Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Patriotizmi yne me pak hile brenda

“Korrieri”, 21 korrik 2006


Tani nuk mund të ketë më asnjë justifikim, rreptësisht jo. E pati të gjithë kohën e duhur në dispozicion të dëshmonte atë që kishte premtuar. Patriotizmi turistik që u prononcua dhe u vu në jetë për të joshur bashkëkombasit tanë dështoi përfundimisht dhe rendë. Vetë ky emërtim i çuditshëm, i cili vërtet qarkullon në fjalorin ndërkombëtar të turizmit, do ta pësonte fjaskon për arsyen më të thjeshtë: që në fillim brenda vetes ai kishte formën e një hileje të rëndomtë. Duke mos qënë një gënjeshtër e madhe e organizuar, ca më pak shtetërisht apo ndërgjegjshëm nga shoqëria jonë, gjithsesi ishte një mashtrim. Shumë menaxherë të turizmit donin të fitonin sa të mundnin. Nuk është vetëm tek ta ky mentalitet bisnesi parakapitalist e gjysëm feudal. Akoma tek ne duhet t’i mbash sytë hapur, sepse ta hedhin. Ujin që ble si të përzgjedhur ta mbushin në një çesmë periferie me lëfyt të ndryshkur, mallin ta prezantojnë si italian e në të vërtetë e kanë prodhuar e montuar në një qoshe të qytetit tend. Kështu edhe patriotët tanë të turizmit e ftojnë bashkëkombasin e Kosovës apo të Maqedonisë pa hequr zhapën e shalqinit nga rëra, sidomos pa ulur çmimet e larta. Po ashtu pa patur përreth asnjë pikë shendetësore ku ardhësi të përballë ndonjë sëmundje të beftë.
Kështu turizmi ynë patriotik përfundoi në të kundërtën e tij. Të paktën mëmëdhetari nuk kishte.
Ne shqiptarët nuk jemi aq patriotë sa deklarohemi, të paktën aq sa dëshirojmë e duhet patjetër të jemi. Kombëtarisht pas ngjarjes së madhe të çlirimit të Kosovës dhe zgjerimit të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni nuk kishte rast më fatlum për thellim të afrimit shpirtëror mes pjesëve të gjymtuara të etnisë se sa turizmi. Në rast se shqiptarët e shtetit amë shkëlqyen me përkrahjen që u thanë bashkëkombasve në mes të vitit 1999, ndërsa NATO bombardonte regjimin diktatorial dhe antishqiptar të Sllobodan Millosheviçit, nuk e bënë dot këtë gjë pak vite më vonë. Turizmi kombëtarisht kishte efektet e një çlirimi të tillë. Asnjë vajtje-ardhje delegacionesh, asnjë takim, kongres apo konferencë e përbashkët, asnjë koncert, publikim, film, bursa studentore, botim abetareje të përbashkët, marrëveshje ndëruniversitare apo deri edhe më e madhja që ndodhi, humbja e jetës së presidentit Ibrahim Rugova, nuk kishin dot fuqinë kolosale të bisnesit të turizmit. Ishte një shans historik që ne shqiptarët përkëtej kufirit me në krye shtetin tonë duhej ta kishin shfrytëzuar nëpërmjet një mobilizimi total. Tani pas fiaskos së turizmit patriotik është pak e vështirë të thuhet se për aq sa bashkëkombas erdhën e vijnë, iu shërbye sadopak afrimit shpirtëror apo ndodhi e kundërta, shtimi i ndjenjës së largimit.
Kjo që ndodhi me mosfunksionimin e turizmit patriotik dëshmon se brenda vetes ne kemi një krizë të vazhdueshme të atdhetarizmit. Në rast se ne shqiptarët do të ishim patriotë të vërtetë nuk do të mjaftoheshim përshembëll vetëm me shfaqjet e bukura të patriotizmit sportiv. Ajo tifozëri në ndeshje ndërkombëtare apo gara eurofestivalesh, gjithsesi mjaft emocionuese, është mjaft pak për të dëshmuar se atdhetaria jonë është e thellë, e qendrueshme, largpamëse, ka frymë vetmohimi dhe vullnet për të përmirësuar e forcuar Shqipërinë. Sepse në rast se do të ishte e tillë, pra realisht patriotike, nuk do të kishte ndodhur kurrën e kurrës që elitat qeverisëse ta linin popullin e vet për kaq kohë nën monopolin e vetëm dy kompanive celulare, duke ia renduar familjes shqiptare buxhetin e saj modest.
