombëtar në disa komuna arbëreshe e në qytetin e Kozencës, në ritëm të plotë kjo fushatë është edhe në shtete të tjera.
Në Francë, në Zvicër, në Austri, por sadopak edhe në ndonjë vend tjetër të Evropës, aktivitetet për festën që do të kulmonte në 17 janar 1968, janë po ashtu në gjallërim të plotë.
Atmosfera e ndezur jubilare prej qeverisë komuniste të Tiranës kapërcente edhe hapësira të mëdha përtej eurokontinentit, në lindje duke nisur nga Egjipti dhe mbërritur në Kinë, në Korenë e Veriut, madje deri edhe në Vietnamin e përfshirë në luftë.
Harta e gjerë e festimeve shtrihej me hap të madh edhe në drejtimin e kundërt, atë të perëndimit të globit: në Argjentinë sidomos.
Por edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këtu institucioni që do të merrej intensivisht me këtë ngjarje ishte Misioni i Përhershëm i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
I vëmë në dukje lexuesit se 500-vjetori i Skënderbeut u zhvillua në një situatë ndërkombëtare mjaft të nxehtë dhe të lidhur tërësisht edhe me sigurinë territoriale të Shqipërisë. Kjo gjendje i jepte përparësi qeverisë së Tiranës dhe vetë Enver Hoxhës t’u mëshonte më shumë këtyre festimeve dhe të vinte në jetë doktrinën për t’u bërë ballë të dy superfuqive të botës, Bashkimit Sovjetik dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në një farë mënyre të dëshmonte se “e hidhte vallen në gojën e ujkut”.
E papritura e parë që kërcënonte sovranitetin e hapësirës territoriale të Shqipërisë nisi në qershor 1967 dhe kishte të bënte me përleshjen e armatosur që shpërtheu midis Egjiptit, Sirisë, Jordanisë dhe Izraelit.Arabët përkraheshin nga BRSS, politikisht, diplomatikisht e mbi të gjitha me armatime të rënda, izraelitët prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Anglisë dhe Francës. Sigurisht edhe këta nuk ia kursenin shtetit hebre armët më të sofistikuara që kishin.
Kacafytja qe aq shumë këmbëngulëse të shkonte deri në fund, me pushtim territoresh, sa që mjaft vende të tjera përreth teatrit të luftimeve të shfrenuara, por edhe të tjerë më tej por afër rrugëkalimeve ajrore, nisën me shpejtësi marrjen e masave për t’u mbrojtur prej ndonjë agresioni në shpinë, nga sovjetikët por edhe prej amerikanëve.
Duke qenë në buzë të korridoreve ajrore ku kalonin jo vetëm avionët ushtarakë të NATO-s, por patën marrë leje nga qeveria e Beogradit edhe sovjetikët të hynin në qiellin verior jugosllav (për t’u kthyer pastaj, sapo dilnin në bregdetin adriatikas, drejt jugut, Mesdheut dhe të mbërrinin në hapësirën përleshëse), në masa të forta sigurie u vu edhe Shqipëria.
Ndërkaq Izraeli shkatërroi tërë aviacionin luftarak egjiptian dhe i pushtoi këtij vendi territore të tëra, po ashtu edhe Sirisë e Jordanisë. Më në fund në Nju Jork u dha alarmi të përmbahej Izraeli dhe u thirr sesioni i jashtëzakonshëm i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Nëpër seancat e gjata dhe pa vendime të mbledhjeve të Këshillit të Sigurimit, si dëgjuesë, merrnin pjesë edhe dy diplomatë shqiptarë, ambasadori Halim Budo dhe Sekretari i Dytë i Misionit Sokrat Plaka. Për fat këta dy do të ishin ndër më të zotët e diplomacisë tonë të kohës.
