Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

VJESHTË 1978, FRANCË: 4000 KOPJE “DIMRI I MADH” U SHITËN, PO SHTYPEN EDHE 3000 TË TJERA.
1967, MEHMET SHEHU KANCELARIT AUSTRIAK JOSEF KLAUS: NA JEPNI PËRGJITHNJË PËRKRENAREN DHE DY SHPATAT E SKËNDERBEUT!
ALARM NË TIRANË, NË FRANCË PO SABOTOHET XHIRIMI I FILMIT “GJENERALI I USHTRISË SË VDEKUR”
NEXHMIJE HOXHA NUK IA DEL DOT TA BËJË AGJENT TË HUAJ MEHMET SHEHUN
MISIONI I MADH KOMBËTAR I PRODHIMIT NË PERËNDIM TË FILMIT “GJENERALI I USHTRISË SË VDEKUR”
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

E VËRTETA DOKUMENTARE E PENGIMIT TË GAZETARIT ITALIAN BRUNO VESPA PËR TË VIZITUAR SHQIPËRINË KOMUNISTE


Pse përgjegjësi i vetëm i këtij pengimi është Javer Malo

(Botuar në “Gazeta Shqiptare” në 26 dhjetor 2019)

Kur në 29 maj 2009, e premte, i ftuar prej televizionit “Klan”, Bruno Vespa ndërkohë që deklaroi se “Do të isha i pari gazetar perëndimor që do të vinte në Shqipëri”, shpjegoi gjithashtu: “Pas tre vjet përpjekjesh regjimi i Enver Hoxhës vendosi të mos vija, e kështu nuk munda më të vij. Tanimë, e pranova me shumë kënaqësi këtë ftesë e jam shumë i kënaqur\".
Pak kohë më pas Vespa foli për revistën e përjavshme italiane “Panorama” dhe mes të tjerash, jo fort i kënaqur prej politikanëve aktualë të vendit të vet, shtoi se në verë 2009 i kishte bërë përshtypje të mirë mosha e re e politikanëve shqiptarë si edhe gjuhët e huaja të shumta që dinin. I rekomandoi ata si shembull. Dukej që më fort në Tiranë i pati bërë përshtypje Edi Rama.
Me Ramën Bruno Vespa ka një lidhje të vjetër, të paktën njëzetë vjeçare. Punonjës në Ambasadën Shqiptare në Romë, autori i këtyre rradhëve e ka ndjekur dhe regjistruar për arsye pune të gjithë intervistën e tij, atëherë ministër i Kulturës, tek emisioni “Porta a Porta” i Vespës. Edi Rama foli fort në favor të çlirimit të Kosovës. Qe mbrëmje e vonë e 18 majit 1999.
Telegazetari i shumënjohur, autor i spikatur librash historikë mjaft interesantë, u ribë tërheqës për shikuesin italian dhe shqiptar edhe këtë vit, në fillim mars 2019. Sërish me një bisedë me Ramën në orët e natës së 5 dhjetorit 2019 ai rikujtoi historinë si regjimi komunist i Tiranës e pati penguar të bënte një vizitë në Shqipëri.
Këtë që i ka ndodhur, duket qartas që Bruno Vespa e ka brengë.
Duke qenë se autori i këtij shkrimi tërë lëndën e asaj që ndodhi në të vërtetë në raportet mes Vespës, Ambasadës Shqiptare në Romë dhe Tiranës Zyrtare, prej më shumë se një dyzine vitesh e ka të marrë prej arkivit të Ministrisë së Evropës dhe të Punëve të Jashtme, prandaj edhe e gjeti të domosdoshme që më në fund ta bëjë të njohur, sigurisht nëpërmjet dokumentash autentike. Kjo ngjarje tashmë i shërben plotësimit dhe pasurimit të historisë kombëtare, pse jo edhe marrëdhënieve mes dy vendeve.
