Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Lajmi qe shkoi gjer ne Kanada

Ballkan, 26 mars 2006

U deshën disa përfaqësues organizatash me besim mysliman në Shkodër që të mund të lindëte në Shqipëri, mes shumë bëmave dhe bollëkut tonë të përhershëm informativ, edhe një lajm i ri. Disi i çuditshëm, mjaft i papritur, por edhe shumë “interesant”. Ata ishin kundër vendosjes së një statuje të Nënë Terezës në hyrje të qytetit të tyre. Sipas një pjese të medias individi që kishte pranuar të përballonte argumentimin e kësaj teze ishte shprehur me këto fjalë: “Jemi dakord me vlerësimin që i është bërë kësaj figure bamirëse në vendin tonë, duke i dhënë emrin e saj shesheve, spitaleve dhe aeroportit të Tiranës. Gjithashtu e quajmë të drejtë vendosjen e bustit të saj pranë Universitetit në Tiranë sepse është një bamirëse e njohur. Por nuk duhet të vendoset busti i kësaj figure fetare katolike në qytetin e Shkodrës, ku situata nuk është shumë e qetë. Kujtojmë kryqet e vendosura dhe më pas të prerë në Bushat, që po ndiqen nga vendosja e kryqeve të tjerë në Beltojë, këmbënguljen e pandërprerë për ta kthyer xhaminë e kalasë së Rozafës në kishë, si dhe raportet e njëanshme fetare në administratën e niveleve të ndryshme në qytetin tonë. Të gjitha këto na bëjnë të mendojmë se në Shkodër individë ose grupe individësh po përpiqen të zbatojnë një strategji e cila cënon tolerancën ndërfetare”. Ndërkohë ky shpjegim ka edhe një pjesë të dytë, si të thuash ka edhe një konkluzion. Bashkëkombasi që doli drejtpërsëdrejti në ekran shtoi se “E ndiejmë për detyrë parësore të kontribuojmë për mirëkuptimin dhe tolerancën ndërfetare, e cila ka qenë dhe është vlerë me të cilën qytetarët shkodranë janë krenuar gjithmonë. Planet për vendosjen në hyrje të Shkodrës të bustit të një shenjtoreje katolike janë një cënim direkt që i bëhet kësaj tolerance, duke manifestuar haptazi një tendencë që mund të sjellë pasoja të cilat mund t’i ndjejnë nesër të gjithë qytetarët shkodranë”. Përballësi me opinionin po ashtu nënvizoi publikisht se “Ne mendojmë që motivi për të vendosur këtë bust nuk është i mjaftueshëm. Busti i një shenjtoreje katolike në hyrje të një qyteti laik, me komunitete fetare të përziera, është përpjekje e hapur për ta vënë në pozitë shumë të vështirë tolerancën ndërfetare në Shkodër. Prandaj përpjekjet dhe planet për ta vendosur atë e quajmë provokacion të radhës që tensionon bashkëjetesën në qytetin tonë, veprime që shkojnë në interes të atyre që përpiqen t’i bëjnë fakte të kryera gjëra të tilla”.
Këtë shpjegim të individit me besim mysliman u detyruam ta vendosim të plotë në krye të këtij shkrimi për ta ribërë të njohur edhe njëherë të gjithë aparatin e arsyetimit të tij si edhe të vetë platformës së kundërshtimit ndaj bustit të Nënë Terezës. Përhapjen e lajmit fillimisht e kishte shkaktuar një letër drejtuar bashkisë së qytetit të Shkodrës, prononcimi dhe shpjegimi i njërit prej kontestatorëve kishte qënë kembëngulje e medias. Kështu ndodhi që ndërsa letra me vetëm disa emra personash shkaktoi përhapjen e lajmit vetëm në Shqipëri, argumentimi publik që njëri nga firmatarët i bëri aksionit të protestës ndaj projektit të vendosjes së bustit të Nënë Terezës tentoi të kapërxente kufirin e trevave shqiptare dhe të kërkonte vend në median kontinentale dhe atë botërore. Sepse mund ta gjente fare lehtë këtë vëmendje në këtë botë të madhe të mpleksur edhe në temën e moskuptimit ndërfetar. Në historinë e këtij fillimshekulli ka hyrë dhunshëm Bin Ladeni dhe fundamentalistët islamikë dhe ata mund të abuzonin edhe me një lajm të pafajshëm. Dhe po të ndodhte vetëm kjo gjë, pra që të kapërxente vrullshëm kufirin njoftimi se një grup modest qytetarësh me besim