Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Pasaporta e Enver Hoxhes

Korrieri, 28 tetor 2004

E përditshmja britanike “The Independent” botoi pak ditë më parë shkrimin “Shqipëria, aty ku rrugët dhe qytetet nuk kanë emra”. Autori i tij është Askold Krushelnycky. Eshtë shkrimtar dhe publicist, njohës mjaft i mirë i situatës në Ukrainë, pa përjashtuar korespondencat e tij nga Çeçenia apo Afganistani, analizat për korrupsionin dhe botën e krimit. Për të vizatuar Shqipërinë, gjë që e bën mjaft rrallë, për sytë e botës zgjodhi një kend të veçantë, pak të njohur e zbuluar për ta. Duke qënë se si të gjithë gazetarët dhe mediat, për të patur sa më shumë lexuesë e konsumatorë të prodhimit publicistik, ndonjëherë zgjedh edhe sensasionin, kështu bëri më 24 tetor në “The Indipendent” edhe i sipërcituari. E drejtë e tij e ligjshme. Vite më parë sensasion shqiptar do të thoshtë mijra ikës që rrëmbenin vaporë dhe zbarkonin në brigjet italiane, pastaj trafiku i klandestinëve nëpërmjet skafeve, më pas, më 1997, bataretë e kallashëve rrugëve, në vijim hedhjen në erë të shtyllave të tensionit të lartë, armët dhe antitanku para Kryeministrisë dhe pushtimi i Kuvendit e Televizionit më 1998. Në vitet e mëvonshëm korridoret ilegale të trafikut të klandestinëve e ulën shumë intensitetin, situata e rendit publik u qetësua, lufta ndërpartiake u fut plotësisht në kufijtë demokratikë të parlamentarizmit. Kështu ra nëpër botë edhe interesi i shkruesve të anëve tona negative. Ndërkohë ishin shtuar edhe ata publicistë e media që dëshironin të përshkruanin edhe atë pjesë pozitive që ne e kemi.
Tashmë kritikat që na bëhen në median ndërkombëtare janë revanshi i krimit shqiptar në disa vende të rendësishme të Perëndimit, përfshi edhe SHBA-në. Po ashtu ndizen herë pas here tema të trafikut të organeve të fëmijëve. Në të dy rastet ka teprime të së drejtës publicistike për të informuar vetëm të vërtetën, por gjithsesi dallga e sulmit mediatik të huaj kundër shqiptarëve është ulur fort. Veç me shkrimin “Where the streets (and towns) have no name: Albania” (“Shqipëria, aty ku rrugët dhe qytetet nuk kanë emra”), Askold Krushelnycky ka qëlluar në shenjë. Sensansional ai nuk është në thelbin e shkrimit, por se si ka qemtuar disa detaje (artikulli mbyllet me frazën “Në qytetin e Lushnjës, një diskutim i fundit i këshillit bashkiak lidhur me emrat e rrugëve, përfundoi me një përleshje që shkaktoi plagosjen e tre këshilltarëve, pasi goditën njëri-tjetrin me karrige”).
Mënjanuar këtë detaj spetakolar në krijimin e tij Krushelnycky thotë se “Shqipëria po përballet tashmë me një pengesë të pazakontë, në mos absurde, në përpjekjet e saj për anëtarësimin në Bashkimin Europian: shumë pak njerëz e dinë se ku jetojnë vërtet”. Më pas “Një banor i kryeqytetit të vendit, Tiranës, thotë…“Jetoj në një ndërtesë jeshile”…Një tjetër jep si adresë të banesës së tij pallatin përballë urës dhe një tjetër thotë se jeton te ai pallati i madh ngjyrë kafe, prapa ushqimores”. Më tej “Një mjeke e kryeqytetit, Servete Lohja, thotë se…gjendja e pacientëve shpesh rëndohet pasi shërbimi i urgjencës nuk gjen dot banesat e tyre”.
Autorit nuk i ka shkuar mendja të shkruante edhe faktin se kjo gjendje kaotike në vendin tonë arriti të kompromentojë zgjedhjet e fundit parlamentare, të cilat politikisht ishin më të arrira se të mëparshmet, po ashtu edhe teknikisht më të përparuara. Mbi njëqind e pesëdhjetë mijë zgjedhësit që ishin regjistruar dy herë, si edhe një dyzinë mijrash të tjerë që nuk gjetën dot ku e kishin qendrën e tyre të votimit, i dhanë proçesit shqiptar të eurointegrimit një goditje të paparë, pothuaj sa një vit i mbrapshtë. Lufta politike e damkosi këtë të metë si një shembëll zgjedhjesh të përdhunuara me qëllim e në mënyrën më të keqe. Mos duhet ta pësojmë edhe njëherë tjetër këtë?
