Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

TA SHPĖTOJMĖ BALLISTIN MORINA APO.... Tė shpėtojmė prej tij?
PROVOKUESIT SHQIPTARĖ TĖ HISTORISĖ KOMBĖTARE DHE KROATI MILAN SHUFLAJ
PARTIZAN-KOMUNIZMI I JAUP LILĖS: LUFTĖTAR DHE QYTETAR I PĖRRUNJUR I ATDHEUT
SKĖNDERBEU ME LIDHJE TĖ SHUMĖFISHTA ME SLLAVĖT
KUJTESA KOMBĖTARE NĖN AGRESION
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Karta e identitetit dhe gracka e kompromentimit

Botuar me 17 korrik 20004

Në fillim lajmi për projektin e Kartës së Identitetit, pastaj vendimi i qeverisë dhe më në fund shpallja e konkursit për disenjon më të mirë të saj krijojnë bindjen dhe sigurinë se më në fund ne, shqiptarët, si nënshtetas të këtij vendi, do të kemi një dokument të dytë identifikimi. Në këtë Kartë elektronike do të jenë patjetër jo vetëm të dhënat kryesore civile të personit dhe një numër, por edhe mjaft tregues sigurie. Kryesorja: do të gjendet edhe gjurma e gishtit. Teknikisht, siç edhe premtohet, ajo do të jetë e realizuar sipas standarteve të Bashkimit Evropian. Në Britaninë e Madhe (përshembëll) në të dhënat biometrike të Kartës së Identitetit, që po projektohet, do të jetë edhe e dhëna e bebëzës së syrit. Ne mjaftohemi vetëm me gishtin, ç’ka nuk e ka dokumenti kryesor i identifikimit, pasaporta. Kio është arsyeja pse Karta e Identitetit përbën një ngjarje tejet të rendësishme për shoqërinë shqiptare, por dhe për vetë Shtetin tonë. Duke mos dyshuar që ky vendim qeveritar do të realizohet në afatin e caktuar, akti i pajisjes së gjithsecilit prej nesh me Kartë Identiteti nuk mund të konsiderohet një evenimet rutinë, një ngjarje mediokre, fare e zakonshme, thjeshtësisht e harrueshme. Ajo përfaqëson e duhet konsideruar një gjest që tingëllon i përafërt me aktin e rithemelimit të një shteti.. Që ky krahasim të mos ngjajë aq zhurrmëmadh e i zbrazët sa në pamje të parë duket po parashtojmë argumentat.
Me një vend të shpallur të pavarur diçka më shumë se treçerek shekulli më parë, por që elementët fillestarë të shtetit modern i nismoi me emrin e Ahmet Zogut dhe me shoqërinë shqiptare të viteve tridhjetë, nuk mund të thuhet se kemi patur kohën e mjaftueshme për të mbërritur normalisht tek karta elektronike e identitetit. Bashkë me pluralizmin e vetëm katërmbëdhjetë viteve më parë për një dekadë rresht na kanë rënë mbi shpinë edhe rrethana konfliktesh të renda rajonale, të cilat shumë vende paskomuniste të eurolindjes nuk i provuan. Në vitin 2004, ndërsa faqet e gazetave apo ekranet e televizioneve lajmërojnë ofertën për projektin më të mirë të Kartës Shqiptare të Identitetit, duam apo nuk duam, kemi mbërritur edhe më pranë një koncept real të të qënit Shtet. Kjo nismë është e çmuar edhe për faktin e shumënjohur se si popull ne shqiptarët nuk kemi patur raporte të lumtura me Shtetin. Ky është përpjekur të jetë sundues i tij dhe gjindja poshtë t’i bënte bisht, t’i dhelpërohej. Tani që i është hapur rruga për t’u mëkembur si strukturë e fuqi sa më shumë jashtë logjikës së sundimit dhe ndikimit të palëve akti i rehabilitimit dhe modernizimit të infrastrukturës së shërbimit të gjendjes civile sëbashku me këtë Kartë Identiteti përbëjnë një kumt shumë inkurajues.
Por pikërisht sepse gjendemi para një hapi të rendësishëm gjejmë moralisht të drejtën e shpalljes publike të një meraku. Jo të një paragjykimi. Mbase shqetësimi i hamendjes tonë ngjan me atë një njeriu, i cili “nga që u dogj nga qylli, i fryn edhe kosit”.
Meraku ka të bëjë me të quajturin precedent të skandalit të pasaportave. Kjo ngjarje shpërtheu kohë më parë si rrufe në një qiell të kaltër jo vetëm me temën e abuzimeve tenderuese, por edhe të mungesës së një niveli të lartë të sigurisë së kësaj pasaporte të prodhuar nga një firmë gjermane. Zhurrma për këtë skandal ka tash shumë muaj që është fikur dhe ngjarjet e bujshme të çdo dite e bëjnë akoma më tepër të shtyhet drejt harresës. Ne po e nxjerrim nga kjo humbellë me dëshirën që të mos përsëritet me Kartat e Identitetit. I thirruri skandal i pasaportave fillimin e vet e kishte pikërisht kështu si tani: gjithkund reklama për projektin e tyre modern, aq shumë të siguruar sa nuk do të mund të falsifikohej dot. Pastaj, ndërsa kontigjenti i parë i tyre mbërriti në Shqipëri, shpërtheu edhe debati. Ai vinte kryesisht nga mjediset e politikës. Konsumimi i ngadaltë i ngjarjes që kushtoi deri edhe burgimin e dy funksionarëve të lartë të Ministrisë së Rendit Publik, mbërriti dalngadalë gjer në shuarjen e tij. “Skandali” u fik, por problemet mund të konsiderohen të vepruesë edhe në të ardhmen. Infektuesë. Si viruset.