Pra, si është e vërteta e pengimit të Bruno Vespës. Kish dorë Enver Hoxha në këtë çensurim, ndonjë politikan tjetër i lartë i regjimit, Ministria e Punëve të Jashtme apo ndonjë institucion tjetër jo aq shumë i gjithfuqishëm në shtetin e atëhershëm komunist?

Vespa dëshironte të shkruante edhe një libër për Shqipërinë

Në 1976, kur fillon ky episod i çuditshëm, jo pak edhe mjaft absurd, Bruno Vespa drejtonte në kanalin e parë të Televizionit Italian RAI, rubrikën e aktualitetit \"Tam Tam\". Në 1978 qe në krye të programit me të ftuar në studio \"Ping Pong\", i cili më pas vazhdoi me emrin aktual “Porta a Porta”. Shënojmë se në 1978 Bruno Vespa mori çmimin shumë të lartë për gazetarinë “Sant Vincent”.
Në 8 nëntor 2013 ai tregoi për herë të parë se si në vitin 1977 kishte planifikuar dhe përpjekur për të realizuar një seri reportazhesh mbi të “ashpërit e Lindjes”, udhëheqësit komunistë të dikur kampit socialist, që të gjithë në varësi të Kremlinit. Vespa pohoi atëherë se nuk ia kishte dalë me Bullgarinë e Rumaninë, qenë vende mjaft të mbyllur. Para se ta bënte përpjekjen me Çekosllovakinë, ai “trokiti” në derën e Polonisë, regjim që i dukej më tolerant. Këtu falë disa rrethanash, tregon ai (pritej të bënte një vizitë në Romë sekretari i parë i Partisë Komuniste Polake Edward Gierek), ia doli që në fillim të nëntorit 1977 të kalonte kufirin dhe të intervistonte në Varshavë disidentët Jacek Kuron dhe Adam Michnik. Por kjo shkaktoi zemërimin e autoriteteve të vendit dhe nën presionin e tyre Bruno Vespa u thirr në ambasadën italiane në Poloni, ku i kërkuan, edhe pse me mirësjellje, tu dorëzonte bobinat e regjistrimit. Më në fund të dy palët ranë dakord që fshehurazi dy intervistat të dilnin nga kufiri. Bashkë me to qe edhe një bisedë e kryer në Krakovia me arqipeshkvin e qytetit, Karol Vojtila, i cili më vonë do të bëhej Papë.
Në këtë rrëfim të tij të 8 nëntorit 2013 Bruno Vespa nuk tha asnjë fjalë për rastin shqiptar, edhe pse ai zhvillohet saktësisht në këtë periudhë: 1976-1979.
Hyjmë në historinë konkrete të episodit, ku do të përdorim vetëm një pjesë të lëndës arkivore. Në 2 shtator 1976, me radiogramin e koduar dhe pastaj të zbardhur në Tiranë me numrin 1069, ambasadori Pirro Koçi nga Roma e njoftonte Ministrinë e Punëve të Jashtme: “Në një bisedë me gazetarin Dall Ongaro dollën këto çështje: 1) Komenti i Bruno Vespës në televizion mbi vendin tonë është pritur me interesim. Shumë personalitete të qarqeve që e njohin atë si shkrues mbi problemet shqiptare i shprehën dëshirën për të mësuar më shumë mbi qëndrimet tona karshi problemeve politike ndërkombëtare veçanërisht ndaj synimeve sovjetike në Evropë, Mesdhe dhe Ballkan. Ata e konsiderojnë të vlefshëm inisiativën e Brunos dhe hapjen e RAI/TV në këtë drejtim, e cila duhet të vazhdojë.
Ai shtoi se e njeh Brunon si gazetar inteligjent dhe mjaft korrekt. Sipas tij, ai do të vazhdojë të flasë mbi Shqipërinë. Do shikojë bashkëpunimin me të. Këto deklarata nuk m’u dukën të rastit. Ai e di që Vespa ka kërkuar të vijë aty për një shërbim televiziv....”
