Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

1967, MEHMET SHEHU KANCELARIT AUSTRIAK JOSEF KLAUS: NA JEPNI PËRGJITHNJË PËRKRENAREN DHE DY SHPATAT E SKËNDERBEUT!


(Botuar në gazetën “Dita” më 9 shkurt 2020)

Në 4 qershor 1966, me numrin protokollar 33, Mehmet Shehu firmosi një program qeveritar “për të festuar me madhështi 500 vjetorin e vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, që bie në 17 janar 1968, për të përjetësuar këtë figurë të lavdishme të popullit tonë, që për 25 vjet me radhë udhëhoqi popullin shqiptar në luftën legjendare kundër pushtuesit Otoman, duke u bërë njëkohësisht mburojë e kulturës dhe e qytetërimit Evropian dhe shembull i shkëlqyer i luftës popullore për liri e pavarësi...”.
Më pas duke theksuar frazën e gjatë “Me qëllim që ky jubile me rëndësi të madhe kombëtare dhe ndërkombëtare të shërbejë sa më shumë për edukimin patriotik e revolucionar të masave tona punonjëse dhe të brezit të ri”, programi shndërroi në vendime dhjetë detyra. Mes tyre qe ngritja e një komisioni qeveritar, ngritja në Tiranë e një monumenti të Gjergj Kastriotit, organizimi në janar të vitit 1968 i konferencës së dytë nderkombëtare të studimeve albanologjike kushtuar Skënderbeut”, shpalljen e një konkursi për vepra letrare, muzikore, të pikturës dhe skulpturës, kushtuar Gjergj Kastriotit, epokës dhe bashkë-luftëtarëve të tij, restaurimin e pazarit të qytetit të Krujës dhe të kalasë, po ashtu edhe pasurimin e muzeumit të këtij qyteti.
Pika dhjetë e detyrave të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave ishte formuluar “Brenda muajit shtator të vitit 1967 të ketë mbaruar asfaltimi i rrugës Ura e Zezë-Krujë”, kurse e nënta bënte fjalë se “Universiteti Shtetëror i Tiranës, Komiteti për Marrëdhënie Miqësore e Kulturale me Botën e Jashtme si dhe institucionet e tjera përkatëse, të marrin masa për të propaganduar dhe për të bërë të njohur figurën e Skënderbeut në botën e jashtme...”
Ndërkohë ky program kryeministror jo vetëm nuk e shpallte publikisht, por as nëpërmjet ndonjë nënteksti nuk la ta kuptoje se qeveria shqiptare do të ndërmerrte edhe një aksion tepër të rëndësishëm, pothuaj të padëgjuar më parë: do të merrte përfundimisht nga Muzeu i Armëve në Vjenë përkrenaren e njohur si edhe dy shpatat ceremoniale të Skënderbeut.
Këtë veprimtari paralele me çfarë urdhëronin dhjetë vendimet qeveritare të 4 qershorit, e cila ishte mirëfilli “top sekret”, nuk mund ta diktoje atëherë as nëpërmjet radiogrameve të koduara që i përcillnin njëra-tjetrës që në muajt e parë të motit 1967 Ministria e Punëve të Jashtme në Tiranë dhe ambasada e Republikës Popullore të Shqipërisë në Vjenë. Përmbajtja e tyre do të bëhej e hapur për studiuesit vetëm pas 25 vitesh, më 1988.
Shënojmë se në krye të Ministrisë së Jashtme qe Nesti Nase, tek ambasada në Vjenë, në drejtim operativ për pak kohë, me statusin e përkohshëm të Ngarkuarit me Punë, ishte sekretari i parë Rakip Zeqiri (Hoxha). Pothuaj tërë kohën e veprimit të ngjarjeve që do të përshkruajmë do të qe ambasadori Murat Kaman Angoni.
Ndërkaq në Austri kancelar (kryeministër) ishte Josef Klaus, ministër i Punëve të Jashtme Dr. Lujo Tonçiç-Sorinj dhe në këtë ministri si sekretar shteti Dr. Karl Bobleter.

