Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Dime ku shkojme, nuk dime nga vijme

Korrieri, 24 prill 2006

Ndoshta më saktë: dimë më mirë e më shumë ku shkojmë dhe dimë shumë më keq e më pak nga vijmë. Shqiptarët dinë shkëlqyeshëm të ndërtojnë të ardhmen e tyre individuale. Ndoshta në këtë dhunti janë mjeshtra. E ushtrojnë këtë talent brenda hapësirave të trojeve të tyre historike, por edhe kudo nëpër botë. Këto ditë një bashkëkombas që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, njohës i thellë i psikologjisë sociale të këtij vendi, ngulte kembë se ndryshe nga amerikani që kupën e madhe me para nis ta mbushë të hënën dhe pastaj në fundjavë e zbraz të tërën, shqiptari ka të paktën tre a katër bardhakë të vegjël. I mbush të katër, por gjatë javës pi gllënka–gllënka vetëm njërin. Strategjia e tij e kursimeve afatgjata nis me blerjen e një shtëpie të mirë, të cilën e mobilon si zotëri. Më vonë investon vazhdimisht për mirëqënien e vetes dhe të familjes së tij. Në i mbetëtë gjë mund të hapë edhe një klub. Për të ngritur ndonjë fabrikë as që përfytyrohet. Individualizmi ynë deri tani është aq i ngushtë sa që ndodhet tepër larg hapësirave të gjëra të kapitalizmit modern. Ky i fundit prej kohësh ka logjikë të fortë komuniteti.
Dhe ndërsa në aksionin e jetës tonë mungon ndjeshëm bashkësia, të paktën në Shqipëri, nën ndikimin e mosstabilizimit përfundimtar të shoqërisë së saj, rënohet ciklikisht edhe vepra jonë e shkëlqyer individuale. Rikthehemi shpesh tek pika e parë e nisjes, gati sikur të jemi mallkuar nga sindroma e Kalasë së Rozafatit. Në fillim të shekullit kërkuam pavarësi, duke prodhuar kombëtarisht një elitë rilindase me vlera liberale mahnitëse për kohën e megjithatë ramë nën regjimin e një monarkie shumë autoritare. Lufta antifashiste mbetet nga më intensivet dhe origjinalet në Ballkan, tërësisht e frymëzuar nga etja për liri, dhe më në fund u gjendëm të rrëzuar në rregjimin më të egër realkomunist të kontinentit. Lëvizja e Dhjetorit 1990 dhe vetë pluralizmi, shumë të spikatshëm nga aspiratat dhe vlerat e tyre evropiane, u reduktuan dhe u kompromentuan jo vetëm në një moment të këtyre pesëmbëdhjetë viteve shoqëri e hapur. Ka edhe shumë arsye të tjera për të na shtyrë të kuptojmë njëherë e mirë mekanizmin e të metës së vetëdobësimit tonë: nuk e kufizojmë pak individualizmin tonë për llogari të forcimit të bashkësisë.
Një nga elementët që ndihmon në këtë riekuilibrim të psikologjisë dhe veprimit tonë kombëtar është edhe njohja e thellë e të shkuarës. Paraqitja e këtij fakti duket sikur nuk vlen shumë si argument për kohën që kalojmë. Të paktën faqet e gazetave tashmë prej vitesh mbushen me rrëfime bëmash të shekullit të shkuar. Punë e mirë për të rehabilituar të kaluarën pozitive dhe e mbrapësht për të na rimashtruar me bëmat e individëve totalitaristë, ajo ka në thelb një disbalancim të madh. Eshtë e njëanshme, e sipërfaqshme, jo rrallë spekullative. Ajo reflekton e ridëshmon një shkurtim të kujtesës sonë historike. Më 7 prill të këtij viti në qytetin e Durrësit, i cili vijon të trajtohet si qendra e vetme e rezistencës së parë kundër pushtimit fashist italian ndërkohë që betejë e paepur është kryer edhe në porte të tjera, krahas autoriteve lokale më i spikaturi ishte nipi i Ahmet Zogut. Djali i Leka Zogut, për edukatën e mirësinë e të cilit askush nuk ka dyshim, ato çaste përfaqësoi autoritetin e vetëm politik të ardhur nga kryeqyteti për të përkujtuar këtë ngjarje. Kurse në të vërtetë, po të