Në 3 tetor 1977, me radiogramin nr. 1346, Ministrisë iu dërgua ky tekst tjetër: “Në një drekë që i dha Lorencit (Nënshati-shënimi ynë) gazetari Bruno Vespa, dolli se kur ishte aty i tha Vespës se nuk mund ta presim për të xhiruar film për RAI-n dhe se kërkesën mund ta përsëritim në qoftëse don të shkojë si gazetar, etj. Vespa ishte plotësisht dakord të heqë dorë nga xhirimi i filmit dhe të vijë ashtu siç kemi mundësi ta presim, se kjo, tha ai, do të bëjë që në të ardhmen të kenë më shumë sukses programet e tij mbi Shqipërinë. Tha se pas vizitës do të publikojë një libër mbi vendin tonë dhe se këtë e bën gjoja nga simpatia që ka për politikën tonë, e cila e ka ndihmuar edhe për të rritur horizontin si gazetar, etj...”
Pak më tej: “Nisur nga simpatia që ka për vendin tonë sidomos për qëndrimin tonë të pavarur, origjinalitetin e artit tonë, lidhjes së ngushtë të shkrimtarëve me popullin tonë etj, megjithëse thotë se nuk merret me politikë, shprehu dëshirën për ta vizituar vendin tonë në fund të këtij viti, duke pranuar kushtet tona. Këtë çështje kërkoi ta shohim më vonë...”
E informojmë lexuesin se ndërkohë midis ambasadës shqiptare në Romë dhe në Tiranë Ministrisë së Punëve të Jashtme e Komitetit për Marrëdhënie Kulturore dhe Miqësore me Botën e Jashtme, paralel më çështjen Vespa është më intensiv shkëmbimi i të dhënave për rolin që po kryente miku dhe gazetari tjetër italian, Ubaldo Butafava, në prodhimin e dy filmave me temë Shqipërinë. Ja pse në 4 tetor 1976 drejt Romës u nis mesazhi i Javer Malos, kryetar i Komitetit për Marrëdhënie Kulturore e Miqësore me Botën e Jashtme: “Tuajit 1311...Na njoftoni çfarë po bëhet me filmin që xhiroi grupi i Butafavës. Ata ju kanë premtuar ju që do na jepnin një kopje neve. Interesohuni. Presim”.
Në vijim të një radiogrami tjetër për ambasadën në Romë, sërish nga Javer Malo, thuhet: “Të mos pranojmë kondita diskutimesh që mund të ndryshojnë përmbajtjen e filmit dhe të shpifet kundër vendit tonë...”
Ndërkohë Ubaldo Butafava po bëhej gati të vinte në Tiranë për të xhiruar dokumentarin e tij të dytë dhe për këtë arsye pati dërguar skicë-idenë, por Malo këmbëngul se atij duhet: “t’i bëhet e qartë me kujdes se në Metalurgji, Fierzë dhe Ballsh nuk mund të xhirojnë, edhe në disa ndërmarrje të tjera pjesërisht dhe jo në tërësi. Sa për Luftën Nacional-Çlirimtare, të plotësohen me sekuenca të filmave tanë”.
Në 3 nëntor (1977) radiogrami i nisur nga ambasada në Romë dhe i protokolluar gjatë çkodimit në Tiranë me nr. 1299, mes të tjerash i raporton Ministrisë: “Komentatori i kanalit të parë RAI/TV, Fratini, i tha Ymerit se komenti që ai bëri në televizion lidhur me punimet e Kongresit tonë është pritur mirë dhe bile e paskan përgëzuar disa nga drejtuesit socialistë. Shtoi se disa dashamirës së vendit tonë e kishin marrë në telefon dhe përgëzuar... Fratini është socialist i majtë dhe ka simpati të veçantë për vendin tonë. Po punojmë për t’u dhënë edhe emisione të tjera për televizion në kanalin e parë për fjalimin e shokut Enver në Kongres me të njohurit dhe në mënyrë të veçantë me Bruno Vespa që na premtoi”.
