Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Jo nje Vit te Ri me barot

Korrieri, 7 janar 2005

Mënyra se si ne kremtuam festën pagane të Vitit të Ri edhe kësaj rradhe nuk kaloi pa ndonjë qortim. Ajo që u vu në dukje nga mjaft vëzhguesë mediatikë apo studjues të zhvillimeve shoqërore vendase kishte të bënte me fishekzjarret dhe raportet e shqiptarëve me to. Në një farë mënyre disa probleme me to në ndërrim të viteve kanë edhe popuj e bashkësi më të zhvilluara se ne. Dhe këtu nuk e kemi fjalën, përshembëll, për një pjesë të italojugorëve e veçanërisht për napolitanët. Kësaj rradhe prodhimet e tyre ilegale të fishekzjarreve patën në krye të shpikjeve një mbushje të madhe, të cilën e quajtën “Sadam”.
Plasëse të jashtligjshme gjeti edhe policia franceze. Këto mbushje thirreshin “Pirati”.
Për fat në Shqipëri nuk ekziston pasioni për të prodhuar ilegalisht “fishekët” e zjarrtë të festimit të Vitit të Ri. Tregu është i vogël, fishekzjarret që vijnë nga Kina janë me kosto shumë të lirë. Ndërkohë kush ka dëshirë për shpërthime të bujshme si ato të “Sadamit” apo “Piratit” mund t’u drejtohet të quajturave shashka, toptha shpërthyesë mësimorë të Ushtrisë Shqiptare të para vitit 1997. Të plaçkitura gjithkund nga depot e armatës sonë në ngjarjet e këtij viti të fundit, ato ende nuk kanë të mbaruar.
Problemi i shqiptarëve, duke mos qënë rreziku nga mbushjet e mëdha e të rrezikshme, është tjetër gjë. Zhurrma e pandalur, tromakja e njerëzve, ankthi i pafund, stresi shtypës, pasiguria e përgjithshme. Ky përdhunim i madh i shumicës sonë, që nuk është shkaktare, por viktimë e kësaj shkeljeje flagrante të rregullave më elementare të të jetuarit, nis me mbushjet fare të vogla, me kapsollat. Plasja e tyre kryesisht nga fëmijët nisi që në javën e fundit të nentorit. Pra më shumë se një muaj më parë se të mbërrinte festa pagane e ndërrimit të viteve. Ajo vijon edhe tani, ndërsa ka nisur java e dytë e pas Vitit të Ri. Këto kapsolla shurrdhuese i shpërthejnë në rrugë, në shkallët e pallateve, poshtë dritareve, në katin e parë apo të dhjetë, nga e hëna në të hënë, nga mëngjezi herët deri tek mëngjezi pasues. Anarkia jonë tipike nuk ka dëshmi më të lakuriqtë se të gjithë këtë shfaqje joqytetarie dhe parespekti për jetën e të tjerëve. Nuk ka pamje më autentike të vrazhdësisë së shumë prej bashkëkombasve tanë, të qytetërimit të tyre akoma mjaft të ulët e problematik. Për të mos thënë se me tregues të tillë të vlerësimit të rregullave publike mbetesh jo vetëm jashtë dyerve protokollarë, por edhe realë të Bashkimit Evropian, ku “Sadamë” dhe “Piratë” këtu apo atje mund të prodhohen e tregëtohen ilegalisht, por kurrkush nuk i shpërthen ato për afro dy muaj rresht. Në këto vende mbarësisht të qytetëruara nuk shkaktohet dot asnjë fije zhurrmë në orët e pushimit të drekës, kurse pas orës njëzetë e një përpjekja më e vogël për të shqetësuar deri edhe me ndonjë zë të lartë fqinjin mund të të kushtojë mbërritjen e policisë për të të gjobitur në vend.
Përdhuna që shoqëria shqiptare dhe shumica e saj e lenduar kaloi këtë Vit të Ri, duke mos patur të bëjë thjesht me krismat e kapsollave apo me flakërrimat e fishekzjarreve, nuk përbën aq problem për zhurrmën që kjo pakicë agresive prodhon. Si bashkësi, përfshi edhe pjesën më të kultivuar, ne shqiptarët prodhojmë zhurrmë sa për disa popuj sëbashku. Ajo nis që me tonin e të folurit në një bisedë të zakonshme. Por në rastin e raporteve tona me fishekzjarret dhe Vitin e Ri ajo që mund të kategorizohet si shqetësim i madh për sot e të ardhmen ka të bëjë me marrëdhëniet tona me barotin, lendët shpërthyese dhe vetë armët. Në thelb ka të bëjë me pushkën. Vitet