mos ishte kaq dramatike shkurtimi i kujtesës dhe e plotë ajo që ndodhi në oborrin mbretëror para dhe pas pushtimit musolinian, pa munguar në ceremoni edhe i riu Leka, të parët duhej të ishin politikanë e shtetarë kryesorë. Porse ata munguan, siç po ndodh shpeshuar kur ka ngjarje të mëdha historike të vendit. Nuk duam të themi se ata kanë pak respekt për historinë apo sepse thjesht e njohin fare pak atë. Njëherë qëlloi që një politikan i rangut të dytë nuk dinte se cilët ishin arbëreshët, kurse fjala arvanitas e hutoi dhe kujtoi se emërtonte banorë të Alaskës.
Kjo shkurtesë e kujtesës ka bërë që mëkati ynë të shtrihet sa gjërë gjatë edhe nëpër studiot e radiove dhe televizioneve tona. Tani që duhet pohuar një lulëzim i begatë i medias elektronike dhe kur njihet influenca e tyre e madhe në mirinformimin dhe në mirëformimin e një shoqërie, bisedat njohëse për historinë tonë janë ose të harruara ose të rralla. Madje ka stacione ku njihesh tërë ditën me çfarë ka ndodhur një shekull më parë në ishujt Kanarie apo në Ganë e Kongo. Në rast se ndokush kërkon të vetmbrohet se e shkuara jonë është gjysmë e zbrazët nga dokumentacioni shkrimor, fotografik apo filmik, do të mjaftonte edhe një provë nga ato që shumëve nuk u ka rënë në sy. Sëfundi një gazetar, publicisti Nuri Dragoj, ka botuar në tre vëllime një histori të hollësishme të krahinës së Dëshnicës. Janë mbi njëmijë faqe të bukura e tërheqëse të pajisura profesionalisht me të dhëna e foto të bollshme nga historia e vjetër dhe e re e kësaj krahine. Duket si paradoksale që më pak se një e njëqindëta e territorit të Shqipërisë të kërkojë një trevëllimësh, porse në të vërtetë kur i mbaron ato tre libra ke dëshirë të mësosh më shumë. Dhe duke i lexuar jo vetëm nxë gjëra të cilat për gjithë jetën nuk i ke ditur, por ndihesh krenar për popullin tend.
Krenaria kur nuk është dëngël e ushtrim epërsie, është një ndjenjë e bukur që të stimulon e jep shpresë. Në rast se ne, shqiptarët, do të na përmbytë ajo pjesë e historisë ku kemi bërë gafa dhe i jemi dorëzuar vetëdobësimit, atëhere do të na ndodhë të bjemë viktimë e drogës së arsyetimit se “pavarësinë e Shqipërisë nga Turqia e shpalli një ish-deputet i Parlamentit Osman, Lufta Nacional Çlirimtare ishte një luftë vëllavrasëse, Shqipëria ishte vendi i social-komunizmit më të egër në Evropë, politika e tranzicionit në Shqipëri është më konfliktualja në të gjithë vendet e Lindjes dhe e akuzuar për lidhje e përzierje me elementë kriminalë”.
Ka masë tek të gjitha të vërtetat. Një popull e shoqëri si e jona mund të ndjekë shembullin e eruditit Faik Konica, i cili ishte shkrimtar, publicist, diplomat dhe politikan. Nuk gjendet tjetër rast që një elitar nga shqiptarët ta ketë qortuar popullin e vet kaq ashpër sa ai (tek eseja “Ç’është liria” shkruajti “Më mirë të shes mut njeriu, se të shkronj për Shqiptarët”) dhe njëkohësisht të jetë aq fort atdhetar (në gazetën “New York Times”, në gusht të vitit 1940, ai shkruajti për flamurin tonë kombëtar edhe rradhët “Flamuri përmbledh kujtimet e shkuara të një kombi dhe një gjuhe të pashkruar që mund ta kuptoj syri dhe zemra e çdo njeriu me ndjenja”).
Njohja e thellë dhe e ekuilibruar me të shkuarën tonë na bën t’i shmangemi edhe më shumë përsëritjes së gabimeve. Të paktën kur ato kanë qënë njerëzore, pjesë e papërvojës. Tani që dimë ku do të shkojmë (Bashkimi Evropian), duhet të dimë disafish më mirë se cilët kemi qënë.


Ylli Polovina





Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com