Në 22 dhjetor ambasada në Romë e njoftoi Ministrinë e Jashtme se dokumentarin e parë të Butafavës kanali i parë i RAI-it e kishte blerë dhe se “tani ka filluar punën për përgatitjen e emisionit i cili parashikohet të trasmentohet në 9 shkurt rreth orës 21.40, dmth të enjten pas një emisioni që e ndjekin gati 25 milion telespektatorë. Para se të jepet në tv dokumentari do të shfaqet me gazetarë të ndryshëm, të cilët do të ftohen nga vetëTV. Ky aktivitet do të publikohet në gazetë dhe në revistën e “Radio-Corriere”. Dokumentari nuk do të jetë më shumë se 33-35 minuta dhe pastaj do të zhvillohet një debat ku do të marrin pjesë Butafava, 2-3 gazetarë si edhe drejtuesi i emisionit Bruno Vespa. Ky i fundit, i cili ka bërë kërkesë për të shkuar në vendin tonë dhe se dëshironte të shkonte në Shqipëri për një vizitë private 3-4 ditë para ose pas emisionit në RTV”.
Fiksojeni këtë moment të radiogramit të 22 dhjetorit 1977: Bruno Vespa në funddhjetor 1977 nuk vë asnjë kusht. Vizitën në Shqipëri mund ta kryejë para shfaqjes në RAI të dokumentarit të parë të Ubaldo Butafavës ose pas trasmentimit të tij. Por Javer Malo me shkrimin e tij të dorës u dha për kodim shifrantëve në Ministrinë e Jashtme këtë tekst: “Romës, tuajit 43... “Bruno Vespën nuk do ta presim para dhënies së filmit në tv. Më vonë do ta shikojmë”.
Një javë më pas, në 29 dhjetor, nga një radiogram i gjatë i Malos bëhet edhe më e qartë çfarë manovre ka zgjedhur ai në çështjen Vespa: “Të paktën deri sa të shfaqet dokumentari të mos i thuhet menjëherë se nuk aprovohet kërkesa e tij për të vajtur në Shqipëri”. Ndërkohë Butafava të cilit ia kanë thënë në ambasadën shqiptare çfarë porosie u vjen nga qendra, siç kjo e fundit ia raporton Ministrisë së Jashtme, “çfaqi mendimin se kërkesa e Vespës duhet parë seriozisht, sepse është një person që mund të bëjë shumë për propogandimin e Shqipërisë”. Po ashtu: “Butafava më rekomandoi që me Bruno Vespën të mbajmë një qëndrim të afruar”.

Biseda në Ambasadë: Jam dakord me qëndrimin e Tiranës zyrtare ndaj Republikës së Kinës

Në 5 shkurt 1978, Ministrisë së Punëve të Jashtme iu nis radiogrami i firmosur prej diplomatit Kujtim Myzyri, ku mes të tjerash do të thuhej: “Butafava informoi...përsa vijon: 1) Filmi dokumentar do të jepet nga stacioni i parë i televizionit italian në javët e ardhshme...2) Debati rreth “tryezës së rrumbullakët” do të drejtohet nga ana e Bruno Vespës. Ky dëshiron që para se të shfaqet filmi të vizitojë Shqipërinë për 3-4 ditë, të vizitojë Tiranën dhe një apo dy qytete të tjera si edhe ndonjë vepër industriale dhe kështu thotë se do të justifikohem edhe para spektatorëve për drejtimin e debatit. Butaffava insiston që Brunos t’i plotësohet sepse ai do i japë tonin debatit që do të zhvillohet. Edhe ne jemi të mendimit që Bruno të vijë për 3-4 ditë duke ja hequr ne shpenzimet e qëndrimit aty dhe të shoqërohet nga një shok”.