Po kërkojmë një përkrenare dhe dy shpata, jo topa dhe tanke

Detyra top-sekret, të cilën hë për hë autoritetet e larta të pushtetit në Shqipëri nuk dëshironin ta bënin publike, sepse mundej që një dështim i saj të ndikonte në prestigjin e vetë shtetit, të kryeministrit Mehmet Shehu dhe pse jo edhe të Enver Hoxhës, kishte filluar të zbatohej që në janar 1967, plot një vit para se të realizohej përvjetori real i jubileut të vdekjes së Skënderbeut.
Në 15 shkurt 1967, me radiogramin 113, të cilin nga Vjena ambasadori Murat Angoni ia niste në Tiranë Ministrisë së Jashtme, njoftonte: “Bisedova me drejtorin e muzeut ku është helmeta e Skënderbeut. Me gjithë ndërhyrjet e Tonçiçit dhënien e tyre ai e paraqiti të zorshëm. Tha se në rast se do të aprovohet nga ministria e kulturës do të duhet të vijnë në Shqipëri 2 ose 3 austriakë për të qëndruar gjatë gjithë kohës që helmeta dhe shpata do të jenë shqiptare. Po vazhdojmë ta ndjekim”.
Në 7 prill, radiogrami nr. 260, sërish i nisur nga Murati drejt MPJ, informonte: “Në datën 5 prill Bobleteri më thirri në zyrë për dy çështje: 1) Për shpatën dhe helmetën e Skënderbeut më siguroi se do të ndërhyjë edhe ay vetë për të siguruar marrjen e tyre, këtë e kishin vënë në dijeni Ferialin dhe Tonçiçi. M’u lut t’i japim vizë gazetarit Lendresi, duke më siguruar për të shkruar jo keq për vendin tonë dhe se ai është gazetar me autoritet në Austri dhe Gjermani”.
Në 13 prill 1967 në rrjedhën e ngjarjeve hyri radiogramI nr. 275. Këtë herë Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë ia nisi Rakip Zeqiri: “Doktori Tomson ka bërë studime mbi helmetën dhe shpatën e Skënderbeut... Përveç kësaj ai është një nga njerëzit që vendos të na jepet ose jo shpata dhe helmeta...”
Në 25 maj me radiogramin nr. 300 MPJ-së prej Murat Angonit i përcillet mesazhi: “Më thirri Tonçiç dhe më njoftoi se helmetën dhe shpatën e Skënderbeut nuk mund të na i japin, sepse specialistët kanë mendimin që transportimi i tyre me çdo mjet qoftë, është e pa mundur. Më tha se së shpejti do të vijë drejtori i shoqërisë ajrore austriake në ambasadë për të biseduar për linjën Vjenë-Tiranë. Ne jemi të mendimit se austriakët këtë masë e bëjnë me qëllim politik dhe ndoshta kemi të bëjmë me një orjentim të tërë karshi vendit tonë.
Ne këtë e lidhim me pengesat që na sjellin për llojet e eksportit tonë, që ju kemi njoftuar. Tonçiçi u mundua të na siguronte përkrahjen që kemi patur nga MPJ dhe Klausi në këtë drejtim dhe shprehu gatishmërinë për të na ndihmuar me materiale të tjera të bibliotekave, t’arshivave etj.”
Gjendja e mobilizimit për ta thyer këtë qëndresë së autoriteteve të larta shtetërore austriake me kalimin e ditëve u bë edhe më e dukshme, sepse nëpërmjet një radiogrami të 12 shtatorit 1967, iu propozua kryetarit të Komitetit për Marrëdhënie Kulturore dhe Miqësore me Botën e Jashtme, ambasadorit të shumënjohur Misto Treska, se Shoqata e Miqësisë Austri-Shqipëri në Vjenë ishte gati të përkthente në gjermanisht dhe botonte librin e Fan Nolit për Skënderbeun. Kjo, siç dukej, mendohej se mund të krijonte atmosferë për të rihapur rrugën e mundësisë së marrjes përfundimtare të përkrenares dhe dy shpatave të Gjergj Kastriotit.
Në 24 nëntor në Tiranë u krye mbledhja e Komisionit Qeveritar për kremtimin e 500-Vjetorit të Skënderbeut dhe punët që shkonin mirë për të gjitha dhjetë drejtimet e vendimit të Këshillit të Ministrave të 4 qershorit 1966, e bënin edhe më të thellë gropën e dështimit që ishte hapur për çështjen “top sekret” në Vjenë. Siç u tha, pa u protokolluar, nga kjo gjendje e fundit Mehmet Shehu ishte mjaft i acaruar. I pakënaqur po ashtu qe edhe Enver Hoxha. Ky priste që të kishte fatin historik të dhënies popullit të sihariqit për marrjen përfundimtare të këtyre tre objekteve të shenjta të kryeheroit kombëtar. Në Krujë qe në ditët e fundit ndërtimi i muzeut kombëtar për Skënderbeun dhe përkrenarja bashkë me dy shpatat do të vendoseshin atje.
Në pasditen e 30 nëntorit 1967 një tërmet shumë i rëndë, i cili shkaktoi të vrarë dhe dëme të mëdha materiale, pati rënë në Dibër, por tashmë në Ministrinë e Jashtme dhe në grupin e këshilltarëve të kryeministrit Shehu, kishte nisur puna për përgatitjen e një letre që ai do t’ia dërgonte sa më shpejt kancelarit austriak Josef Klaus. Do t’ia kërkonte personalisht kthimin e armëve të Skënderbeut. Jubileu i 500-vjetorit po afronte, nga fillimi i ceremonive i ndante vetëm një muaj.
Kjo duhet të ketë qenë një periudhë tensioni, por edhe gjestesh nervoze prej Mehmet Shehut. Në një variant të parë të letrës, e cila iu paraqit, zotërojnë mbi tekstin e daktilografuar, me gërma të mëdha, një shënim i kryeministrit: “Nuk është shkruar mirë. (Saktësoni) për çfarë armësh bëhet fjalë: Topa, Tanke!?”

