Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Industria kombetare e pjekjes se misrave

Korrieri, 16 gusht 2005

Tundimi për të trajtuar temën e një misërpjekësi autorit të këtyre rradhëve i lindi një vit më parë, tamam në këtë kohë vere, stinë kur këta protagonistë të rinj të jetës tonë urbane shfaqen në të gjitha kendet e mundshme të rrugëve kryesore e dytësore të të gjitha qyteteve. Atë mot u la pasdore jo për t’u harruar. Këtë verë ndodhi supriza: armata e madhe e misërpjekësve është dy e shumëfishuar. Ja përse, nisur nga ky zhvillim i ri jo vetëm numerik i kësaj dukurie, iu rikthyem subjektit.
Tashmë misërpjekësit janë bërë aq shumë dhe aq të shpërndarë kapilarisht mbi të gjithë vendin saqë mund të konsiderohen një industri.E profilit “agraro-ushqimor”. Një llogari e hamendshme të lë të mendosh se në Tiranë këta personazhe të metropolit kombëtar duhet të jenë afër njëmijë vetë. Në të gjithë Shqipërinë kjo shifër ndoshta mund të arrijë trefishin. Tashmë në mes të vapës së ditës dhe zagushisë së mbrëmjeve verore gjithkund mund të dëshmosh se ka më tepër misërpjekës se akulloreshitës. Shqiptarët në këtë stinë, fëmijë e të rritur, përfshi edhe pleq me proteza dhembësh, ndalen vazhdimisht para mangejve të nxehtë dhe, mbështjellë me një lëpushkë apo faqe të grisur libri, përzgjedhin e marrin misrin më të madh e të pjekur sa më mirë. Pastaj nisin ta përtypin me aq qejf saqë vështirë të gjesh tek ata kaq pasion për të hyrë, përshembëll, në lokalet ku, përsëri mes të nxehtit, përgatiten suflaqet Madje suflaqebërësit dhe përgatitësit e fastfood-ve ndihen në krizë, kanë në këtë stinë klientelë në rënie. Sepse të gjithëpëlqyer dhe në modë janë gjithkund misrat e pjekur. Që misërpjekja është bërë tashmë një industri kombëtare dhe misërngrënia një kënaqësi po aq nacionale nuk kërkon edhe më shumë dëshmi se kaq për t’u provuar.
Sigurisht fenomeni duket se është vetëm shqiptar. Nuk e konfirmojnë këtë misërngrenie masive asnjë prej bashkëkombasve që këto kohë kthehen nga vende e qytete të ndryshme të eurokontinentit, në perëndim dhe lindje të tij. Jemi kampionë. Pak vite më parë e kishim këtë titull nga përtypja masive e farave të lulediellit, aq sa në perëndim u përhap lajmi kurioz se shqiptarët e pas vitit nentëdhjetë të shekullit të shkuar hanin disa miza të zeza, të cilave më pas u pështynin jashtë krahët.
Çdo popull ka të drejtë të shijojë lirisht atë që i pëlqen. Ka të tillë që preferojnë breshkat, brumbujt, gjarpërinjtë, krimbat e tokës dhe deri bubuzhelët e kaltër. E padukshmja e misërngrënies së dukshme masive janë njerëzit që rrinë gjithë ditën, nga mëngjezi deri në natën e vonë, mbi atë mangall të vogël, të mbushur me kongjij karboni. Dy-tre vite më parë këta bashkëkombas jo vetëm ishin më pak se tani, por kryesisht vinin nga romët e gjithë ata që janë me lëkurë ngjyrëerrët. Tashmë profesionin e misërpjekësit e kanë zgjedhur edhe bashkëkombasit lëkurëbardhë, pra ata që janë gjithaq të papunë si të parët. Shqiptarët që pjekin misra janë një galeri e tërë e të gjitha moshave. Janë burra të rinj e të vjetër, të vetmuar fillikat apo bashkë me gratë e tyre, janë nëna sëbashku me fëmijët dhe gjyshe bashkë me gjyshërit. Ka syresh që vënë kasketa në kokë apo që lidhin futa në bel. Që ulen mbi ndonjë stol të vjetër, ndonjë gjysmëkarrige apo thjesht mbi tre tulla të hedhura njëra pas tjetrës. Në këtë galeri të madhe misërpjekësish mund të ravijëzosh edhe detaje të tjera, por do të ishte teprim. Nga një vizatim i tyre me humor, edhe pse dashamirësisht, jo vetëm do t’i shmangeshim thelbit të dukurisë, por do të vizatonim për të gjithë opinionin një personazh zbavitës. Mirëpo asgjë nuk ka për t’u argëtuar tek misërpjekësit tanë.
Ata dëshmojnë para syve tanë një plagë të madhe sociale: varfërinë.