Këtë herë, siç e shihni, ambasada i raporton qendrës se Vespa është i vendosur që në Shqipëri të mos shkojë pas shfaqjes së dokumentarit, por më përpara. Arsyet e tij janë thjesht profesionale. Me sa duket që prej këtij çasti Javer Malo në Tiranë bëhet më i vendosur për “duelin” e tij me Bruno Vespën. Me sa duket mendon që ai kërkon tua hedhë.
Në 23 shkurt 1978, me numrin 294 dhe firmosur prej diplomatit Kujtim Myzyri, Komitetit të Kulturës iu dërgua informacioni i koduar: “1) Gazetari Bruno Vespa nuk është anëtar i asnjë partie. Si komentator i dëgjuar me influencë natyrisht voton për DK (Partinë Demokristiane-shënimi ynë) dhe është simpatizues i krahut të majtë të kësaj partie. Ardhja e tij për vizitë të shkurtër do të jetë e organizuar mirë nga qendra, do të na interesonte shumë për shfrytëzimin e tij në të ardhmen si nga ana propagandistike, gjë të cilin e ka treguar me vënien në televizorin italian të vizitës së shokut Enver në Elbasan, manifestimin e PKI ML (Partisë Komuniste Italiane Marksiste-Leniniste-shënimi ynë) në ditët e Kongresit të 7-të dhe nga ana informative, si një njeri i mirë informuar për politikën italiane dhe ndërkombëtare dhe i njohur në ambjente me interes për punën tonë. 2) Gazetari Valerio Polizari nuk është anëtar i asnjë partie. Ai është gazetar i jashtëm e me influencë i gazetës “Il Messaggero”, njohës i mirë i politikës ndërkombëtare dhe veçanërisht specialist për Ballkanin dhe Mesdheun. Ka shkruar disa artikuj ku i ka bërë një vlerësim shumë të mirë dhe me objektivitet politikës tonë të jashtme për problemin e Konferencës së Helsinkit, politikës kineze të botës së tretë etj. Ne vazhdojmë të jemi të mendimit që Brunos dhe Polizarit t’i aprovohet viza dhe t’u bëhet program 4-5 ditor”.
Në 10 mars 1978, me shkrim dore si tekst para shifrimit, Javer Malo i komunikoi ambasadës në Romë: “Na informoni në u dha filmi i Butafavës në TV dhe si u zhvillua diskutimi që do drejtonte Vespa”. Në 14 qershor nga Roma, firmosur prej diplomatit Kujtim Myzyri, drejt Ministrisë së Jashtme në Tiranë do të mbërrinte radiogrami: “Me kërkesën e tij pritëm në ambasadë bashkë me Lorencin, Bruno Vespën. Nga biseda e zhvilluar dolën këto çështje: Shprehu keqardhjen që programi “Shqipëria sot” që ishte për t’u dhënë në muajin mars, për arsye të ngjarjeve të brendshme italiane do jepet në korrik dhe na siguroi se çdo gjë shkon në rregull.
Theksoi që si mik i Shqipërisë do vazhdojë punën për të dhënë programe mbi vendin tonë sa herë të shikohet oportune nga neve. Vlen të theksohet se në datën 10 qershor me inisiativën e tij u fut në lajme njoftimi për ceremonitë e 100-vjetorit (të Lidhjes së Prizrenit-shënimi ynë), siç ju kemi njoftuar.
Nga takimet që kemi patur me të, del se Vespa e shikon me simpathi vendin tonë dhe në veçanti politikën tonë të pavarësisë kombëtare dhe e vlerëson si të vetmen politikë që përputhet me mendimet e tija. Gjatë bisedës shprehu edhe njëherë dëshirën e madhe që ka për të “shkelur në Shqipëri” qoftë edhe për disa orë para se të japë programin.
