Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

8 dhjetor 1990, dy ditelindje ne nje

“Ballkan”, 4 dhjetor 2005

Tashmë 29 nentori mbeti pas. Ditët e dhjetorit do të sjellin çështje të tjera për të mbajtur në majë të gjuhës, sigurisht edhe festa të tjera. Prej tyre politike është vetëm një, ajo e 8 dhjetorit, ditës së shpërthimit të Lëvizjes Studentore gjashtëmbëdhjetë vite më parë. Realisht ajo është një Ditë Çlirimi. Eshtë Çlirimi i dytë i Shqipërisë, çlirim i kryer ndaj një diktature të brendshme dhe ndaj një ideologjie globale të nismuar si utopi lirie shoqërore dhe të përfunduar si një robëri e mirëfilltë për çdo popull që e pëlqeu apo e zuri nën të. Ditëçlirimin nga pushtuesit fashistë mbi gjashtëdhjetë vite më parë, edhe pse e festojmë më së shumti të ndarë nga një njëzetë e katër orësh, e vlerësojmë në parim që të gjithë. Ditëçlirimin nga diktatura po ashtu, kush më dukshëm e kush më mefshtas, e respektojmë të gjithë. Mirëpo gjithkush nga ne e ka ndjerë dhe e ka parë se si njëra ditëçlirimi, ajo e Luftës së Dytë Botërore, përpiqet të anojë apo ta mëshojnë majtas dhe se si tjetra, ditëçlirimi nga realkomunizmi dhe Lufta e Ftohtë, peshon dhe e shtyjnë përherë e më shumë djathtas.
Politika autoritare apo edhe ajo e stilit egoist gjithnjë krijon ose mite ose pronësime. Kjo ndodh sepse vetëm nëpërmjet tyre paragjykon se ushtrohet më lehtësisht pushtet. Politika autoritare nuk qeveris, ajo urdhëron. Politika egoiste qeveris pak dhe përplaset e bën potere shumë.
Shumë festa nga para viti 1990 na erdhën nëpërmjet mitizimeve politike dhe arbitraritetit të pushtetit të gjithëpërqendruar tek Njëshi. Tanimë pothuaj askush nga të gjallët nuk kujtohet se që nga 25 gushti 1928 zyrtarisht për njëmbëdhjetë vite rresht u festua Dita e Mbretërisë. Ky ishte vullneti dhe urdhëri i Ahmet Zogut, i cili përkujtonte edhe ditën e quajtur Triumfi i Legalitetit. Kjo ditëfestë zyrtare shenonte rrëzimin dhe dëbimin e fanolistëve. Këto festa politike koha jo vetëm i harroi, por gati i shfarrosi. Tani të duhet për ditë me rradhë të gërmosh në ndonjë arkivë që t’i ndeshësh. Arkivimi i thellë dhe harrimi ndodhën edhe me çiftin bolshevik 7 dhe 8 nentor. Pluhuri i harrimit ra edhe mbi 11 janarin, të quajturën Festa e Republikës. Dihet që pas saj ishte fjala Popullore dhe më pas iu shtua edhe ajo Socialiste. Në kohën e formalizuar në kushtetutën e vjetër si “diktatura e proletariatit” përveç Vitit të Ri, i gjithë karvani tjetër festiv ishte i karakterit dhe i misionit politik. Por edhe festa pagane e Vitit të Ri, siç mund t’i kujtohet shumëkujt, nuk i shpëtonte politizimit. Rënia e këtij sistemi dhe rifillimi i jetës në një shoqëri të hapët e çliroi totalisht bashkësinë shqiptare nga mitet politike të festave dhe ato jashtë tyre u shumuan. U mpakën festat e ndikuara nga partitë. Tashmë ka mbetur vetëm një prej tyre: ajo e datës së 29 nentorit. Këtu politika derdhet e lëshon dallgë me tepri.
Ndërkohë shoqëria shqiptare, e cila sapo ka marrë frymë dhe është çliruar nga poterja e bërë për 29 nentorin, kalon butas dhe me pak rutinë e shkujdesje mbi 8 dhjetorin. Në histori fitojnë më të fortët dhe nuk mund të dyshohet aspak se një pjesë e komunistëve dhe e paskomunistëve hyjnë në racën e fitimtarëve, madje edhe në rastet kur nuk e meritojnë këtë fitore. Njëzetëenëntënëntoristët kanë të drejtën e vet për të luftuar për mbijetesën e festës dhe të identitetit të tyre, por ajo betejë plot zhurrmë dhe kengë e valle nuk duhet të mbysë zërin e 8 dhjetorit, ditës së shënuar kur nisi Lëvizja Studentore dhe bashkë me të nismoi pluralizmi, shoqëria e hapur, ekonomia e tregut, zhvillimi ekonomik i vendit. Sigurisht përkujtuesit e shumtë të 29 nentorit nuk duan të mohojnë 8 dhjetorin dhe poteren e bëjnë kur e drejta për këtë ditëfestë u ngacmohet nga politika apo një pjesë e historianëve. Shurdhimi i 8 dhjetorit nga pjesa dërmuese e festuesve të majtë nuk bëhet qëllimisht e posaçërisht për të mbajtur si kryedatë dhe simbol të vetëm të çlirimit 29 nentorin. E megjithatë ajo ndikon në kapërximin e 8 dhjetorit si një ditëfestë me status më të vogël se ditëçlirimi nga pushtimi fashist.
