Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Duke kerkuar pranine e Shtetit

Dita, 7 shtator 2004

Ngjarja që do të tregojmë ka për fillesë të dielën e shkuar, orët e pasdites, në Durrës. Në hapësirën e Plazhit që prej vendkomandës së NATO-s (ish-Kampi i Pionierëve) deri në afërsi të Golemit. Dy pushues, hipur mbi motorra uji, për dy orë rresht terrorizuan të gjithë plazhin. Lëviznin me një shpejtësi të dalë mendsh e bënin manovra nga më të çmendurat. Duke rrezikuar jetën e njerëzve që notonin, madje edhe të atyre që gjendeshin fare afër bregut. Nga moskontrollimi dot prej histerisë i mjeteve të tyre lundruese ata rrëzoheshin në kthesat e frikshme që bënin e pastaj rihipnin përsëri mbi motorrat, të zhndërruar tashmë në makina vrastare. Në fillim pak nga pak dhe më pas gati me panik pushuesit që notonin, vrapuan drejt tokës. Duke rrëmbyer në krahë fëmijët e vegjël. Dy terrorizuesit nuk hoqën dorë me lëvizjet e tyre të skëterrshme deri në buzë të ujit, duke u afruar enkas e madje vërsulur mbi grupet e njerëzve akoma të mbetur në ujë. Derisa më në fund për pothuaj dy kilometra deti u braktis. U boshatis krejtësisht. Që nga bregu njerëzit e dëbuar përdhunshëm e ndiqnin me ankth këtë lojë të rrezikshme të vetëm dy vetëve. Dy gansterëve të gjithëfuqishëm në një hapësirë ku bashkëkombasit tanë pushonin me kursimet e një viti të tërë të lodhshëm. Huliganë që vunë lehtësisht nën kontroll një territor, ku funksionojnë pothuaj me ritëm të plotë jo më pak se pesëdhjetë hotele, bare dhe disko. Horra që zotërojnë si ta kenë një lodër një hapësirë që çdo çast “monitorohet” jo vetëm nga pushuesit e shumtë, ku një pjesë patjetër kanë në qytetet e tyre apo në Tiranë funksione publike apo shtetërore jo të vogla, por edhe nga gazetarë perëndimorë e përfaqësues të ambasadave të huaja rezidente në vendin tonë.
Për dy orë rresht këtë pasdite të diele të 5 shtatorit askush nuk ndërhyri që terrorizuesit anonimë të ndërpritnin veprën e tyre të denjë për të provuar zyrat hetimore të një komisariati dhe një sallë gjyqi. Për dy orë rresht, deri sa breguji të zbrazej dhe qielli të mbushej me muzgun e reve të pragmbrëmjes, nuk u duk asnjë polic. Me uniformë apo civil. Në të vërtetë gjithë të shtunën dhe të dielën ky breg akoma i tejpopulluar nuk kishte patur rastin të dëshmonte se në territorin e tij ekzistonte qoftë edhe një përfaqësues i Rendit Publik. Të paktën për të kontrolluar vizualisht e formalisht territorin. Thoshin se më 1 apo 2 shtator atyre anëve kishin parë një çift policësh, ndërsa mungesa e tyre të shtunën mund të justifikohej me supermasat e marra në Tiranë për shkak të ndeshjes me Greqinë dhe ku Rendi Publik manifestoi cilësi. Po të dielën, kur në plazh ka pik, ku gjendeshin? Dhe në rast se për faj të eprorëve të tyre lokalë në një çast të caktuar nuk ndodheshin mes dy-tre mijë pushuesve, brenda dy orëve ishte tepër e mjaftueshme të mbërrinin në vendgjarje dhe të vepronin. Në rast se asnjë pushues nuk ka telefonuar në komisariatin e ngarkuar me ruajtjen e rendit në plazhin e Durrësit, po ashtu qenkeshin druajtur edhe pronarët e hoteleve, bisnesi i të cilëve rënohej me atë tmerr që po ndodhte, të paktën një informator policie, po të ekzistonte, do ta kishte dërguar alarmin e tij në qendër.
E megjithatë, megjithatë, nuk ndodhi kurrgjë. Skena që ka gjasa të mos ndodhë edhe në vendet amerikano-latine me namin e dalë si bartëse të mëdha të kuotës së kriminalitetit, u konsumua deri në fund. Duke lënë pas tre pasoja imediate. Të parin ekonomik: pushuesit dëshmitarë të kësaj skene terrorizuese vitin tjetër do të bëjnë ç’është e mundur që ta shmangin nga pëlqimet e tyre Durrësin. E dyta: Shteti mungonte. E treta: shumë pushues të fyer për autorë të kësaj skene akuzuan kosovarët e ardhur për pushime.
