Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Te ribesh Shqiperine

Korrieri, 17 nentor 2004

Pa dyshim që pas vitit 1990 shqiptarët po përpiqen edhe njëherë tjetër ta ribëjnë vendin e tyre. Në këtë përpjekje të re, pas kaq shumë dështimeve të mëparshme, çështja nëse do t’ja dalim mbanë dëshirës së tyre mbetet e mëdyshtë. Kur flasim për një mision kombëtar të bërjes së Shqipërisë nuk e kemi fjalën se të paktën që kur shpallëm shtetin tonë të pavarur nuk janë bërë hapa ndryshimi pozitiv. Shqipëria e vitit 2004 nuk ngjan fare me atë territor të gjymtuar të fundvitit 1912. Shqetësimi qendron në çapet e ngadaltë dhe shpesh, kthimet e paprecedent mbrapsht. Mëkembjen tonë e kemi bërë shumë ngadalë dje, nuk duket aq shpejtë sa e dëshirojmë sot. Kështu prapambetja historike mbetet një handikap, një statukuo e një defekt kombëtar, një zakon e mendesi gati popullore. Nuk mund ta fshehim se ne shqiptarët lëmë nga pas përherë një gropë.
Hendeqe apo thellima të tilla mund t’i dallosh në shumë nga dimensionet e krahasimeve jo vetëm me shtete dhe popuj në qendër të eurokontinentit, por edhe mes atyre që ndodhen në Ballkan. Për ta ribërë Shqipërinë na duhet, përshembëll, të mbushim gropën e korrupsionit apo kulturën e ulët të respektimit të rregullit publik dhe të ligjit. Mjaftojnë vetëm këto të dyja për të siguruar ritmin e një prapambetjeje të përhershme. Por mbetjen tonë sistematike prapa, pa ja faturuar vetëm dy apo tre të metave të mëdha shoqërore apo edhe prapambetjes historike, do ta ilustrojmë me një detaj pak të rënë në sy. Në Muzeun Kombëtar në Tiranë nuk ka pavion të periudhës të quajtur \"socialiste\". Bëhet fjalë për një “grope” kujtese kombëtare prej gati një gjysëm shekulli, segment i gjatë kohor që nisi me hipjen në pushtet të komunistëve dhe përfundoi me Lëvizjen Studenteske të fundvitit 1990. Sigurisht në Muzeun Kombëtar nuk ka asnjë lloj hapësire edhe për periudhën e këtyre katërmbëdhjetë viteve të fundit, por kjo është tepër e kuptueshme. Do të ishte banale të trajtohej ky institucion shumë i rendësishëm si një gazetë e përditshme, ca më pak si një sallë kinemaje. Pluralizmi i dytë shqiptar, pas atij të paravitit 1925, është një periudhë historike në formim, në zhvillim. Ajo tani për tani nuk mund të konservohet dot. E konservuar dhe e mbyllur është periudha e komunizmit. Madje ajo është aq shumë e “konservuar” sa që është tharë dhe bërë eshkë.
Atëhere përse kjo pjesë e gjatë dhe e rendë e historisë tonë të afërme nuk përpunohet mbi kritere shkencore dhe vendoset në Muzeun Kombëtar të Shqipërisë? Sigurisht këtu nuk bëhet fjalë se nuk duan të punojnë të paguarit në këtë institucion. Problemi nuk është aspak aty. Përgjegjësia e këtij personeli të specializuar nga prania e kësaj \"grope\" në identitetin tonë kombëtar përjashtohet. Përgjegjësia gjendet përtej tyre. Shtrihet në të gjithë shoqërinë tone, duke filluar nga politika. Dje historikisht nga ajo. Sot po ashtu.
Me këtë shkrim nuk duam të ndjekim atë udhë, ku edhe pse bie shi i shumtë apo bën vapë e nxehtë, fajtorin e kemi gati: politikën. Këtë klasë aspak të parë si një masë gri që na ka pllakosur e mbuluar qiellin, e ravijëzojmë si përgjegjëse për të ridëshmuar se ca punë të saj nuk pikasin momentin e duhur dhe nuk e kanë largpamjen e nevojshme. Të rinënvijëzojmë se në luftën e tyre mes krahëve të ndryshëm e brenda llojit e bëjnë me mjaft mëri dhe pasione personale. Të kujtojmë se u po u bëhet zakon i keq që tek rivali përherë të shohin bashkëpunëtorin apo aleatin e qarqeve të huaja antishqiptare apo njeriun e mafies ndërkombëtare. Të nxjerrim në pah edhe njëherë se akoma disa prej tyre kallzojnë tek konkurenti vetëm tradhëtarin e kombit.
