Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Erdhen ato, Teutat Shqiptare!

“Korrieri”, 17 shkurt 2007

Gazetarja me jetë e punë në Athinë, Seferina Serani, nis e të shpjegon me humor çfarë i ndodhi njëherë në qendër të Athinës me një mikun e saj grek. Apartamentin ajo e ka pothuaj ngjitur me ambasadën tonë në kryeqytetin helen, siç edhe aty afër gjendet edhe dyqani i të njohurit të saj vendas. Kur ishte viti 1999 dhe NATO ndërhyri ushtarakisht për largimin nga pushteti të Sllobodan Millosheviçit dhe çlirimin e Kosovës jo pak grekë shprehën mbështetje për serbët. Kjo donte të thoshte më pak simpati për shqiptarët. Një nga këta ishte edhe miku i Seferinës, i cili atë kohë papëlqimin e vet për NATO-n dhe shqiptarët e Kosovës e shprehte duke pritur çastin kur delte për punë Seferina. Sapo ajo shfaqej në sheshin para pallatit bënte një rit: kthehej nga flamuri shqiptar dhe përrulej lehtas para tij. Grekët e duan shumë flamurin e tyre dhe brenda vetes mikut të saj i vinte mirë që shqiptarja e kishte këtë kulturë. Veç ajo puna e NATO-s dhe e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ja kishte turbulluar disi humorin, prandaj sa herë që gazetarja shqiptare bënte përruljen ai thërriste me shpoti në gjuhën e vet që nga dera e dyqanit të tij fjalën “UÇK”. Si përgjigje Seferina Serani kthehej nga miku i saj dhe shqiptonte fjalët “timimu”, që greqisht kanë kuptimin “Eshtë nderi im”. Atë kohë flamuri shqiptar para ambasadës ishte i një formati relativisht të vogël. Kohët e fundit kur doli një mëngjez gazetarja pa se para ambasadës valvitej një flamur me format të madh. Ai lëkundej rendë-rendë. Nga që u befasua mbajti kembët. Në atë flamur edhe shqiponja dykrenore ishte e madhe. Instiktivisht Seferina Serani hodhi sytë te dera e dyqanit të mikut të saj. Shpotitësi i përhershëm shihte flamurin e madh shqiptar e rrinte si i nemitur. Ishte befasuar edhe ai. Atëhere gazetarja bëri rregullin e saj të përhershëm, u përrul para flamurit që ishte aq fort sugjestionues. Për çudi i njohuri i saj helen kësaj rradhe nuk e ironizoi me toggërmëshin UÇK. K[shtu edhe Seferina Serani e shqiptoi vetëm me vete betimin e përhershëm “Eshtë nderi im!”
Kishte kuptuar fqinji ynë se Shqipëria ka nisur të bëhet shtet e komb më i fortë dhe se në Tiranë apo në Prishtinë e gjetkë shqiptarët nuk janë përherë popull humbës në Ballkan. Ka disa vite që po ndodh mëkembja dhe rritja kombëtare mes të tjerash edhe sepse ka ngjarë një gjë mjaft interesante. Janë shfaqur Teutat Shqiptare.
Kanë marrë emrin e mbretëreshës së famshme ilire, sepse kanë gjetur tek ajo jo vetëm rrenjët e thella kombëtare, por edhe ndjenjën e mospërruljes. Kush nuk i ka dashur shqiptarët, duke e ditur që më parë se janë racë tepër krenare, ka hedhur si hap të parë të nënshtrimit të tyre përgjunjien Këtë gjest poshtërrimi e kanë bërë me zjarr dhe hekur, por jo pak edhe me propogandë, gjoja miqësi e deri me art tjetërsues. Teutat e reja shqiptare kanë lindur vitet e fundit pikërisht si një front i madh rezistence shpirtërore e kulturore. Ato më shumë se në trojet amtare gjenden në të gjithë botën dhe në këtë glob të trazuar nga rreziku i zbehjes së vlerave kombëtare kanë krijuar një rrjet elektronik lidhjeje. Në internet zotërojnë një website të tyre dhe në këtë