Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Allah ne Sheshin Skenderbej

Botuar në “Korrieri” më 30 nentor 2005


ALLAH NE SHESHIN SKENDERBEJ


Pamja vijon të jetë e njëllojtë çdo vit dhe sa herë që festohet Barjami i Madh. Ceremonitë nisin në mënyrë spektakolare në sheshin qendror të Tiranës, kryeqytetit të Shqipërisë, si edhe pa dyshim edhe qendrës më të madhe metropol të të gjithë etnisë së shqiptarëve. Pikërisht në këtë qendër të qendrës, para syve jo vetëm të kalimtarëve me fe të ndryshme, laikë apo edhe ateistë, por para kamerave të dhjetra televizioneve vendas, klerikët myslimanë kryejnë ritet e tyre. I ndjek me rregull dhe qetësi një masë e madhe besimtarësh. Në disa nga çastet më të pikuara të ceremonisë turma e madhe, e rënë e gjitha në gjunjë, falet. E ul kokën dhe gjysmëtrupin gjer në rrafshin e tokës. Disa herë. Shumë herë.
Kryesheshi i Tiranës ka një histori dhe simbolikë të vetin, që kur është krijuar nga urbanistika dhe prapa saj politika. Patjetër shesh i bukur, një lloj “zemre” e qytetit, e tejngarkuar me hije godinash që përfaqësojnë shtetin dhe me pak vend për shplodhje. Sheshi gumëzhin nga zhurrmat e ditës, nga vrapi I makinave, nga mitingjet politike, koncertet e porositura. Herë pas here aty lëviz karuselin një kend lojrash i një italiani, kanë nisur të vijnë e ikin panaire të lëvizshëm, mes tyre mund të gjesh edhe kuzhinierë serbë. Pikërisht këtu kryhet edhe ceremonia kombëtarisht më masive e fesë myslimane. Në rast se ndonjë gazetar i huaj do të vinte me prapamendimin se Shqipëria është një vend e një popull që i përket botës islamike nuk do të gjente rast më “fatlum” për të provuar bindjen e tij sesa çasti kur qendra e kryeqytetit mbushet tej e përtej me besimtarët që bjenë në gjunjë, ulin shpinat, duart e kokat e tyre gjer në cipë të tokës dhe herë pas here nëpër ajër shpërndahet thirrja e përmbajtur “Allah!”.
Mirëpo të gjithë e dimë se imazhi ynë nuk është kaq lehtësisht i vizatueshëm, kaq fort i thjeshtë, kaq shumë fetar dhe ca më tepër i ngarkuar me ngjyra të ndezura islamike. Sepse ne e dimë që ky rit masiv mysliman kryhet në qendër të Tiranës jo sepse kleri i lartë i këtij besimi ka zakonin e atyre partive politike që ja e bëjnë mitingun në këtë shesh, ja e denoncojnë policinë dhe qeverinë si shkelës të të drejtave të njeriut dhe të lirisë së qytetarëve. Ceremonia e rrallë realizohet në kryesheshin e Tiranës, sepse aty është edhe xhamia e tyre më e vjetër në këtë qytet: Xhamia e Ethem Beut. Ajo është më e frekuentuara, më e vizitueshmja, më e qeta dhe më mikritësja, vetë simboli i shkollës së muslimanizmit liberal e tolerant shqiptar. Xhamia e Ethem Beut është patjetër një monument i lartë kulturor dhe shpirtëror. Prandaj për ne, vendasit, ndryshe nga sa i krijohet përshtypja një të huaji të paqëllimtë e ca më tepër një kaptine keqdashëse, kjo ceremoni e përvitshme është e bukur dhe duhet ruajtur pa ndjerë ndonjë siklet apo “turp” përballë eurokontinentit, Bashkimit Evropian, i cili shtratin e historisë së tij e ka mbi themelet e fesë së krishterë.