Ata janë të gjithë në një moshë që konfirmon se kanë në ngarkim një familje. Në buzërrugë apo skaj trotuari kanë dalë për të mbijetuar, jo për hobby. Për të nxjerrë thjesht e vetëm bukën e një dite, vetëm të një njëzetë e katër orëshi. Ata nuk bëjnë dot kursime, nuk kanë llogari bankare, as fëmijë në emigracion dhe as “pesëmbëdhjetëditësha”, siç kemi në të tjerët, ndoshta shumica. Ne misërngrënësit jo gjithnjë e dimë se misërpjekësit e shumuar nga viti në vit, nuk janë bashkëkombas që këtë profesion trotuari e kanë zgjedhur për të fituar paratë e një burse studimore për fëmijën e tyre apo për t’u plotësuar dëshirën e blerjes së një biçiklete. Midis misërpjekësve nuk ka asnjë të ri. Kjo dëshmon se tek buza e rrugës, mbi një mangall dhe një gjysëm stol, pa asnjë çati mbi krye dhe i pambrojtur nga vapa ose shiu, asnjë nuk del për të mbledhur një “dorë para” e plotësuar një dëshirë rinore.
Të pjekësh misra në qoshet e buzërrugëve, kur mangalli shkarkon nxehtësi furrnalte dhe gaz karbonik sa të shkatërrojë mushkritë e një demi, kur pluhuri i makinave dhe zmogu i tyre kapërxen edhe limitet e minierave të mesjetës, kur për orë të tëra nuk lëviz dot nga vendi, duke t’u shtrembëruar e gjithë shtylla kurrizore, është një stërmundim i madh. Një vuajtje. E këshilluam njëherë një grua që të paktën të mos mbante me vete dy fëmijët e saj të vegjël, që nga padija lodronin rreth mangallit me gaz karbonik vrasës. Ajo, pasi na pa me mirënjohje, shtoi “ku t’i lë, burri më ka vdekur”. I thamë njëherë një plake që mezi mbahej në kembë se në atë pozicion vendi që kishte zgjedhur zor të kishte klientë. Kishte dalë në një kthesë rruge të rrahur pak nga njerëzit, ndërkohë nuk kishte forcë krahu t’i frynte qymyrit për ta ndezur. Na u përgjegj se do ta provonte njëherë, mbijetonte me një pension të vogël sa për të paguar korentin dhe ujin. Guxuam njëherë dhe i thamë një gruaje shtatzanë se i gjithë helmi i mangallit dhe i rrugës mund t’ja rrezikonte jetën krijesës ëngjëll që kishte në bark dhe ajo vetëm përloti sytë dhe tha “e di”.
Misërpjekësit e sotëm nuk janë gjë tjetër veç gështenjëpjekësit e viteve tridhjetë të shekullit të shkuar. Këta gështenjapjekës u bënë perfaqësuesit simbolikë të të varfërve në pothuaj të gjithë letërsinë perëndimore. Kjo ndodhi atëhere dhe në Shqipëri, me shkrimtarët e atyre viteve. Në këtë dekadë monarkiste, edhe pse vendi kishte një përmirësim të jetës ekonomike, letërsia dhe publicistika denoncuese e varfërisë mori përmasa të mëdha. Dhe kjo gjë nuk bëhej e gjitha për motive politike kundër regjimit mbretëror të kohës, ca më pak kryhej për shkaqe ideologjike. Më i madhi i denocimit të varfërisë ishte Migjeni dhe dihet që Millosh Gjergj Nikolla nuk ishte komunist.
Misërpjekësit, këta konfirmues të varfërisë edhe në vitin 2005, janë shumuar me shpejtësi shqetësuese. Ata janë dëshmitarë të gjallë të mijra dhe dhjetra mijrave që nuk i mbron kurkush dhe që i ka harruar shumëkush. Jo sepse nuk gjendet ndonjë televizion apo reportazh në shtypin e shkruar, të cilët e kallzojnë këtë varfëri. Apo sepse, duke qënë akoma në fazën e egër të kapitalizmit, shoqëria shqiptare nuk tenton të largohet nga egoizmi. Realisht bashkëkombasit janë të prirë nga rritja e ndjeshmërisë për të papërkrahurit apo ata që cilësohen si shtresat e dobëta e të brishta. Edhe pse të shtyrë kryesisht nga motive garimi politik dhe jo përherë nga një kulturë mirëfilli humane, herë pas here ndërmerren aksione të mbrojtjes sociale edhe nga qeverisësit apo edhe bisnesmenë të veçantë.
Migjeni lindi dhe krijoi në një kohë të caktuar, prandaj edhe nuk mund të përsëritet. Por mund të përtërihet letërsia dhe publicistika denoncuese e varfërisë dhe e marrjes në mbrojtje të të varfërve. Sigurisht jo për qëllime thjesht politike e për të “argumentuar” blofe se Shqipëria është bërë më e varfër se në vitin 1992 apo 1997. Jemi bërë më mirë. Tamam sepse shumica jemi bërë më mirë se dje duhet të kthejmë sot sytë e zemrën nga pakica.

Ylli Polovina




Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com