Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

A e di Shqiperia qe nuk eshte me e dobet?

“Korrieri”, 12 mars 2007


Me popujt, kombet, shtetet, pra me bashkësitë njerëzore, ndodh njëlloj si me individët. A e keni vënë re se si një vajzë që i afrohet të pesëmbëdhjetave ndodh që rri shkujdesur si të jetë një fëmijë? Nuk bën vëmendje të mos ekspozojë tashmë pjesë të zhvilluara të trupit. Ti e sheh, sigurisht e justifikon, por gjithnjë thua me vete “Po kjo nuk e di se është rritur?” Ajo sigurisht që nuk e di. Kemi përshtypjen se pak a shumë një përjetim të tillë ka sot edhe Shqipëria. Më saktë një pjesë e klasës së saj udhëheqëse. Në rast se do të kërkonim të gjenim një dëshmi më të fundit të këtij kompleksi të çuditshëm vetëfoshnjërizmi nuk kemi përse kapërxejmë më shumë se përtej disa ditëve të fundit. Ajo që na ndodhi me videon e një njësiti special të ushtrisë greke do të mjaftonte dhe tepronte. Kësaj rradhe nga mënyra se si u reagua dhe përmasat e saj, fjalët që u formuluan, procedura dhe ritmi veprues që u ndoq, të gjitha, të lënë përshtypjen se Shqipëria nuk e di se është rritur edhe plot dhjetë vite nga 1997-ta. Madje ajo është rritur edhe katërmbëdhjetë vite nga i quajturi incidenti i Peshkëpisë, ku një komando grupi ilegal terrorist grek sulmoi një repart ushtarak shqiptar, gjë që në rrethana papërmbajtjeje popullore mund të prodhonte destabilitet rajonal. Ne jemi edhe dy vite më shumë të rritur edhe nga ai çast kur shpërtheu publikisht çështja e varrezave të ushtarëve grekë të rënë në vendin tonë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Përse qenkemi rritur dhe jo vetëm kanë kaluar katërmbëdhjetë, dhjetë apo dy vite?
Në rast se numërojmë avionët ushtarakë, pa dyshim ne jemi në një gjendje të vajtueshme. Diktatura na la kallashë me bollëk dhe qe ende duhen, gjithë teknologjia e tjetër, për arsyet që njihen, ishte një rënojë. Në ndodhtë që numërojmë tanket, topat, anijet luftarake, armatimin personal të ushtarit, bazat stërvitore e kështu me rradhë vendi fqinj na e kalon tërësisht. Vendi mik na e kalon edhe me forcën e kapitalit, me strukturën, organizimin dhe efektivitetin e lobeve të tij në diasporë e sidomos me ndikimin në qendrat e rendësishme globale të pushtetit. Greqia na e kalon me përsosmërinë e saj të zhvillimit të turizmit, me gjallërinë e madhe të jetës kulturore, me qendrueshmërinë e demokracisë dhe sistemit të saj të hapët, me agresivitetin e bisnesit të saj, me koordinimin që bën me Kishën Ortodokse për realizimin e interesave të veta shtetërore.
Po ne me se ja kalojmë Greqisë? Hajde ta gjejmë bashkë! Eshtë disi punë e ngatërruar kjo e ballafaqimit të potencialeve kombëtare, ndonjëherë edhe pak naive, sepse jemi popuj që vijmë nga rrethana e përvoja historike jo përherë të njëjta. E megjithatë ne ja “kalojmë” fqinjit tonë në mënyrë të sigurtë në një gjë: respektin që kemi për ta si popull dhe si komb. Edhe në regjimin komunist e jo më para e më pas, ne jemi edukuar ta duam e studjojmë gjer në rrënjë trashëgiminë gjeniale të Greqisë së Lashtë. Me gjithë ideologjizimin e rendë të shoqërisë sonë nën tiraninë realkomuniste arriti një kohë kur edhe vetë diktatori botoi një libër vlerësues e