Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Dy 8 Nentore

Korrieri, 7 nentor 2005

Njëri dihet, ka të bëjë me ditëthemelimin e Partisë Komuniste Shqiptare, më pas për afro një gjysëm shekulli Partia e Punës. Ka qënë partia e vetme, moniste, e cila drejtoi e qeverisi Shqipërinë gjer në falimentin e plotë të saj. Ajo shpalli publikisht e vendosi një regjim diktature dhe në shoqërinë e kontrolluar rreptësisht prej saj përkujtimi i përvitshëm i 8 nentorit 1941 organizohej si një kryefestë kombëtare. Pikërisht prej kësaj potereje të madhe propogandistike për veten Partia e Punës mbajti të fshehur apo fort të mënjanuar një ditëngjarje tjetër binjake, 8 nentorin e vitit 1462. Këtë ditë një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Gjergj Kastriot Skënderbeut, peshkopi i Durrësit Pal Engjëlli, shkroi në gjuhën shqipe Formulën e Pagëzimit. Ajo ka patur formën “Unte paghesonte premnit Atit et birit et sperit senit\", që, edhe pse është mjaft e qartë për lexuesin, e përsërisim në shqipen moderne me formën “Unë të pagëzoj në emër të Atit, të birit dhe të shpirtit të shenjtë“. Sipas të gjitha teksteve historike dhe letrare të botuara në vendin tonë, përfshi edhe kohën e tejshkuar të realsocializmit, kjo ngjarje është trajtuar jo vetëm spikatshëm, por pse jo edhe me një lloj krenarie për të provuar vjetërsinë e traditës së shkrimit shqip. Nuk mund të fshihet fakti që regjimi punist e rilevoi fort këtë dëshmi dhe nuk u tut nga paragjykimi i tij rreptësisht antifetar dhe veçanërisht i kundërkrishterë. Ai ngjarjen fatlume për vlerat e saj unike historike dhe kulturore ja bëri të ditur të gjitha brezave, e futi në të gjitha librat mësimorë të të gjitha llojeve të shkollave. Diktatura nuk iu fsheh të vërtetës shkencore se Formula e Pagëzimit është një frazë e vogël dhe modeste në shqip, e cila gjendet në mes të një letre qarkoreje prej 37 faqesh, e gjitha në gjuhën e Kishës Katolike, në latinisht, ku arqipeshkvi i famshëm i Durrësit, Pal Engjelli, e ka bërë publike dhe lëshuar për ekzekutim në të gjithë hapësirën e argjipeshkvisë së tij si edhe të ipeshkvisë së Lezhës. Po ashtu regjimi i tejshkuar realsocialist nuk çensuroi nga asnjë botim historik dhe vepër e studjuesve tanë hollësinë se këtë letër qarkoreje Pal Engjëlli e ka lexuar e para trupës së të gjithë klerit që varej prej tij, të mbledhur në kishën e Shën Trinisë së Matit. Arsyeja e bërjes publike dhe e tërheqjes së vëmendjes për zbatim ishte se ai kishte bërë një vizitë baritore në të gjithë arqipeshkvinë e tij dhe kështu kishte konstatuar disa të meta, korregjimin e të cilave e kërkonte sa më të shpejtë.
Asnjë studim i shkencëtarëve tanë të historisë apo gjuhës, edhe pse jetuan në regjimin e vetëm më ashpërsisht ateist në botë, nuk është çensuruar në të drejtën e tyre për t’i transmentuar opinionit publik faktin se Formula e Pagëzimit e përkthyer në shqip ishte bërë posaçërisht nga Pal Engjëlli për të kryer një akt të rëndësishëm fetar kristian, atë të pagëzimit të një fëmije të porsalindur. Arqipeshkvi i Durrësit me këtë rast udhëzonte dhe lejonte që përkundër traditës së hekurt e të mbyllur që kjo formulë të shqiptohej në latinisht, në rast nevoje, duke qënë se ishte edhe kohë luftrash me pushtuesit osmanë dhe jo të gjithë arbërit kishin mundësi ta kryenin pagëzimin në një kishë, ta bënin këtë gjë vetë prindërit e të porsalindurit. Mjaftonte të thoshin “Unte paghesonte premnit Atit et birit et sperit senit\".
Në regjimin punist nuk është hequr e shkurtuar asnjë rresht nga konkluzionet e shumta të studjuesve tanë, të cilët me të drejtë këtë ngjarje e kanë cilësuar deri edhe si një akt të madh të rilindjes shpirtërore të shqiptarëve. Diktatura me huqet e fajet e saj të shumënjohura nuk ka ndërhyrë aq shpesh dhe as fort në mënyrë drastike në kumtimin e idesë se Formula e Pagëzimit ka qënë një dëshmi autentike e shqiptarëve në konfirmimin e tyre të përhershëm në orientimin kulturor evropian. Atëhere çensurohej e fshihej jo prirja kulturore, por ajo politike e shqiptarëve drejt sistemit të vendeve demokratike të eurokontinentit. Kjo dihet masivisht dhe mund të kuptohet lehtë përderisa punizmi ishte frut i hidhur i një regjimi të mbyllur bolshevik. Ajo që jo nga të gjithë dihet është fakti se Pal Engjëlli aktin e tij të jashtzakonshëm për lejimin e përdorimit në gjuhën shqipe të Formulës së Pagëzimit, atje në kishën e Shën Trinisë së Matit, para të gjithë klerit, e ka kryer më 8 nentor. Pikërisht ky 8 nentor i dytë është mbajtur fshehur për gati një gjysmë shekulli. Në është botuar në ndonjë cep studimi, në ndonjë rast tepër të rrallë, kjo i ka shpëtuar vëmendjes