Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Heqja e perdes se argjendte


Ballkan, 17 dhjetor 2005


«Perdja e Hekurt» dihet se cila ishte. Ajo për gati një gjysëm shekulli e ndau Evropën mes për mes, duke krijuar dy “kampe”. Njëri quhej “socialist”, tjetri thirrej prej të parit “kapitalist”. Në të vërtetë, siç edhe e dinë shumica prej nesh, ajo “perde e hekurt” ndau jo vetëm dy botë dhe dy sisteme, por edhe vetë qytetërimin. Në njërën anë qendronin e zhvilloheshin vendet demokratike dhe në anën tjetër ata që bashkë me mungesën e demokracisë u shembën nën rënojat e tyre të pazhvillimit, prapambetjes ekonomike e varfërisë.
Më 1989 kjo “Perde e Hekurt” ra. Që prej këtij çasti rifilloi zhvillimi i bllokuar në ish-kampin socialist dhe shoqëria, duke u hapur, mori frymë. Që prej këti viti të madh historik rënojat e murit të djeshëm, tashmë gërmadhë, janë të kalueshëm për mallrat, kulturën, informacionin e deri për njerëzit. Pjesa më e madhe e ish-vendeve të kampit të vetquajtur socialist tani ose janë anëtarë me të drejta të plota në Bashkimin Evropian ose janë shumë afër këtij statusi. Po i aviten këtij rezultati të ëndërruar edhe disa vende të Ballkanit. Kurse Shqipëria, siç edhe dihet, ka rrugë të gjatë.
Kur ekzistonte « Perdja e Hekurt» dhe priste mes për mes kontinentin, fundi i skajit të saj juglindor mbyllej me Shqipërinë. Ndryshe nga hapësirat e tjera sipër nesh, atëhere ish-Federata Jugosllave me sistem të njëjtë ideologjik si edhe tek ne, shqiptarët « perden e hekurt» e kishin të dyfishtë. Ne kishim dopio perde e dopio mur. Njërin e kishte ngritur vetë lufta e ftohtë, tjetrin e kishte ngritur regjimi i ashpër e vulgar bolshevik shqiptar. Kuptohet fare mirë se mundimi ynë, i shqiptarëve, për të dalë nga rënojat e dyfishta të këtyre dy mureve është tejet më i vështirë se i vendeve të tjera ish-komuniste. Ajo që do të ishte tani mjaft e dobishme ka të bëjë me mundësinë e një veprimi ndihmëtar nga vendet e zhvilluara të Perëndimit dhe nga kryeqendra e menaxhimit të eurointegrimit, Brukseli. Shqiptarët gjenden akoma nën pasojat e një dëmi shumë më të madh dhe duke qënë popull vital dhe i orientuar drejt për bashkimin me standartet e larta të BE-së, kanë për ta shpërblyer me mirënjohje dhënien e një dore. Kjo “dhënie dore” duhet të ketë për objektiv e mirësi lehtësimin e regjimit të vizave. Themi lehtësimin dhe jo heqjen e vizave, sepse kembëngulja për të parën është pretendim dhe jo e drejtë. Ne duhet të kërkojmë të drejtën tonë dhe jo privilegjin apo hatërin. Duhet t’ja themi në sy njëri-tjetrit se për disa arsye ne shqiptarët nuk e meritojmë të na bëhet ndonjë lëshim. Lëshimi ndaj nesh do të ishte mënyra më e keqe për ta na e mpirë ndërgjegjen dhe mos kuptuar se hyrja në Bashkimin Evropian është një mision i lartë e që kërkon shumë mund për t’u kryer. Asnjë zhvillim nuk i pranon të ngathëtit, dembelët apo përfituesit. BE dhe shqiptarët që gërthasin se po u shkelin të drejtat nga që vendet e zhvilluar të kontinentit nuk po ua heqin regjimin e vizave nuk mund të bashkëjetojnë.
Por bashkëjetojnë dhe bëjnë përpara shqiptarët dhe liberalizimi i vizave hyrëse për në vendet e Bashkimit Evropian. Ky liberalizim shkallë-shkallë tashmë është një e drejtë e shqiptarëve. Në rast se ky proçes zgjatet e lëngon do të prodhojë vetëm helme në mendësinë e të dy palëve. Në kontinent do të depërtojnë gjer në poret më të thella të saj paragjykimet për ne sikur jemi mbartësit kontinentalë të krimit të organizuar dhe të të gjitha të këqijave. Kurse në të vërtetë pjesa më e shendoshë e shoqërisë sonë jo vetëm është dimensioni i saj më i madh, por edhe forca më aktive që kërkon ta sfidojë pjesën e shëmtuar. Po qe se ende hepohet e mëdyshohet për të liberalizuar sa më shpejt regjimin e vizave atëhere pjesa pozitive e shoqërisë do të dekurajohet dhe do të humbasë forcën e trysnisë mbi pamjet e saj negative. Ky segment i fundit, i cili dhjetë vite më parë ishte më masiv dhe më agresiv, por më pas filloi rënien, do të rigjallërohet e ringrihet. Shqipërisë nuk i duhet një “kundërrevolucion” i tillë, boll ka vuajtur nga ciklet e pamëshirshme të revanzhit të lumpenit mbi fatin e saj.
