Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Qe Tirana te mos çmendet

Korrieri, 13 tetor 2004

Në këtë dhjetëvjeçar të parë të vitit dymijë nuk përbën kërshëri vetëm sprova e shqiptarëve për një demokraci funksionale, por edhe se si do t’ja dalin të ngrejnë një qytet të madh. Një metropol si Tirana. Të parin në historinë e tyre të lashtë. Para një provimi të madh të aftësive tona kombëtare për vetqeverisje moderne e vetorganizim bashkëkohor, Tirana jep shenja të gjalla e të sigurta të një suksesi të mundshëm. Por po kaq, herë pas here, të fut në dëshpërim dhe mëdyshje, edhe pse jo në pashpresë. Me sa duket nuk i thonë shaka të grumbullosh në një vend, bryl më bryl, shtatëqind mijë e kusur shqiptarë. Nesër me siguri edhe një milion, pasnesër do të kokëkriset të mbushet kryeqyteti edhe me disa qindra mijshe të tjera. Kaq shumë nga bashkëkombasit tanë, materie njerëzore që e sfidon rregullin e jetës në bashkësi dhe sidomos ligjet, mund të prodhojnë “shpërthimin” e Tiranës.
Këtu nuk është fjala për ndonjë eksplozion me lendë shpërthyese, apo thjesht të tipit demografik. Ky qytet që po bymehet e fryhet me shpejtësi me njerëz, mjete lëvizëse dhe godina, qendër urbane mjaft e potershme dhe gjindje e etur për para e karrierë, turmë tepër ambicioze për të spikatur secili vehten vet e duke ua zënë pa asnjë fije brengosjeje gjithë dritën të tjerëve, e ka fshikur disa herë kufirin e skajshëm të “çmendjes”. Jo në vitin 1997, kur u “çmend” një pjesë e madhe e vendit dhe Tirana i mbajti nervat të qeta. Por në shtator 1998 ky qytet sigurisht që e kaloi një fazë të beftë “çmendurie”. Për shkak të politikës. Mirëpo që nga kapërximi i kësaj vjeshte Shqipëria dhe qendra e saj administrative nuk u marrosën më prej politikës dhe në fund të vitit 2002 “çmendja” e kryeqytetit ngjau për shkaqe jashtë saj: u bë përmbytja e pjesshme e Tiranës nga ujrat e Liqenit Artificial.
Nga ky çast kanë kaluar afro dy vjet dhe rastet e cimbisjes së nervave të popullatës treçerekmilionëshe janë përsëritur me ritëm frenetik. Tani rezulton se një “dalje mendsh” e këtij qyteti të madh mund të kanoset nga vetë zhvillimi i tij, gjendje jo përherë e mundshme për t’u administruar. Ja pse shqetësimi për një zhvillim normal e të përmbajtur të kryeqytetit të shqiptarëve mbetet i përhershëm, por ai bie në sy këto ditë, kur ende ngacmohet nga tre ngjarje që lidhen me çështjen e legalizimit dhe urbanizimit. Protestat në tre pika të tij (Unaza, Misto Mame, Kombinati i Tekstileve), edhe pse sigurshëm nuk e nxjerrin Tiranën përtej limiteve të shformimit dhe nuk bëhen aspak për këtë qëllim, rilevojnë problemin se kryeqyteti, dhe bashkë me të edhe vendi, po kalojnë në një kapërcyell. Duke lënë mënjanë Lazaratin me parcela droge dhe të shtëna mbi një helikopter vrojtimi policie apo çështjen Kakome, ku protesta e disa vendasve tani për tani shkon edhe tek kanosja verbale për rrëmbim armësh, i quajturi proçes legalizimi dhe urbanizimi mëshon vëmendje më të madhe në Tiranë. Jo sepse ky proçes qëllimshëm po merr rrugën e zbatimit për të shkaktuar nervozimin e një pjese të madhe të banorëve të kryeqytetit. Përkundrazi legalizim-urbanizimi është një mënyrë efikase për ta çuar njëherë e mirë drejt normalizimit superqytetin tonë. Nga që e dinë mirë këtë gjë edhe loja politike për këtë temë po pëlqen t’i vërë vetes disa limite. Urbanizim-legalizimi është mbi të gjitha një sipërmarrje e madhe kombëtare për sistemimin e kaosit të deritanishëm shqiptar. Eshtë e para dhe më kryesorja e reformave të rendësishme që na duhet të bëjmë për të pretenduar më pas se mund të vihemi në rreshtin e gjatë të popujve që aspirojnë me padurim eurointegrimin. Legalizim-urbanizimi i vërtetë nuk ka vetëm disa fragmente të dhimbshëm