faqe të madhe prezantuese secila ka një nënfaqe me të gjitha të dhënat e sidomos krijimtarinë. Sepse Teutat Shqiptare ose janë shkrimtare, ose janë poete, ose janë gazetare, ose janë kengëtare, ose janë studjuese, ose janë fotografe, ose janë sportiste e kështu me rradhë ose nuk janë hiç fare. Ato kanë ringjallur Musine Kokalarin apo pasuar Roza Anagnostin e Rajmonda Bulkun. Quhen Alida Hisku apo Mardena Kelmendi, Albana Temali apo Arta Mezini, Ejvis Maria Xhajanka apo Dhurata Bejleri, Afërdita Halimi apo Vitore Stefa, Rozi Theohari apo Nirvana Pistulli, Silvana Braçe, Ilire Zajmi apo Merita Dabulla.
Nuk do të ishte pak interesante, por shumë temëtërheqëse, sikur kjo bashkësi Teutash të ishte një organizatë e frymëzuar vetëm nga feminizmi. Femra kudo në botë e jo pak edhe në Shqipëri ka përpara shumë mund për të fituar të drejtat e saj të barazisë. Patjetër këto Teuta e dinë që në sektorët “e vështirë” të industrisë shqiptare të pushtetit politik femrat janë më të mënjanuarat. Porse ato nuk konkurojnë politikisht në vendin e tyre, gjenden në Miçigan apo Paris, Romë e Triste, Zvicër apo Greqi. Apo në Londër si Mirela Bogdani që boton libra me analiza politike e njihet e pranohet me respekt në zyrat e Bashkimit Evropian në Bruksel.
Teutat tona tani për tani konkurojnë në kulturë e në mëmëdhetari. Nuk garojnë vetëm në bukuri, sepse që të gjitha, sipas moshës së tyre, janë si për pasarela mode. Të gjithë emrat e sipërcituara në bashkësinë e Teutave Shqiptare janë femra me hire. Janë të bukura vërtet, të hijshme, fine, pothuaj si zana, edhe pse më e reja prej tyre sapo ka kapërxyer njëzetë vitet dhe më e vjetra po i avitet të gjashtëdhjetave. Nuk dëshirojmë të fyejmë kërkend, ca më tepër një grua, por përgjatë shekullit të shkuar modeli ynë i femrës publike të adhuruar ka tentuar pamjen e Shote Galicës apo edhe të Shkurte Vatës. Ndërkohë kemi patur një Teutë të bukur e me hije mbretërore si Donika, shoqja e jetës së Gjergj Kastriotit. Kemi patur yje bukurie si Margarita Tutulani apo Margarita tjetër, aktorja Xhepa. Në një qytet perëndimor kur një grup i këtyre Teutave pak ditë më parë bëri një veprimtari kulturore e ftuara e nderit ishte Tinka Kurti, një yll tjetër i intelektit dhe hijeshisë femërore shqiptare. Por në atë takim zanash që promovonin një antologji me nentëmbëshjetë poetë të diasporës shqiptare nuk ishte më pak e bukur, brenda moshës së gjithsecilës, Arta Mezini apo Nirvana Pistulli. Kush e mban mend Alida Hiskun dhe nuk pohon se është një grua me hire. Shumë nuk e kanë parë Mardenën, bijën e vuajtur e trimërore të lidhjes së dashurisë së Vitore Stefës, asaj që quhet sot “Nënë Tereza e diasporës shqiptare” në botë, me një bashkëkombas kosovar që dyzetë vite më parë e tretën nëpër burgje. Albana Temali, një shkrimtare e publiciste, po ashtu është një krijesë e bërë me dritë. Dhurata Beljeri, një pianiste që ka tërhequr vëmendjen deri edhe të Papës, në fytyrë e në gishtat e brishtë mbi tastet e pianos ka kaq shumë hire.