Jetojmë orën kur lumpenit mund t’ja ngushtojmë pushtetin e tij të pakufizuar. Masat që herë pas here ndërmarrin qeveritë apo legjislaturat parlamentare për të plotësuar mjetet ligjore kanë ecur sadopak në të mirë të kësaj lufte. Duket pak si e ngutur që përshëmbëll më parë se të përfundojë regjistrimi i plotë elektronik i shqiptarëve e vlen të liberalizohet regjimi i vizave, por tek populli ynë është më ndikues e reformues pikërisht kjo mënyrë. Disa realizime të sigurta në luftën kundër trafikut ilegal, korrupsionit apo sistemimit modern të regjistrimit kombëtar do të nxiteshin të vraponin më tej në rast se përhapet lajmi që në Bruksel në pranverën e ardhshme, kur parashikohet e dëshirohet kombëtarisht firmosja e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, do të liberalizohet regjimi i vizave për këtë apo atë kategori shqiptarësh. Do të ishte lajm mjaft stimulues në rast se BE kur të vinte edhe objektivat e tjera, këtë detyrë të rëndë të eurointegrimit, këtë “ilaç”, të na i shoqëronte me “frutin” apo “ëmbëlsirën” e një faze të re të liberalizimit të regjimit të vizave.
E gjithë duket sikur është një përkëdhelje pedagogjike e tepërt për shqiptarët, por krisja me pasionin tonë të shumënjohur kombëtar për t’i përkitur Europës i ka dhënë shenjat e para. Sondazhi i fundit i Institutit Shqiptar të Studimeve Ndërkombëtare e dëshmon këtë gjë. Duke nxjerrë në pah tendencën e dukshme për t’u eurointegruar, dëshira e përgjithshme ka rënë dhjetë përqind. Kjo tregon se shoqëria jonë po thyhet në besimin ndaj kontinentit dhe se për këtë gjë nuk gëzohet, por shqetësohet e ka alarm. Asaj po i ndodh një gjë që nuk e dëshiron. Shqiptarët nuk u thyen në admirimin e tyre për Evropën kur për gati një gjysëm shekulli një propogandë e fuqishme e regjimit realkomunist u përpoq t’ja këpuste të gjitha lidhjet shpirtërore. Ajo që nuk u bë dje, po shfaqet sot, në momentin e vërtetë historik të mundësisë së plotësimit të kësaj ëndërre kombëtare.
Dhjetë përqind rënie nuk janë pak, sepse kjo tashmë tregon tendencën e pritshme. Edhe para këtij sondazhi ky shqetësim i shoqërisë shqiptare është shfaqur fare i qartë. Po të keni vënë re muajt e fundit është rinxitur tema e liberalimit të regjimit të vizave dhe këtë ngacmin e ka marrë përsipër kjo apo ajo media, ky apo ai personalitet i shoqërisë. Shoqëria shqiptare po vetvepron sepse e ka këtë çështje sikletin e vet, ndjen temperaturë në trup, kërkon ta kurojë ankthin e saj, nuk pajtohet me rënimin e shpresës.
Nuk e kemi dashur ne, shqiptarët, “Perden e Hekurt”. As kemi qënë ne që e ngritëm. Ne ramë nën të si nën një rrjetë të dendur. Na e hodhën mbi kokë të tjerët. Tani shumë gjëra sigurisht kanë ndryshuar për mirë, por perdja ende ekziston, edhe pse ajo tani quhet “e argjendtë”. Po edhe sikur e larë në flori të jetë sërish perde është, kufizim. Ajo na ndan. Duhet ta heqim sëbashku atë, e dimë, por kur shohim që ngadalë “perden e argjendtë” e hap ajo dora e madhe e miqësore të kontinentit amë, atëhere…. Atëhere ne mund të shembim brenda nesh edhe “malet” e mangësive që kemi.


Ylli Polovina






Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com