Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

ĒFARĖ FSHIHET PAS MUNGESĖS SĖ FOTOS PĖR NGRITJEN E FLAMURIT NĖ 28 NĖNTOR 1912?
AMERIKĖ, PSE TĖ DUAN KAQ SHUMĖ SHQIPTARĖT
FLAMURI QĖ U NGRIT NĖ VLORĖ DHE KASTRIOTI I PESTĖ, ALEANDRO
22 NĖNTOR 1944, QYTETI I TIVARIT: ARRATISJA E BALLIT KOMBĖTAR NĖPĖR NJĖ DET TĖ MINUAR
PASARDHĖSIT NĖ ITALI TĖ SKĖNDERBEUT NĖ KRYE TĖ MBROJTJES SĖ PAVARĖSISĖ SĖ PORSASHPALLUR
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Koloneli italian e nje 7 prilli tjeter

Korrieri, 7 prill 2006

Ky kolonel quhet Giorgio Zanasi. Eshte oficer i Armës së Karabinierisë i Republikës Italiane. Për herë të parë në Shqipëri ka zbritur më 7 prill. Por jo të famëkeqes datë që shenon vitin 1939. Koloneli Zanasi zbarkoi në aeroportin e Rinasit më 7 prill 1998. Këtë gjë ai e dëshmon në librin e tij “Albamia”.
Veç ky shkrim nuk është e nuk mund të jetë një reçensë për këtë libër. As thjesht një prezantim i tij. “Albamia” është botuar në vitin 2000 dhe historia e njohjes së autorit të këtij shkrimi më parë me botuesin italian Gianni Fara dhe më pas me kolonelin po ashtu nuk është tema e këtyre rradhëve. Rikthimi në kujtesë të lexuesve i këtij libri e ka shtysën tek simboli i 7 prillit, ditës që në historinë tonë na e kanë damkosur me një pushtim të huaj. Për autorin e këtyre rradhëve 7 prilli 1939 është një ditë shumë më e zezë nga sa më së shumti dhe tashmë me rutinë e komentojmë ne. Këtë ditë jo vetëm fashistët e bregut të përtejmë na morën sovranitetin dhe për t’i dëbuar jashtë kufijve u desh të derdhej gjak që nga dita e parë e kembëshkeljes së tyre në truallin tonë e deri ditën e fundit. Shtatë prilli i vitit 1939 duke këputur e prerë mes për mes rrjedhën pothuaj normale të zhvillimit të shtetit e shoqërisë shqiptare, e deformoi rendë atë. Ky pushtim i fashistëve (jo vetëm në Shqipëri) provokoi gjallërimin e ideologjisë komuniste dhe rritjen e ndikimit global të Bashkimit Sovjetik dhe sistemit të tij bolshevik. PKSH, ajo parti që lindi në përgjigje të luftës për mbrojtjen e sovranitetit të vendit tonë, ajo luftëtare e paepur dhe epokale kundër pushtimit, në fatin e deformuar të shqiptarëve nga pushtimi shtoi edhe deformimin më të madh që shteti e shoqëria jonë kishte pësuar deri atëhere: instaloi realkomunizmin. Katër vite të mallkuar që erdhën pas atij 7 prilli 1939 u dhjetëfishuan në fatin tonë. Diktatura ra vetëm pas 46 vitesh.
Me qindra vepra artistike, letrare dhe kinematografike i kemi kushtuar atij pushtimi famëlig dhe sidomos rezistencës kundër tij. Njëri prej tyre është edhe romani i Ismail Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Në Itali ky libër është përkthyer prej tre dekadash. Aty, në faqet e kësaj kryevepre letrare, me siguri ju kujtohet mirë edhe historia e kërkimit pas lufte nga një dërgatë e përtej bregut të eshtrave të kolonelit Z. Koloneli Z. nuk kishte qënë vetëm një pushtues, por edhe një vagabond e përdhunues.
Mirëpo koloneli “im”, Giorgio Zanasi, edhe pse për shkak të mbiemrit të tij saktësisht mund të thirret shkurtimisht Koloneli Z., nuk ka asgjë të përbashkët me atë që përshkruan realisht Kadare. Për mijra arsye nuk është fare i ngjashëm me bashkëkombasin e tij të më shumë se gjashtëdhjetë viteve më parë. Madje është krejt e kundërta. Siç mund të jenë edhe dita me natën. Libri dhe vetë personaliteti i kolonelit Giorgio Zanasi është simbol rrezëllitës i një 7 prilli tjetër në historinë e bashkëjetesës rajonale mes shqiptarëve dhe italianëve. Si provë në fillim do të mjaftonte edhe vetëm titulli i librit. Kolonel Zanasi vendin tonë, Shqipërinë, Albania sipas gjuhës së tij, e thërret Albamia. Italisht kjo do të thotë Agimi Im. Ose Rizgjimi Im. Madje mund të përkthehet edhe Rilindja Ime.
