Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

PËRFUNDIMI I KRIZËS SË ARMATOSUR TË SHTATORIT 1998: DORËHIQET FATOS NANO


Pas vrasjeve të Azem Hajdarit dhe të Ahmet Krasniqit, pushtimit të ndërtesave qeveritare dhe të radiotelevizionit shtetëror nga ndjekësit e Sali Berishës

(Botuar në Illyria në 25 tetor 2019)

Ylli Polovina
Sekretar i Parë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Romë nga 8 dhjetori 1997 deri në 3 mars 2002.

Shkrimi i dyzetë e dy i ciklit me kujtime, ekskluzivisht për “Illyria”, kushtuar 20-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës

Në 24 shtator 1998 e përditshmja komuniste italiane \"Il Manifesto\" botonte, pa autor, në krye të faqes 8, lajmin me titull: \"Akoma në shesh militantët e Berishës\". Ndërsa thoshte se pas disa ditësh heshtjeje Partia Demkratike pati mbledhur sërish në shesh 2-3 mijë militantë të saj e demonstrata e tyre qe bërë pa incidente, hartuesi anonim i shkrim-lajmit vijonte: \"Ndërkohë një sulm i erdhi qeverisë nga polaku Bronisllav Geremek, kryetar i radhës i OSBE-së: \"Qeveria shqiptare duhet të tregojë më respekt për rolin demokratik dhe të drejtat e opozitës dhe të mos inkurajojë aksione të nxituara që kontribuojnë në rritjen e polarizimit\". Siç e shihni, vijonte gazetari që nuk kallzonte emrin, ky është nga Geremeku leximi tronditës i fakteve të ndodhura ditët e fundit në Shqipëri, pra në rast se qeveria ishte duke u rrëzuar nga një grusht shteti i së djathtës, faji është edhe pak i saji\".
Ndërkohë e përditshmja e krahinës së Puljes, por që shpërndahej dhe lexohej në të tërë Italinë, \"La Gazzetta del Mezzogiorno\", publikonte në faqen 4 shkrimin e Karlo Bolinos \"Në Tiranë tani është koha e larjes së hesapeve\". Ai botohej në rubrikën e njohur \"Shqipëri-Pulia\".
Artikulli përbëhej nga një hyrje dhe pesë nyje. Këto të fundit qenë \"Qeveria\", \"Opozita\", \"Kryetari i Shtetit\", \"Faktori ndërkombëtar\" dhe \"Ekonomia\".
Bolino që tashmë kishte një përvojë të gjatë jete në Shqipëri si drejtues i “Gazeta Shqiptare” dhe ato çaste të shtatorit 1998 ndodhej në një pozicion me rëndësi në qytetin e Barit në krye të “La Gazzetta del Mezzogiono”, në pjesën hyrëse, direktive të artikullit, vinte në dukje se \"Shqipëria, mes tensioneve dhe marrëveshjeve, po kalon ditë të vështira\". Atëherë, shtonte në thelb autori, po e shkruajmë këtë artikull për të kuptuar se çfarë po ndodh atje. Me këtë rast Karlo Bolino spikaste: “Diplomacia ndërkombëtare, siç edhe druheshim, duket se e konsumoi funksionin e vet\". “Një delegacion i vogël i bashkësisë ndërkombëtare, nënvizonte më tej ai, erdhi dhe iku si vetëtimë. Tani politikanët shqiptarë janë lënë të braktisur në një larje të rrezikshme hesapesh. Le të shohim një nga një lojtarët e saj.
Qeveria: \"Qeveria e Fatos Nanos doli e dobësuar nga kriza e armatosur e javës së shkuar\". Ajo përjeton një konflikt të vjetër brenda saj mes pesë partive të koalicionit. Kryeministri duhet të përballë edhe kundërshtarët brenda partisë së vet. Ata i kërkojnë llogari për ikjen misterioze të hënën, ndërsa manifestuesit sulmonin institucionet në Tiranë. Akoma Nano nuk e ka sqaruar këtë zhdukje të tij. Më e mundshmja është që pas disa ditësh ai të ndërrojë disa ministra, duke filluar nga dy zëvendësit e vet. Ndryshimet prekin edhe Ministrinë e Brendshme. Kufiri maksimal i mbijetesës është 21 nëntori, referendumi për propjektkushtetutën. Në rast se ajo nuk miratohet, dorëheqja e kryeministrit është e pashmangshme.
