Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Kumrijet e Tiranes bejne llafe turpi

Korrieri 15 maj 2005

Janë shumë dritare në Tiranë, ku bujtin kumrijet, këta shpendë të bukur që ngjajnë fort me pëllumbat. Me t’i parë që u afrohen shumëkush nga banorët e kryeqytetit u hedh për të ngrenë. Ato i çukitin thërrimet me mjaft elegancë dhe herë pas here të vështrojnë në sy me kaq shumë kuriozitet (rrotullojnë pak kokën majtas e djathtas sikur duan të të fiksojnë më mirë), sa që ajo ditë e shfaqjes së tyre të duket më e bukura e të gjithë këtij dymijëvjeçari. Ndoshta këtë ndjesi e ka edhe një plakë e ardhur këto vite nga veriu, e cila e mbështetur në trungun e një pemë në trotuarin pranë Agjensisë Telegrafike Shqiptare, shet nga mëngjezi deri në mbrëmje vonë ndonjë paketë cigareje apo çimçakiz. Përherë pranë plakës së mirë ulet butazi dhe i afrohet duke u tundur hijshëm, një kumrije. Ajo i jep pak bukë nga racioni i vet dhe pret me durim sa zogu i magjishëm ta mbarojë sillën dhe pastaj të ngrihet në qiell.
Shqiptarët i duan shumë kumrijet, ndoshta edhe i adhurojnë. Sot gjen mjaft emra bashkëkombasesh të quajtura Kumrije, disa fish më shumë se me emrin Pëllumbesha. Madje në Gjermani kemi bashkëkombase që thirren me respekt Frau Kumrije (zonja Kumrije) dhe në SHBA ka deri edhe Kumrije Xheksën.
Elbansanllinjtë kanë kengë qytetare, në të cilat i kendohet zogut kumrije. Në Tiranë kjo prirje është një dukuri e rrallë. Këtu ky shpend i bukur, që nuk po trembet e largohet nga ky qytet zhurrmë e pluhurmadh, nuk përbën vëmendje për artin, as reklamat e bisnesit, as emërtimet e dyqaneve apo bareve, as për ndonjë emër rrugice në Kodrat e Liqenit, as për ndonjë simbol partie apo aksioni të saj humanitar. Kumrijen nuk e gjen në asnjë kopertinë libri apo si simbol të ndonjë programi televiziv. Mirëpo Tirana, kjo sprovë metropoli e shqiptarëve të këtij fillim mijëvjeçari, mund të kujdeset që në disa sheshe të veçanta të mundësojë qendrimin masiv të kumrijeve. Këta zogj të hijshëm janë vërtetë pak natyra vetmitare e megjithatë sheshe apo lulishte të kumrijave ne mund të kemi. Siç e gjithë bota ka sheshe pëllumbash.
Por tema e këtij shkrimi nuk lakmon shumimin dhe përkujdesjen ekologjike për këta zogj tradicionalë, të lidhur kaq shumë me jetën dhe historinë e shqiptarëve. Shkak për një meditim për kumrijat u bë një skenë, të cilën një koleg e vuri re në parvazin e sipërm të zyrës sonë, në katin e katërt të një prej ndërtesave kryesore të administratës së Shtetit, në Tiranë. “Dy kumrije po bënin llafe turpi!” thirri gëzueshëm kolegu dhe ne ndoqëm hovshëm drejtimin e vështrimit të tij. Veç dy kumrijet që përherë vijnë në dritaren tonë dhe shëtisin për ca kohë mbi parvazin e gjërë lart dhe poshtë saj, ato çaste thjesht po i gugatnin njëra-tjetrës. Ne e dimë që ai është një çift, nuk habitemi nëse në këtë stinë pranvere ata bëjnë edhe ndonjë “flirt” dashurie. Ndoshta një skenë të tillë kishte parë vetëtimthi kolegu, i cili është një artist iu njohur i skenës, kur brofi me thirrjen “Dy kumrije po bënin llafe turpi!”.