Sepse pasaportat e përfolura nëse ishin apo jo të realizuara me të gjitha siguritë e nevojshme për mosfalsifikim dëshmuan edhe tjetër gjë. Mundet që një pasaportë të mos e falsifikosh si material, por ta bësh këtë gjë me mbushjen e të dhënave të personit që e posedon. Si të thuash treguesit e ultrasigurisë nuk kanë aq shumë emergjencë tek lenda prej karte speciale e pasaportës, por tek njeriu që e ka në dorë ta mbushë me të dhënat rreptësisht të vetëm një individi real. Tashmë jo vetëm në një rast pasaportat me shumë sekrete sigurie dhe të përpiluara sipas standarteve të Bashkimit Evropian kanë rënë në duar njerëzish me identitet të fshehur e të ndërruar. Ky dokument i ri eurostandart nuk u kompromentua vetëm nga sulmet publike, por edhe nga realiteti i heshtur i çdo dite. Të qënit një pasaportë moderne nuk e pengoi një përpilues apo shpërndarës zyrtar të saj të arrijë t’ja fusë në xhep, me një emër tjetër, edhe një krimineli që kërkohet nga policia. T’ja sigurojë lehtësisht një tjetri që kërkon të ruajë të dhënat e para civile, të shtrembëruara thjesht se kur hyri si emigrant në Greqi u bë “Vasil” apo “Marie”. Me këtë pasaportë teknikisht të avancuar mund ta devijosh vendlindjen, vitet e moshës, fëmijët. Po deshe ndërron edhe babën e nënën. Mjafton që disa sekserëve apo punonjësve të pandërgjegjshëm t’u paguash nën dorë. Mirëpo pasaporta e re shqiptare u investua jo për të përmbushur formalisht një eurostandart, por që sipas rregullit dhe shpresës së përbashkët, të parandalonte dhe kufizonte në falsifikimet e identiteteve.
A mund të shpëtojë Karta e Identitetit nga i njëjti fat? Pra, jo vetëm nga një debat denoncues dhe akuza për shpërdorim detyre dhe abuzim tenderash. Mbi të gjitha nga mosfalsifikimi. Meraku natyrshëm është që krimineli i shumëkërkuar nga gjykatat apo policia të mos sigurojë sërish me lehtësi (apo edhe me vështirësi) një kartë identiteti me emër tjetër. Apo që edhe “Vasili” bashkë me “Marien” të mos mbetin po ashtu edhe me kartën e re. Këtij falsifikimi të fundit nuk ia prish planet edhe gjurma e gishtit e plastifikuar në të, sepse realisht mbetet i njëjti person fizik.
Duke mos dëshiruar jo vetëm një skandal të dytë, por as edhe një politizim të panevojshëm me dokumentin e dytë dhe paralel të pasaportës, Kartës së Identitetit, duam të nxjerrim në pah se mundësinë e kompromentimit të saj ende e kemi mes nesh. Ajo vegjeton në mospërputhjen e lartë të mentalitetit tonë administrativ dhe kombëtar me standartet e kulturës shtetërore. Vetë nisma për Kartën e Identitetit është në thelb një hap para, madje edhe rregulli i gjurmës së gishtit do të ndikojë si një lloj kufizimi për shpërdorimet. Por në rast se nuk kompletohet sa më shpejt të jetë e mundur me një stukturë e rrjet të sigurtë elektronik të gjendjes civile të të gjithë nënshtetasve kanosja e faksifikimeve dhe e skandaleve të mëpasshme, do të jetë reale..
Pasaporta është fytyra e një Shteti. Kështu mbetet edhe Karta e Identitetit. Me në xhep dy dokumenta identiteti të përfolura çdo shqiptar do të ishte mbartës i një imazhi pabesueshmërie. Ja përse kjo nismë e euroqytetëruar dhe tani për tani vetëm garë dizenjimi që grishet aq bukur nëpër faqet e gazetave apo nëpër qelqet e televizorëve, duhet t’i shpëtojë medoemos grackës së kompromentimit. Nga pjesa e llumtë që plluskon përreth nesh. Apo edhe nga simulimi i gjoja një skandali prej segmenteve të ndryshme të politikës, thjesht për nevoja të luftës së brendshme. Ekzekutimi i projektit për Kartën elektronike të Identitetit përkon me ballafaqimin zgjedhor.

Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com