Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Kaperximi i fazes foshnjore te eurointegrimit

Korrieri, 30 shtator 2004

Në rast se vitet e fundit kemi pohuar gjer në lodhje se në historinë e tyre shqiptarëve shumë herë u është afruar rasti pozitiv dhe nuk kanë ditur ta shfrytëzojnë, a mundet që kjo dramë kombëtare të përsëritet edhe aktualisht? Pra, të jemi edhe tani të ngërthyer në kryqin e ciklit fatal të të qënit në fund të zhvillimeve në kontinent dhe rajon. Mënyra se si po e trajtojmë proçesin e eurointegrimit e lë nga pas këtë përshtypje të hidhur.
Në rendin e ri botëror të pas Luftës së Ftohtë ndryshimet gjeostrategjike na dhanë mundësinë e rrëzimit të diktaturës bolshevike, të hapjes së kufijve dhe përfshirjes në jetën dhe ekonominë globale, të hyjmë normalisht në pluralizëm politik dhe në shoqërinë e hapur. Nuk ishte Shqipëria ndonjë prej atyre vendeve që nismuan heqjen qafe të sistemit komunist, siç kish qënë përshembëll Polonia apo edhe vetë Rusia. Ne u ndikuam dhe u lehtësuam nga përpjekjet e të tjerëve, duke patur fat, edhe pse rrëzimin e diktaturës e bëmë vetë. Qytetarisht, aspak me gjak bashkëkombasish si në Romani, as me përgjakje popujsh të tjerë si në Serbi. Duke u ndarë të fundit me realsocializmin ne nuk përfituam më pak se vendet e tjera të Lindjes ish-komuniste, të cilët kishin qënë në pararojë të kësaj vepre historike. Edhe ky është një fat. Por shansi më i madh, ai që mund të cilësohet me termin “fat historik”, mbetet prania në këto çaste lirie e Bashkimit Evropian. E këtij komuniteti të madh e të fuqishëm vendesh të shumëzhvilluara. Mund të kishim rrëzuar suksesshëm një regjim tiranik, por mund të mos ishim gjendur në kufi të kësaj “perandorie” të madhe zhvillimi dhe demokracie. Në të shkuarën e vet ndryshimet e rendeve botërore apo kontinentale i kishin afruar shtetit shqiptar të zgjidhte, mes modeleve pluraliste dhe antipodeve të tyre, për dy herë rresht vetëm diktatura. Në gjysmën e dytë të shekullit të shkuar Shqipëria e vërtiti fatin e vet në rrethin e mbyllur mes “perandorive” të Federatës Jugosllave, Bashkimit të Republikave Sovjetike, Kinës Popullore dhe vetizolimit total. Në vitin 1991 mrekullia e çlirimit u bë e shumëfishtë: nuk u bëmë vetëm aleatë e bashkëpunëtorë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kështjellës kryesore të demokracisë botërore, por në horizont shqiptarëve, në fillim si një vegim, iu shfaq kalaja tjetër e lirisë, BE-ja. Edhe “me dorë” të kishe mundësi ta bëje këtë përkim fatlum të Shqipërisë me bashkësinë udhëheqëse të kontinentit do të dukej punë krejtësisht e pamundur. Që në ato çaste të vegimit, ca më shumë më pas, Bashkimi Evropian mbeti “ylli polar” i rrugëtimit tonë pasdiktatorial. Porta e vetme ku mund të hyjmë. Çdo silhuetë tjetër dere apo harku, majtas apo djathtas, afër apo larg, nuk ka vlerën strategjike të hyrjes atje, nën “Harkun e Triumfit”, në Bruksel. Kjo ka qënë edhe arsyeja përse klasa politike shqiptare iu bashkua dëshirës mbarëkombëtare për të mos u shmangur nga kjo trajektore lëvizjeje. Të gjithë ishin e mbeten të bindur se Shqipëria është një planet që i takon vetëm këtij konstelacioni.