Çifti i kumrijeve, përherë duke gugatur, pas pak minutash do të ngrihej në ajër, por në mendje tashmë na kishte mbetur shprehja “llafe turpi”. Në jetën tonë shoqërore të një, dy apo edhe shumë shekujve më parë, edukata e shtrenguar familjare nuk lejonte që të përdoreshin, për të përshkruar një dashuri fizike mes një femre e një mashkulli, fjalë të pacipa, por saktësisht shprehja delikate “llafe turpi”. Nuk ka vetëm një televizion tek ne, i cili përdor, në përkthimet e skenave dashurore të filmave të huaj, fjalë të kulturës së rrugës. Nuk po i citojmë këto fjalë konkretisht, sepse nuk e meritojnë të shkruhen në një letër të bardhë.
As duam t’u kujtojmë bashkëkombasve anketën \"Etika në median elektronike- 2004\", studim i zyrës së ankesave pranë KKRT-së, ku rezulton se 87 përqind e shqiptarëve mendojnë se nëpër ekrane teprohet me skenat e seksit. Nuk duam po ashtu të rikujtojmë shifrat e hetimit më të fundit të opinionit studentor, ku rezulton se po përhapet i quajturi “ngacmim seksual”. Duam thjesht vetëm të sinjalizojmë praninë e një dukurie, e cila më shumë se në çdo qytet tjetër të Shqipërisë, po rrezikon të marrë trajtë të plotë dhe të bëjë “shkollë” e model në Tiranë. Në pamje të parë ajo ka të bëjë me përfoljet jo vetëm të “shtëpive publike” ilegale, as me ato që në sheshin Gjergj Kastriot Skenderbeu, para hotel Tiranës, ushtrojnë profesionin më të vjetër të kësaj bote, prostitutat. As ka të bëjë drejt për së drejti me një det të tërë vajzash të reja, të cilat nëpër të gjithë Tiranën e sidomos në trotuaret e saj më të populluara, lëvizin të veshura me një modë pantallonash xhins, që ua mbajnë shumë të shtrenguara vithet dhe ua zbulojnë tepër shumë fundbarkun. Pamje të tilla nuk i gjen nëpër qytetet e Perëndimit, sepse një mënyrë e tillë të veshuri këtu tek ne nuk është veç shije provincialesh që rrekin të bëjnë modernen.
Por këto pamje të pafund vithesh që shkunden gjithkund nëpër rrugët e kryeqytetit shqiptar do të ishin më të pafajshmet ndër aq shumë përfolje të tjera flirtesh në motele, vila buzë detit, paradhoma e deri qoshe të ndonjë zyre. Ajo që na duket e ravijëzueshme për vëmendjen e opinionit ka të bëjë me një dukuri më të spikatur: në Tiranë ka më shumë nga ç’duhet e më tepër nga ç’mund të tolerohet shthurrje të moralit.
Pra na duket se ka shprishje të këtij morali përtej limiteve që duron një shoqëri si e jona, tradicionale në thelb dhe disi konservatore, bashkësi që deri pesëmbëdhjetë vite më parë ishte krejtësisht e mbyllur në një enë ideologjike me rregulla puritane. Tranzicioni mund ta pranojë rënien e përkohshme morale të një disa pjesëve të një komuniteti, por për të marrë më pas impulsin e ngritjes, jo të tatëpjetën. Nuk mund ta parashikojmë këtë pasojë të fundit, por ato anketa që po bëhen publike njëra pa tjetrës këto ditë nuk kanë të bëjnë me fushatën parazgjedhore, por dëshmojnë se ka ardhur koha për të kundërvepruar ndaj tendencës së shprishjes. Deri edhe ministri Arben Malaj paralajmëroi ditët e fundit se kazinotë janë vend shumë favorizues për pastrimin e parave, ndërsa dihet që ka triumfuar, megjithë sugjerimet e protestat, ngritja e një superkazinoje në zemër të Tiranës. Kurrkush nuk është kundër edhe një pallati të tillë lojrash, edhe pse shqiptarët një lloji të tyre i kanë thënë me fjalën kumar. Tirana ka plot vende të tjera për një kazino të madhe, veç jo atje ku ka simbolet e veta të Shtetit (pothuaj të gjitha ministritë dhe parlamenti), të historisë (monumenti i Gjergj Kastriotit, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, tre vëllezërit Frashëri, Muzeu, Biblioteka dhe Galeria Kombëtare etj). Legjitimimi i kësaj kazinoje “kombëtare” në zemër të kryeqytetit është edhe pjesë e mendësisë së pranimit kapitullues të psikologjisë së përgjithshme të bjerrjes morale.