Me këtë kërkesë thotë ai e di se bëhet i mërzitshëm, por si mik i Shqipërisë prej rreth tre vjetësh, nuk mund të durojë talljet e kolegëve, të cilët ma kanë thënë hapur se shqiptarët tallen me ty, etj, dhe më kryesoren që si drejtues, programi do të kishte më shumë efekt po ta kisha parë Shqipërinë sado pak.
Ne jemi të mendimit që të shikohet mundësia e ardhjes së tij në formë private për dy-tre ditë, ashtu siç kërkon Vespa. Nuk shikojmë në atë asgjë të keqe, përveç mundësive të mira që na çelen për të siguruar dhënien e lajmeve tona në TV italian dhe në drejtime të tjera si p.sh. të informacionit. Ai nuk vë kushte përkundrazi pikëpamjet e tija të simpatisë për Shqipërinë nuk lidhen me shkuarjen apo jo në Shqipëri që është një çështje e brendshme e juaja”.
Në 12 korrik 1978 radiogrami nr. 962, nisur nga Roma, me autor diplomatin Zoi Toska, mes të tjerash spikat: “Ubaldo Butafava erdhi në ambasadë dhe më tha se nesër datë 13 korrik, në televizor do të japin dokumentarin për Shqipërinë. Për këtë ishte caktuar data 3 gusht, por me qenë se shtypi, radiot dhe televizori shkruajti dhe foli për prerjen e ndihmave ekonomike dhe tërheqjen e specialistëve kinezë nga Shqipëria, nxituan ta japin nesër dokumentarin.
Ky do të zgjasë 40-45 minuta, pastaj do të vazhdojë 15-20 minuta debat në tavolinën e rrumbullakët. Atë do ta drejtojë Bruno Vespa dhe vetë Butafava. Do të marri pjesë edhe Augusto Tiri, përgjegjës i politikës së jashtme i gazetës “Paese sera” dhe Tito Stanja, gazetar në “Il Giorno”.
Në 2 gusht një radiogram i Kujtim Myzyrit nga ambasada njoftonte qendrën: “Takuam gazetarin e televizionit italian Bruno Vespa, të cilin e falënderuam për emisionin kushtuar Shqipërisë. E priti mjaft mirë falënderimin e bërë dhe premtoi se në të ardhmen do të bëjë më shumë. Përsa për të vizituar vendin tonë dhe sipas porosisë ju përgjigjëm se kërkesën e tij do ta shikojmë pozitivisht. Konkretisht ai dëshiron ta bëjë këtë vizitë nga gjysma e dytë e muajit tetor dhe kërkon që bashkë me një kinooperator tonin të filmojë disa aspekte të jetës në Shqipëri. Theksoi se filmi të bëhet sipas dëshirës tonë. Mendimi ynë vazhdon të jetë që kërkesa e Brunos të aprovohet dhe me këtë rast të përgatitë një emision me rastin e festave të nëntorit- Lutemi të na jepet përgjigje”.
Një javë më pas, në 9 gusht, radiogrami nr. 1147 i ambasadës e vinte në dijeni Ministrinë e Jashtme se “Nga biseda që zhvilluam me gazetarin e televizionit Bruno Vespa dalin këto çështje: 1) Vespa përkrahu qëndrimin tonë, duke thënë se politika kineze ka ndryshuar plotësisht dhe se nuk është e qartë as për “aleatët” e saj aktualë. Gazetari kishte lexuar materialet e fundit dhe tha: Dokumentat janë shumë të rëndësishme, serioze, por duke ndjekur rrugën kineze, e cila ka filluar prej kohësh të ndryshojë, kemi qenë të bindur se Shqipëria nuk do ta durojë më dhe mendimi është se Shqipëria është treguar shumë e matur duke pritur që hapin e parë ta bëjnë kinezët. 2) Për gjendjen në Itali ishte i mendimit se ka gjetur një farë stabiliteti politika e ngritjes së çmimeve. Ka ulur nivelin e jetesës por ka filluar të bëjë punën e vet për ristabilizimin e disa degëve të ekonomisë, sidomos të industrisë së madhe monopoliste, ka ngritur nivelin e liretës etj. Në këto kushte nuk bëhet fjalë për krizë qeveritare....” Më tej në radiogram paraqiten mendimet që Bruno Vespa i ka shprehur gjatë takimit në ambasadë për aleancat ndërpartiake brenda Italisë.