Opozita: \"Edhe opozita ka dalë e dobësuar nga trazira e armatosur\". Sali Berisha është akuzuar nga prokuroria se ka organizuar kryengritje. Parlamenti i ka hequr imunitetin. Është e mundur që arrestimi (në rast se do të ketë) të bëhet shpejt, \"por Berisha duhet të bëjë mirë llogaritë me bashkësinë ndërkombëtare, para së cilës i duhet të rindërtojë një imazh të moderuar\". \"Ndërkohë ai vijon të nxjerrë njerëzit në shesh dhe të kërkojë dorëheqjen e kryeministrit dhe krijimin e një qeverie teknike\".
Kryetari i Shtetit: \"Presidenti i Republikës Rexhep Meidani është thirrur nga bashkësia ndërkombëtare të kryejë rolin e vështirë të ndërmjetësit të krizës së brendshme. Por fuqitë e tij në këtë fushë duken të kufizuara. Socialistët refuzojnë çdo lloj dialogu me Sali Berishën dhe vetë Meidani ka deklaruar se nuk do të ulet në një tavolinë për bisedime me \"përgjegjësit e grushtit të shtetit\". Tani për tani pushteti i tij kufizohet në ndërmjetësimin mes partive të vetë koalicionit për ndryshimin e ekzekutivit\".
Bashkësia ndërkombëtare: \"Përshtypja e përgjithshme është se kriza e dhunshme e dhjetë ditëve të fundit u influencua nga faktorë ndërkombëtarë, që kanë vepruar në hije dhe që deri tani duken shumë të vështirë për t\'u identifikuar. Këto ditë në Ballkan po luajnë njëherësh shumë palë. Lufta e Kosovës duket se ka mbërritur në prag të një marrëveshjeje që jo të gjithëve u pëlqen. Maqedonia në tetor shkon në zgjedhje dhe vota e saj politike mund të rëndohet nga bashkimi i mundshëm i dy partive të pakicës shqiptare, deri dje të ndara. Greqia sheh me shqetësim realizimin e Korridorit të Tetë, i cili do të kalojë nëpër Shqipëri dhe që rrezikon ta nxjerrë jashtë nga tregtia e madhe ndërkombëtare. Fondamentalistët islamikë kanë individualizuar në Shqipëri platformën e tyre të suljes drejt Perëndimit. Shtetet e Bashkuara duket se zhvillojnë një politikë ekuivoke: deri disa muaj më parë i jepnin një mbështetje të madhe qeverisë Nano, javët e fundit duken më prudente. Italia, nga e cila pritet shumë, për momentin po rri e sheh\".
Ekonomia: \"Gjendja politike që po kalon vendi sigurisht që nuk ndihmon ekonominë, por interesante është se leku nuk ka pësuar gjer tani asnjë lëkundje me gjithë krizën e rëndë që po kalohet. Deri tani i qëndrueshëm është edhe inflacioni. Janë konfirmuar më në fund edhe ndihmat ndërkombëtare, të cilat Shqipëria me ankth i pret që prej një viti. Janë shenja pozitive, por që në mënyrë paradoksale rrezikojnë të transformohen në një kërcënim tjetër, të paktën për ato palë që duan me çdo kusht të destabilizojnë vendin. Si të thuash, historia akoma nuk ka mbaruar\".
Por në mëngjesin e 24 shtatorit, përveç dy të përditshmeve të mësipërme, me analizën e ngjarjeve në Shqipëri, merrej edhe \"Corriere della Sera\". Ajo i çelte vend komponentit tjetër të tyre. Publikonte në fillim të faqes 13 shkrimin e gazetarit të saj Enio Kareto \"Kosovë, provë ndërhyrjeje\".
Nëntitulli i parë qe: \"Ultimatum i OKB-së për ndërprerjen e zjarrit. SHBA: \"Pastaj nis sulmi i NATO-s\". Nëntitulli i dytë kishte fjalët “Tashmë janë gati dyqind avionë, Boni ofron 14 “Tornado”, pritet kontributi italian\".