Sipas librit të kujtimeve të vetë Sokrat Plakës, shkruar pas rënies së diktaturës, por edhe atij të Vangjel Kasapit, “Sokrat Plaka, personalitet shumë dimensional i Diplomacisë Shqiptare në Botë”, në njërin prej pushimeve të mbledhjeve të Këshillit të Sigurimit, ndërsa Budo dhe Plaka po bëninnjë shëtitje të shkurtër, krejt papritur iu afrua përfaqësuesi i përhershëm i SHBA-ve Artur Goldberg. Ky komunikoi menjëherë. Në pak fjalë tha se në situatën që po zhvillohej në Lindjen e Mesme, Shqipëria po druhej për integritetin e saj territorial, por...Këtë çast Golberg bëri një pauzë të shkurtër dhe shqiptoi: “Njoftoni qeverinë tuaj se, SHBA nuk ka asnjë qëllim të sulmojë Shqipërinë. Këtë jua them unë në emër të qeverisë amerikane, bile jam gati të bëj menjëherë një vizitë në Shqipëri për bisedime”.
Pas kësaj ambasadori amerikan në OKB nuk tha asnjë fjalë tjetër, u dha dorën dhe u largua. Halim Budo ndenji akull, sikur të mos kishte ndodhur gjë, sepse druhej mos qenë porositur qëllimisht kamera që t’i filmonin dhe prej kësaj të plaste ndonjë skandal ndërkombëtar diplomatik.
Në fakt, siç edhe ai bashkë me Sokrat Plakën e vunë re, asnjë kamera e tillë nuk dukej afër tyre.
Plotësojmë këtë pamje të gjendjes ndërkombëtare shumë të tensionuar ndërsa Shqipëria dhe tërë shqiptarët përkujtonin 500-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit, edhe me ngjarjen e dytë: në gusht 1968 Bashkimi Sovjetik dhe Traktati i Varshavës pushtuan pabesisht, nëpër natë, Çekosllovakinë dhe nga shumë burime Tiranës i erdhën të dhëna se po përgatitej një sulm sovjetik kundër Rumanisë e mbi të gjitha, për të dalë në Adriatik e Mesdhe, edhe ndaj Shqipërisë.
Ndërsa dy diplomatëve tanë në OKB u qe komunikuar qëndrimi amerikan për të mos e cenuar sovranitetin e territorit të saj, pra në thelb marrëdhëniet SHBA-Shqipëri, edhe pse pa lidhje shtetërore të drejtpërdrejtë, të ishin të sigurta në respektimin reciprok, Misioni ynë i Përhershëm në OKB angazhohet me veprimtaritë për Gjergj Kastriotin.
Gjatë dhjetorit 1967 midis këtij Misioni të drejtuar nga Halim Buda dhe Komitetit për Marrëdhënie Kulturore e Miqësore me Botën e Jashtme, në krye të të cilit ishte një diplomat tjetër, Misto Treska, pati një korespodencë të ngjeshur. Prej kësaj paraqitjeje lexuesi do ta ketë më të lehtë të krijojë një pamje të gjërave.
Pa hyrë dhjetori 1967Treska i dërgoi Misionit në Nju Jork një radiogram të shkurtër, në të cilin thuhej se “për 500 vjetorin e Skënderbeut do të ftojmë dhjetë shqiptarë nga kolonia me shpenzimet tona”. Fjalia mbyllëse vinte detyrë: “Deri në 29 nëntor mendoni se cilët do të jenë këta dhjetë”.
Në 6 dhjetor 1967, në vazhdim të korrespodencës, Halim Budo i dërgoi Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, por edhe Komitetit lëndën e mëposhtme: “Lidhur me festimin e 500 vjetorit të Skënderbeut këtu, mendojmë për Misionin këto veprimtari:
E para, t’u shpërndajmë materiale propagandistike mbi Skënderbeun përfaqësive diplomatike, shqiptarëve të kolonisë, etj.
E dyta, të japij një koktej me shqiptarët e kolonisë ku kur të ftohen edhe 50-60 vetë për të cilën duhet të aprovohet fondi përkatës me 150 dollarë.
E treta, të shikoj mundësinë e organizimit të një ekspozite mbi Skënderbeun në sallën e OKB-së, ku të thirren miqtë tanë diplomatë, shqiptarë të kolonisë etj. Në inaugurimin e saj të flitet rreth dy faqe mbi figurën e Skënderbeut. Për këtë duhet të autorizohem të bisedoj unë me U Tanin, ose në mungesën time Sokrati dhe të aprovohet fondi përkatës.
(U Tani qe Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së).
