Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Shqiperia ne nje nate te bardhe ne Rome

Ballkan, 11 nentor 2005

Ndërsa në Tiranë zhvillohet panairi tradicional i librit dhe mes shumë botuesve nga vendi ynë e gjithë vendbanimet e shqiptarëve mëson se gjendet edhe editori italian Livio Muçi, mes librave të prezantuara të të cilit gjenden edhe vëllime me poezi italisht-shqip të bashkëkombasit të tij Luixhi Manxi dhe shqiptarit Gëzim Hajdari, një ngjarje e ndodhur në Romë të zgjon menjëherë dëshirën ta rrëfesh.
Tetëmbëdhjetë shtatori i këtij viti ka qënë e dielë dhe në kryeqytetin italian ishte një “natë e bardhë”. Kjo donte të thoshte se sipas traditës më të fundit të europerëndimit përgjatë të gjithë asaj nate, gjer ndaj gdhirë, do të kishte gratis shumë koncerte dhe ekspozita, do të rrinin hapur të gjitha muzetë, nuk do të kishin fund takimet me artistë dhe shkrimtarë, të gjitha baret dhe restorantet e qendrës historike nuk do t’i fiknin dritat e mbyllnin qepenat e kështu me rradhë. Me një fjalë Roma më 18 shtator ishte në festë. Në stacionin qendror të trenave që në orët e para të pasdites nisën të zbarkonin grumbuj të shumtë me të rinj, të cilët vinin nga qytetet e tjera. Në orën njëzetë edhe trenat e metrosë si edhe autobuzat e shërbimit urban ATAC gjer në mëngjez do të ishin falas.
Ishte pikërisht kjo rrethanë që darkën e takimit me poetin italian Luixhi Manxi, një nga drejtuesit e Qendrës Ndërkombëtare Euxhenio Montale si edhe bashkëpunëtoren e tij Daniela Kostanti, e lamë ta bënim në mbrëmjen e vonë të 18 shtatorit. Në darkim do të ishin të pranishëm edhe miq të tjerë romanë, por do të na mungonte Gëzim Hajdari. Poeti shqiptar me mjaft emër ishte ftuar në veri të Italisë, kur për librin e tij të fundit me poezi “Dhimbje Hëne” (“Mal di Luna”), pritej po atë mbrëmje të merrte një çmim të lartë letrar.
Gjer këtu çdo gjë shkoi sipas një rutine të parashikuar. Ishim takuar në vendin e caktuar me Danielën dhe me makinën e saj po shkonim në një nga tavernat afër Farnezinës, Ministrisë së Jashtme Italiane, kur Luixhi Manxi telefonoi dhe u lut të duronim duke e pritur edhe një gjysëm ore. Për habinë tonë ai nuk ishte duke ardhur nga studioja e tij, por nga Stacione Termini, superstacioni qendror hekurudhor i Romës. Ishte gjendur befas atje, sepse priste të vinte nga Firence kuratorja maqedonase e librit të tij poetik “Trendafili i vyshkur”, i cili ishte botuar në Shkup dy vite më parë. Këtë libër e kisha marrë që më 2003 edhe unë si dhuratë nga Luixhi, por ato çaste të fanitjes së protagonistes së re të darkës sonë intime emrin e kuratores e kisha të vështirë ta kujtoja. Më ndihmoi Daniela. Quhet Anastasia Xhurçinova, saktësoi ajo.
Në të vërtetë për shkak të mbingarkesës me ardhës për « natën e bardhë» studjuesja meqedonase u vonua mbi një orë dhe detyrimisht e pritëm në tavernën ku do të darkonim. Ishte natyrë e gëzueshme, e shkathët dhe që « bënte vend». Shumë shpejt na shpjegoi se në Firence kishte marrë pjesë në një veprimtari me temë « Pakicat gjuhësore dhe kulturore, politikat shumëkulturore dhe shumëgjuhësore». Në një rast të tillë një shqiptar, tek një maqedonase fliste për pakicat gjuhësore dhe kulturore, edhe pse e di që bashkëkombasit e tij në shtetin fqinj nuk përbëjnë një pakicë tradicionale, por një popullsi shtetformuese, u bë « sy e veshë« . Ndonjëherë një bisedë me një serb, grek e sigurisht maqedonas, edhe kur janë intelektualë, publicistë, shkrimtarë apo historianë, mund të përfundojë panevojshëm në ndonjë tension të ndërsjelltë. Një skenë e tillë në atë darkë intime dhe ca më tepër nën shenjën e « natës së bardhë« të Romës, do të ishte një marrëzi e stilit të vjetër nacionalist dhe në atë tavolinë që të dy nuk do të jepnim ndonjë shembëll të mirë. Kështu e anashkalova temën e « pakicës kulturore dhe gjuhësore», marifet i zakonshëm në disa vende me akoma mbetje nacionaliste për të refuzuar etni që brenda një shteti janë në të vërtetë faktorë politikë.