Një vlerësim i tillë duket i tepërt dhe i tillë mbetet nëse lexohet bardhë e zi, sipërfaqësisht. Përshembëll që paska ardhur koha që shoqëria italiane dhe shteti i saj duhet të marë si model zhvillimi Shqipërinë!! Kjo do të ishte qesharake. Koloneli Giorgio Zanasi zbriti në aeroportin e Rinasit më 7 prill 1998 si pjesëtar i D.I.E. që do të thotë Delegacioni Italian i Ekspertëve. Kjo dërgatë bën pjesë në strukturat e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë së vendit fqinj. Misioni i tij ishte stërvitja e Policisë Ushtarake Shqiptare. Përplasjen e ditës së ardhjes me 7 prillin 1939 vetë oficeri i lartë i Karabinierisë Italiane e vë në dukje si të padëshiruar që në pesë rradhët e para të librit të tij. Giorgio Zanasi nuk i ka hyrë aventurës së pushtimit të vendit ku zbarkon me uniformë. Ai nuk do të merret as me mbledhjen e eshtrave të bashkëkombasve të tij të vrarë hapësirës shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore. Koloneli Z. i vitit 1998 ka ardhur për të ndihmuar në rindërtimin modern të një shteti që kërkon të mëkembet e barabitet me parametrat e kontinentit amë. Por kolonel Zanasi nuk është thjesht një ushtarak, të cilin në ditët e para të marsit 1998 e kishin telefonuar nga Komanda e Përgjithshme e Karabinierisë dhe i kishin thënë “Në Tiranë brenda fundit të muajit ka nevojë për një oficer me karakteristikat e tua. Dëshiron të shkosh?” Si oficer që kishte përfunduar shkëlqyeshëm shkollën më të famshme italiane të profilit luftarak, Akademinë Ushtarake të Modenës, ai u përgjegj “po”. Porse koloneli ynë Z. është diplomuar edhe në Shkencat Politike dhe po ashtu është psikolog. Si ushtarak ai ka qënë në Belfast për t’u njohur nga afër me luftën guerrile, por si dijetar ka qënë edhe drejtor i Qendrës së Psikologjisë Aplikative në Romë. Si ushtarak Giorgio Zanasi ka qënë specializuar për plot dy vjet pranë Shkollës së Luftës së Xhandarmërisë Franceze në Paris dhe me detyra të ndryshme komandimi pothuaj në të gjithë territorin e vendit të vet: në Piemonte, Veneto, Toskana, Lacio, Basilikata, Sardenjë. Si studjues ai është autor i mjaft shkrimeve dhe me këtë rast edhe i vlerësuar me shumë çmime prestigjioze.
Ja përse “Albamia” për vetë autorin nuk është një libër i zakonshëm, por një rast i ri befasues për analizat e tij psikologjike. Jo thjesht për italianët apo shqiptarët e viteve 1998-99. Koloneli ynë Z. mbi të gjitha në Shqipëri arrin të zhbirrojë thellësisht vetveten. Në vendin tonë ai prek jetën. E ndjen atë. Ndryshimi mes dy qytetërimeve, atij të vendit të tij dhe trojeve ku zbriti, është tepër i madh, prandaj Giorgio Zanasi përshkruan gjithçka që sheh. Nuk kursen asnjë ironi për çdo defekt që ndesh tek shoqëria jonë. Dhe shpesh ato janë tronditëse që nga policë të cilëve nuk u rrinë mirë uniformat e deri tek mjedise zyrtare ku përzihen erëra nga më të çuditshmet, përfshi ato të korrusionit apo edhe të djersitjes. Ndërsa kritikon ashpër luftën mes disa pushteteve në vendin e vet dhe ndërkohë shpreh