Por ndërsa populli e kishte vendosur shpirtërisht që para gjeneratës së Rilindasve kursin e të ardhmes së vet, për ta vënë në jetë këtë aspiratë të tij, të detyruar ta prijnë e realizojnë, janë e mbeten vetëm prijësit e tij. Përgjithësisht elita kombëtare. Këtu hyn edhe politika bashkë me ushtruesit e saj. Ajo që ka ekskluzivitetin e qeverisjes së vendit dhe lufton me etje ta marrë përsipër këtë barrë. Duke e ushtruar (mazhoranca) dhe e kontrolluar (opozita). Ky cikël i përgjegjësisë ekskluzive të klasës sonë politike, sidomos tashmë që të gjitha partitë shqiptare, pa asnjë përjashtim, në dy koalicione rivale, pas vitit 1990 kanë patur mandate qeverisjeje, bëhet rreptësisht i mbyllur. Mirëpo këtu, në mospranimin e kësaj të vërtete, ka nisur të bëhet e dukshme edhe një pamje e asaj, që ne do ta quajmë “faza foshnjore e eurointegrimit shqiptar”.
Të izoluar dhe të doktrinuar, siç ishin shumica dërmuese e shqiptarëve në sistemin realkomunist, fare pak kishin dëgjuar për Bashkimin Evropian. Edhe në rastin kur e dinin praninë e tij përtej kufirit të tyre të mbyllur hermetikisht, mendonin se kishin të bënin me një rangallë imperialiste. Duke qënë me tepri edhe si vegjetuesë ëndërrash ne, njerëzit e thjeshtë të këtij vendi akoma me siptoma të qarta prapambetjeje, do të kërkonim kohë për të kaluar nga mirazhi BE në një realitet të plotë të saj. Koha e mjaftueshme për ta kuptuar këtë komunitet edhe tani na lypet, Bashkimi Evropian është një mekanizëm ndërshtetëror mjaft i ndërlikuar dhe një komunitet shoqërish mjaft të sofistikuara e të përparuara. Eshtë politika dhe e gjithë struktura tekniciene e Shtetit që, duke ditur më shumë, i hyn në mënyrë të programuar e konkrete plotësimit të parametrave për të hyrë në të. Politikanët, edhe pse duke qënë pjesë e natyrshme e mentalitetit tonë disi vagëllimtar, e kanë për detyrë të mos bëjnë foshnjën. Kurrsesi të mos përpiqen të na mbajnë edhe ne në këtë gjendje, në delirin e të parit ëndërra me sy hapët. Politikës shqiptare dhe partive të saj nuk mund t’u mohohen disa nga meritat e ecjes deri këtu, në prag të firmosjes së Marrëveshjes së Asocim Stabilizimit, por nuk mund t’i tolerohet më tentativa për na zënë rob nën rrjetën e personalizimit. Logjika se e djathta nuk të fut dot në Evropë apo anasjelltas, nuk di e majta, synon të na mbajë në pelena.