Përkrenaren dhe dy shpatat e Skënderbeut i duam në formë dhurate

Letra e Mehmet Shehut për Josef Klaus daton 4 dhjetor 1967. Ka numrin e protokollit 315. Përmban këtë tekst:
“Shkëlqesisë së Tij, Zotit Josef Klaus, Kancelar Federal i Republikës së Austrisë.
Shumë i nderuari Zoti Kancelar
Në emër të Këshillit të Ministrave të Republikës Popullore të Shqipërisë dhe në emrin tim personal, kam nderin t’Ju drejtohem Juve, Shkëlqesi, dhe nëpërmjet Jush qeverisë së Republikës së Austrisë për çështjen që vijon:
Në 17 janar 1968 populli shqiptar përkujton 500-vjetorin e vdekjes së heroit të tij kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, udhëheqës i lavdishëm i luftës për liri e pavarësi të popullit shqiptar.
Si pasojë e shkatërrimeve dhe e humbjeve të tmerrshme që solli me vete pushtimi i huaj i vendit, popullit shqiptar nuk i mbeten të tjera objekte kujtimi veçse përkrenarja dhe dy shpatat e heroit. Si rezultat i transakcionesh të ndryshme, këto armë kaluan në fund të shekullit XVI në pronësinë e një koleksionisti nga shtëpia Habsburgase dhe sot ndodhen në Muzeun e Armëve të Vjenës.
Populli ynë i është mirënjohës popullit mik austriak që i ka ruajtur në mënyrë të denjë këto objekte kujtimi kaq të shtrenjta për çdo shqiptar.
Ne jemi të bindur, shumë i nderuari Zoti Kancelar, se Ju jeni i një mendimi me ne kur themi se këto objekte kujtimi i përkasin popullit shqiptar, pasi ato si simbole të mëdha të trashëguara nga historia, lidhen ngushtë me luftën e tij për liri. Ne mendojmë, për këtë arsye, se Ju do ta kuptoni dëshirën e zjarrtë të gjithë popullit shqiptar për t’i pasur një gjirin e vet këto objekte kaq të shtrenjta për të dhe do ta prisni me mirëkuptim këtë kërkesë., interpret i të cilës po bëhem unë pranë Jush, Qeverisë së Austrisë dhe gjithë popullit austriak, për t’ja kthyer popullit shqiptar si dhuratë këtë pronë simbolike dhe kuptimplote që i ka lënë historia. Përkrenarja dhe dy shpatat e Skënderbeut do të vendosen në Muzeun e Krujës, kryeqendrën politike e ushtarake të veprimtarisë së tij, me një mbishkrim të posaçëm ku do të shënohet se ato janë dhuratë e Republikës së Austrisë.
Një akt i tillë miqësor nga ana e Qeverisë së Republikës së Austrisë dhe e popullit austriak, i bërë në një datë kaq të shënuar, siç është 500-vjetori i vdekjes së heroit kombëtar shqiptar, do të shërbente për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore midis dy popujve e vendeve tona dhe do të ishte një shenjë nderi kundrejt luftës që bëri populli shqiptar në shërbim të çështjes së lirisë dhe të qytetërimit evropian në shekullin e XV, nën udhëheqjen e heroit legjendar, Skënderbeut.