Shqipëria ka mbetur pa një histori zyrtare të muzeuar të gjysmës së jetës së shtetit të vet të pavarur. Kjo ka ndodhur jo se na mungojnë fondet, godinat apo mendjet e ditura e të qeta. Marrëzia ka ngjarë sepse ne ende nuk kemi rënë dakort politikisht për ta pasqyruar atë, ndërsa për dijetarët që janë të aftë ta sistemojnë, politika duhet zbuar nga kjo punë. Me këtë të fundit që na vërtitet përherë nëpër kembë lemë gabimisht përshtypjen sikur si popull nuk jemi aq fort të shqetësuar për ta sintetizuar e shpallur publikisht këtë histori, sidomos atë të diktaturës. Në pavionet muzeale gjithkund njëzetë e tetë mijë kilometrave tona një të huaji mund t\'i kallzojmë të gjithë biografinë komplekse të ilirëve, principatën e Arbërit apo epopenë e Skenderbeut, Lidhjen e Prizrenit apo luftën për pavarësi dhe shpalljen e saj. Gjer këtu, periudhë historike kur nuk kishim shtetin tonë, cdo gjë shkon pa probleme. Ato nisin pikërisht kur ne krijuam shtetin tonë të pavarur, që me pasqyrimin historik të pluralizmit të parë, me ardhjen në pushtet të Fan Nolit dhe më pas të Ahmet Zogut. Pasojnë me luftën antifashiste, ardhjen në pushtet të komunistëve dhe në vijim, me pluralizmin e dytë shqiptar. Tamam kur për herë të parë krijojmë e mbajmë në kembë shtetin tonë ne nuk arrijmë dot ta fiksojmë historinë e tij në mënyrë të pakritikueshme në një libër e të qendrueshme në një muze. Sepse ose pavionet i ngrejmë sipas interesave politike të çastit dhe pastaj, në një kontekst tjetër e me qeverisës të tjerë, i prishim, i modifikojmë, ose nuk e ngrejmë kurrë. Pak a shumë mund të thuhet se shteti ynë që nga vitet e fillimit, në vend që të realizonte formimin e paanshëm të identitetit tonë, e ka shmangur këtë mision, e ka nënvlerësuar, nuk e ka cilësuar punë të dorës së parë. Por një shtet nuk është vetëm për të patur një administratë, paguar rroga e mbajtur në kembë rend publik, shkolla apo rregulluar funksionimin e tregëtisë. Një shtet mbi të gjitha është ai që kujdeset me përparësi, pasion e ekuilibër për të forcuar identitetin kombëtar. Për fat të keq historikisht nuk hyn në meritat e drejtuesve tanë shtetërorë që fare pak vite para se të kremtojmë njëqindvjetorin e Shqipërisë së pavarur ne nuk kemi në Muzeun Kombëtar një histori të plotë e të vizitueshme të saj. Nuk mjafton që këtë histori ta vendosim vetëm në tekstet shkollore. Duhet të shpëtojmë sa më parë nga paradoksi: kemi histori për periudhën pa shtet dhe pothuaj nuk kemi për kohën kur këtë shtet e kemi.
Pak ditë më parë poeti e shkrimtari Visar Zhiti, një nga penat e spikatura bashkëkohore në letërsinë sonë, botoi një libër të të jatit. Ai titullohet \"Kryengritje shqiptare në parajsë\". I jati quhet Hekuran Zhiti, dekada më parë një emër i njohur në qarqet artistike të Beratit, Lushnjës dhe jo i paditur deri në Tiranë. Fati i tij tronditës për shkak të të qënit viktimë e të quajturës luftë klasash bëri që të mos dukej dot publikisht personaliteti i tij i spikatur si poet për gjatë të gjithë gjysmëshekullit realkomunist. Për një inerci të qortueshme, edhe për pothuaj katërmbëdhjetë vitet e pluralizmit aktual. Po të lexosh atë libër e kupton fare mirë se një intelektual bashkëkombas i viteve tridhjetë e dyzetë e kishte kult Shgabën dhe Flamurin. Devizë kishte bashkimin mes njeri-tjetrit. Qëllim të jetës: Shqiprinë. Në pak fjalë Zhgabë, Flamur, Bashkim. Duke mos patur si qëllim qëmtimin e vlerave artistike të një përfaqësuesi të kulturës kombëtare, për fat të rizbuluar këto muaj të fundit, libri i mësipërmë na ndihmon për të kuptuar problemet që kemi me historinë tonë. Që në fillim të librit të Hekuran Zhitit, i biri, Visari, si nëntitull intim për \"Kryengritje shqiptare në parajsë\" gjen formulimin \"Të ribësh atin tend\". Dhe ai me shumë talent ja ka dalë. Sekreti i këtij misioni, të cilin ia vuri vetes, nuk duket se qendron aq shumë tek të qënit një shkrimtar profesionalisht mjaft i pjekur. As se, duke qënë natyrë komunikuese, arriti të kontaktojë me dhjetra miq e bashkëkohës të të jatit dhe kështu krijimtaria e Hekuran Zhitit, e paraqitur në libër, është tejet e larmishme dhe e sistemuar mjeshtërisht. Visari ka ribërë të jatin, sepse është ndjerë biri i tij. Ky është sekreti.
Sidomos kur je politikan e fiton të drejtën të administrosh punët e këtij shteti duhet të ndihesh bir. Diktatura monumentin e Nënës Shqipëri e ngriti tek varret e dëshmorëve të kombit, në kodrat e Saukut, dhe për diktatorin hapi sheshin qendror të Tiranës. Të njëjtën gjë bëri edhe Ahmet Zogu kur si kult kombëtar pëlqeu Nënën Mbretëreshë dhe mauzoleun për nënën e vet e lartoi në mes të Tiranës. Nuk mund të dyshohet patriotizmi i politikanëve aktualë, të cilët nuk e kanë fryrë këtë kult personal. E megjithatë…

Ylli Polovina





Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com