mes banorëve të Bathores, të Misto Mames, Kombinatit apo dy “kullave Hawai”. Legalizim-urbanizimi i Tiranës dhe i të gjithë vendit përfshin mbi të gjitha hartimin e plotë të listës së zgjedhësve. Po nuk u bë plotësisht kjo gjë, siç edhe është lënë të kuptohet për shkak të “kohës së pakët” apo paplotërisë së ligjeve, në verën e vitit tjetër, pas votimeve, mund të provojmë një “dalje mendsh”. Nuk përjashtohet nga një siptomë e tillë edhe Tirana. Mbi qytetin më të madh të shqiptarëve ka kohë që lista e kanosjeve grumbullohet e shtohet nga dita në ditë. Duke lënë mënjanë Liqenin Artificial, porta shkarkuese e të cilit vijon të jetë në avari, pas asaj përmbytjeje të pashembëllt të fundvitit 2002 u fol për një rrezik që i vinte qytetit nga vjetërimi i tubacioneve të mëdhenj të ujësjellësit. Nuk vonoi pas këtij paralajmërimi dhe u bë e qartë se ndotja e ajrit në Tiranë ishte aq e madhe sa jo vetëm mban vendin e parë në kontinent të një qyteti ajërprishur, por edhe sepse çdo kryeqytetasi i bie në vit të gëlltisë nëpërmjet gojës dhe mushkrive afro njëzetë e pesë kilogram pluhur. Më pas kësaj “çmendjeje” u perhap lajmi se nëpër të gjitha pikat e Tiranës, madje dukshëm pranë zonave të mbipopulluara, ishin vendosur me liçensë apo jo dhjetra e dhjetra depozita të furnizimit me karburant. Ato u quajtën atëhere “bomba”. Ndonjë prej tyre u çaktivizua, por nën muret e kryeqytetit këto burime shpërthimi vazhdojnë të rrinë të patrazuara. Në vijim të këtyre kanosjeve nuk u fsheh dot edhe ai i qindra pikave të shitjes së gazit, të cilat rrinin e qendrojnë akoma në katet e para të dhjetra qindrave pallateve apo godinave të banuara. Pak javë më parë u njoftua lajmi për një të vdekur pranë Sheshit Skenderbej, në zemër të Tiranës, i goditur nga një rrufe. Ngjarja e kuptueshme për ndonjë fushë të mbjellash apo pyll, zbuloi se metropoli ynë nuk ka sistem të mbrojtjes nga shkarkimet elektrike të vetëtimave. Një lëkundje tërmetore modeste e tokës në muajin gusht të këtij viti bëri të ditur se kishim probleme të mëdha me zbatimin e masave antisizmike. Le t’i shtojmë kësaj tabloje të përgjithshme edhe një plak që në mes të Tiranës u shtyp nga një makinë, ndërsa në duar mbante disa ftesa dasme për t’i shpërndarë tek të afërmit. Të ndjerin e lanë të vdekur në buzë të njërit krah të shëtitores së madhe Barjam Curri, rrugë e gjërë tashmë e modernizuar aq mirë sa nga shumë makina po përdoret si pistë autostrade. Kështu “varr” nuk mbetet vetëm autostrada që shkon drejt Durrësit. Në mungesë të dukshme pikave të nevojshme me semaforë e të vijave të kalimit, që do tua prisnin hovin garistëve të shumtë, jetën mund të ta marrin tani edhe duke shëtitur në mes të Tiranës.
Ka shumë punë në të gjithë Shqipërinë, ca më tepër në Tiranën që po provon modelin e një qyteti shumë të madh. Një mirëkuptim i kësaj gjendjeje do të bënte të kuptohej kombëtarisht se në thelb legalizim-urbanizimi i shqiptarëve mbetet mision përtej lojës së tezave se duhet bërë më parë urbanizimi dhe pas tij legalizimi. Apo e kundërta: në fillim legalizimi e më vonë urbanizimi. Atë nuk e përcakton dot plotësisht as ideja se urbanizimi duhet të shkojë sëbashku me legalizimin. Shembjet e disa dyqaneve dhe hapja e rrugëve në Tiranë, ligjet për të sistemuar përfundimisht lagjet periferike të ardhësve apo protestat që ndizen e pak nga pak shuhen tek Misto Mame, Kombinati, Unaza apo Kullat Hawai janë vetëm pjesa më e imtë e proçesit të madh të qytetërimit dhe europianizimit të shqiptarëve. Kur të legalizohemi dhe urbanizohemi plotësisht, në realitetin social rreth nesh dhe në mentalitet të gjithsecilit, atëhere nuk do të përjetojmë asnjë rast tentimi për të “dalë mëndsh”.


Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com