Në 24 gusht 1978, në orën 14.00, Javer Malo i dërgoi sektorit të shifrimit në MPJ këtë tekst për Romën: “Tuajit 1105. Për Bruno Vespën do t’ju njoftojmë më vonë. Gjithashtu më vonë do t’ju njoftojmë edhe për...”

Loja justifikuese e Javer Malos

Në 13 shkurt 1979 Komiteti i Kulturës dhe për Marrëdhënie Miqësore me Botën e Jashtme, firmosur nga kryetari Javer Malo, përgatiti një informacion sipas të cilit, “Prej kohësh ambasada jonë në Romë ka propozuar që të priten në Shqipëri, në kohë të ndryshme, komentatori i njohur e me influencë i TV Italian Bruno Vespa dhe gazetari Valerio Polizari i gazetës “Messaggero”. I pari ka ndihmuar që të jepen në TV disa emisione mbi vendin tonë dhe tregohet i gatshëm për të bërë dhe të tjera. Ai ndihmoi direkt edhe për dhënien e filmit të xhiruar nga Butafava dhe organizimin e bisedës rreth tavolinës së rrumbullakët, ndërsa i dyti ka shkruar disa artikuj pozitivë dhe me objektivitet mbi politikën tonë të jashtme, për qëndrimin ndaj konferencës së Helsinkit, ndaj teorisë famëkeqe të tri botëve etj.
Për atë kohë mbi këto propozime u vendos që Bruno Vespën ta shikojmë më vonë çdo të bënte për dhënien e filmit të xhiruar nga Butafava dhe për V. Polizarin të mos pritej se që atëherë në gazetën Messaggero ishte botuar një artikulll jo dashamirës për vendin tonë.
Mendojmë që Bruno Vespa të pritet pasi të jepet në TV Italian edhe filmi i dytë i xhiruar nga Butafava, ndërsa V. Polizarin ta presim në çdo kohë. Ambasada do të porositet që t’i dërgojë në kohë të ndryshme”.
Në fund të këtij informacioni një epror i Malos, të cilin nga shkrimi nuk mund ta identifikojmë dot, ka bërë me laps të kuq shënimin “Të presim për të dy?”
Ndërkohë ambasada e vë në dijeni Tiranën se janë disa gazetarë miq të Shqipërisë që, për shkak se nuk u është miratuar vizita në Shqipëri, ndihen të fyer. Për O. Thuhet se “vazhdon të shkruajë për Shqipërinë por nuk vjen në ambasadë edhe pse është ftuar. Na ka dërguar kohët e fundit një letër ku shprehet i pakënaqur që nuk po i jepet mundësia të bëjë në Shqipëri filmin për rezistencën gjatë Luftës Nacionalçlirimtare”. Në vazhdim: “Polizari nuk afrohet më dhe na ka thënë se si është e mundur të mos marrë përgjigjen e letrës dërguar në KQ para disa muajsh. Komrado Fuski nuk merr më në telefon, megjithëse e ka mbrojtur Shqipërinë në televizionin e Livornos në terrenin ideologjik”.
Gjithashtu në vijim: “Brumo Vespa, pas shumë kohe, telefonoi në ambasadë dhe tha se për problemin e vizitës së tij në Shqipëri është bërë objekt talljeje ndër kolegët dhe është shumë i ofenduar.
