Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Kultura e vazhdimesise se Shtetit

Korrieri, 12 tetor 2005

Pak ditë më parë, saktësisht në orën tetë të mëngjezit, çast i njohur si orar i fillimit të punës në të gjithë administratën publike shqiptare, para kangjellave të një ministrie një burrë rreth të pesëdhjetave nisi t’i shoqëronte nëpunësit e porsaardhur me britmat “Ikni, zhdukuni, qërrohuni! Këlysha të …(përmendi emrin e kryeministrit të mëparshëm). Ka për t’ju hequr të gjithëve nga puna…(përmendi emrin e ministrit të ri)” Të gjithë këtë frazeologji, herë pas here të plotësuar nëpër të edhe me të shara gjithfarëlloj, ai e përsëriti disa herë, duke lëvizur përgjatë të gjithë gjatësisë së kangjellave para ministrisë. Shumica e atyre që po hynin ato çaste dhe të cilëve në mënyrë të vagullt po u drejtohej me fjalorin e tij, ishin femra. Askush prej të sulmuarve nuk i ktheu një fjalë, të gjithë ulën sytë dhe vijuan rrugën drejt zyrave të tyre. Ndoshta personin agresiv e gjykuan si të paekuilibruar mendërisht, mbase si të dehur që pagdhirë apo edhe si fatkeq, viktimë i ndonjë drame personale. Nëpunësit që u gjendën nën fjalët e vrazhda ulën sytë edhe sepse kjo çështja e vendeve të punës në administratën publike pas ndërrimit të kahjeve politike të qeverive akoma përbën një gjysmëkllapi për shumë nga nëpunësit dhe ata gjejnë më të udhës t’i shmagen me çdo mënyrë çeljes së kësaj teme. Ai, pesëdhjetëvjeçari që shante e kërcënonte me pushim total të të gjithë punonjësve të një ministrie mund vërtetë të ketë qënë një njeri me ekuilibër psiqik të tromaksur, por kohën dhe vendin ku të bërtiste e kishte gjetur tamam. Se ndryshe mund të zbriste në ndonjërën kembë të urave të shumta të Lanës dhe atje të shqiptonte lirisht mllefin e tij.
Ka përreth një klimë të përshtatshme për të stimuluar biseda të shumta se çfarë do të ndodhë këtë vjeshtë e më tej, nëpër dimër, me mjaft punonjës të shërbimit publik. Hamendjen, dyshimin dhe thashethemnajën e madhe e çon përpara edhe shtypi i ditës, i cili herë është vetë kurioz të marë vesh ndonjë gjë dhe herë përton të shkojë deri tek Kryeministri i ri apo t’i marë me rradhë ministrat e prefektët e porsaemëruar dhe t’i pyesë, duke u kërkuar një përgjigje të qartë. Në mungesë të kësaj kembënguljeje publike nëpër eter qarkullojnë më shumë fjalë alarmuese se deklarata orientuese. Dikush shprehjen “nuk do të ketë pushime masive” e interpreton se kështu mund të jetë i hapur shtegu i pushimeve pjesë-pjesë. Një tjetër deklarimin “çdo vend pune është i konkurueshëm” e kupton si praktikë të mirëfilltë pasigurie. Idetë se do të ketë ritestime e riprovime nëpunësish disa i komentojnë si mënyra të tërthtorta për zëvendësime. Projektet akoma jo të bëra publike të ristrukturimeve keqkuptohen si sofistikim i mënyrave të larme të largimeve. Ndërkohë deri tek opinioni kanë mbërritur, për fat, edhe disa deklarata qetësuese se me qeverisjen e re nuk do ta kenë mirë vetëm të korruptuarit dhe se nuk do të zbatohet, në politikën e personelit, asnjë kriter politik apo partiak. Se nuk do të ketë shkelje të Statusit të Nëpunësit Civil. Kurorë vezulluese mbi të gjitha kumtet e mira për administratën publike rri ajo e ministrit të Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, Bujar Leskaj, i cili deklaroi se e kishte për nder të vazhdonte të punonte me drejtorët e mëparshëm të Muzeut Historik Kombëtar, të Teatrit të Operës dhe Baletit, të Bibliotekës Kombëtare.
