Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Kujt t\'ja ndezim qiririn?

Ballkan, 16 nentor 2005

Furnizimi i shqiptarëve me energji vijon të jetë çështje e dorës së parë, madje problem ekskluziv, vetë kryeproblemi. Se si arritëm të prodhojmë në vitin 2005, me vetë duart tona, një gjendje të jashtzakonshme, kjo hyn në një temë që nuk do të mungojë të fiksohet si një ngjarje shumë e rendë në historinë tonë kombëtare. Përveç disa emrave të përveçëm, indentifikimi i të cilëve deri tani po kryhet mbështetur vetëm mbi kritere politike, ajo që na ndodhi dhe akoma është në zhvillim, tamam si një infrakt zemre në proçes, ka të bëjë me një e metë të madhe, me një defekt shumë serioz: me mënyrën se si akoma tek ne realizohet konkurenca partiake.
Sepse furnizimi detyruar i popullit me korent, duke patur të drejtën të jetë një temë kryesore e debatit mes partive, deri tani ka vijuar të ekzistojë dhe veprojë edhe si një mjet i ndeshjes së tyre. Energjia elektrike tek ne është përdorur edhe si armë partie. Si mënyrë për ta luftuar e rrëzuar rivalin politik. Ajo që ne po përjetojmë, këtë situatë të padëgjuar jo vetëm në Evropë apo Ballkan, është pasojë e drejtpërdrejtë e kulturës së tanishme partiake, e cila akoma e bën rrokjen trup me trup atje ku nuk i lejohet rreptësisht. Politika moderne mund të jetë edhe ca teatër, por nuk ka stilin e atij kaobojsi, i cili hyn në një klub të gëlltisë një gotë pije apo bëjë një dorë letre dhe pastaj, i nervozuar me një klient tjetër, i vërsulet atij me tavolinat, karriget apo sendet e tjera të barit.
Partitë konkurojnë për të marrë të drejtën e përkohshme të qeverisjes së një populli për të na siguruar mirëqënie më të lartë e jo fundosje në prehistori. Kabinetet e ngritura prej tyre kanë për detyrë të na sigurojnë standarte më të ngritura të punës dhe jetesës, jo më të mungojë drita apo uji. Standarti i korentit apo ujit njëzetë e katër orësh nuk ka të bëjë fare me kërkesat e larta të Bashkimit Evropian, ato kualifikohen si standartet bazë të jetesës së një populli, madje edhe një gjysëm shekulli më parë. Aq elementare janë këto sa nuk gjen edhe tek ne një parti që t’i shpallë si premtime elektorale. Kur u zhvillua, nëpër flakërrimën e fishekzjarreve, beteja e gjatë e 3 korrikut askush nuk u angazhua që të kemi ujë apo dritë për njëzetë e katër orë. Dhe nuk bënë keq, jo sepse do të bëheshin objekt humori, por sepse votuesit dhe partitë politike e kuptojnë se gjer në atë fatlumë ditë, për shkak të një trashëgimie të rendë, na duhet normalisht edhe ca kohë. Mirëpo kjo që ndodhi e vijon, kjo krizë e rendë energjie elekrike prej të cilës po dilet me vështirësi, ka të bëjë me një shkelje fragrante të këtij pakti mirëkuptimi parti e popull.
Ja ku mbërritëm, për të disatën herë, pothuaj tek vetë ekzistenca. Sepse në vitin 2005 e gjithë jeta e një shqiptari është lidhur me energjinë elektrike. Kur nuk ke energji gjithë ditën apo e merr atë vetëm në disa orë gjatë mbrëmjes apo natën detyrimisht nuk ke edhe ujë. Shumica e shqiptarëve e marrin atë me elektropompa. Kur nuk ke korent njëzetë e katër orë për njëzetë e katër edhe çmimi i bukës do të tentojë të shtrenjtohet, edhe pse furrtarët tanë dalin se janë disa tregëtarë të vegjël zëmërbardhë dhe nuk shkojnë menjëherë deri tek shtrenjtimi. Kur të japin korent “me triska” jo vetëm të rikthejnë në imazh vitesh pas lufte, por të çojnë tek pragvdekja e dijes dhe e zhvillimit. Pa energji elektrike jo vetëm nuk lexohet një libër dhe nuk shihet një tv, por nuk hapet për punë edhe asnjë kompjuter. Mirëpo ky është shekulli i tij, jo i triskave.