Në këtë analizë autori, pasi paraqiste qëndrimet e të gjitha palëve, këmbëngulte se ministri i Mbrojtjes i Italisë Beniamino Andreata do të mbante në Vilamura të Portugalisë, në mbledhjen e ministrave të Mbrojtjes të NATO-s, një raport mbi gjendjen në Kosovë, por edhe në Shqipëri. Po kështu që Kinkel pati përjashtuar faktin se mund të kishte sulme ajrore këto tre-katër javët e ardhshme. Shtonte se plani amerikan qe një cikël vizitash të sekretarit për Mbrojtjen Kohen në kryeqytetet kryesore të Evropës dhe kishte parasysh bombardime nga ajri të objektivave ushtarakë jugosllavë në Serbi dhe në Kosovë. Ato do të goditeshin me raketa Tomahouk. Artikulli në fund të tij citonte gazetën amerikane \"Nju Jork Tajms\", në të cilin thuhej se Shtëpia e Bardhë pati thënë se \"koha e diplomacisë tashmë ka përfunduar\".
Ndërkaq në \"La Stampa\" publikohej në fund të faqes 6 shkrimi \"Dini: Është e rrezikshme të ndërhysh në Kosovë\". Në fragmentin e fundit të tij thuhej: \"Dini e shpjegoi përse. Situata \"territoriale\" në Kosovë është tashmë shumë e ndërlikuar, zonat e kontrolluara nga forcat e Millosheviçit e ato që kontrollohen nga rebelët nuk janë më të dallueshme. \"Një ndërhyrje është skajisht e rrezikshme...Kundër kujt do të drejtohen sulmet?\" Problemi më urgjent për t\'u zgjidhur, deklaron ministri Dini, është ai i 250.000 refugjatëve të Kosovës. Ata duhet të sistemohen para se të vijë dimri, ndryshe \"do të jetë një tragjedi e madhe humanitare\". Por në këto çaste nisma duhet t\'i jepet diplomacisë dhe përdorimi i forcës duhet të konsiderohet si një \"masë ekstreme\".
Këtë ditë të 24 shtatorit 1998 gazeta me tirash të madh \"La Repubblica\" në krye të faqes 14 bënte të njohur shkrimin e vet: \"OKB paralajmëron Millosheviçin\". Nëntitulli i parë qe: \"Gati plani i NATO-s për Kosovën\". Njëri prej dy nëntitujve te tjerë thoshte: “Vazhdojnë sulmet serbe në perëndim të Prishtinës: shumë viktima, ikje të reja refugjatësh\".
Pikëprisht këtë ditë, në mbrëmje, teleteksti i RAI-t publikoi lajmin se lideri i opozitës shqiptare Sali Berisha pati falënderuar Italinë dhe SHBA për ndihmën që luajtën në shmangien e luftës civile në Shqipëri. Lajmi që hyri në shumëfaqëshin e kronikës (fq.190) e mbante orën 19. 47, nuk u fut në faq1998, et operative (të lëvizshme) 103 dhe 120. Pas mesnatës ai u hoq. Pra, qendroi në teletekst vetëm katër orë.
Të nesërmen, katërmbëdhjetë ditë nga çasti i vrasjes së Azem Hajdarit dhe dymbëdhjetë të tilla prej momentit kur u sulmua deri edhe me tanke Kryeministria, tre njëzetë e katër orë nga vrasja me atentat i Ahmet Krasniqit, në 25 shtator \"Il Manifesto\" botonte me gërma të zeza shkrimin \"Golpisti Berisha falenderon SHBA dhe Italinë\". Midis të tjerash në të thuhej se Sali Berisha \"ka lajkatuar qëndrimin e Prodit dhe Dinit \"sepse u shprehën në favor të një zgjidhjeje politike, si duke kërcënuar të ndërpresin ndihmat, ashtu edhe duke dënuar vendimin e qeverisë së Fatos Nanos për të hequr imunitetin e Berishës\".
Ndërkaq disa gazeta të kësaj date e informonin opinionin publik vendas shfaqjen në brigjet e Pulies të një flote të tërë gomonesh të ardhura nga brigjet e Vlorës dhe mbi kapjen nga policia italiane e kufirit të 450 klandestinëve. Ata qenë kryesisht kurdë, hindianë, turq, irakianë, shqiptarë, por edhe “qytetarë nga Kosova”.
Por këtë ditë qe \"Corriere della Sera\" që tërhiqte vëmendjen me shkrimin e Enio Karetos, botuar në faqen 13, \"Kosovë, NATO në alarm\". Nëntitulli i parë përdorte fjalët \"Uashingtoni: \"Po kalojmë nga letrat tek bombarduesit\", i dyti \"Sekretari Havier Solana: \"Nuk është ultimatum për Beogradin, por nuk jemi shumë larg\".