As kumrijet që “bënin llafe turpi” dhe as disa qindra çupa vithexhinsash, mes dhjetra mijra të rejave elegante e njëherësh të përkora moralisht, nuk përbëjnë sirenën e një alarmi sikur të mos konstatohej kjo padëshirë për të përdorur një filtër morali edhe në disa nga katet e larta të pallatit të pushtetit, të politikës apo deri edhe të ndonjë shoqate jashtëqeveritare. Sot elasticiteti i nevojshëm i një pjese të politikës për aleanca shkon gjer në flirtin me njerës apo parti që pak vite më parë kanë qënë shumë agresivë në rrëzimin e tyre apo në mënjanimin e dhunshëm të liderave partiakë. Sot aftësia e domosdoshme për manovër politike shkon aq shumë larg sa vendos jo disa metra tutje, por saktësisht në krah të djathtë, atë që deri dje donte as më shumë apo as më pak: të të ndodhte më e zeza. Sot gjen jo vetëm një shoqatë jashtëqeveritare që i përdor fondet sipas modelit të një diskoteke të tallazitur.
Nuk po flasim për të stërfolurën, rrushfetin e mitmarrjen, që po ja lendon jetën shqiptarit që nga shërbimet jetike shendetësore e deri tek përfitimi i nxjerrjes së një dokumenti. Tirana, jo vetëm për zhvillimin e saj të hovshëm dhe ndonjëherë jo fort të natyrshëm, por edhe për rolin e saj gjeopolitik të rëndësishëm në jetën e vendit, mbetet edhe metropoli kryesor i marrjes dhe trafikut të vizave, i grumbullimit dhe i lëvizjes së mallrave, i fitimit të ndershëm dhe shkumëzimit të përrenjve me para të ndotura. Tirana është megapoli i tenderave të mëdhenj, po ashtu edhe qendra që mban të bllokuar për vite me rradhë sipërmarrjen e ndërtimit të të quajturave “shtëpi popullore”, ku pallate e lagje të tëra të reja me kohë duhej të ngriheshin për të paktën ndalur rritjen marramendëse dhe abuzuese të çmimit të apartamenteve. Pikërisht në këtë mjedis ndodhi edhe skandali i Albatel, ku pothuaj ilegalisht, edhe pse me liçensë, në mes të kryeqytetit shqiptar punonin në “hotline”, kryenin biseda erotike me pagesë të kripur (por në thelb ishin ngacmime të mirëfillta seksuale) njëqind vajza.
Tirana është një qytet, në të cilin nuk mund të jetosh, pa e dashur. Por kryeqyteti ynë është në të njëjtën kohë sa i etur sinqerisht për të marrë një pamje evropiane, aq edhe i prirë të mbajë të fshehura në thellësitë e veta një kulturë të vjetër bizantine. Punon jo pak, por kërkon të bëjë edhe shumë qejf, thashetheme e kulisa pas orës njëzetë e dy. Oksidental në disa çaste të ditës, oriental për orë të tëra. Qytet plot grishje e stimuj për të ecur përpara, por edhe kryeqytet me plot intriga nga më të papërfytyrueshmet.
Kush nuk do të donte që në këtë përparim të pamohueshëm të Tiranës, përballë bjerrjes së konstatuar si prirje e këtyre kohëve, të riniste sa më shpejt, e shumëdëshiruar dhe e organizuar, ripërtëritja morale e saj. Tirana është qyteti i kumrijeve të dashuruara pafajësisht.

Ylli Polovina

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com