Nuk ka në Ballkan stinë mirëfilli të thatë, absolutisht. Ka thjesht në situatë të zgjatur me mungesë shirash, e cila nesër mund të shndërrohet në një thatësirë. Mes kësaj klime të gjithë vendet e Ballkanit rezultojnë se jo vetëm kanë për veten e tyre, por edhe shesin energji. Në janë ngritur disi çmimet kjo ka ardhur prej krizës globale të naftës. Kjo që na ndodhi para syve, ku errësira akoma sundon dhe sytë e shqiptarëve nga e keqja janë mbërthyer drejt qiellit, centimetrave të digës së Fierzës apo kontratave për blerje energjie, është produkt mirëfilli shqiptar. Në të nuk ndikon, sepse nuk ekziston, asnjë faktor tjetër nga jashtë. Përkundrazi nga jashtë, pa asnjë përjashtim edhe nga të gjithë fqinjët tanë, po vjen mirëkuptimi dhe ndihma për të dalë sa më shpejt nga kriza. Kataklizma që prodhuam ishte e jona, madje hallin tonë të përbashkët u desh ta derdhnin me pikën e fundit edhe një apo dy shqiptarë, të cilët në mpikun e saj i vunë eksploziv të fuqishëm C4 një shtylle tensioni të lartë.
Kjo krizë “Made in Albania” ka rënjë të vjetra në kulturën tonë politike. Kriza e energjisë elektrike në vitet 2001-2002, më e ndikuar se tani nga një periudhë e gjatë me mungesë shirash, u përdor për të rrëzuar një kabinet qeveritar. Këtë vit energjia elektrike u manipulua më pak se më parë posaçërisht si mjet i drejtpërdrejtë lufte politike, por sërish mbi të ndikoi vetë mënyra e ushtrimit të konkurimit ndërpartiak. Kujdesja për rezervat ujore energjetike dhe nënshkrimi në kohë i kontratave për import, një binom fare i thjeshtë për t’u harmonizuar, u la pasdore jo sepse ndërgjegjshëm donin t’i shkaktonin popullit të tyre dhe vetes këtë dëm, porse iu errën sytë nga pasioni vetiak i luftës për pushtet. Këtë vit si asnjëherë tjetër më parë, përveç një periudhe të gjatë e jashtëligjore fushate parazgjedhore u deshën edhe dy muaj të tjerë paszgjedhorë deri sa të ngrihej kabineti i ri qeveritar. Në të dy skajet e këtyre katër muajve të nxehtë politikë kishte dhe ka edhe muaj të tjerë që po përjetohen me një administratë të paqendrueshme, të paralajmëruar për reformim, ristrukturim e shkurtim, por që edhe ky frut i fundit vjen nga pema e politikës. Për fat tani “filli” i krizës u kap, por rezulton se është një lëmsh. Pas pesëmbëdhjetë vitesh transformime jo të vogla shqiptarët panë se me energjinë elektrike, atë që sot në kohët moderne të kompjuterit quhet drita e syve, nuk ka patur ndonjë strategji dhe më pak zbatuar ndonjë e tillë. Thjesht janë bërë taktika elektorale. Kemi akoma hidroçentralet e mëdha në amortizim e sipër të regjimit komunist, hidrocentralet e vegjël lokalë të asaj kohe të pakësuar, të gjitha centralet e termocentralet e tij jashtë përdorimit. Kemi vetëm një projekt TEC-i të ri, akoma në tavolinën e debatit. Asgjë tjetër. Kështu ndodhemi në kushtet perspektive të përsëritjes e përsëritjes së këtyre superkrizave rënuese.
Tani një qiri i ndezur simbolikisht për të denoncuar orët e gjata të errësirës nuk i duhet më askujt. Jo sepse ka filluar ridalja e përkohshme nga kriza energjetike, por sepse edhe ai qiri është vazhdim i po asaj mënyre të shkuar të ushtrimit të politikës. Politika e re, e cila ka filluar të ravijëzohet, duhet të nisë me dhënien fund njëherë e përgjithmonë këtyre llojeve të viteve politikë, si 2005-ta dhe 3 korriku i saj i shumë diskutuar.

Ylli Polovina

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com