Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Euromyslimani shqiptar

Korrieri, 16 maj 2006

Kohët e fundit ka një prirje të dukshme të një pjese të opinionit tonë e veçanërisht të një pararoje aktive të elitës sonë intelektuale e politike për të ritheksuar herë pas here faktin historik se rrënjët e qytetërimit shqiptar prej pothuaj dymijë vjetësh kanë qënë të lidhura me krishtërimin. Për shkak të një regjimi të shkuar ateist për një gjysëm shekulli rresht u krijua boshllëk informativ në këtë të vërtetë dhe ritheksimi brenda vendit i këtij fakti nuk është gjë tjetër veç nevojë e detyrim ndaj një të vërtete historike. Ndërkohë ka një prirje në rritje të nxjerrjes në pah të kësaj të vërtete edhe për mjedisin informativ të kontinentit, ç’ka nuk duket aspak punë që parimisht përbën ndonjë faj, përkundrazi. Edhe Evropa duhet ta dijë që dymijë vjet më parë populli ilir i arbërve dhe të gjitha trojet shqipfolëse kanë qënë ndër të parat në rajonin tonë gadishullor që bazonin shkolla dhe përgatisnin përhapës të krishtërimit për të gjithë hapësirën që më pas u quajt Ballkan. Opinioni i familjes së madhe të Bashkimit Evropian, mbi katërqind milionë njerëz, ka mungesë të thekshme të dijenisë për këtë realitet dhe për pasojë, nën efektin e qarqeve të painformuara, të keqinformuara apo qëllimisht dizinformative, po bluan prej kohësh në makinën e vet të imazhit një pamje të pasaktë për shqiptarët. Duke qënë se ky opinion, i cili voton shtatëqind e më shumë deputetët në Parlamentin Evropian dhe me këtë rast përcakton edhe politikën e Brukselit akoma mendon se jemi një kombësi dhe popull tërësisht me besim mysliman e kështu të paragjykuar si të infektueshëm nga radikalizmi islamik, theksimi i të vërtetës së rrënjëve tona të krishtera të paktën luan një rol sqarues dhe ekuilibrues. Në rast se evidentimi i kësaj të vërtete bëhet edhe për nevoja utilitare në ndihmë të sinqertë të proçesit tonë të eurointegrimit sërish jo vetëm nuk bëhet gabim, por dobia është e pamatë.
Shqiptarët duan dhe kanë të drejtë të hyjnë në Bashkimin Evropian. Shumë nga ata që në zemër të kontinentit janë në komandë të këtij aksioni kanë nevojë jo të na lehtësojnë detyrat që kemi për të përmbushur standartet e integrimit, por për të na kuptuar më mirë. Përshembëll u duhet të mirëkuptojnë përse duke çmuar rolin e madh miqësor me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ne mbetemi ngultësisht një kombësi filoevropiane. Bëhet fjalë pra se në këtë vlerë kanë peshë jo thjesht pozicioni gjeostrategjik, por edhe rrënjët tona të vjetra të krishtera.
Mirëpo në këtë përpjekje të madhe të një pjese të elitës tonë aktive kombëtare si edhe nga të gjithë ne të tjerët mund të ndodhë të kapërxejmë kufijtë e kësaj të vërtete të madhe të përkatësisë te rrënjët e krishtera. Në shekullin e katërmbëdhjetë me pushtimin osman në të gjithë Ballkanin e po ashtu në hapësirat shqipfolëse ndodhi edhe përhapja e një besimi të ri fetar, i cili vinte nga përtej lindja. Ai ishte myslimanizmi. Që prej këtij çasti ne shqiptarët modernë përveç masës së laikëve e ndoshta edhe të një segmenti ateist ushtrojmë e besojmë gjithsecili një nga tre fetë tona kryesore: myslimanizmin, krishtërimin ortodoks dhe atë katolik. Prej kësaj mpleksjeje shumëfetare shqiptari modern, i cili ka jo pak mangësi e të meta, ka rezultuar sot një qënie sociale shumë më tolerante, mjaft më e pasur shpirtërisht, madje për autorin e këtyre rradhëve edhe më atdhetare se kur etnia jonë ishte vetëm njëfetare.