Këtu nuk është fjala se duhet të mësojmë nga “The Indipendent” apo Askold Krushelnycky. As gazeta shumë e njohur dhe as punonjësi i saj, me shkrimin që shpërndanë në mbi 1 milionë lexuesë britanikë, nuk e kishin këtë bonsens. Ka afro një vit që Shqipëria po “përleshet” me këtë hall të saj, i cili nuk është i vogël. Artikulli në “The Indipendent” duhet të na bëjë të ndërgjegjshëm se më në fund kemi zbuluar para bashkësisë ndërkombëtare një të metë shumë të rendësishme, e pakuptueshme për vetë qytetërimin e sotëm. Ekzistenca në një vend evropian i qyteteve me vetëm gjysmën e lagjeve me emra, i banesave pa numura apo edhe i afro një të gjashtës së popullsisë të paregjistruar, përbën një akuzë shumë të rendë për Shqipërinë. Për imazhin e saj sot dhe për të ardhmen e tij nesër. Kurrkush në Perëndim dhe në Lindje, në Jug apo në Veri, në botën e qytetëruar, nuk mund të ta falë këtë nivel problematik të aftësisë për bashkëjetesë të organizuar. Kur dëgjon se gjer në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të përcaktuara si vendimtare në mundësinë apo jo të çeljes së bashkëbisedimeve për firmosjen e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian, një sistemim thjesht adresar i shqiptarëve nuk do të mund të përfundojë dot, nuk ke si të mos shqetësohesh. Madje edhe të dyshosh. Jo vetëm përse do ta mbajmë të aktivizuar një goditje tjetër publike që Shqipërisë do t’i jepet para syve të botës, por edhe sepse mund të ndodhë që jeta politike dhe ajo shoqërore të kalojë ndonjë traumë. Ca më keq do të ishte sikur kjo mangësi jona e madhe ndërkombëtarisht në vitin 2005 të vlerësohej si një provë e sigurtë e tezës gati dyshekullore të disa qarqeve të huaja, sipas të cilës shqiptarët nuk janë në gjendje të krijojmë një shtet normal.
Ose, se mund të mbajnë në kembë, deri në rënimin e rradhës, një tip shteti jo me rregull të ndërgjegjshëm, por të përdhunshëm, siç ishte ai i gjysmë njëqindvjeçarit realkomunist. Të padëshiruar në një rikthim, qoftë edhe të butë të tij, megjithatë konstaton se për rregullin e emërtimit të lagjeve, banesave apo njerëzve si edhe për identifikimin e tyre jemi shumë larg. Sot mjafton të shkosh në një Bankë, ta zëmë tek ajo Amerikane me qendër në Tiranë, kur të të thonë se për regjistrimin e llogarisë financiare një letërnjoftimi e kohës së Enver Hoxhës është dokumenti më i sigurt. Do të ishte mjaft kurioze të dinim sa do të zgjasë ajo periudhë kur në ndonjë institucion të shoqërisë tonë pluraliste apo në disa prej bankave të tij nuk do të kërkohej më për garanci pasaporta e Hoxhës. Ndoshta vetëm atëhere, kur e gjithëfuqishme do të ishte pasaporta e Republikës së Shqipërisë (pa fjalën Socialiste) apo karta e re e identitetit, do të ishte e saktë dita e normalizimit të jetës së shqiptarëve. Stabilizimi i tyre i qytetëruar. Vetëm atëhere ka të ngjarë që kjo ditë e shenuar, tani për tani vetëm e imagjinuar, do të bëjë që në një pikë kufitare me një shtet të huaj do të na shohin me atë dinjitet që kishim formalisht kur këtë kufi e kalonin, të pajisur me pasaportën e kuqe të kohës, ata të paktë të regjimit punist që udhëtonin jashtë vendit.
Atëhere “The Indipendent” nuk do të botonte shkrime si “Shqipëria, aty ku rrugët dhe qytetet nuk kanë emra”. Në këtë kohë të ardhme nuk do të dyshohet më se ky kaos nuk mbahet në kembë vetëm nga kultura e një populli, i cili, siç del nga një deklarim zyrtar i fundit, në masën shtatëdhjetë përqind nuk ka shkuar të regjistrohet për të përfituar uljen e tarifave të pagimit të energjisë elektrike për njerëzit në nevojë dhe me pension të ulët. Në atë kohë të ëndërrt nuk do të përflitet fare se anarkia e adresave mbahet nga pak në kembë për nevojat utilitare të një pjese të luantë të politikës. Ca më shumë nuk do të hamendësohet se kjo situatë i leverdis krimit të rrugës dhe atij tashmë të organizuar.
Atëhere, paçim fat, do të ishte kënaqësi të kujtonim se autoritet shqiptare dhe e gjithë shoqëria jonë në vjeshtë të vitit 2004 i dha një shtysë të re përpjekjes së saj të nisur disa muaj më parë dhe në verën e 2005 realizoi një aksion kombëtar për regjistrimin e vetvetes.

Ylli Polovina






Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com