Pranoni, me këtë rast, i nderuari Zoti Kancelar, shprehjen e konsideratës sonë më të lartë.
Mehmet Shehu, Kryetar i Këshillit të Ministrave të Republikës Popullore të Shqipërisë”.
Kjo letër u nis drejt Vjenës në 6 dhjetor 1967 dhe nga Ministria e Punëve të Jashtme, regjistruar me numrin 826, me në fund të shkresës emrin e ministrit Nesti Nase, por të firmosur nga nënministri Reis Malile, ambasadasës në Vjenë iu dërgua teksti shoqërues: “Bashkëngjitur ju dërgojmë letrën që shoku Mehmet i drejton Kancelarit Klaus, me anën e të cilës kërkohet të na jepen në formë dhurate, me rastin e 500 vjetorit të Skënderbeut, përkrenarja e dy shpatat e tij.
Siç ju kemi njoftuar edhe me radiogram, letrën për kancelarin do tja dorëzoni menjëherë Tonçiçit ose njërit nga zëvendësve të tij duke u lutur që t’i dorëzohet sa më parë Klausit.
Para se ta dorëzoni është mirë që ta kontrolloni...se mos ka ndonjë gabim në përkthim.
Na njoftoni urgjentisht me radiogram ditën dhe kujt ja dorëzuat. Ne mendojmë që letrën e shokut Mehmet ta botojmë në shtyp”.
Në 7 dhjetor me radiogramin e çkoduar nr. 975, ambasadori Murat Angoni e vuri në dijeni Ministrinë e Jashtme se: “Letrën e Shokut Mehmet drejtuar Klausit e muarrmë sot. Letrën do të ja dorëzojmë Bobleterit të hënën në datën 11 dhjetor. Tonçiçi nuk është këtu, prandaj do takohemi me Bobleterin”.
Në 11 dhjetor 1967 radiogrami i nisur sërish nga Murat Angoni i komunikonte MPJ-së se “Sot i dorëzova Bobleterit letrën e shokut Mehmet Shehu, drejtuar kancelarit Klaus”. Po këtë ditë në Tiranë do të mbërrinte edhe një radiogram tjetër: “Bobleteri më premtoi përkrahjen e tij dhe së shpejti do të më japin përgjigje. Kritikoi Fiflin, ministrin e arsimit, që është kundër dhënies së helmetës dhe shtoi se ai nuk i shikon gjërat me syrin politik”.
Në 4 janar 1968 radiogrami i posaçëm (nr. 6), i hartuar nga ambasadori Angoni, e vinte në dijeni Ministrinë e Punëve të Jashtme se “Sot me postë MPJ austriake na dërgoi përgjigjen e Klausit për shokun Mehmet. Ai thotë se nuk mund t’i japim helmetën dhe shpatën, sepse në rast se i japim vendit tonë këto atëherë krijohet preçedencë për shumë vende të tjera evropiane që ka të tilla dokumenta në Vjenë. Letrën e përkthyer e nisëm për aty sot me shoferët”. Një shkresë shoqëruese e Murat Angonit, e datuar po 4 janar 1968, me vendnisje Ambasadën e Republikës Popullore të Shqipërisë në Vienë, i thotë Reis Maliles në Tiranë: “Bashkëngjitur po ju dërgojmë letrën që kancelari i Republikës së Austrisë Dr. Josef Klaus i dërgon shokut kryeministër në përgjigje të letrës së datës 4 dhjetor 1967”.