Gozhdimi në fazën foshnjarake të eurointegrimit, moment nga e cila ne shqiptarët duhet të dalim sa më shpejt, ka marrë nga një pjesë e politikës natyrën e një obsesioni, kur kembëngul se ky proçes mund të realizohet në një afat të shkurtër. Përshembëll brenda dhjetë vitesh. Ose e shumta pas njëmbëdhjetë syresh, më 2015. Vitin 2020 si finalizues të eurointegrimit të Shqipërisë mund ta citojnë vetëm mjedise apo personalitete afër Brukselit, por nëse do të guxonte kush ta shqiptonte në Tiranë, mbi të do të binin të gjitha rrufetë e zëmërimit patriotik e do të shpallej tradhëtar. Kurse në të vërtetë kujt i duhet tani për tani kjo vërtitje datash e vitesh për hyrjen në BE, kur ne nuk kemi nisur as fillimin kryesor të saj, nuk kemi hedhur firmën për fazat e detyrimeve që do të kalojmë gjer sa të ulemi në një tryezë të përbashkët me Francën, Gjermaninë apo Hungarinë. Ka tre vite që rrëshqet e nuk kapet dot data e fillimit real të Marrëveshjes, paskemi nge, fantazi e largpamje për të fiksuar datën e mbërritjes së plotë në BE!!!. Në gjendjen e prapambetjes historike që jetojmë, shqiptarët duhet të ndërgjegjësohen se ky proçes eurointegrimi është i realizueshëm, por tepër afatgjatë. Partitë politike duhet të bëhen “burra” dhe t’ja thonë këtë gjë bashkëkombasve të tyre. Duke i mbajtur në pelenat e foshnjës dhe në mendësinë e dikurshme të emulacionit socialist kurrkush nuk fiton gjë. As shoqëria shqiptare, as populli i thjeshtë, as elita e saj politike. Nëse në ambientet e kësaj të fundit mendojnë se thënia troç e vështirësisë së madhe dhe e afatit të gjatë të hyrjes në BE çmobilizon njerëzit, për të provokuar këtë të fundit nuk ka mënyrë më të mirë se kjo lojë jotransparence që po bëhet. Në një anketë intervistimesh të realizuar ditë më parë nga një televizion lokal, shumica e të pyeturve se “kur do të hyjmë në BE”, përgjigjeshin “duhet kohë” dhe të tjerë ca më qartë: “Duhet shumë punë”. Kjo dëshmon se shoqëria shqiptare, duke u përpjekur t’i shpëtojë foshnjërimit që i bën kësaj çështjeje një pjesë e rendësishme e politikës, po vetëndërgjegjësohet. Nëse ndokush tashmë mendon se me lojën e afateve mund të mbledhë më shumë vota, gabon.
Këto muajt e fundit, ndërsa Brukseli dhe Shtëpia e Bardhë kanë kushtëzuar e pranuar se perspektiva e firmosjes së Marrëveshjes së Asocim-Stabilizimit mund të çelet vetëm pas realizimit nga klasa politike e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, kembëngulja e kësaj të fundit për t’i shpëtuar përgjegjësisë ekskluzive për një prapambetje të dukshme është bërë shumë e thekshme. E pagëlltitshme. Joracionale edhe për vetë këtë klasë. Të gjitha opinionet, deklaratat apo analizat që vijnë prej qendrës së kontinentit, shenojnë e zezë në të bardhë se elitës sonë partiake i mungon vullneti politik. Ku ata që na monitorojnë për mundësinë perspektive të hyrjes në Bashkimin Evropian shpallin se na mungon vullneti politik për të bërë më të thjeshtën e një vendi me një fije normaliteti, zgjedhjet e pamanipuluara, si mund të besojnë se kemi me bollëk vullnet politik për të realizuar misionin më të ndërlikuar të historisë sonë: eurointegrimin?
Faza romantike e integrimit në BE është mbyllur, do të thoshte para ca kohësh me delikatesë e duke u përpjekur t’i anashkalonte butë ndonjë furie kritike “partiotike” Ministrja e Eurointegrimit, Ermelinda Meksi. Faza e foshnjërimit të eurointegrimit duhet të marrë fund sa më shpejt, do të thoshim pak më “brutalisht”.
Pa harruar se drejt Bashkimit Evropian do të na çojë kjo klasë politike dhe ata që do t’i pasojnë. Autori i këtyre rradhëve beson në këta që janë aktualisht, të paktën në emër të disa punëve të mira që kanë bërë këto katërmbëdhjetë vite. Sugjerimi për t’u bërë më racionalë në zgjedhjen e skemave, gjuhës apo mjeteve të luftës së brendshme politike, do t’i shtonim: garë emulative mes njëri-tjetrit partitë e liderat e tyre mund të bëjnë vetëm për mundësinë sa më të afërt që shqiptarët të marrin vizat e hyrjes në vendet e BE-së në pikat doganore të kufirit tokësor, porteve detare apo aeroporteve. Arritja e këtij objektivi, që kërkon realizimin e vetëm një pjese të reformave të kërkuara nga Bashkimi Evropian, është jetike për shpresën e bashkëkombasve tanë. Edhe për votat që normalisht duan të mbledhin.

Ylli Polovina




Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com