E katërta, të bëhen përpjekje që në shtypin e vendit të botohet ndonjë artikull për Skënderbeun. Mendojmë gjithashtu të shpërndajmë këtu në OKB një komunikatë mbi festimet e përvjetorit të Skënderbeut, teksti i të cilës në inglisht të na dërgohet nga qendra, ku të flitet për figurën e Skënderbeut. Teksti të përbëhet prej rreth 3-4 faqe dhe të jetë komunikatë e ATSH-së.
E pesta, me kryesinë e Organizatës “Shqipëria e Lirë” po bisedohet që me rastin e 500 vjetorit të bëhen këtu: a) gazeta “Liria” të nxjerrë një numër special kushtuar 500 vjetorit të Skënderbeut dhe të çelë një rubrikë mbi Skënderbeun; b) të organizojë në Boston një ekspozitë mbi Skënderbeun materiali i të cilës do të dërgohet nga ana jonë.
E gjashta, të shfaqet tek shqiptarët e kolonisë në Boston filmi Skënderbeu”.
Në mbyllje të këtij radiogrami shpjegues vihet në dukje se “Për realizimin i të gjithë programit të sipërmë duhet që nga qendra të vijnë këto në kohë gjithë materialet e ndryshme”.
Në 9 dhjetor 1967 Misionit në OKB iu përcoll mesazhi i koduar: “Për jubileun e Skënderbeut ftoni këta 1. Xhon Nase, 2. Nik Kamenica 3. Gori Riska. 4.Shefet Bënça. 5. Asim Lulo. 6. Gani Mosko. 7.Hulusi Kavo. 8. Vangjel Marko. 9.Xhorxh Puleshi. 10. Elpiniqi Frashëri. 11. Ollga Kërxhalli.
Në rast se ndonjëri nuk vjen dot të zëvendësohen me këta persona rezervë: 1. Jani Gallani. 2. Sotir Dilogjika. 3. Selim Zverku. 4. Ofeli Themeli.
Këta do të vijnë me shpenzimet tona të udhëtimit dhe qëndrimit këtu për dy javë. Do të ftohen në emër të Komitetit për MarrëdhënieKkulturore e Miqësore me Botën e Jashtme. Në rast se ndonjëri nga të ftuarit dëshiron të marrë me vete gruan ose burrin (kur i ftuari është grua) jemi dakord ta marrë por të shpjegohet mirë se shpenzimet e udhëtimit dhe të qëndrimit do të jenë të tyre. Dhe se në ceremoninë zyrtare nuk do të marrin pjesë. Bëni komunikimet dhe siguroni shpejt përgjigjet e tyre. Na njoftoni sa më shpejt se me çfarë mjeti dhe rruge do të vijnë. Në rast se nuk arrijnë dot me vapor le të vijnë me avion. Më 11 janar fillojnë ceremonitë prandaj duhet të jenë në Tiranë para kësaj date. Presim urgjent. Misto”.
Në 15 dhjetor 1967, të protokolluar me numrin 3904, Misionit në Nju Jork i mbërriti nga Tirana ky radiogram: “Në OKB mos kërkoni të bëni aktivitete”.
Pastaj: “Aktivitetet për Skënderbeun, ato që janë të mundura, të bëhen nëpërmjet shqiptarëve, por pa shpenzime nga ana jonë”.
Në vijim: “Do ju dërgojmë artikuj, një ekspozitë mbi Skënderbeun. Në rast se Organizata “Shqipëria e Lirë” nuk e ka filmin që i është dhuruar nga ana jonë, na njoftoni urgjent që t’ju nisim tjetër. Misto”.
Në të njëjtën ditë të 15 dhjetorit 1967, me numrin 3905, Misionit të Përhershëm të Shqipërisë në OKB, iu dërgua mesazhi i mëposhtëm: “Nga të ftuarit për jubileun e Skënderbeut kush do të dojë të vijë me shpenzimet e tij të udhëtimit jemi dakord t’i paguajë vetë. Misto”.
Në 23 dhjetor nga Tirana në Nju Jork u nis ky radiogram saktësues: “Është ftuar Xhorxh Gallani dhe jo Jani Gallani, prandaj sqarojini që të dy për këtë gabim telegrafik
Po ju dërgojmë biletë Alitalia vetëm për të ftuarit, të tjerët biletat t’i blejnë vetë. Vizat në Romë. Na mbani në korent vazhdimisht. Misto”.

(Vijon)

Ylli Polovina

Tiranë, më 11 nëntor 2018


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com