shumë miqësor për grekët. E titulloi “Dy popuj miq”. Asnjë rresht pozitiv nuk shkroi e botoi Enver Hoxha pas vitit pesëdhjetë të shekullit të shkuar për serbët. Po a është ky një shembëll që duhet treguar? Për t’i mbyllur rrugë çdo paragjykimi po e lëmë mënjanë. Le të marrim një emër të madh e që për atdhetarizmin e tij, kulturën demokratike si edhe talentin artistik nuk mund të dyshohet kurrë: Ismail Kadarenë. Për Greqinë shkrimtari ynë i fuqishëm ndërkombëtarisht ka botuar jo një, por disa libra. Të gjitha shkruar me vlerësim e dashuri. Sa fort e ka kritikuar e akuzuar ai radikalizmin shtetëror serb!
Po a është fuqi respekti për një popull tjetër? Patjetër është forcë morale dhe shpirtërore. Keq për atë që nuk e kupton dhe bën llogari të stilit të qëmotshëm sipas të cilave shqiptari del gjindje servile apo që “nuk ja mban”, është popull i vogël, i varfër, i përçarë, pa dhunti bashkimi e kështu me rradhë. Forcë e madhe morale dhe shpirtërore është edhe ndjenja e tolerancës që ne kemi, kur në jugun e Shqipërisë, pikërisht atje ku breza të tërë andartësh apo agjentësh qeveritarë të maskuar si çeta vullnetarësh virioepirotë kanë kryer krime të përbindshme, trupat e ushtarëve të rregullt grekë të rënë në luftë me agresorin italian fashist u ruajtën të paprekur për dekada të tëra. Disa prej këtyre të rënëve të paharruar bashkëkombasit ua gjetën trupat edhe një vit më parë. Askush nuk i kishte zhvarrosur. Ishin ende në oborret e shtëpive të po atyre shqiptarëve, të cilëve andartët dy-tre dekada më parë ua kishin vrarë fëmijën në djep. Sikur Kadare të kishte shkruar edhe një tjetër “Gjeneral të ushtrisë së vdekur”, kësaj rradhe për mbledhjen e të rënëve grekë të Luftës së Dytë Botërore, me siguri mijra lexues të huaj do të kishin rast të njiheshin me humanizmin dhe respektin etnik që kanë shqiptarët. Por a mund t’i thuhet, qoftë edhe nga një grek i vetëm e jo më nga një strukturë e armatosur posaçërisht, që meshinën e këpucëve të tij ushtari helen do ta bëjë me lëkurën e turkut dhe lidhësat me zorrët e shqiptarit!?
Edhe në regjimin më të egër që kemi patur shekullin e shkuar, nën diktaturë, shumë e dinë që në poligonet e shenjimit (nga ushtria rezerviste bëhej qitje me armë çdo vit, me nga tre fishekë luftarakë gjithsecili) tabela asnjëherë nuk ka patur silhuetën e një njeriu ku shenohej se ishte grek, serb, italian, amerikan apo sovjetik edhe pse në doktrinën e regjimit të gjithë ishin “armiq imperialisto-revizionistë”. Në mënyrë absolute nuk është kultura e ushtrisë greke ajo e atij njësiti të veçuar special, por a nuk është tronditëse që për tua mbajtur të lartë adrenalinën e agresivitetit atyre të pakëve u shplahen trutë me urrejtje etnike ndaj një populli tjetër? Shtangesh kur mendon se kësaj rradhe nuk kemi të bëjmë me një kengë “vorioepirote”, ku Korça na qenka “motër e madhe”, Saranda “motër e vogël” dhe Gjirokastra “mbesë” helene. Në kengën stërvitore të njësitit special ka kanibalizëm, nxitje që njeriu të hajë mish njeriu.