Në këtë shkrim jepej informacioni rreth mbledhjes në Portugali të ministrave të jashtëm të vendeve të NATO-s, vendimeve të saj dhe deklaratave të ndryshme të pjesëmarësve. Midis të tjerash në të ishte edhe fragmenti \"Midis diskutimeve të shqiptuara nga ministrat, ku qe edhe ai i italianit Nino Andreata, i cili e hapi me një raport mbi Kosovën dhe Shqipërinë, më i ashpri ishte ai i anglezit Xhorxh Robertson. \"Është çasti që NATO të përgatisë municionet- tha Robertson- dimri po vjen, pritet një katastrofë humanitare, kriza duhet të zgjidhet me nxitim...Në fillim na dukej se po hynim në një Vietnam, por tani është e qartë që asnjëra palë nuk mund të fitojë...Millosheviç duhet ta dijë se në rast që nuk hyn në bisedime do të ketë kundër pasoja të ashpra\".
Ndërkohë \"La Stampa\" publikonte artikullin e Engrid Badurinës \"Millosheviç, avionët tanë janë gati\". \"La Repubblica\" në gjysmën e faqes 14 i hapte vend shkrimit \"SHBA paralajmëron Millosheviçin \"Në Kosovë jemi gati të godasim\". Nëntitulli përfshinte fjalët \"Udhëheqësi serb: \"Asnjë lëshim këtyre presioneve të pabesa\". \"Il Manifesto\" nga ana e vet botonte artikullin \"NATO llogarit avionët për sulmet antiserbe\". \"L\'Unita\" mbante të njëjtën linjë: \"Kosovë, NATO përgatit sulmet kundër serbëve\". Tek nëntitulli ndodheshin edhe fjalët \"Paralajmërimi i fundit për Millosheviçin\".
Ndërkaq në mbrëmjen e 25 shtatorit 1998 ndodhi një e papritur: ra heshtja. Dukej si para një furtune.
Televizionet italiane nuk trasmentuan asgjë as për Shqipërinë dhe as për Kosovën. U krijua një gropë e papritur informative, gjë shumë e çuditshme për një territor që ciklikisht tronditej dhe ku “tërmetet” nuk bënin pushim. E habitshme se si kjo gropë kishte thëthitur jo vetëm vrasjen e deputetit Azem Hajdari dhe sulmin e bujshëm të opozitës me pushtimin e selisë së kryeministrisë si edhe të disa ministrive të saj, po ashtu edhe të radiotelevizionit shtetëror, por edhe turbullirën më të fundit: vrasjen me atentat të fshehtë të komandantit të Forcave të Armatosura të Kosovës, Ahmet Krasniqin.
Në mëngjesin e 26 shtatorit 1998 ritmin tashmë të përjashtuar nga ekrani të informacionit për çfarë po bënin shqiptarët në trojet e tyre, do ta përballonin vetëm disa gazeta. \"Corriere della Sera\" do të botonte në krye të faqes 11 shkrimin \"Kosovë, sulmi përfundimtar. Iu pre koka guerriljes shqiptare\". Nëntitulli kishte fjalët: \"Në një pritë është plagosur zëvendësi i \"të moderuarit\" Rugova\".
Po shfaqej një përpjekje e re për vrasje shqiptari shumë të njohur: atentati ndaj shkrimtarit Sabri Hamiti.
Në këtë shkrim citohej deklarata e kolonelit Bozhidar Filiç, zëdhënës i policisë serbe, sipas të cilit forcat e sigurimit të vendit të vet \"kanë likujduar disa dhjetra terroristë\" dhe arrestuar 350 shqiptarë, të dyshuar se kanë marrë pjesë në sulmet kundër policisë serbe. Artikulli theksonte: \"Por ai as i përmendi të paktën disa dhjetra mijra refugjatë, të cilët po ikin nga shtëpitë e tyre si pasojë e sulmit të fundit të serbëve\". Artikulli informonte se në luftimet e shtatë muajve të fundit nga të dy palët qenë vrarë 700 vetë dhe 300 mijë civilë ishin detyruar të braktisnin shtëpitë dhe tokat e tyre. Më pas Filiç i referohej plagosjes së rëndë të Sabri Hamitit, por thoshte se ky atentat \"ka mundësi të jetë kryer nga vrasës të paguar nga UÇK. Rugova dhe njerëzit e tij konsiderohen armiq të luftëtarëve separatistë, sepse ata ndjekin akoma një zgjidhje politike të krizës\".
Artikulli mbyllej me idenë se java që vinte, mund të sillte një ultimatum konkret të NATO-s, sepse prej qytetit të Vilamurës Milosheviç ishte paralajmëruar, ndërsa ai bëri të kundërtën, intensifikimin e sulmit kundër fshatrave shqiptare të Kosovës.