së çeliktë të diktaturës së kohës. Ajo nuk mund të lejonte e toleronte një tjetër 8 nentor. Madje edhe sikur të kishte të bënte me një ngjarje që përputhej me zakonet radikale të regjimit. Ndërsa t’i bëhej lëshim një 8 nentori që mbartëte me vete rinovimin e një shërbesë të rëndësishme fetare as që mund të merrej me mend. Ca më tepër që ky rit ishte katolik, fe e shpallur atë kohë si furishëm antikomuniste. Punizmi ishte fort i zgjuar për të financuar një kryevepër kinematografike si filmi “Nëntori i Dytë“, pra 28 nentori i dytë, kur bëhej fjala për ripërsëritjen e bukur dhe mjaft simbolike të shpalljes për herë të parë të shtetit të pavarur shqiptar në po atë datë që Skënderbeu kishte ngritur flamurin e tij të lirisë në Krujën e çliruar nga pushtimi perandorak osman. Diktatura ishte gati që të bënte edhe një 28 nentor të tretë, duke tentuar në fillim ta organizonte çlirimin e Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore pikërisht në këtë datë. Pastaj siç dihet, në rrethana shumë të diskutueshme dhe që ende pas vitit 1990 shkaktojnë debat, përzgjodhi 29 nentorin.
Por ndërsa me 28 nentorin kishte të ngjarë të tentohej, po të ishte nevoja, edhe një përsëritje e katër propogandistike e saj, për 8 nentorin, “ditëlindjen e partisë“, pra të vetvetes, Partia Komuniste Shqiptare, më pas e Partia e Punës, nuk bëri asnjë hap përsëritjeje, rishfaqejeje. Asnjë ngjarje tjetër me rendësi nuk mund të kryhej apo përkujtohej këtë ditë përveç aktit të themelimit të saj.
Ja përse u shfarros nga të gjitha tekstet mësimore të regjimit të tejshkuar dhe nuk u rilevua pothuaj kurrë në librat e studjuesve fakti që akti i madh rilindas i Pal Engjëllit, prova më madhështore e shkrimit të parë shqip, është kryer në një 8 nentor. Nuk do ta gjeni dot këtë datë të vendosur gjer edhe në Fjalorin Enciklopedik të kohës. Për fat të trishtë ky 8 nentor i bukur, i jashtzakonshëm për historinë e kulturës sonë të palëkundur europiane, me shenjën e mirë të një fati të mbarë për orientimin tonë drejt integrimit në BE, nuk gjendet apo citohet tepër rrallë edhe në librat mësimorë të shkollave tona të tanishme. Sigurisht është thjesht rutinë, pasojë e një tradite negative dhe pjesë e vazhdimësisë së gropës që na ka lënë pas diktatura. Mirëpo regjimit të tejshkuar nuk duhet ta lëmë kaq të gjatë litarin e nxjerrë qëllimisht prej saj nga varri.
Sepse në fund të fundit nëqoftëse komunistët e parë shqiptarë, të cilët gjithesi nuk ishin tamam po ata që u shndërruan më pas tek instaluan një pushtet personal, nuk mund ta organizonin ditën e shpallje së themelimit të partisë së tyre më 8 nentor posaçërisht në përkujtim të gjestit çlirues të Pal Engëllit, nuk la lejohet tani ne ta mbajmë ngjarjen në gjysmë rutinë e moskokëçarje. Tetë Nentori 1462 i ka të gjitha treguesit e një dite të madhe të shqiptarëve. Këtu nuk e kemi fjalën thjesht për rëndësinë e pamatë gjuhësore të ngjarjes, as atë fetare për të bërë të panevojshmin theksim se krishterimi ka qënë themeli i parë e i fortë i kulturës sonë shpirtërore. Aktin e shquar të përhapjes në shqip të Formulës së Pagëzimit e ka kryer një nga bashkëpunëtorët e bashkëluftëtarët më të afërt të Gjergj Kastriot Skënderbeut. Arqipeshki Pal Engëlli ka qënë një kryediplomat i heroit tonë kombëtar dhe për për të dhe Arbërinë ka kryer misione nga më të vështirat në Raguzë, në Napoli dhe Romë. Pal Engjëlli, ky njeri ndër më të diturit e kohës dhe i pajisur si rrallë bashkëkohës me kulturë humaniste, ka qënë gjeniu i zbutjes dhe mbylljes së konflikteve apo pakënaqësive që aleatë të Skënderbeut, veçanërisht Dukagjinët e fuqishëm, kishin me të dhe Lidhjen Shqiptare të dalë nga Kuvendi i Lezhës më 1444.
Ky klerik i lartë i krishterë, i cili kreu aktin e madh revolucionar të përdorimit në gjuhën shqipe të Formulës së Pagëzimit dhe njëkohësisht ishte kryeluftëtar për lirinë e shqiptarëve, nuk mund të ndahet nga ky 600 vjetor përkujtimi për Gjergj Kastriotin. Pal Engëlli bashkëjetoi dhe bashkëluftoi me Skënderbeun. Eshtë pjesë e pandashme e kësaj epopeje.
Pjesë e kësaj epopeje është edhe 8 nentori 1462 ose 8 nentori i parë, ai që për hir të një 8 nentori tjetër, të dytë, është harruar për t’u rilevuar si ngjarje e madhe kombëtare e të gjithë shqiptarëve. Ta gdhendesh këtë datë në piedestalin e një monumenti, shkruar ashtu siç paraardhësit tanë, ndërsa luftohej për t’u vetmbrojtur nga pushtimi i huaj, ua shqiptuan fëmijëve të tyre të porsalindur (“Unte paghesonte premnit Atit et birit et sperit senit), nuk do të ishte një dëshmi pasioni fetar, por dashurie për lirinë e vërtetë.



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com