Në një bilanc të shpejtë të pasojave prej veprimit të dy ngasësve të çakërdisur të motorrave të ujit ai i rënimit ekonomik të bisnesit të disa hoteleve, edhe pse i padëshiruar, do të peshonte më pak se dy të tjerët. Plazhe për të pushuar Shqipëria tashmë ka plot e shumë shpejt do të ketë me bollëk. Në këtë rast alternativa e zgjedhjes të shpëton. Pasoja e dytë nuk kapërxehet dot aq lehtë sa e para, sepse mungesa e pranisë së Shtetit në një copë të territorit të vendit, aq më tepër fort të rendësishme si bregu i gjirit të Durrësit, është një tregues negativ. Pak ditë më parë gomonia me klandestinë që u shpëtua nga Roja Kufitare e Detare Italiane në Brindisi bazën e nisjes e kishte nga Qerreti i Kavajës. Pra nga pothuaj ajo hapësirë bregu, ku për dy orë terrorizuan lirisht pushuesit, dy huliganët anonimë. Por mungesa e pranisë së Shtetit në atë breg të gjatë të mbushur me hotele nga më modernet dhe bare e disko ku nuk mungonte asgjë për të zbavitur pushuesit e shumtë, nuk provohej vetëm me rastin e dy ngasësve të çmendur të motorrave të ujit. Shteti dhe dora e tij aty mungonte dukshëm. Jo sepse një apo dy ndërtesa të paligjshme e të prishura prej tij pak muaj më parë, akoma rrinin në kembë në formën e plotë të gërmadhës. Por sepse ai nuk kishte marrë asnjë masë për të shpërndarë me rregull dyqanet apo qoftë edhe diskotekat. Në një vend dy prej tyre ishin gati ngjitur, mbytnin me zhurrmë njëra-tjetrën dhe ulërinin gjithë pasditen e përtej mesnatës. Shteti nuk ishte angazhuar jo vetëm për të mëkembur zona të gjelbëra pushimi, por as për të nxitur ndërtimet e mjediseve për tregëtim të zarzavateve e sidomos frutave të stinës. Në plazh frutat shiten të ngarkuar që nga karrocat e ndryshkura të dorës e deri tek gomerët. Këta të fundit e parakalonin qetësisht të gjithë bregun e mbushur me shezlonge modernë, duke lëshuar edhe ndonjë bajgë nga mbrapa. Në këtë plash të gjatë që nga vendkomanda e NATO-s e deri tek Golemi, gati një qytet i tërë, nuk kishte asnjë farmaci private. Asnjë qendër apo kthinë mjekimi. Një alergji e papritur nga një pickim insekti, siç edhe ndodhi, e rrezikoi jetën e një pushuesi vetëm e vetëm sepse aty nuk kishte një farmaci për të blerë një incidal dhe pika e mjekimit ishte tek “Hekurudha”. Pra në një distancë plotësisht të mjaftueshme për të mos marë në kohë ndihmën e parë.
Në këtë hapësirë pothuaj të zbrazur nga prania, ndihma dhe autoriteti i shumëdëshiruar i Shtetit, megjithatë do të dukej e kapërxyeshme, me ca kurajë dhe largpamje, edhe kjo mosprani e nevojshme e policëve, farmacive dhe e pikave të mjekimit. Duke qënë se ne shqiptarët shpresojmë shumë, le të besojmë se një ditë autoritetet do të kuptojnë edhe më mirë se ndërtimi i një plazhi e turizmi modern nuk është më së pari çështje e privatëve dhe ç’mbetet e Shtetit. Eshtë krejtësisht e kundërta. Por ajo që ka pasoja pothuaj të parigjenerueshme ka të bëjë me atë që ne e shifruam me numurin tre. Disa pushues të dëbuar në breg prej gansterizmit të dy ngasësve të motorrave të ujit, veç e veç e pa patur kontakt me njeri-tjetrin, ishin totalisht të bindur se të dy huliganët vinin nga Kosova. Madje një grua nga rrethinat e Korçës, person mjaft i kulturuar dhe identitet të spikatur kombëtar, tek doli me panik në breg me voglin e saj shtrenguar në krahë, i mallkoi etnikisht. Batuta e saj ishte tepër e rendë. Edhe pse vinte nga një emocion i fortë askush nuk e besonte se ajo grua e përkorë dëshironte tamam atë që shprehu. Veç bindja se turbulluesit sistematikë të qetësisë së pushuesve zakonisht ishin kosovarë mbretëronte gjithkund. Në rast se Shteti në atë rrip plazhi që kishte banorë sa një qytet i vogël, do të ishte realisht i pranishëm, do të ndihmonte edhe në mospërhapjen e rrezikshme të paragjykimeve për bashkëkombasit tanë. Do të mjaftonte një ndalim i dy dhunuesve dhe menjëherë në një qendër të zakonshme zëri (apo edhe në një stacion televiziv privat të plazhit) Policia të njoftonte identitetet e të dyve. Hotelet gjithkund kishin kosovarë apo bujtës nga Maqedonia dhe bisedat me ta ishin një kënaqësi e vërtetë. Ata ishin të lumtur që kishin ardhur të pushonin në Shqipëri e të gjithë pritnin ndërtimin sa më shpejt të korridorit Durrës-Prishtinë apo të Korridorit të Tetë. Dy horrat që terrorizuan për dy orë bregun mund të ishin kosovarë, por nuk ishin Kosova. Siç mund të ishin edhe shqiptarë nga vendi ynë dhe i marrin të keqen Shqipërisë dhe popullit të saj.


Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com