Jemi ne, shqiptarët, që dimë edhe “sekrete” të tjera, të cilat tjetri që vjen dhe kuturis të nxitojë t’i hedhë në letër apo në celuloid pa njohur historinë dhe traditat tona, nuk i di. Përshembëll i gjetur përballë pamjes së qindra e në mos disa mijra myslimanëve që falen qetësisht e shqiptojnë pa ekstazë fjalën “Allah” ai nuk e kupton thellë se këtë gjë shqiptarët këtë rit e kryejnë jo te një shesh i quajtur Muhamet apo Krisht, por i thirrur që kur u krijua me emrin Skënderbeu. Dhe sigurisht ai ardhësi e pretenduesi që kujton se ka të drejtën ekskluzive të shkruajë e arkivojë në të gjitha bibliotekat e botës historinë tonë siç i pëlqen atij të jetë, nuk e di se Skënderbeu që rri në pozicion monumental në krye të sheshit është heroi më i madh kombëtar i të gjithë shqiptarëve. Sigurisht edhe i të gjithë besimtarëve myslimanë në Shqipëri e kudo ku bashkëkombasit tanë jetojnë. Ai ardhës, shkrues, e nxirës nuk e di se në të gjitha rastet riti i çeljes së festës së Barjamit të Madh me atë cermoni e falje masive kryhet tek kembët e Gjergj Kastriotit. Dhe sërish nuk e ka të qartë se dera princërore e Kastriotëve ka qënë e krishterë, mirëfilli e lidhur me besimin që ka patur e ka për qendër globale Selinë e Shenjtë dhe Romën. Në rast se ndonjë Kastriot u konvertua në fenë islame këtë gjë e bëri përkohësisht dhe vetëm për të ruajtur pronat e veta deri në një kryengritje tjetër kundër pushtuesve osmanë. Ai që vjen dhe të tillë në aeroportin e Rinasit zbresin nga disa në ditë, po ashtu nuk e di se jo vetëm paraardhësit e Gjergj Kastriotit, ai vetë, por edhe të gjithë pasardhësit e tij në linjë mashkullore apo femërore, të cilët kryesisht jetojnë në Itali e ndokush emigruar përtej oqeaneve, janë si edhe stërgjyshërit e tyre: të krishterë. Skënderbeu, vigani që rri në krye të sheshit ku zhvillohet përvit riti i festimit të Barjamit të Madh, është një krye i krishterë. Dhe në rast se myslimanët shqiptarë do të ishin jo radikalë, por edhe fare pak fanatikë, ose ceremoninë e tyre do ta kryenin në një shesh tjetër të Tiranës ose, lob i madh siç kanë qënë dhe ende mbeten, do ta kishin shkulur me rrënjë monumentin e Gjergj Kastriotit dhe do ta kishin shtyrë në ndonjë periferi të kryeqytetit. Mirëpo nuk ndodhi kështu, madje kjo gjë, qoftë edhe për pastërtisht fantazi, as duket se u ka shkuar ndërmend ndonjëherë shqiptarëve të besimit islam. Nismëtar i emërtimit të sheshit Skënderbe ka qënë një shtetar mysliman, Ahmet Zogu. Ai që ja ngriti monumentin po ashtu ishte një tjetër, i cili vinte nga një traditë besimi mysliman, Enver Hoxha. Ata që pas rënies së diktaturës e nderuan me venerim këtë përzgjedhje kombëtare ishin presidentët me origjinë myslimane Sali Berisha dhe Rexhep Meidani. Ai që ndjen kënaqësi të dukshme ta ketë pranë statujën e Gjergj Kastriotit, në çdo takim zyrtar e dalje mediatike para popullit, është një i krishterë ortodoks, presidenti Alfred Moisiu. Po të qe se edhe të krishterët shqiptarë, katolikë apo ortodoksë, do të kishin sadopak mendësi jotolerante, duke parë atë “pushtim” të kryesheshit më të madh e më simbolik të vendit nga ajo turmë e madhe që falet nën lutjen “Allah”, do të kishin bërë një protestë, qoftë edhe me një copë letër apo deklaratë për shtyp.