Sigurisht një situatë si e jona pasigurie e paqartësie në të gjithë piramidën e administratës publike nuk vihet re në momente të ndërrimeve të partive politike në qeverisje në vende të ndryshme perëndimore. Ne kemi vetëm pesëmbëdhjetë vite jetë të tipit shumëpartiak dhe duhet të pranojmë se gjithçka që po ndodh është peng i kësaj kohe të shkurtër. Ky defekt i kohës së nevojshme për t’u rritur e ka shoqëruar edhe shtetin shqiptar. Ky ende nuk ka mbushur një shekull dhe vetëm më pak se njëzetë vite i ka përjetuar në pluralizëm. Ja përse tek ne gjen akoma me bollëk mendësi që nuk dinë të dallojnë Shtetin nga Qeveria. Kurse ata që nuk ndajnë dot pjesën politike nga ajo teknike e teknokrate e një administrate publike janë një shifër që hë për hë duket e frikshme. Nuk kanë të mbaruar njerëzit që të pyesin çdo ditë nëse akoma je në punë. Akoma jo pakëve nuk u duket normalitet që, edhe pse në qeverisje ka një grup të ri partiak, ti akoma punon. Habiten përse nuk ke ikur. Pra që nuk të kanë hequr.
Në këtë bllokim të arsyes, në këtë ngërç të saj, kanë ndikuar thellë edhe dramat kombëtare që kemi hequr. Periudhat tona totalitare ose e kanë nepotizuar maksimalisht administratën ose e kanë politizuar rendë atë. Pjesa teknike e saj, e quajtura “masa gri”, nuk është mëkembur kurrë në Shqipëri. Jo sepse përgjatë periudhës zogiste dhe asaj realkomuniste nuk kishte teknicienë të zotë, mjeshtra profesionesh dhe dhuntish. Kishte madje boll, por mbi kriteret e përzgjedhjes sundonte praktika e përkatësisë krahinore e fisnore, besniku personal, i ideologjizuari dhe i doktrinuari me sloganin “për Partinë jap jetën”.
Çasti për ta plazmuar për herë të parë e krijuar këtë “masë gri”, pra këtë burokraci pozitive, lindi me rënien e diktaturës puniste dhe nisjen e gjithëpërpjekjes për të krijuar një shtet sipas modelit të Bashkimit Evropian. Kështu në vitin 1992, me ndërrimin e plotë politik të qeverisjes, iu çlirua plotësisht rruga këtij rindërtimi të trurit menaxhues të shtetit. Ky rindërtim pati rezultatet e para, por jo njëherë u konceptua edhe si ndërtim pas një shkatërrimi, si fillim nga kuota zero. Për pasojë në disa raste ai u krye me thyerje të plotë të shtetit të vjetër. Për këtë qëllim u krijua edhe një nen i veçantë, 24/1, i cili mbuloi me justifikim ligjor deri edhe purga të mëdha të administratës. Pastaj ndodhën ato që ndodhën dhe Shqipëria pak nga pak, mjaft mundimshëm, u përpoq në këta pesëmbëdhjetë vite ta krijojë administratën e vet teknokrate. Tanimë, në këtë fund të 2005-tës, ndërsa një kabinet i ri qeveritar ka filluar punën, kjo “masë gri”, edhe pse modeste dhe në minorancë, ekziston, dëshiron të rritet dhe të ruajë statusin e saj. Në rast se për qytetet historikë të Gjirokastrës apo të Beratit trokasim gjer në UNESKO për t’i marrë në mbrojtje, për këtë fillesë teknokrate të administratës publike shqiptare duhet të mos vonojmë për ta shpallur që nga Tirana në Bruksel po ashtu si pasuri kombëtare. E kundërta, indiferenca apo mosvënia re me qëllim e kësaj risie, do të na rikthente humnershëm mbrapa, në modelet revolucionare të thyerjeve të shtetit sa herë që pluralizmi sjell në qeverisje një parti të re apo grup të tyre. Po të rindodhte kjo do të ishte më kuitëse ajo shprehje dëshpëruese, kaq herë në majë të gjuhës së bashkëkombasve: “Ne nuk kemi shtet”.