Teutat moderne shqiptare i bashkojnë dëshira e përbashkët për të mbrojtur Shqipërinë e tyre nga baltosësit e imazhit. Ato i zhvillojnë veprimtaritë për ta afruar qytetarin e botës, atë që ndodhet gjeografikisht shumë larg, të njohë nga afër një popull normal si yni, human, që jeton me shpresa dhe lufton për një jetë më të mirë. Diana Qesja, një nga këto Teuta, pas gjashtë vitesh shkollimi dhe pune të kualifikuar si juriste në SHBA, edhe kjo një njëzetë e pesë vjeçare me bukuri si e bërë me dorë skulptori, tani ndodhet në Tiranë. Eshtë kthyer sepse beson në përparimin e atdheut të saj. Ne, brezi i ri i arsimuar në Perëndim, thotë ajo, e kemi për detyrë t’ja kthejmë vendit tonë dinjitetin e të qenit barabar me popujt e qytetëruar të kontinentit dhe të botës. Diana Qesja po provon ta japë kontributin e saj tamam si një Teutë. Ajo ngul kembë se shqiptarëve u duhet të mos bjenë viktimë e ndonjë kompleksi nënvleftësimi si ai që dëgjohet jo rrallë: Shqipëria nuk bëhet dot. Në muajt e parë të qendrimit në Tiranë ajo po përjeton deziluzionet e para, por gjithsesi nuk epet.
Teutat Shqiptare tre muaj më parë kryen një akt shumë të dhembshur. Me sa mundën në ditët e fundit të jetës iu gjendën afër njërës prej më madhërishmes së bashkësisë së tyre, basketbollistes së famshme të tre-katër dekadave më parë, lojtares së ekipit kombëtar, Zamira Koleci. Kush e kujton sadopak imazhin e kësaj gruaje e di që ajo ishte e gjatë dhe e bukur si shtojzovalle. E di po ashtu që sytë i kishte bojëqielli dhe flokët sikur mbi to të kishte praruar një tis argjendi. Seferina Serani, e cila i ndenji gjithë kohën pranë shtratit në spital, njoftonte me mesazh të gjitha Teutat Shqiptare: “Jam shumë e trishtuar për lajmin e hidhur që po ju jap. Basketbollistja legjendare më e famshme e Kombëtares shqiptare, Zamira Koleci, nga ora 21.30 e ditës së enjte, datë 22 Nentor 2006, prehet në paqe hyjnore. Amazona shqiptare që njohu lavdinë e kampiones, si gjithmonë në çdo aktivitet të saj, qendroi deri në fund të jetës MADHESHTORE. Bubulina e fushës së basketbollit shqiptar ndërroi jetë në spitalin \"Elena\" të Athinës, nën kujdesin e një personeli mjekësor shtetëror grek. Vdiq e qetë dhe pa mundim, si një zog i bukur”.
Dhe Zamira Koleci ishte një nga ato shpirtëra hyjni sa kengëtari i njohur dhe i shumëpersekutuari nga regjimi realkomunist, Sherif Merdani, të thotë se kur përfundoi burgun dhe ende në kembë ishte diktatura, njeriu që sfidoi rregullin e përgjithshëm të frikës ishte ajo. Zamira e kishte thirrur në mes të rrugës, e kishte përqafuar, e kishte mirseardhur dhe uruar të ringrihej në skenë. Kurse një Teutë Shqiptare, shkrimtarja Rajmonda Moisiu, prej shumë vitesh emigruar në Hartford CT në SHBA, pasi mori lajmin e hidhur, u dërgonte Teutave të tjera mesazhin “Ishte ai mars i mallkuar i \'97, kur në Korçë kishte vetëm plumba vrasjeje e kombi po çnderohej në mënyrën më të turpshme, Zamira, duke vënë jetën e saj në rrezik, duke vënë nderin e kredibilitetin e saj në shërbim të kombit, ditën e dytë të anarkisë dhe rrëmujës në Korçën tonë, sëbashku me disa të tjerë, doli mbi tank duke valvitur flamurin e bardhë të PAQES, duke mos ju trembur plumbave e thërriste \"Vëllezërit e mi korçarë! Paqe, Paqe! Duam Paqen! T\'i themi Jo vëllavrasjes, Jo shkatërrimit, Jo anarkisë! Jo çnderimit të kombit!..Zot bëj mrekullinë !Lere Zamirën me ne!”
Kurse ne këtë shkrim nuk mund ta mbyllim pa thirrur “Teuta Shqiptare, shtohuni!”

Ylli Polovina

Tiarnë, më 15 shkurt 2007












Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com