adhurimin e tij të patundur për Shtetin dhe Kombin, shenon për shqiptarët: “Më duket se ajo që mungon më shumë mes tyre është besimi. Pasi ra stalinizmi, u shembën edhe piramidat financiare të propozuara prej sistemit perëndimor, këta njerëz nuk besojmë më në asgjë. Në rast se duhet realizuar me të vërtetë rindërtimi i Shqipërisë prej këtej duhet nisur: nga besimi tek udhëheqësit e tyre, besimi në të ardhmen, besimi tek vetja. Kjo nuk do të jetë gjë aq e lehtë“. Më 17 maj Giorgio Zanasi shkruan në librin e tij \"Albamia” edhe kumtin kryesor të veprës: “Në Shqipëri po ndryshoj. Të qenurit larg familjes, larg nga puna klasike dhe stereotipe, nga shoqëria e sklerozuar dhe e ngrirë si në allçi, po më bën të dal nga një burg. Këtu e ndjej që pulsi më rreh gjithnjë e më fort, ndjeshmëria po më rritet dhe përherë e më shumë po i afrohem vetvetes. Mos Shqipëria (Albania) do të bëhet “l\'alba mia\"(agimi im)? E shpresoj këtë gjë, edhe pse kam frikë ta them”.
Nga gjashtë muaj që i kishin thënë eprorët Giorgio Zanasi do të rrinte në Shqipëri pothuajse trefish. Kështu ai do të përjetonte jo vetëm përpjekjen e shtetit shqiptar për t\'u mëkembur, por edhe luftën e Kosovës. Një vit më pas nga zbritja në aeroportin e Rinasit, në 7 prillin tjetër, më 1999, koloneli Z. gjendet përditë, nga ora tetë e mëngjezit deri në njëzetë të mbrëmjes në kampet e refugjatëve kosovarë në Kavajë dhe në Durrës, ngritur nga italianët. Kujdeset për çdo gjë, shumë krenar për vendin e tij, i cili i gjendet kaq afër një populli në nevojë e të zbuar me dhunë nga trojet e veta. Ndërkohë mbledh pa u lodhur histori vuajtjesh të shqiptarëve nga Kosova. “Para se të largohem u jap dorën të gjithëve”-shkruan një çast Giorgio Zanasi-”Plaku kosovar më përqafon fort dhe më puth. Më pas vrapon sërish drejt meje dhe përsëri më puth fort. Kësaj rradhe e puth edhe unë, fort dhe për një kohë të gjatë: mos është kjo rilindja ime (alba mia)?”
Më 25 prill koloneli italian Z. gjendet në Kukës, drejtpërsëdrejti në kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës. Sheh e dëshmon nga afër valën e ardhjes së refugjatëve. Mes kosovarëve sërish i është ringjallur krenaria për vendin e shtetin e tij dhe u thotë ardhësve të dëbuar se pranë me ta së shpejti, në ditët e ardhme, do të jenë edhe shumë ministra italianë, do të jetë nga Selia e Shenjtë edhe vetë Kardinal Ruini. Pas një jave shërbim ja edhe pak rradhë nga “Albamia”. Më 29 prill shenon se pas punës së pritjes dhe sistemimit në çadra të refugjatëve, për një moment u gjet para një varreze të atyre anëve, buzë një pylli. Varret kishin nga një gur të madh tek koka dhe nga një pemë të mbjellë. Aty i bën një foto dhe i thotë vetes “Kur të jetë çasti këtu dëshiroj të prehem”. Më 30 prill 1999 ja edhe pesë rradhët e fundit të librit të Giorgio Zanasit: “Kaloi një vit nga çasti kur erdha në Shqipëri. Sa ngjarje përjetova! As që e kisha menduar ndonjëherë se do të vija këtu për të jetuar. Sepse kudo në këtë botë të madhe jetohet, edhe në Itali. Veçse nuk e vëmë re këtë gjë“.
Nga 1939-ta kanë kaluar shumë vite, ditëpushtimi fashist italian është tashmë pjesë e historisë vjetër. Historinë e re e bëjnë njerëz të rinj. Ata kanë aq shumë kulturë demokratike dhe forcë të shendetshme morale sa i japin kuptim tjetër edhe vetë 7 prillit.

Ylli Polovina

Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com