Ka ardhur koha ose më saktë ne shqiptarët kemi sjellë kohën kur mund të flitet dhe zbatohet vendosmërisht politika e “vazhdimësisë së Shtetit”. Kur presidentët Meidani dhe Moisiu bënë ceremoninë e dorëzimit të institucionit deklaruan para bashkëkombasve të tyre pikërisht këtë mesazh: Shteti vazhdon. Kur në secilën ministri për titullarin e ri u përgatit për t’iu dorëzuar simbolikisht një libër me të gjithë punën e kryer më parë, kjo donte të thoshte: Shteti vazhdon. Kur opozitë dhe pozitë gjatë dy mandateve të mëparshëm votonin me konsensus për mbrotjen e Kosovës nga dhuna millosheviçiane apo miratimin e të gjitha ligjeve për realizimin e eurointegrimit, nuk bënin gjë tjetër veç deklaronin: Shteti vazhdon. Kur kohë më parë, pas 3 korrikut, bashkë me ministrat u dorëhoqën pa zhurrmë dhe qetësisht këshilltarët dhe i gjithë stafi i emërtesës politike, ideja ishte e njëjtë: Shteti vazhdon. Asnjëherë më parë nuk ka ndodhur kështu dhe kjo gjë nuk i duhet lënë shpërfilljes dhe harresës. Sepse më në fund, përveç konsolidimit të kulturës së kalimit paqësor të pushtetit, ishte kuptuar edhe vetë thelbi i vazhdimësisë së shtetit modern. Në teorinë dhe praktikën e modelit demokratik të tij ky shtet ka rregullin e rreptë se partitë që ndërrohen në kabinetet qeveritare janë elementë të përkohshëm, kurse administrata publike jo. Ajo është afatgjatë. Në këtë model po ashtu është rregulli se kjo administratë në mënyrë të padiskutueshme ka për mision të ndihmojë titullarët e emërtesës politike të realizojnë ndryshimin që ndodh me fitoren në zgjedhjet e lira të një programi të caktuar partiak. Kanë apo nuk kanë ide apo përkatësi të ndryshme politike, pjesëtari i “masës gri” në punën e tij në administratën publike duhet të jetë politikisht një masë neutrale. E pandikuar. Të gjitha ligjet moderne pikojnë këtu, tek pamundësia e individit që në një zyrë shërbimi për qytetarët t’i shërbejë vetëm një apo disa partive të veçanta. Këto ligje po ashtu nguliten tek ndalimi i partive politike të influencojnë anësi tek kjo teknokraci. Ne jemi vërtet në fillim të zbatimit të këtij pakti, por kjo nuk përbën pretekst për ta shkelur. Jep një arsye më shumë për ta forcuar.
I gjithë ky arsyetim nuk hap shteg që të bëhet sikur roli afatgjatë i administratës publike do të thotë patjetër garantizëm. Pra se automatikisht gjithsecili me statusin e këtij nëpunësi nuk mund të lëvizë nga vendi. Po nuk u shkund të kuptojë misionin e tij në shërbim të vetëm qytetarit ai mund e duhet të lëvizë. Në strukturën e shtetit modern administratat konsiderohen edhe “kantjerë të transformimit”. Quhen edhe “reformuesë të shoqërisë”. Përshembëll po nuk u vetperfeksionua profesionalisht, po nuk vetreformua mendërisht dhe po nuk u vettransformua si mundet një administratë publike të vërë në jetë një aksion reformimi të drejtuar nga një program i ri politik? Në rast se nismon dhe çon më tej një spastrim të saj nga mola e “konfliktit të interesit” apo nga korrupsioni, kjo është jo vetëm një kufizim i drejtë i psikologjisë frenuese të garantizmit, gjithnjë fole e dembelëve dhe e përfituesve, por edhe një kontribut për konsolidimin e arritjes e mendësisë demokratike se partitë ndërrohen, por Shteti vazhdon.
Një “Revolucioni Marrshon”, po të rikendohet tani, është një muzikë kaq shumë e vjetër!


Ylli Polovina







Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com