Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

KOMUNIZMI SHQIPTAR DHE TELEVIZIONI ITALIAN RAI
“QYTETI PRANĖ QIELLIT”: QERSHORĖT E PAFAT TĖ SHKĖLQIM NGURZĖS, I CILI LUAJTI NĖ FILM SKĖNDERBEUN E VOGĖL
“QYTETI PRANĖ QIELLIT”: PSE BERATIT I DUHET NJĖ BUST I AKAKI HORAVĖS DHE I VIKTOR STRATOBĖRDHĖS
KRYENGRITJA E FIERIT NĖ 1935 SI HISTORI E NDĖRSJELLTĖ TERRORI
“QYTETI PRANĖ QIELLIT”: FĖMIJA JETIM QĖ LUANTE I VETĖM TĖRĖ FILMIN “SKĖNDERBEU”
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“QYTETI PRANË QIELLIT”: LINDJA E NJË ZANE NË FAMILJEN HAXHISTASA


(Fragmenti 56 i librit “Qyteti pranë qiellit”, vijon nga dje)

Sapo kish nisur dekada e viteve pesëdhjetë të shekullit të shkuar, kur në familjen e juristit Thoma Haxhistasa ndodhi një ngjarje që dukej si e krijuar prej një orakulli.
Liria, bashkëshortja, qe për herë të dytë shtatzanë dhe vajza e tyre që tashmë po mbushte tre motet, Mira, iu lut të jëmës që të bënte një Zanë.
E kish fjalën qartësisht për ato që në krijimtarinë imagjinare të popullit thirren Ora, Shtojzovalle, Perri, Të Bukura të Dheut, krijesa fort të bukura që rrinë pranë burimeve apo buzë liqeneve, mes pemëve të pyjeve apo nëpër lëndina.
Nga e dinte Mira, duke kërkuar emrin Zana, se fëmija e dytë e çiftit Haxhistasa do të qe sërish vajzë? Thjesht siç mund të dëshironte një motër, përse të mos pëlqente edhe një vëlla?
E ëma, Liria, lindi vajzë dhe të dy prindërit kryen atë për të cilën u qe lutur orakullja e vogël. I vunë emrin Zana.
Dhe çudia qe se e porsalindura ishte e bukur si yll. Nuk po i bënin asnjë hatër me atë emër. Liria dhe Thomai do të kishin katër vajza, shumë simpatike që të katra, lëkurëbardha e vazhdimisht me buzëqeshje në fytyrë, madje Mira, që e kam pasur shoqe klase në gjimnaz, gjithnjë sipas meje, qe edhe më e hijshmja e maturës sonë.
E megjithatë Zana ishte si e krijuar prej lënde hyjnore, zanash të vërteta.
Këto çudira jo përherë shpjegohen me romantizëm legjendash, por autori i këtyre rradhëve ka bindjen se mbi veprimet dhe fatet e njerëzve ndikojnë edhe misteret e subkoshiencës. Nëndërgjegjia peshon fort jo vetëm tek individët apo familjet, por jo rrallë në të tërë shoqërinë.
Ja pse në rastin e orakulles Mira dhe të shtojzovalles Zana ai mendon se e ka gjetur një provë modeste, e cila sadopak e shpjegon ngjarjen e mësipërme.
Kjo e fshehtë ndodhet tek krijimtaria e Kristaq Tutulanit, intelektualit brilant beratas dhe njëkohësisht progresist i madh shoqëror, nëna e të cilit qe një Haxhistasë.
Miti i Zanës dhe shpirti i saj gjenden fare dukshëm tek ajo që ka shkruar Kristaqi.
Ai, i cili do të jepte edhe jetën për lirinë e Shqipërisë, ka një përshkrim poetik të titulluar “Valle zanash”.
Thuhet në të: “Nga sheshet e Tomorit, ng’ato sheshe hyjnore,/Ng’ato sheshe të shkelura prej Zotit Pellazgjik,/Ndën hijen e lajthive, buzë projeve argjendore,/Një keng’ e bukur dëgjohej me një ritëm magjik...”,
Më pas Kristaq Tutulani përshkruan malin e Tomorit, ku të kapura dorë për dore shtojzovallet këndojnë edhe vallzojnë, dredhin delikatshëm trupin e tyre meskëputur, trupa të bardhë si dëborë, të mbuluar me fustan të hollë dhe të bukur, me sytë e tyre të zez nën vetulla harkore, me zëra ëngjëllorë...
Kristaq Tutulani duket i magjepsur pas këtyre personazheve të krijimtarisë populllore dhe për ekzistencën e të cilave ai ka dëgjuar dhe besuar, jo vetëm në malin e Tomorit, por edhe përreth në qytetin e tij me prani gjurmësh të shenjta.
Sepse beson që Zanat ekzistojnë, Tutulani i përkushtohet kësaj kredoje edhe në një rrëfim të gjatë të shkruar me rastin e 475 vjetorit të një ngjarjeje të madhe të ndodhur në 26 prill 1451: martesës së Skënderbeut me Donikën.
Shkruan ai që në fillim: “Porsa dielli skuqi kupëzën e qiellit e trendafilëzoi dëborën e Tomorit, zanat e bukura u zgjuan.
E Bardha e Çukës tundi krahët e saj të bardhë, luajti pakëz vendit, çeli syt’e saj të bukur të kaltër, si qielli i Arbërisë kreshnike, pa shoqet e saja të zgjuara dhe përsëri pështeti kokën e saj mbi fletët e lajthisë. Aty poshtë pranë burimit të bekuar prej Zeusit në kohrat magjike...”
Më pas thotë se e Bardha e Çukës një çast mbylli sytë prej kënaqësisë dhe e zuri gjumi. Nëpër gjumë ëndrroi si kudo kishte gëzim dhe dëgjoheshin thirrjet “Rroftë Mbreti ynë trim, rroftë Mbretëresha jonë bujare!”
Pastaj Kristaq Tutulani përshkruan turmat popullore që me kanistra të mbushura me dhurata e duke qarë prej gëzimit, brohorasin “Lavdi Zotit që ia mbërritëm ditës së martesës së mbretit tonë Gjergj Kastrioti me bijën fisnike të Kaninës, bukuroshen e Epirit”.
Këtë çast të krijimit të tij Tutulani përdor vargjet si të jetë një himn:
“Kush është ky trim i rrallë
Që sulet gjithnjë në ballë,
Është trimi Kastrioti
Që për ne e faltë Zoti
Ësht’ i Madhi Skënderbeu
Me të cilin mburret dheu”.
Dhe ja çudia: përveç krye Zanës së Tomorit, të cilën e quan “E Bardha e Çukës”, Kristaq Tutulani flet edhe për një Zanë të dytë, emrin e të cilës e formulon me “Ora e Osumit”.
Me rrëfimin e gëzimit të madh të shqiptarëve për martesën e Gjergjit me Donikën, të përshkruar si një valle të papushuar të shumë zanave, Kristaq Tutulani duket sikur edhe vetë bëhet një orakull.
Kjo dasmë do të bëhej një prej skenave më të bukura të filmit “Skënderbeu”, i cili do të xhirohej, për fat të historisë së qytetit të tyre plot simbole hyjnore, në Berat.
Kjo mrekulli do të ndodhte pothuaj në kohën kur Mira Haxhistasa do t’i lutej të jëmës shtatzanë të lindte një Zanë dhe të dy prindërit ia plotësuan dëshirën.
Në fund të fundit qytetit të tyre i shtohej edhe një shtojzovalle tjetër, si e Tomorit apo e Osumit...E Mangalemit, e Kalasë, e Goricës pse jo.


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com