\"La Stampa\" ngjarjen e atentatit të ri e trasmentonte drejtpërsëdrejti me shkrimin e Ingrid Badurinës \"Kosovë, pritë zëvendësit të Rugovës. Paralajmërimi i OKB-së nuk i ndal serbët\". Ai niste me fjalët \"Një atentat i ri përgjak skenën politike kosovare. Shkrimtari shqiptar Sabri Hamiti të enjten është goditur me tre plumba para portës së shtëpisë. Ashtu si në pritën tre ditë më parë në Tiranë, në të cilën humbi jetën ministri kosovar i Mbrojtjes në mërgim Ahmet Krasniqi, vrasësit kanë përfituar për të qëlluar nga errësira dhe u zhdukën nëpër rrugët e shkreta të Prishtinës\". Artikulli thoshte se Hamiti \"ishte një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të moderuarit Rugova. \"Miratojmë rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe gatishmërinë e NATO-s për të mbrojtur Kosovën\" ka shtuar Rugova. Pak orë më parë një zëdhënës i Ushtrisë së Çlirimit ka pohuar se rezoluta e OKB-së \"nuk vlente hiç\".
Shkrimi mbyllej me deklaratën e Millosheviçit, dhënë komisares së lartë për refugjatët të OKB-së Sadako Agato, se \"Nuk do të bëhen lëshime megjithë presionet e ushtruara mbi Beogradin\".
”Për atentatin ndaj Hamitit nuk heshtëte as \"Il Manifesto\". Një shkrim i saj formulohej që në titull me fjalët \"Një dështim tjetër për UÇK-në. Plagoset në Prishtinë një këshilltar i Rugovës\". Sipas gazetës komuniste, \"Bëhet fjalë, sipas burimeve të cituara nga ANSA\" për një paralajmërim ndaj të \"moderuarit\" Rugova, në momentet e një marrëveshjeje të mundshme me Beogradin për të ardhmen e Kosovës\".
Në mbrëmjen e 26 shtatorit televizionet italiane nuk trasmetuan asgjë për Shqipërinë dhe Kosovën, gjendje që u përsërit në mbrëmjen tjetër, atë të 27 shtatorit.
Tre ditë vakum televiziv nuk ishin pak, ndërsa situata qe aq fort e ndërlikuar dhe kishte nevojë që disa ngjarje dhe sjellje personash me ndikim të shpjegoheshin sa më shumë e saktë.
Këtë ditë \"La Stampa\" botonte në faqen 8 shkrimin \"Një ditë \"pastrimi\" në Kosovë: 68 të vdekur\". E veçantë e artikullit ishte deklarata e ministrit gjerman të Mbrojtjes Folker Ryhe: \"Ultimatumi i NATO-s për presidentin jugosllav do të shpallet ditët e fundit sepse po mbërrin dimri\". \"Il Manifesto\" botonte në rubrikën \"Ballkani\" lajmin \"Shtatë agjentë serbë të vrarë nga UÇK\". Në të thuhej se sipas radios të pavarur beogradase B92, në Kosovë nga luftëtarë të UÇK-së ishin vrarë shtatë policë të rinj serbë.
Në 29 shtator ndodhi rihyrja e vrullshme e temës shqiptare në syrin e ciklonit të medias italiane, edhe të televizioneve. Arsyeja qe më pak e pritura si shkak: dorëheqja e kryeministrit Fatos Nano.
Sepse pritej që poteren mediatike në Itali ta bënte çështja e paralajmëruar, arrestimi dhe burgosja e Sali Berishës.
Ose fillimi i bombardimeve të NATO-s në Jugosllavinë e mbetur.
Gjithsesi për mua, punonjës diplomatik i një niveli hierarkik mezatar, me detyrë të parë informimin e eprorëve në Ambasadë e veçanërisht në Ministrinë e Punëve të Jashtme, misioni i përditshëm qe kryer. Drejt Tiranës ishin përgatitur dhe nisur dy dosje: \"Ngjarja Hajdari\" (14-22 shtator), me 10 informacione shtypi në 51 faqe. Po kështu edhe 14 fashikuj arshive me shkrimet origjinale. Qe dërguar edhe dosja e dytë, \"Shtator 1998\" (me periudhat 1-13 dhe 23-30 shtator 1998). Këtu përfshiheshin 16 informacione të përditshme shtypi me 72 faqe si edhe 17 fashikuj.
Kështu për ta mbajtur sa më të ndriçuar këtë “shtator të zi” shqiptar Tiranës i qe dërguar pothuaj një libër: 123 faqe.

(Vijon)

Ylli Polovina

Tiranë, më 22 tetor 2019

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com