Trojet shqipfolëse në Ballkan nëse kanë një model njeriu që mund t’ja paraqesin Bashkimit Evropian si pasuri të vërtetë origjinale është ky i sotmi, pluralisti ynë fetar. Në rast se ritheksimi i përmbajtur i rrënjëve tona historike të krishtera do të shndrohet në një hile të sforcuar për “të bërë për vete” Brukselin dhe bashkësinë që të na pranojë në BE, kjo më e pakta është një mendësi thellësisht provinciale. Realisht ajo mund të degjenerojë deri në një akt përçarës kombëtarisht. Do të ishte shumë keq që tani kur çështja territoriale kombëtare po merr një zgjidhje sipas standarteve demokratike dhe ndarjes së dhunshme të shqiptarëve në tre-katër shtete iu dha fund, ndarja e re në një fe që na bashkon me eurokontinentin (krishtërimi) dhe në një tjetër që nga pengon (myslimanizmi) do të ishte ringjallja e vitit 1913. Një ndarje që shtysën kësaj rradhe mund ta kishte nga brenda, pa përjashtuar dot hamendjen se frymëzohet edhe përtej kufijve të shqipfolësve. Nuk do të kishte pak pasoja në rast se një fushëbetejë e tillë, e krijuar gjithsesi artificialisht, po ashtu do të nismohej si një mënyrë për të fituar, ushtruar e kontrolluar pushtet publik nga ky apo ai person, politikan, publicist, shkrimtar apo akademik.
Duke ritheksuar me vetpërmbajtje vetinë e rendësishme kombëtare se rrënjët i kemi, si edhe gjithë kontinenti ynë, në krishtërim, nuk kemi pse heshtim dhe nuk e ngrejmë zërin edhe për një fakt tjetër: që kemi në viset tona një traditë, kulturë dhe qytetërim të euromyslimanizmit. Myslimani shqiptar, ajo qënie moderne që beson në Zot (duke i thënë Allah) dhe ndërkohë mban kravatë, beretë apo kapele republike, shkon në diskotekë dhe noton në det me rroba banjo, njeh shumë gjuhë të huaja e mban në bibliotekë të gjitha llojet e librave seriozë, ka qënë prej shekujsh një evropian. Kur një pjesë nga paraardhësit tanë të krishterë u konvertuan në besimin islam nuk u ndanë nga Evropa, por ndodhi që u bashkuan edhe më pandashëm me të. Për këtë dukuri lidhjeje përherë e më të fortë me kontinentin amë flet veçanërisht e gjithë fryma, projektet, aksioni dhe emrat e elitës kombëtare të Rilindjes. Ajo pati si himn mobilizues devizën “feja e shqiptarit është shqiptaria”. Në luftën për pavarësi nga Perandoria Osmane nuk e përdori këtë parrullë bashkuese asnjë nga popujt e tjerë fqinj dhe kjo ndodhi jo sepse ishin më pak mëmëdhetarë se ne, por përgjithësisht nga që ishin bashkësi njëfetare. “Feja e shqiptarit është shqiptaria” nuk do të thotë vetëm se të krishterët dhe myslimanët u bashkuan për të formuar shtetin e tyre të lirë, por edhe sepse shumë nga personalitetet më të fuqishme të kohës, për shkaqe të kuptueshme historike, ishin myslimanë. Ishin këta të fundit, shumica, që bashkë me të krishterët i dhanë tonin dhe frytet lëvizjes për çlirim kombëtar. Me Rilindjen tonë ndodhi njëlloj si me Lëvizjen e Dhjetorit, ku masa kryesore nuk përbëhej, njëkohësisht edhe kjo për shkaqe të kuptueshme historike të momenteve të para të rrëzimit të diktaturës, nga të persekutuarit prej regjimit, por nga vetë bijtë e komunistëve.
Euromuslimani shqiptar është një pasuri që ne, shqiptarët, e kemi dhe do të ishte dritëshkurtësi të mos e bëzanim, të vijonim ta thoshim me zë të ulët, ta shqiptonim me ndonjë kompleks mangësie. Eurostandartet nuk kanë të bëjnë fare me përmbushjen e kartelave fetare të një populli, por duke ditur se nxitësit e tanishëm të fondamentalizmit islamik e luftojnë qytetërimin evropian dhe atë perëndimor me mjete të dhunshme e terrori, atëhere këto çaste në këtë kontinent, në Bashkimin Evropian, fiton vlera shumë të mëdha ky thesar që shqiptarët prej më shumë se gjashtë shekujsh kanë të formuar në modelin më të mirë se kudo në kontinent: euromyslimanin. Ai do të shërbejë si neutralizues, çmobilizues e kurues i mentaliteteve radikale të fesë islame. Tani kjo nevojë për euromyslimanët ende nuk kuptohet plotësisht përderisa vijojnë brenda Bashkimit Evropian debatet nëse duhet shtuar apo jo në projektkushtetutën e tij paragrafi se kontinenti i ka rrënjët në besimin e krishterë. Veç shumë shpejt “antidoda” e re kundër fondamentalizmit islamik, euromyslimanizmi, do të fitojë një rendësi dhe autoritet të dorës së parë.
Ne shqiptarët nuk plotësojmë akoma shumë standarte të tjera për t’u integruar shpejt në Bashkimin Evropian, por përsa i përket identitetit tonë fetar me kohë jemi tepër në pararojë: jemi njëherësh një popull që rrënjët i kemi në krishtërim dhe zotërojmë myslimanin filoevropian.


Ylli Polovina





Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com