Patjetër ka kohë që disa incidente me grupe të veçuara fqinjësh kanë rifilluar të cingrisin më shumë se ç’duhet nervat e shqiptarëve, por reagimi gjithsesi nuk mund të jetë ai i djegies së flamujve grekë. Punonjës të ruajtjes së rendit publik duhet të ndërhynin me maturi që në çastin kur individë apo grupe me nga pesë a gjashtë patriotë të vonuar, këta “bravo” deri edhe gjashtë ditë pas publikimit të incidentit, i vunë zjarrin në mënyrë provokative simbolit kombëtar grek. Ballkani i Shengenit dhe i BE-së nuk ul e poshtërron asnjë flamur, siç nuk mund të ngrejë më lart nga të tjerët asnjërin. Të ngarkuar me ruajtjen e rendit publik pjesëtarë të Policisë së Shtetit duhej të ndërhynin po ashtu të mos ndereshin në qytetin e Himarës, në zgjedhjet lokale të 20 shkurtit, flamujt grekë. Minoriteti i çmuar helen le ta fitojë njëmijë herë mandatin e drejtimit të bashkisë së atij qyteti, por flamurin e vetëm që me këtë rast duhet të ngrejë në ajër është ai shqiptar. Sa dinjitet dhe respekt për popullin e kombin grek kanë shqiptarët kur ndodh që nxënësit tanë, të cilët mbarojnë shkëlqyeshëm maturat në vendin mik dhe sipas rregullit duhet të bëhen për një çast flamurmbajtës, kanë protestuar jo se nuk i kanë lejuar të mbajnë në duar e ngrejnë flamurin shqiptar, por atë grek.
Vetkritika që ndodhi në Athinë (të mos harrojmë se aktin e parë denoncues e bëri një emigrant shqiptar, por përmasat publike akuzës ia nisi gazeta e madhe greke “Tanea” dhe po atje, në vetë kryeqytetin fqinj, nga qeveria u kërkua ndjesë) është një shenjë e sigurtë se kultura e re e interpretimit demokratik të marrëdhënieve ndërshtetërore dhe mes etnive përherë e më shumë po fiton ndikim në Greqi dhe shqiptarëve u takon ta ndihmojnë këtë proçes të ndërlikuar emancipimi e jo t’i japin gjallëri revanshit të mentalitetit radikal. Me siguri nuk ka qënë fare ndihmues në kufizimin e radikalëve në Greqi e në Shqipëri, në mos tërthorazi ndikoi në eksitim, gjuha e disa politikushtruesve që u kujdesën jo të prinin dhe mirëdrejtonin që në orët e para zëmërimin e natyrshëm popullor të shokuar nga efekti i një videoje, por vrapuan ta frenonin me logjikë grevëthyesi.
Në rast se strukturave të specializuara shtetërore detyrimisht u duhet kohë më shumë se një replikë për të mbledhur të dhënat e nevojshme e verifikuar të gjithë treguesit e faktit të ndodhur, për më pas ndërhyrë pa u vonuar, nuk u lypet kjo kohë politikushtruesve, deputetëve apo atyre që nuk përfaqësojnë institucione shtetërore. Një shoqëri funksionon si një harmoni e medias, elitës, popullit të thjeshtë, vetë shtetit. Por kësaj rradhe mes qendrimeve të radikalizuara si efekt i parë i emocionit dhe reagimeve të disa politikushtruesve ra sërish në sy, madje tepër ndjeshëm, se këta të fundit u orientuan nga interesat e tyre vetiake, nga ndonjë bisnes apo nostalgji vitesh të largëta. Ndoshta një pjesë e tyre nuk e kanë kuptuar se Shqipëria duke mos qënë akoma e fortë, nuk është më e dobët. Mirëpo po të ulen pak çaste në një tryezë, të vënë para tyre një fije letër të bardhë dhe të rreshtojnë një për një të dhënat nëse (përshembëll) gjendet në këtë Ballkan ndonjë shtet që, përveç vetes tonë, ka forcë të përdorë veton për të na penguar të hyjmë në Bashkimin Evropian apo kuturis kokëkrisje të tjera, do t’i dalë një gjendje krejt tjetër.
Shumë tjetër.


Ylli Polovina

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com