Kancelari austriak, oficer i lartë në ushtrinë gjermane në kohën e Hitlerit: Armët e Skënderbeut nuk ua japim dot.

Josef Klaus kishte lindur në 15 gusht 1910 në Kötschach-Mauthen, rajoni Karincia dhe qe bir i një bukëpjekësi. Fillimisht ndoqi shkollimin në një seminar katolik, pastaj studimet për drejtësi në Universitetin e Vjenës. Në 1934 pati marrë doktoraturën dhe nisur punë si jurist në Dhomën e Punës. Kur në 1938 Austria u përfshi prej Hitlerit në shtetin gjerman Klaus u përfshi në sektorin privat. Gjatë Luftës së Dytë Botërore mori pjesë në ushtrinë gjermane, kryesisht në stafin e gjeneralit Heinz Guderian. Ishte i pranishëm në fushatat e pushtimit të Polonisë, Francës, Finlandës dhe Rusisë. Në fillim të vitit 1945 u kap dhe u burgos. I liruar nisi punën e avokatit dhe në 1948, i angazhuar në Partinë Popullore Konservatore, u bë kryetar i një seksioni lokal të saj. Që prej këtij çasti ndoqi udhën e karrierës politike. Tri herë u zgjodh guvernator i shtetit austriak të Salisburgut dhe në fund të vitit 1961 u bë ministër i financave. Si president i Austrisë u zgjodh në 2 prill 1964.
Letra e tij e përgjigjes për Mehmet Shehun ishte kjo:
“Republika e Austrisë
Kancelari Federal
Vienë, më 30 dhjetor 1967.
Shumë i nderuar Zoti Kryeministër,
Në lidhje me letrën tuaj të datës 4/12 të këtij viti, me anën e së cilës Ju shprehët kërkesën për dhënien e helmetës dhe të dy shpatave të heroit shqiptar Skënderbeut, kam nderin t’ju njoftoj si më poshtë:
Pozita qindravjeçare e Vienës si qendër e historisë evropiane dhe si pikë kryqëzimi e kulturave evropiane shpuri në një përqendrim të rëndësishëm të vlerave kulturore dhe historike.
Populli austriak e ka konsideruar gjithnjë si çështje nderi dhe si një detyrë që këtë trashigimi, të siguruar në rrugë të drejtë, ta administrojë me besnikëri dhe ndërgjegje, gjë për të cilën janë mirënjohës shumë kombe miq.
Në tërësinë e tyre këto vlera paraqesin gjithashtu akoma edhe sot një faktor të rëndësishëm për rëndësinë kulturale të vendit tonë, për mbrojtjen e të cilit qeveria federale e Austrisë ka detyrime karshi popullit austriak.
Unë, ju lutem Juve, shumë i nderuari zoti Kryeministër, të mendoni se çfarë pasojash do të kishte pasur plotësimi i dëshirës shqiptare, të cilën ne e kuptojmë drejt, për fondin e koleksioneve austriake, sepse do të qe e vështirë që kërkesa të tilla të kombeve mike të refuzoheshin.
Për këtë arsye lutemi të kuptohet nga ju, në rast se unë me keqardhjen time të madhe, për arsye parimore, nuk mund të plotësoj kërkesën e shprehur nga Ju.
Pranoni, shumë i nderuari kryeministër, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.
Josef Klaus”.

Ylli Polovina

Tiranë, më 3 shkurt 2020


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com