mysliman nga Shkodra ishin kundër vendosjes së statujës së Nënë Terezës në hyrje të qytetit të tyre, në imazhin e pamerituar të shqiptarëve do të shtoheshin favoret për të na hedhur mbi shpinë edhe një njollë tjetër. Mirëpo jo vetëm për fat, por për mënçuri të figurës së parë të Komunitetit Mysliman Shqiptar, të nderuarit Selim Muça dhe bashkëpunëtorëve të tij, kumti i keq i lajmit të prodhuar në një moment ndërkombëtar aspak të favorshëm për ndasi e luftë ndërfetare, prodhoi një kryevepër mediatike në favor të vendit tonë. Pa humbur asnjë minutë nga çasti kur prej kundërshtuesve të ngritjes së statujës së Nënë Terezës në hyrje të qytetit të Shkodrës lajmi mori dhenë, kryemyslimani shqiptar doli energjikisht para medias dhe me pak fjalë, fare qartësisht, bëri të ditur se deklaratat e shqiptuara deri ato çaste “nuk përfaqësojnë qëndrimin tonë zyrtar” dhe se “Komuniteti Musliman i Shqipërisë vlerëson së tepërmi kontributin e Nënë Terezës, si një personalitet ndërkombëtar, e cila ia ka përkushtuar gjithë jetën e saj njerëzve në nevojë, madje duke u vlerësuar edhe me çmimin Nobel”.
Më 20 mars ky qendrim i formuluar në një lajm mjaft profesional nga gazetari Llazar Semini për llogari të një agjensie të huaj mjaft presigjioze (The Associated Press) u përhap me shpejtësi në të gjithë botën. Rrallë ndodh që një lajm i mbarë nga viset tona të mund të gjejë një përhapje të tillë. Me titullin vëmendjethirrës “Statuja e Nënë Terezës shkakton mosmarrëveshje në Shqipëri”, në brendësi të njëmbëdhjetë frazave të tij, pasi shpjegonte reagimin e disa individëve dhe shoqatave myslimane në Shkodër dhe spikatëte të plotë deklarimin lapidar të kryetarit të Komunitetit Mysliman Shqiptar Selim Muça për Nënë Terezën, pesë frazat e fundit i kushtoheshin vetë personalitetit të kësaj nobelisteje të madhe. Në lajm nënvizohej disa herë dukshëm se ajo ishte shqiptare dhe se në Maqedoni, ku kishte lindur e në Kalkuta ku kishte vepruar pjesën më të madhe të jetës, nobelistja pohonte se mbetej gjithnjë e tillë, një shqiptare.
Ky lajm falë ngjarjes së bujshme që përmbante dhe maturisë së formulimit, duke realizuar një “shpërthim” të vërtetë mediatik anë e kend gjithë botës, tashmë përbën një vlerë të spikatur në historinë e kombit tonë. Do të duhej një shkrim tjetër që të mund të përshkruhet hollësisht gjeografia e përhapjes së tij në rajon, në lindje dhe në perëndim të kontinentit, në SHBA dhe Kanada. Duke depërtuar fort drejt kahut perëndimor të globit, lajmi është ndjerë edhe në lindje të tij dhe me këtë nuk e kemi fjalën vetëm për Rusinë apo Turqinë. Kështu falë një ngutjeje dhe pamaturie të disa bashkëkombasve tanë, të cilët një shqetësimi të tyre patjetër të sinqertë për një ekuilibër ndërfetar, një lajm pa dashje i nisur keq dhe kanosës për imazhin tonë, përfundoi në të kundërtën e vet. Ose më saktë në të vërtetën e vet. Ata që kuturisën idenë radikale se Nënë Tereza ishte një “kryq” më shumë në këtë debat simbolesh fetare në Shkodër, duke harruar totalisht se ajo përfaqëson vetë simbolin e tolerancës ndërfetare, nuk kanë dashur absolutisht t’i kryejnë një atentat imazhit të vendit të tyre. Doemos as edhe Shkodrës. Ata thjesht e kanë “lexuar” keq vendimin për vendosjen e statujës së Nënë Terezës. Merakut të tyre për ruajtjen e tolerancës ndërfetare në Shkodër dhe ndalimit të ndonjë “dore” që trazon, ç’ka në thelb nuk duhet lënë në harresë, i gjetën një argument që nuk e kishin në favor as ata, as qyteti i tyre dhe as gjithë shqiptarët.
Nuk do t’u duhet shumë të presin për të kuptuar e për t’u bindur se vendosja e atij busti është një ndër veprimet më efektive për të lehtësuar sadopak vetë shqetësimin e tyre.

Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com