Veç nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë kurrë asgjë e tillë. Ata qindra apo disa mijra besimtarë të fesë islame çdo vit do ta kryejnë ritin e tyre të sinqertë, para gjithë bashkëkombasve dhe tek kembët e të krishterit të madh Gjergj Kastrioti. Ndërsa në skajin tjetër të sheshit ka çelur kantjerin një kishë e madhe ortodokse dhe pak më tej, në aksin e gjërë të bulevardit “Dëshmorët e Kombit” ngrihet e lartë Katedralja e Kishës Katolike. Atij ardhësit që i shkruan aq lehtë shkrimet e tij për shqiptarët dhe ku me të drejtë denoncon të meta që i kemi, do t’i duhet të jetojë mes nesh që të na kuptojë në defektet dhe vlerat tona. Vetëm atëhere do të jetë i ndërgjegjshëm të vlerësojë se është punë shumë fisnike të luftosh që një popull të bëhet më i mirë dhe më i qytetëruar dhe pikërisht për këtë arsye duhet ta përdorësh kritikën ndaj tij me dashuri dhe jo me përbuzje.
Nuk përbën asnjë çudi që në të gjithë artikujt e huaj, të cilët këtë vit janë shkruar negativisht për Shqipërinë, të paktën për aq sa është bërë e mundur të njihet kjo masë e tyre, nuk kanë cituar asnjëherë faktin se vitin 2005 e kishim zgjedhur kombëtarisht si Vit i Gjergj Kastriot Skënderbeut. Heroi ynë luftoi dhe bashkë me popullin e tij sakrifikoi për të mbrojtur kontinentin e zhvilluar dhe demokratik, pjesëmarrja në të cilin na bën nder. Do t’u bënte po kaq nder edhe disa shkruesve që për të metat që kemi dhe i vuajmë ne të parët e shumë më pak ata, t’i kujtonin mbarë lexuesve të tyre se ka gjashtëqind vite që jeta e heroit tonë nacional ruhet e paharruar mes nesh. Dhe një komb nuk e përzgjedh kampionin e tij të lirisë vetëm se ishte një shtetar me talent, një ushtarak në nivel strategu dhe një evropian në frymëzimin e tij. Shqiptarët e kanë zgjedhur emblemën e tyre, Gjergj Kastriotin, jo vetëm sepse ishte një mbrojtës i madh i integritetit të etnisë dhe se pikërisht për këtë vlerë të çmuar i morën përjetësisht për flamur atë që ai përdori pothuaj gjashtë shekuj më parë. Shqiptarët e kanë zgjedhur dhe e mbajnë si udhëheqës të madh shpirtëror kryeprincin e tyre të shekullit të pesëmbëdhjetë edhe sepse ka qënë një shembëll mirësie për popujt e tjerë. Sepse ka qënë për popullin e tij edhe një bashkues i madh i të gjitha besimeve fetare. Ai ishte një i krishterë i madh dhe i palëkundur, por nuk ishte një kryqtar i krishtërimit. Nuk u bë kurrë i tillë, nuk pranoi asnjëherë. Iu shmang këtij kurthi. Jo më kot ai e ruajti edhe gjysmën e emrit të tij të madh. Si i krishterë ai ishte vetëm Gjergj Kastrioti. Si shqiptar që luftonte për mbrojtjen e vendit të vet ai ishte Gjergj Kastriot Skënderbeu. Dy emra i kishte në një, pjesën e krishterë me atë mysliman. Me këtë emër zyrtarizoi çdo dokument e raport me Evropën. Me këtë emër të bashkuar të krishtero-mysliman e pranoi edhe ajo.
Me këtë respekt të palëkundur për të njëherë në vit në mes të Tiranës falen duke prekur me duar e buzë cipën e dheut të tyre edhe ata qindra apo disa mijra myslimanë. Përrulen vërtet para Allahut të tyre dhe para xhamisë së shenjtë të Ethem Beut. Por bien në gjunjë edhe para Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com