e rinj që po kalojmë duket sikur ngjajnë gjithsecili nga pak me katrahurën e 1997-tës. Ato simbolikisht janë disa “97”-ta të vogla. Disa kopje të buta të saj. Statistikat për pak të plagosur gjatë festimit të stërgjatur të ardhjes së vitit të ri 2003, 2004 apo 2005 e ca më tepër entuziazmi se nuk pati asnjë të vdekur, nuk ka të bëjë fare me thelbin e dukurisë. Statistikat ndonjëherë numurojnë gjithçka, por jo të tromaksurit tashmë kronikë. Ata që tani tremben edhe kur kërcet ndopak porta e shtëpisë. Ata që shohin akoma me ankth ballkonin apo dritaren e fqinjit, prej ku ditë të tëra u voll drejt qiellit dhe rrafsh me tokën zjarr baroti kinez.
Më 3 dhe 4 janar në zemër të Tiranës, në Sheshin Skenderbej, aty ku vërtitet një karusel i madh për të zbavitur fëmijët e vegjël, turma tregëtarësh ambulantë shisnin tufa të tëra fishekzjarresh. Ata që i blinin i konsumonin menjëherë. Shpërthimet, ndërsa prindër e vocrrakë përpiqeshin t’u gëzoheshin lodrave, ndodhnin mezatarisht çdo njëzetë sekonda.
Tashmë e keqja e paqytetëruar rrezikon të fitojë “qytetarinë” dhe të bëhet traditë. Një vit më parë sekuestrimet e policisë për këto mallra me tepricë apo edhe kontrabandë ishin shumë më aktive se kësaj rradhe. Më frenues ishte kundërshtimi i zyrave të caktuara të shtetit apo edhe më qortues qëndrimi i mjaft mediave. Kësaj rradhe marrëzia që kaluam u ndje më e papenguar. Nuk dihet nëse kjo gjë ndodhi prej çinteresimit të paqëllimtë apo për të lejuar maksimalisht pamjen e një gëzimi të madh popullor. Kurse korregjimi i kësaj të mete të madhe kombëtare duhet të futet në objektivat e dorës së parë të komunitetit tonë. Vetë shteti duhet të ndihet i përdhunuar. Të paktën për faktin se të gjitha koncertet që me nismën dhe shpenzimet e tij u organizuan në mbarë Shqipërinë u prishën prej zhurrmave të shashkave dhe flakërrimave të tubave fishekzjarrhedhës.
Një thënie popullore e një patrioti të shquar rilindas nga trevat tona veriore plot një shekull më parë formulon se “shqiptarin nuk e ka lindur nëna prej barkut, por huta prej çarkut”. Huta është një lloj pushke. Një poet dhe patriot i madh kombëtar nga jugu i Shqipërisë në një poemë të tij ka shkruar se pushka në sup të shqiptarit është vazhdim i shtyllës së tij kurrizore. Një rregjim njëgjysëm shekullor nguli kembë se populli ynë e kishte çarë historinë me shpatë dhe se “socializmin” po e ndërtonte me “në një dorë kazmën dhe në tjetrën pushkën”. Gjatë vitit 2004 mes shumëve prej nesh nuk u fsheh por u citua me kryelartësi se zotëronim pushkën automatike që kishte vrarë Musolinin. Po ashtu se ruanim edhe automatikun e nipit të një hierarku të lartë hitlerian. Në dyqanet tona më shumë se libra shiten pistoleta prej plastmasi dhe “ushtarë” me automatikë.
Një shekull më parë pushka na duhej më shumë se kurrë për të fituar pavarësinë, në fillim të viteve dyzetë po ashtu për të mbrojtur lirinë. Më pas na është dashur shumë pak. Aspak në vitin 1997. Pushka, baroti dhe pasioni kombëtar për shpërthimet apo të shtënat zjarrhedhëse u farkëtua nga një nevojë historike për të mbijetuar si komb. Tani këto rrethana prej kohësh nuk ekzistojnë. Ka ardhur çasti që në mënyrë qytetare të ndahemi me pushkën dhe me gjithfarë retorikash patriotike të sajuara me të. Ta bëjmë këtë si popull që di ta kuptojë kohën e ta vlerësojë jetën e tij. Revizionimi i qendrimit tonë ndaj pushkës do të na çojë në atë ditë fatlume të një 31 dhjetori, ku fishekzjarret kryesisht do të hidhen në mënyrë të organizuar nga shteti dhe qytetarët do të shëtisin e ndjekin të qetë, para dhe pas mesnate, koncertet live.


Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com