Shumë i bukur dhe prekës është ai gjest i vendosjes dhe i valvitjes së flamurit kombëtar në muret e një shtëpie të re në ndërtim. Të huaj që shohin këtë skenë kur nuk e paragjykojnë si një formë të tejkaluar e të vjetër të nacionalizmit thonë se një popull që në themelet e tij vendos flamurin kombëtar edhe shtetin e tij duhet ta ketë të fuqishëm. Mirëpo të gjithë e dinë se nuk është kështu. Ai zakon i vendosjes së flamurit në muret e shtëpisë nuk është hipokrizi, por gjithaq dëshmon mjaftueshëm sa larg jemi mes dëshirës për të qënë patriotë dhe vullnetit për të qënë të tillë. Sepse po të ishim të gjithë patriotë të vërtetë nuk do të kishim lejuar të paktën tre vitet e trazuar 1996-1998, veçanërisht dimër-pranverën e 1997-tës. Po të ishim masivisht mëmëdhetarë nuk do të kishim lëshuar frerët e korrupsionit gjer në shtratin e një spitali apo të marrjes së një dokumenti publik. Po të ishim realisht të përkushtuar për atdheun nuk do ta kishim lejuar Tiranën që çmimet e një metre katrore të kapnin këto shifra të frikshme, por do të nisnim me kohë ngritjen masive të shtëpive e lagjeve popullore. Po të ishim aq atdhetarë sa na rrëfen në dukje ai flamur tek muret e shtëpisë në ndërtim nuk do të toleronim kurrë manipulime votash apo karburant të ndotur që na vret për ditë. Po të ishim vërtet mëmëdhetarë të realizuar nuk do ta linim në këtë gjendje nivelin e papunësisë dhe të varfërisë. Po ta kishim fatin të ishim realisht bashkëpatriotë nuk do të kishim lejuar turpe dhe krime të tilla si ai i stimulimit masiv me kimikate të dyshimtë i zarzavateve dhe frutave, siç ka shpërthyer deri edhe mu në zemër të Myzeqesë, hambarit kombëtar.
U tha në vitin 1997, por ndonjëherë edhe më pas, se nga ajo trazirë që u bë të paktën patëm një rezultat pozitiv: na qenkan hapur rrugët për të dërguar ilegalisht armë drejt Kosovës që me to UÇK të dëbonte ushtrinë dhe milicinë sërbe. Sigurisht që ky është një blof e një mashtrim, është një rrufjanllëk provincial, sepse ajo ushtri e ai popull armë kishte e do të gjente edhe pa u rënuar Shqipëria. Viti 1997 në të vërtetë i shkaktoi një dëm të pazakonshëm përpjekjes liridashëse të Kosovës dhe vetë çështjes shqiptare. Jo vetëm imazhin dhe autoritetin modest, por edhe fuqinë ushtarake ato që ngjanë ia rrëzuan përtokë vendit amë, duke i dobësuar Kosovës prapavijën dhe mbështetjen. E megjithatë, njëlloj si me atë shitësin që të jep mall skarco, duke të të thënë se e ke prodhim të cilësisë së parë, ne edhe në një ndër vitet më pak atdhetar që kemi patur, futim një hile.
Patriotë të vërtetë (përshembëll) janë ata që tendosen që nga qytetari i thjeshtë e deri tek elita e tij për ta bërë të mundur që brenda pesë viteve të përmbushim standartet për në Bashkimin Evropian, kurse realisht del se duhen katërfishi i viteve për regjistrimin elektronik kombëtar dhe dyfishi deri në pritjen e ditës kur do të kemi karta identiteti.


Ylli Polovina




Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com