Pavarësisht se ç’thonë këta gazetarë e vërtetë është se prej më shumë se dy vjetësh nuk është marrë parasysh asnjë propozim i ambasadës në këtë fushë. Jemi të mendimit të shikohet ky problem që të na hapet ne edhe një fushë më e gjerë pune”.
Në 26 tetor 1979, Drejtoria IV e Ministrisë së Jashtme, në informacionin e saj ditor vëren: “Lidhur me radiogramin e ambasadës tonë për të ftuar gazetarët Olmi, Polizari, Komrado dhe Bruno Vespa po skjarojmë: 1-Për gazetarin Olmi që vitin e kaluar mbasadës i është dhënë aprovim për të ardhur, por e njoftonim se është e vështirë të xhirohet film për luftën nacional-çlirimtare. Kjo mund të bëhej vetëm duke u përqëndruar në materialn e muzeumeve. Vetë ambasada e la çështjen në heshtje. Problemi është biseduar me shokët Kujtim Myzyri, Zoi Toska e Lorenc Nënshati, kur kanë ardhur këtu me shërbim. Për xhirim filmi përveç vështirësive që krijohen tek ne, nuk kemi qenë dakord edhe për faktin sepse ishin duke u përgatitur dy filma nga italiani Feliçe. Në rast se ambasada thotë se Olmi është dakord të vijë në Shqipëri dhe të xhirojë me materialin e muzeumeve, ne jemi dakord që ai të vijë. 2-Për Polizarin gjithashtu vitin e kaluar është dhënë mendimi pozitiv, por ambasadës iu kërkua të skjaronte cili ishte karakteri i shkrimeve të tij, ta ristudjonin edhe njëherë këtë çështje dhe të njoftonin. Në përgjigje të kësaj, ambasada njoftoi se hiqte dorë nga propozimi i mëparshëm.
Në radiogramin e tanishëm ambasada njofton se Polizari i ka dërguar një letër direkt aparatit të KQ të Partisë. Ne për këtë nuk kemi dijeni dhe nuk kemi mundur ta mësojmë. 3-Për Komrado...shënojmë se ai u aprovua vitin e kaluar por nuk erdhi. Komradua është propozuar nga Fosko Dinuçi (kryetari i Partisë Komuniste Italiane Marksiste.Leniniste. shënimi ynë). Është i njohur dhe mik i tij. Ka bërë disa aktivitete për vendin tonë në televizionin e Livornos. Jemi të mendimit, që pasi të konsultohemi me aparatin e KQ të Partisë, ai mund të ftohet”.
Ja edhe rasti i katërt: “Lidhur me Bruno Vespën, për lehtësitë që ky ka krijuar për të folur e trasmetuar në RAI për vendin tonë, kemi qenë të mendimit se mund të ftohej, por çështjen e lamë pasi të shikonim si do të realizoheshin e do të trasmentoheshin filmat që u përgatitën nga miqtë tanë”. Më tej; “Për Bruno Vespën na ka preokupuar fakti se ai si redaktor i RAI-t gjatë vizitës në Shqipëri do kërkonte të xhironte në disa qendra pune e kooperativa, ku nuk do të lejohej dhe kështu, në vend që ta miqësonim do bënim të kundërtën, prandaj edhe e lamë. Në rast se Bruno Vespa nuk kërkon për të xhiruar, por që të vijë për vizitë e të shkruajë, ne jemi të mendimit se ai mund të ftohet”.
Me këtë lojë fjalësh të Javer Malos dhe vetëm të tij, aspak të ndonjë drejtuesi të Ministrisë së Punëve të Jashtme, ca më pak të ndonjë udhëheqësi komunist, mbyllet në rutinë e mos aktivizim, në harrim, procesi pothuaj katër vjeçar i dëshirës së sinqertë të gazetarit shumë të njohur italian Bruno Vespa për të vizituar dashamirësisht Shqipërinë.

Ylli Polovina

Tiranë, më 20 dhjetor 2019







Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com