Këtu të gjithë ne duhet të çojmë gjer në fund vullnetin për ta korregjuar e mirëdrejtuar këtë situatë jo fort të drejtpeshuar. Tetë Dhjetori është çlirimi i dytë i Shqipërisë. Madje edhe kështu nuk është e formuluar saktë. Më 8 dhjetor shqiptarët realizuan çlirimin e tyre të vërtetë, të vetmin që nga shpallja e tyre e mëvetësisë. Në thelbin e vet racional nuk ka asnjë lloj ditëçlirimi pa sjell me vete lirinë. Kur nuk vjen liria dhe ditëçlirimi pasohet nga një robëri e re atëhere ai është një gjysëm çlirim. Eshtë një çlirim i lënë përgjysëm. Dhe 29 nentori apo 28-ta për disa të tjerë ka qënë njëlloj: një çlirim i bllokuar, i ndarë përgjysëm, një çlirim i kompromentuar. Vepra madhështore e ish-partizanëve dhe e një pjese modeste të nacionalistëve u kompromentua brenda po asaj dite dhe ca më tepër më pas. Në vitet që vijuan deri në 8 dhjetor 1990 ajo vepër historike u mbulua me turp dhe dështim. Në moskuptimin e kësaj të vërtete tek çlirimtarët e vitit 1944 rendojnë nostalgjia e natyrshme e dekadave të tëra dhe meraku njerëzor se mos mbi këtë faqe të Shqipërisë, sidomos nga kthinat e kolaboracionistëve të djeshëm, dalin ozurpatorë të rinj të cilët vendosin mohimin e sakrificës së tyre. Mirëpo nuk do të gjendet individ, grup i tyre apo parti që të mund tua mohojë bukurinë e gjestit patriotik që bënë. Por çlirimi i shqiptarëve nuk nisi dhe u mbyll vetëm me luftën antifashiste. Ajo përfundoi vetëm me luftën kundërkomuniste. Kjo betejë për liri u vonua për gati një gjysëm shekulli, por këtu përveç dramës për të gjithë dhe tragjedisë për dhjetra mijra të tjerë, nuk ka ndodhur ndonjë gjë që ka qënë me fat të hidhur vetëm për shqiptarët. Tradhëti të tilla u kanë ngjarë të gjithë popujve. Madje edhe administrimi i pluralizmit shqiptar, i historisë sonë pas vetë çlirimit tonë të vërtetë, 8 dhjetorit 1990, ka kaluar e kapërxyer disa kanosje që nga autoritarizmi i brendshëm, diversioni i jashtëm antishqiptar e deri tek armiqtë më të rinj të vendit, korrupsioni dhe krimi.
Më 8 dhjetor u mbyll akti i madh shumëdekadësh i çlirimit të vërtetë të shqiptarëve. Nëse simbolikisht më 29 nentor apo 28 nentor kemi përdorur të gjitha mjetet për ta nderuar e bërë të dukshme thelbin e ngjarjes së shënuar që mbartin, po aq shumë na duhet të spikatim kombëtarisht tetë dhjetorin. Nuk ka ditëfestë më të bukur dhe këtu nuk bëhet fjalë për të shtuar ditëpushimet, por për të gjetur të gjitha mjetet e lejueshme që kjo ditë të fitojë në ndërgjegjet tona statusin e kryedatës së lirisë.
Përveç vetvetes këtu kemi përballë edhe një nga anomalitë që krijon përherë zanati dinak i politikës. Ditëçlirimin si 29 nentor partitë e majta luftojnë ta ruajnë jo vetëm si një pjesë të të vërtetës së tyre historike, por edhe si një mundësi për të ruajtur elektoratin tradicional e që rezulton mjaft aktiv edhe përtej brezit të vetë ish-partizanëve. Në këtë terren partitë e djathta, pasi shkëputën një segment nga ish-partizanët, të cilët mbrojnë tezën e tyre se ditëçlirimi është vetëm 28 nentori apo kanë tezën “ejani të caktojmë një date tjetër”, kanë mbetur përtej barrikadës së shumicës së veteranëve të luftës çlirimtare antifashiste. Atë elektorat që e kanë humbur me betejën politiko-historike të 29 nentorit të djathtët e kompensojnë me pronësimin e 8 dhjetorit si ngjarje që e karakterizojnë si të nismuar prej tyre.
Kështu po na ndodh si me një lojë litari. Një gjysmë ditëçlirimi e tërheq majtas një pjesë e politikës dhe gjysmën tjetër djathtas pjesa rivale e saj. Pas politikushtruesve rreshtohet në anë të kundërta edhe një pjesë e shoqërisë shqiptare.
Filozofia tani është do të vijojmë të tërheqim apo të lëshojmë. Në rast se Kryeministri do të kishte caktuar zëvëndësuesin e tij apo një nga ministrat me reputacion tolerant tek të majtët që të bashkëshoqëronte, në emër të qeverisë, të gjitha festimet e tyre të lira të 29 nentorit, do të jepej një shenjë inkurajuese e mesazhit se ditëçlirimi nga pushtimi fashist dhe ditëçlirimi nga diktatura bolshevike duhet t’i afrohen njëra-tjetrës për t’u bërë, siç edhe janë në të vërtetë, një e tërë. I njëjti kumt afrimi i dy ditëve të shënuara mund ta vinte edhe nga opozita. “Natën e bardhë” ajo mund ta zhvendoste drejt 8 dhjetorit, ku dukej se rrinte më mirë.

Ylli Polovina





Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com