Më pas Anastasia Xhurçinova, pasi tha se kumtesa e saj e kishte patur titullin « Të jetosh në dy gjuhë« , buzëqeshi enkas, bëri një pauzë spetakolare dhe më në fund e plotësoi frazën me pjesën tjetër të titullit të studimit. Ajo ishte « Vepra letrare e Luan Starovës». Kjo ishte edhe surpriza e asaj mbrëmjeje. Vetë befasia. Studjuesja maqedonase, pedagoge në Katedrën e Letërsisë Italiane në Universitetin Shën Kirilli dhe Metodi të Shkupit, kishte referuar në Firence, mes shumë profesorëve nga i gjithë kontinenti dhe më tej, për një shkrimtar shqiptar. Më 1995 një vepër kryesore e Luan Starovës, « Librat e babait», është publikuar shqip edhe në Tiranë. « Librat e babait» janë një sagë ballkanike dhe e botuar në disa gjuhë, evropiane dhe ballkanase e mbi të gjitha në frengjisht nga Fayard, konsiderohet si « rrëfenjë familjare brilante».
Çuditërisht jashtë kishte shpërthyer një rrebesh i fortë dhe matanë qelqeve të dritareve të tavernës, prej ku dukej një pjesë e Romës, u duk qartë se rrugët u zbrazën krejtësisht. Kjo derdhje e pafundme shiu mund ta rrezikonte suksesin e « natës së bardhë« , por uji që derdhej jashtë e bëri akoma më intime bisedën me të ardhurën. Emri i shkrimtarit të njohur shqiptaro-maqedonas Luan Starova ishte një ogur i mirë miqësie dhe mbarëvajtjeje të asaj « nate të bardhë« romane.
Ishte edhe një temë e bukur bisede, mjaft e nevojshme për problemet që kalojmë në Ballkan, shumë simbolike për kohën e triumfit të globalizmit në botën e zhvilluar. Pikërisht atë mbrëmje të vonë do të mësonim se Anastasija Xhurçinova ishte një ndër frekuentueset e pasionuara jo vetëm të takimit të përvitshëm poetik të Strugës, por edhe të çmimit « Ballkaniada». Të gjithë shqiptarët në shtetin tonë, por edhe përtej kufijve tanë, sidomos në Kosovë, Maqedoni dhe Malin e Zi, e dinë prej kohësh se çdo vit në Strugë grumbullohen për disa ditë poetë nga i gjithë Ballkani dhe jo njëherë çmimin e parë aty e kanë fituar disa nga bashkëkombasit tanë të shquar. Kurse për « Ballkaniadën», një çmim letrar që për nismë lindjeje ka vendin tonë, të gjithë u informuam edhe më mirë dy-tre javë më parë, kur veprimtaria e çelur në mjediset e hotel « Adriatikut» në Durrës, tërhoqi bindshëm vëmendjen e medias dhe të opinionit publik. Çmimin e parë në këtë « Ballkaniadë« e fitoi shkrimtari bullgar Dimitar Shumnaljev, kurse i dyti u rendit shkrimtari serb Sveltislav Basara. Në konkurim, përveç studjuesit të njohur shqiptar Aurel Plasari, ishte i pranishëm edhe Luan Starova. Por rrallë kishte ndonjë gazetë që botoi ndonjë foto të tij apo kamera që në endjet e saj për të fiksuar pamjet e veprimtarisë, u ndal për pak çaste tek ai. Por tamam ky shkrimtar i anashkaluar thjesht për mosnjohje të mirë të veprës së tij apo për ndonjë rutinë të opinionit tonë, kishte qënë zëri që na kishte përfaqësuar kombëtarisht në takimin ndërkombëtar të Firences. Dukuria e veprës së tij kishte përbërë interes të spikatur, sepse ishte « shqiptar që shkruante në dy gjuhë, në maqedonisht dhe shqip». « Në Ballkan unë jam një rast i rrallë dhe disi i çuditshëm» ka thënë pak kohë më parë Luan Starova në një intervistë të tij një gazete franceze. “Disa më pyesin” ka vazhduar ai shpjegimin « se ç’do ti, një shqiptar, me maqedonasit? Midis këtyre që më bëjnë të habitur këtë pyetje ka mjat edhe shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia, të cilët më kritikojnë përse shkruaj në maqedonisht…Kjo dëshmon se sa akoma janë ndarë shpirtërisht njerëzit që jetojnë në të njëjtin territor. Aktualisht më vjen më shumë të shkruaj në shqip, por nuk është konjuktura e ditës, e cila ma detyron këtë gjë, mbi të gjitha e ndjej si një nevojë të brendshme. Në të vërtetë tanimë po përpiqem të shkruaj një libër për gjuhën e nënës sime. Eshtë një libër për të dhe duke patur një nënë shqiptare vetvetiu gjuha shqipe më imponohet në shkrimin e tij».
Sigurisht në atë mbrëmje të vonë të një “nate të bardhë” romane studjuesja Anastasija Xhurçinova e kishte përzgjedhur veprën e Luan Starovës e ndikuar më së pari nga kembëngulja e këtij të fundit për të shkruar në maqedonisht. Ajo e kishte referuar ndërkombëtarisht shëmbullin e tij sepse ai nuk ishte prej atyre shqiptarëve të vendit të saj që mbyllen vetëm në gjuhën e tyre dhe shkruajnë e botojnë vetëm në të. Ajo nuk do të shkonte në Firence para dhjetra studjuesve të botës për të paraqitur një Luan Starova që, nënshtetas maqedonas, do të shkruante vetëm në shqip. Kurse për mua në atë tavolinë me miq të njohur romanë vepra dhe gjesti i Luan Starovës ishte një dëshmi e mrekullueshme për të thënë se në shtetin tonë fqinj shqiptarët gjithnjë dhe historikisht kanë qënë faktorë stabiliteti dhe se shkrimtarët shqiptarë që shkruajnë edhe në maqedonisht jo vetëm do të shtohen, por edhe janë ballkanasit e të ardhmes. Nëse janë pak xhelozë pas traditave dhe gjuhës së tyre, u thashë të pranishmëve, kjo ndodh sepse veprimi i mbrapësht asimiluesë i shteteve shovenë ndaj kombeve të tjera i ka shtrenguar ta mbrojnë jo vetëm identitetin kombëtar, por edhe vetë ekzistencën, nëpërmjet gjuhës së tyre. Gjuha amtare ka qënë për shqiptarët kështjella e vetme, e cila nuk është dhënë kurrë, sado i madh e perandorak ka qënë pushtuesi.
Sot është koha, thamë, që edhe shkrimtarët maqedonas të shkruajnë edhe shqip. Të bëhen edhe ata “njerëz që jetojnë në dy gjuhë”. Anastasia Xhurçinova qeshi.
Kështu në atë bisedë me një temë të re, asaj të atyre që “jetojnë në dy gjuhë”, u gjendëm atë 18 shtator shpirtërisht sëbashku italianë, maqedonas e shqiptarë. Poeti Gëzim Hajdari, i cili atë darkë tradizionale mes nesh, mungonte për atë arsyen e një veprimtarie poetike në Komo të Italisë, është vetë një nga ata që “jeton në dy gjuhë”. Botimet e tij në italisht e shqip kanë filluar në vitin 1999, menjëherë pas ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë. Bashkë me Daniela Kostantin ai grumbulloi poezi të nxënësve të një shkolle romane, kushtuar Kosovës, dhe në librin “Edhe kuajt fluturojnë” i përkthehu edhe në shqip. Libër dygjuhësh me përkujdesës dhe përkthyes Gëzim Hajdarin ishte edhe ai i poetit Luixhi Manzi. U botua vjet në Itali nga një tjetër që “jeton në dy gjuhë”, nga botuesi vendas Livio Muçi, edhe ky një botues italian i mjaft autorëve shqiptarë. Ky vëllim poetik i Manxit, me titullin “Guri dhe myshku”, u bë i njohur edhe nga disa media shqiptare.
Kishte mbërritur mesnata dhe rrebeshi i shiut jashtë vazhdonte i furishëm. Në atë tavolinë darkimi dhe shkëmbimi mendimesh për botën globale e popujt që afrohen edhe më shumë si edhe për mesazhierët e saj, “njerëzit që jetojnë në dy gjuhë”, ishim pothuaj të sigurtë se me atë shi të papushuar “nata e bardhë” romane tashmë kishte dështuar. Veç nuk ndodhi kështu. Më së pari do të telefononte “dygjuhëshi” Gëzim Hajdari, bashkëkombasi ynë i talentuar. Kishte marrë vendin e parë të çmimit “Popujt që Ecin Përpara”. Kurse në mëngjez të gjithë do të merrnim vesh se “nata e bardhë” në Romë, jo vetëm nuk kishte dështuar, por patur një sukses të madh.
Kultura, kjo fitimtare e madhe, kishte ngadhënjyer. E kishte treguar edhe njëherë aftësinë e saj se mund të bënte shumë edhe për Shqipërinë.


Ylli Polovina

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com